Sot beteja për kryeprokurorin/ A do t’i përgjigjet Basha-Ramës?

December 7, 2017 09:08

Sot beteja për kryeprokurorin/ A do t’i përgjigjet Basha-Ramës?

Politika pritet të zhvillojë ditën e sotme një betejë për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Kjo çështje ka ndezur debatin mes palëve politike prej ditësh, teksa ditën e sotme, më 7 dhjetor, mbaron mandati i kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Socialistët kanë deklaruar se mandati i Llallës përfundon sot dhe ai do të duhet të lërë detyrën. Ishte kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, që në studion e Report Tv tha se Adriatik Llalla ikën nga detyra ditën e sotme dhe do të zëvendësohet me një kryeprokuror të përkohshëm.

Nga ana e saj, opozita ka hedhur akuza të vazhdueshme ndaj mazhorancës, me pretendimin se po kap institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe se po ‘gatuhen’ pazare në kurriz të Reformës në Drejtësi

Ndërkohë, një ditë më parë kryeministri Edi Rama ftoi publikisht kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që të bashkohen për të zgjedhur bashkë kryeprokurorin e ri, për të cilin duhet shumicë votash. Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e kryedemokratit, i cili ka zgjedhur heshtjen, por nuk dihet për sa.

Gjatë ditës së djeshme, anëtarët e Komisionit të Ligjeve janë njoftuar për ndryshimin e axhendës së mbledhjes ditën e sotme. Pjesë e mbledhjes do të jetë një memo e Shërbimit të Kuvendit për Monitorimin e Institucioneve të Pavarura, mbi procedurën që duhet ndjekur për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.

“Njoftimi i anëtarëve të Komisionit me memon e Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve të Pavarura, Nr.2955 Prot, datë 21.11.2017, memon e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Nr. 3096 Prot, datë 05.12.2017, si dhe miratimin e projektvendimit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administrimin e procedurës së caktimit të përkohshëm të Prokurorit të Përgjithshëm”. (Komision përgjegjës, relator Blendi Çuçi”, thuhet në njoftim.

December 7, 2017 09:08