Sopoti, magjia e turizmit alpin

October 19, 2014 12:30

Sopoti, magjia e turizmit alpin

Agim Blloshmi

Sopoti, dikur me emër dhe me famë, që bëri dhëndër Gjergj Skënderbeun me vajzën më të bukur, Donikën (Andronikën) e princërve Gjergj dhe Aranit Golemi, sot është reduktuar e rrudhur deri në kufijtë e harresës. E mbajnë gjallë vetëm tri gjëra: emri i krahinës, skuadra e futbollit “Sopoti” dhe një lokal po me këtë emër, dhe asgjë tjetër. Që të arrish në fshatin e parë Gaferr duhet të udhëtosh në këmbë mbi tri orë nga komuna e Stravajt, fshat i cili është i braktisur krejtësisht, ku shtëpitë kanë filluar të rrëzohen nga që nuk banohen. Sapo kalon Qafën e Malit përballë në këtë kohë vjeshte shikon bukuritë magjepse të këtij fshati. Në hyrje të tij të shfaqet me një pamje befasuese Ujvara e Gostimës me shpellat karstike, me pyjet shekullorë dhe me një florë e faunë shumë të bukur rreth e rrotull. Larg shikon livadhe pa fund, pyje të harlisur me larmi ngjyrash të drurëve të ndryshëm Sopoti shtrihet në lartësinë 800-1970 metra mibi nivelin e detit, ku lartësia më e madhe është maja e Gaferrit, 1972 metra. Ndërkohë fshati tjetër Sopoti është përgjysmuar nga largimi i popullsisë. Ata që kanë ngelur, nga mungesa e rrugës dhe shumë herë e energjisë elektrike stërmundohen shumë.

Mbasi ngjitemi në maloren e vështirë dhe gjithë kthesa, ku duhen gati dy orë, dalim në Qafën e Malit. Nga larg shikon livadhe pa fund, pyje të bukur, ku vjeshta iu ka dhënë ngjyrën e artë pemëve dhe tej, në horizont, sheh Strugën bri liqenit të kaltër. Mbasi kalojmë Liqenin e Cakës përmes bredhave të bukur, por që janë prerë nga dora e njerëzve të pandërgjegjshëm. Sapo  futesh në fshatin Gaferr do të ndeshesh me pamje të rralla, të denja për peizazhe piktorësh dhe objektivë aparatesh fotografikë. Ujëvara e Gostimës, psh, të lë pa mend, me shpellat  karstike, me pyjet shekullorë anash, me ujin brisk që rrjedh zhurmshëm mes luginës së ngushtë.

Ç’thonë banorët e zonës?!…

Sopoti ka resurset më të mira natyrore dhe turistike. Shtrihet në zonën klimaterike mesdhetare, nënzona mesdhetare juglindore. Temperaturat mesatare vjetore arrijnë nga 6 -20 gradë celsius. Sasia e reshjeve arrin 2260 mm shi në vit dhe periudha e reshjeve të dëborës zgjat 155 ditë më një trashësi deri në 2.5 metra. Sipas biologut dhe ing. Bajram Kullolli, i cili ka hartuar dhe projektin turistik të zonës, këtu natyra është e pakursyer për gjithçka, por duhet vëmendje nga shteti. “Jam marrë me studimin e zonës së Sopotit, është një nga mrekullitë jo vetëm e hapësirave shqiptare, por edhe e Ballkanit, thotë ai”, pa humbur shpresën se do të bëhet diçka, pasi shenjat janë dhënë. Disa projekte turistike sapo janë shfaqur, specialistët e turizmit kanë hartuar projektet e para në infrastrukturë, sidomos për rrugën, e cila   do të bëhet nga Komuna e Polisit, që nuk është më shumë se 12 kilometra dhe do të hapet nga qeveria një fond prej 450 milionë lekesh vetëm për lidhjen e këtij fshati me qendrën e rrethit. Kryetari i Komunës së Polisit, Veli Terziu thotë se ka projekte për ta lidhur të gjithë zonën me rrugë, që nuk janë të vështira e të kushtueshme, por duhet më shumë vëmendje nga qarku për realizimin projekteve dhe dhënien përparësisë të tyre.

Ali Blloshmi, i larguar në Kavajë, thotë se  nuk do të largohej kurrë nga fshati, që është një mrekulli më vete dhe ku është investuar  prej shekujsh, por nfrastruktura, rruga lë për të dëshiruar. “Ndoshta një ditë do të kthehem përsëri në vendlindjen time, aty jemi rritur, ,na ka marrë malli dhe për gurët e drurët, për pyjet e bukura, për gjithçka.

