Sot Dita Botërore e AIDS, gjithçka duhet të dini për sëmundjen

December 1, 2017 10:17

Sot Dita Botërore e AIDS, gjithçka duhet të dini për sëmundjen

Pranvera Kola-DITA 

Ndonëse infeksioni HIV mund të diagnostikohet nëpërmjet testeve të shpejta që zbulojnë praninë, ose  mungesën e antitrupave të këtij virusi, (shumica e këtyre testeve japin rezultate brenda ditës), sërish pjesa dërrmuese e pacientëve nuk e dinë se janë të infektuar, duke u kthyer në një kërcënim serioz për shëndetin e personave të tjera që kanë afër.  Kjo ndodh për shkak të mungesës së shenjave të dukshme klinike të sëmundjes, si dhe frikës prej paragjykimeve që mund t’u bëjë shoqëria.

Sot në “Ditën Botërore të AIDS”, autoritetet e shëndetit publik apelojnë për kryerjen e testeve diagnostikuese, rezultatet e të cilave mund të merren brenda ditës, çka është thelbësore për vendosjen e diagnozës në të njëjtën ditë, si  dhe për trajtimin dhe kujdesin e hershëm të sëmundjes. Specialistja e shëndetit riprodhues në ISHP, Lumturi Mërkuri bën me dije se grupet që janë në rrezik të lartë për t’u infektuar me HIV përfshijnë: “Burrat që kanë marrëdhënie seksuale me burra, ata që injektojnë droga, të burgosurit dhe personat që jetojnë në mjedise të tjera të mbyllura, punonjësit e seksit dhe klientët e tyre, si dhe transgjinorët”.

Sipas saj këto grupe shpesh kanë sjellje që rrisin vulnerabilitetin ndaj HIV dhe zvogëlojnë aksesin në programet e testimit dhe trajtimit. Për infeksionin HIV nuk ka shërim. Megjithatë, medikamentet efektive antiretrovirale (ARV) ndihmojnë për të kontrolluar virusin dhe për të parandaluar transmetimin, në mënyrë që njerëzit me HIV, si dhe ata në rrezik të madh për t’u infektuar, të mund të gëzojnë jetë të shëndetshme dhe produktive. Mërkuri tregon në vijim të shkrimit se cilat janë shenjat dalluese të sëmundjes, si dhe masat parandaluese që duhet të merren.

Gjithçka duhet të dini për HIV
HIV (Virusi i Imunodeficiencës Njerëzore) është virusi i cili prek dhe dobëson sistemin imunitar të organizmit të njeriut duke e lënë atë të pambrojtur nga infeksionet dhe nga disa lloje kanceri. Shkatërrimi dhe dëmtimi gradual i funksionit të qelizave të imunitetit i bën gradualisht individët e infektuar pacientë imunodeficient, të ndjeshëm për një gamë të gjerë infeksionesh, lloje kanceri dhe sëmundjesh të tjera që njerëzit me sisteme të shëndetshme të imunitetit mund të luftojnë. Funksioni imun i organizmit matet nëpërmjet numërimit të qelizave të quajtura CD4. Faza më e avancuar e infeksionit HIV është AIDS, i cili mund të zgjasë nga 2 deri në 15 vjet për t’u zhvilluar, në varësi të individit. AIDS është përcaktuar si zhvillimi i llojeve të ndryshme të kancerit, infeksioneve apo manifestimeve të tjera të rënda klinike. HIV nuk është sinonim i AIDS. Një person i infektuar me virusin HIV, jo domosdoshmërisht është i sëmurë me AIDS, ai mund të jetë i infektuar me virusin HIV, por mund të mos jetë i sëmurë me AIDS.