Shaban Vreto, një banor tjetër, thotë për gazetën se vendlindja  është e dhimbsur, aq më tepër që ajo është e bukur dhe ai që është rritur këtu di ku prek, di të zbulojë magjinë.

Ide dhe projekte, por ende në letër

Banorët e Sopotit kërkojnë që t’i largohen komunës së Stravajt që është shumë larg dhe pa rrugë automobilistike. Sipas Bashkim Ngjelinës, banor i Sopotit, banorët e këtij fshati kërkojnë që të bashkohen me Komunën e Polisit të rrethit të Librazhdit për vetë faktin se është rruga më e afërt dhe me distancë të afërt dhe investimet mundet të jenë më të lehta dhe të marrë fund njëherë e mirë vuajtja e banorëve. “Në në dimër këtu është një torturë e vërtetë, thotë Shefki Blloshmi, një banor tjetër i Sopotit, transporti i bazës ushqimore, pastaj më pas shitja e prodhimit, furnizimi me ushqim për vete ku transporti bëhet vetëm në këmbë. Shaban Facja, një tjetër banor i kësaj zone, por i larguar prej vitesh në Librazhd thotë se ai shkon shpesh gjatë verës në Sopot. Po të ishte e rruga Sopoti është një parajsë e vërtetë, që natyra nuk i ka kursyer asgjë. Jo pa qëllim kjo zonë është është  shpallur Zonë e Mbrojtur, Rezervë Natyrore e Menaxhuar. Ka qenë një Projekt i financuar nga  Programi i Kombeve të Bashkuara UNDP GEF/SGP në vitin 2001 e që nga ajo kohë nuk është dukur asnjë projekt, nuk është dhënë asnjë ndihmë. Madje nuk duket asnjeri andej të shohë se si abuzohet barbarisht me prerjen e  drurëve dhe dëmtimin e florës dhe faunës.

Sopoti me një histori të lashtë dhe trimërore

Mos e shiko tani Sopotin, të rrudhur dhe të mpakur, me pak jetë e gjallëri. Ka patur periudha historike që kjo krahinë ka shkëlqyer dhe ka bërë emër të madh deri në Europë dhe në Azi. Regjistrat osmanë të vitit 1467 japin të dhëna për 34 fshatra të kësaj treve, që sipas memove të  Gjon Muzakës ndahet në Sopot, Polis  dhe Bërzeshtë. Çermenika komplet, Dibra dhe Dibra e Poshtme kanë qenë treva  nën zotërimet e familjes së madhe të Aranitëve (Gjergj Golemit), me një të shkuar po aq të madhe sa në kohën e tyre.  Rreth viteve 1000 e ca David Araniti ishte ushtaraku më i lartë në Shkupit. Më pas në kohëne Skënderbeut, një nga figurat më trimërore ka qenë Gjergj (Gjorg) Golemi, që sipas De Radës: “Gjorg Golemi edhe i vdekur, i tmerroi armiqtë me sy”. Studiuesi gjerman, Bahinger thotë se po të mos ishte Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve do të ishte Gjergj Araniti (Golemi). Nga dokumentet historike të vitit 1432-1436 Gjorg Golemi  paraqitet si fuqia më e madhe  ushtarake e  cila shkatërroi turqit në shumë  beteja. Ishte Gjorg Golemi ai që hapi Kuvendin e Lezhës në  2 Mars 1444  dhe që bashkë me martesën Skënderbeut me vajzën e Gjorgut, shërbeu si lidhje e fuqishme e tërë princërve shqiptarë për t’u bashkuar në luftë kundër turqve.

Me vdekjen e Skënderbeut më 1460, filloi rënia e qëndresës së shqiptarëve, mes tyre edhe rënia e kalasë së Sopotit, ku vajzat dhe gratë për të mos rënë në dorën e ushtrive turke  u hodhën nga  maja e Malit të Gaferrit. Ndaj dhe kënga që ka çarë shekuj thotë: Sopotare moj të ngrata/Rrokni thika rrokni shpata/Ne do rrimë të luftojmë/Gjorgj Golemin s’e turpërojmë…

Kjo është historia e vjetër e Sopotit. Më 1479 me rënien e Shkodrës që ishte fortesa e fundit,  familja e Gjorg Arianit Golemit u vendos ne Sicili, pasardhës të të cilëve jetojnë edhe sot në Sicili dhe  në qytete të tjerë të Italisë. Në kujtim të luftëtarit të shquar, në  qendër të qytetit  të Librazhdit është vendosur përmendorja e tij dhe sheshi ka marrë emrin e “Sheshi Gjorg Golemi”

 

Si dimri dhe vera

Natyrisht këtu pranvera dhe vera janë të mrekullueshme, me atë gjelbërim, me atë freski e bukuri, me ato burime të ftohta e cicërima zogjsh. Por edhe dimri është njëlloj si vera, madje edhe më i bukur. Hapësirat e pamata të pllajave malore janë pista ideale për sportin e skive. Por mungon infrastruktura, rruga dhe hoteleritë.

 

Djathi i Sopotit

Sopoti është një vend kryesisht blegtoral, me kullota alpine me bimësi nga më të ndryshmet, çka i jep bulmetit shije të veçantë. Baxhoja e vetme këtu, me administrator Ferit Blloshmin, është më e mira në të gjithë Shqipërinë e Mesme. Veç nënprodukteve të tjera këtu prodhohet djathi i njohur për famën dhe emrin e tij “Djathi i Sopotit”.

 

Bukuritë e Sopotit

*Qafa Emalit

*Liqeri i Cakës

*Mali i Nenzës

*Ujëvara e Gostimës

*Ujëvara e Gurrës

*Ujërat termale të Nenzës

*Lumi i Gostimës

*Fushat e Malit Plak.

*Maja e Gaferrit.

*Kanionet e Qafës së Mali.

*Mali i Gurit të Pëllumbit

*Ylli i Alpeve

Tradita

Fshatarët e këtyre zonave shquhen për bujarinë, mikpritjen dhe respektin ndaj të huajve siç e karakterizon çdo vatër shqiptare. Në qoftë se je i lodhur, i lagur, të strehohesh, të hahet bukë, mjafton të trokasësh në një shtëpi më të afërt, menjëherë të hapet dera dhe ngrohtësia sopotare. Ka raste që bisedat t’i bësh edhe nën dritën e kandilit, sepse, sidomos në dimër erërat e forta dhe dëbora që arrin mbi 1.5 metra krijojnë probleme në furnizimin me energji elektrike. Nëse do të gdhish një natë ose disa net tek familjet sopotare do t’iu shërbehet me ushqime të vërteta biologjike,si qumësht, gjalpë, djathë, kos, salcë kosi, bukë e bërë vetë nga tokat e fshatit si dhe mish qengji i pjekur në bidon, në saç, furrë ose në hell,.ku ushqimi ka shijen më të mirë. Shtëpitë janë të ndërtuara bukur me gurë të skalitur nga mjeshtërit vendas dhe mokrarë.

Natyra dhe turizmi

Sopoti  shtrihet në  lartësinë  800-1970 metra mbi nivelin e detit, ku lartësia më e madhe është maja e Gaferrit 1972 metra. Sopoti është një zonë me biodiversitet të lartë dhe ka mbi 110 lloje të bimëve si artini, blini,mështekna, dëllinja e kuqe, dëllinja e zezë, pisha, bredhi, panja,tisi, rrobulli, gështenja e egër etj. Midis këtyre bimëve, endemiku Ylli i Alpeve, rritet vetëm në Sopot. Janë mbi 40 bimë dhe specie (popullata) që paraqesin rrezik të zhduken dhe propozohen të futen në librin e kuq. Në këtë zonë ka një faunë të pasur, ku gjendet kaprolli, dhia e egër, gjeli i egër, thëllëza, zardafi, ketri, macja e egër, nusja e lalës.

Një pasuri e paçmueshme këtu janë ujërat. Në ujin e pastër dhe të ftohtë të Gostimës që rrjedh nga burimet e malit të Gurit të Pëllumbit dhe Malësisë së Nenzës rritet trofta, në lumin e Shrebenicës ka plot burime termale me veti kuruese, ku shkojnë shumë njerëz, por vetëm në verë dhe në mënyrë primitive. Sistemimi dhe modernizimit tyre, sistemimi do të bënte edhe frekuentimin për turizëm dhe shërim.

 

October 19, 2014 12:30
Komento

1 Koment

  1. Besa October 19, 12:39

    Donika a nuk ka qene nga Kanina?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*