Si ndodh transmetimi i virusit
Transmetimi i HIV mund të ndodhë nëpërmjet shkëmbimit të një shumëllojshmërie lëngjesh të infektuara të trupit të njeriut, si: gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale. Disa nga sjelljet dhe kushtet që vënë individët në rrezik më të madh për t’u infektuar me HIV përfshijnë: “Marrëdhëniet seksuale vaginale ose anale të pambrojtura, pasje të një infeksioni tjetër seksualisht të transmetueshëm, si: sifilizi, herpesi, klamidia, gonorrea dhe vaginosa bakterore, shkëmbimi i mjeteve të kontaminuara, si: gjilpëra, shiringa e pajisje të tjera gjatë injektimit të drogës, marrja e injeksioneve, apo transfuzioneve të gjakut të pasigurta, transplanti i organeve, si dhe procedurat mjekësore me instrumente të mprehta të kontaminuara, shpimet aksidentale me gjilpërë (përfshirë dëmtimet e stafit shëndetësor). Individët nuk mund të infektohen me HIV nëpërmjet kontaktit të zakonshëm të përditshëm, si: puthjet, përqafimet, takimi i duarve, ose ndarja e objekteve personale, ushqimit apo ujit, etj.

Rrezikojnë edhe fëmijët
Të rrezikuar nga kjo sëmundje janë edhe fëmijët. Transmetimi mund të ndodhë që gjatë shtatzanisë, nëse nëna është mbartëse e virusit. Kalimi i virusit nga një nënë HIV pozitiv tek fëmija i saj gjatë shtatzënisë, lindjes, apo ushqyerjes me gji, quhet transmetim vertikal, apo nga nëna tek fëmija. Transmetimi i sëmundjes në këtë rast mund të jetë tërësisht i parandalueshëm. Kjo mund të ndodhë vetëm në rastet kur nëna dhe fëmija marrin barna e duhura antiretrovirale të përcaktuara nga mjeku pas vendosjes së diagnozës së saktë.

Ndërkohë që për të zvogëluar këtë rrezik, autoritetet e Organizatës Botërore të Shëndetit rekomandojnë krijimin e mundësive për parandalimin e transmetimit nga nëna tek fëmija, të cilat përfshijnë sigurimin e mjekimit antiretroviral për nënat dhe foshnjat gjatë shtatzënisë, lindjes dhe periudhës pas lindjes, si dhe trajtimin gjatë gjithë jetës për gratë HIV pozitiv, pavarësisht nga niveli i CD4.

Shenjat dalluese të AIDS
Megjithëse njerëzit që jetojnë me HIV priren të jenë më infektues në muajt e parë, shumë prej tyre nuk janë në dijeni të gjendjes së tyre HIV pozitiv deri në fazat e mëvonshme. Megjithatë, duhet të dini se shenjat ndryshojnë në varësi të fazës në të cilën ka arritur zhvillimi i infeksionit. Javët e para pas infeksionit fillestar, këta persona mund të mos kenë asnjë shenjë, ose mund të shfaqin shenja të ngjashme me gripin si ethe, dhimbje koke, skuqje apo dhimbje të fytit. Me dobësimin progresiv të sistemit imunitar, infeksioni përparon dhe një person mund të zhvillojë edhe shenja të tjera të cilat ndryshojnë në varësi të fazës së infeksionit si: fryrje e nyjeve limfatike, humbje e madhe në peshë, ethe, temperaturë, diarre e vazhdueshme, kollë. Pa trajtim mund të shfaqen edhe shenja të tjera sipas llojit të infeksioneve të ndryshme oportuniste.

Si vendoset diagnoza për HIV-AIDS
Mërkuri vë në dukje se është e rëndësishme të theksohet se testet që përdoren për vendosjen e diagnozës zbulojnë antitrupa të prodhuara nga sistemi imunitar i një individi për të luftuar patogjenët e huaj, dhe jo zbulimin e drejtpërdrejtë të vetë HIV. Sot janë në dispozicion teste të ndryshme që zbulojnë praninë ose mungesën e antitrupave të HIV. Shumica e individëve i zhvillojnë këto antitrupa brenda 28 ditësh nga infektimi, dhe për këtë arsye antitrupat mund të mos kapen menjëherë pas infeksionit. Kjo periudhë e hershme përfaqëson kohën e rrezikut më të madh për transmetimin e infeksionit, megjithëse transmetimi i HIV mund të ndodhë gjatë gjithë fazave të infeksionit. Ritestimi i individëve që diagnostikohen me HIV është praktikë e mirë për të përjashtuar çdo gabim të mundshëm testimi apo raportimi.

Shërbimet e testimit për HIV 
Po sipas Mërkurit, në çdo rast testimi për HIV duhet të jetë vullnetar, ndërsa testimi i detyrueshëm nuk është i pranueshëm sepse dëmton praktikat e mira të shëndetit publik dhe shkel të drejtat e njeriut.

Vetëtestimi për HIV është procesi ku një person i cili dëshiron të dijë statusin e tij HIV merr një mostër, kryen një test dhe interpreton rezultatet e testimit në mënyrë private. Vetëtestimi për HIV nuk jep një diagnozë definitive HIV pozitiv.Vetëtestimi është një test i parë, i cili kërkon analiza të mëtejshme nga stafi shëndetësor.

Partnerët seksualë të personave të diagnostikuar me infeksion HIV kanë një probabilitet më të madh për të qenë HIV pozitiv. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon ofrimin e shërbimeve të testimit për të arritur këta partnerë. Të gjitha shërbimet e testimit të HIV duhet të ndjekin parimet e rekomanduara nga OBSH: miratim i informuar, konfidencialitet, këshillim, rezultate të sakta të testimit dhe lidhje me kujdesin, trajtimin dhe shërbimet e tjera.

 

Si mund të parandalohet HIV

Individët mund të zvogëlojnë rrezikun e infektimit me HIV duke kufizuar ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikut. Mënyrat kryesore për parandalimin e HIV, të cilat shpesh përdoren në kombinim me njëra-tjetrën përfshijnë: përdorimin e prezervativit, testimin dhe këshillimin për HIV dhe sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme, rrethprerjen mashkullore mjekësore vullnetare (syneti), përdorimin e terapisë antiretrovirale (ARV) për parandalim, reduktimin e dëmit për përdoruesit e drogave intravenoze, eliminimin e transmetimit të HIV nga nëna tek fëmija.

Kurat për trajtimin e AIDS

Sot infeksioni HIV mund të kontrollohet nëpërmjet përdorimit të terapisë antiretrovirale të kombinuar, e cila përbëhet nga 3 ose më shumë barna antiretrovirale. Barnat antiretrovirale nuk kurojnë infeksionin HIV, por kontrollojnë shumimin e virusit brenda trupit të një personi dhe i mundësojnë sistemit imunitar të individit të fuqizojë kapacitetin për të luftuar infeksionet. Mjekimi me barnat antiretrovirale zgjat jetën e sëmurëve, duke bërë të mundur edhe rritjen e cilësisë së saj, duke e shndërruar kështu AIDS-in në një sëmundje kronike.

December 1, 2017 10:17
Komento

1 Koment

  1. lora December 1, 20:18

    Une nuk e kam njohur siden ne kohen e para 1990-es. Keshtu qe kjo eshte semundje e kesaj kohe ashtu si 100 fishimi i kancerit apo krimit, prostitucionit, droges, tradhetise, mundeses respektit, dinjitetit njerezor, moralit e shume dukuri te tjera. Ju vendosni data dhe dite per çdo fatkeqesi njerezore qe keni krijuar; nuk e di per ti kujtuar qe te shtohen apo te sulmohen. Po kush i polli kur ato nuk egzistonin?! Pra, duhet te kuptoni nje gje: cila eshte rruga qe duhet te kete njerezimi qe keto dukuri shfarorsese te njerezimit te mos egzistojne. Diku kam lexuar se ne kohen e koleres ne Spanje, virusin e hodhi nje mjek qe me perpara kishte pergatitur dhe vaksine. Kur filluan te vdisnin miljona njerez, ai menjehere hodhi ne treg vaksinen dhe perfitoi miljarada. Keshtu po veprohet sot dhe çudia eshte: flitet ne media, gazeta apo politikane “me plot bindje” se ja masat kunder fatkeqesise vetçfarosese dhe njerzeve u duket diçka qe i sherben jetes. !!!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*