Sot, një vjetori i ndarjes nga jeta të Sadije Agollit

February 27, 2020 11:13

Sot, një vjetori i ndarjes nga jeta të Sadije Agollit

Një vit më parë u nda nga jeta Sadije Agolli, gruaja e Dritëro Agollit, një nga shkrimtarët më emblematikë të Shqipërisë.

Ikja e Sadijes ishte e papritur dhe e parakohshme për shumë arsye. Jo vetëm se nuk e kishte kohën për të ikur nga kjo jetë, por kishte një vitalitet të paparë për të përjetësuar veprën e Dritëroit.

Shprehja brilante se pas një burri të shquar, ndodhet doemos një grua e shquar, në këtë rast ka një kuptim perfekt. I kam thënë këtë Dritëroit në sy të Sadies dhe ai ma ka miratuar këtë. Veprat e mëdha që ka shkruar Dritëroi gjatë më shumë se gjysmë shekulli dhe që hyjnë në fondin më të shquar të letrave shqipe, vërtet kanë emrin e Dritëroit, por ato kanë dhe një bashkautor: Sadijen. Ajo ka qenë për më shumë se gjysmë shekulli lexuesja e parë e gjithçkaje që shkruante Dritëroi, redaktorja e parë dhe kritikja e parë e tij. Këtë që po them unë e kam përjetuar dhe mund ta dëshmoj me fakte. Ia merrte copërat e letrave nga xhepat, ku Dritëroi shkruante shprehje të mençura, copëza dialogjesh, vjersha, subjekte tregimesh e romanesh dhe ia ruante me shumë kujdes. Sepse ajo e njihte më mirë se askush se cili ishte Dritëroi. E deshi pambarimisht, e vlerësoi dhe e adhuroi si askush tjetër në këtë botë! E nga kjo dashuri marramendëse, i shkoi dy vjet më pas atje pranë… Ndjente mungesën Dritëroi për të apo ajo ndjente mungesën e Dritëroit? Nuk e di.

 

Mund të shkruaj pambarimisht për Dritëroin dhe Sadijen.

Unë e kam njohur shoqen e madhe të jetës së Dritëroit, ndaj dhe kam pasur dhe kam një respekt të madh për Sadije Agollin. Bashkëshortësia e saj më Dritëroin ishte një amalgamë njerëzore e admirueshme në të gjitha aspektet. Sadija e donte marrëzisht bashkëshortin e saj të shquar sa kishte marrë të gjitha huqet e tij. Mbase edhe Dritëroi kishte marrë nga ajo. Po ju sjell një fakt domethënës: Në disa dedikime dhe letërkëmbime që ruaj prej çiftit Agolli unë nuk jam në gjendje ndonjëherë  të kuptoj se cili është shkrimi i Dritëroit dhe cili i Sadijes. Ata shkruanin gati njëlloj, me të njëjtin stil komunikimi dhe intelekti, të ortografisë dhe të drejtshkrimit. Aq shumë ishin shkrirë me njëri-tjetrin. Një aliazh që nuk u ndryshk deri në fundin e jetës së tyre fizike. Edhe ky mendoj se është një element i dashurisë së tyre të madhe…

Në dy vjetorin e ndarjes nga jeta të Dritëroit, Sadija po punonte intensivisht për një libër me kujtime të miqve bashkëkohës të Dritëroit. Libri ishte drejt përfundimit. Mbi 90 për qind ishte dhe është i kryer, falë përkushtimit të jashtëzakonshëm të Sadijes. Këto ditë pritet të dalë nga shtypi ky libër, plot një vit nga ikja e Sadijes.

 

Në këtë përvjetor të parë të ndarjes së Sadije Agollit nga jeta, po botojmë këto shenime nga ditari i Akadamikut Rexhep Qosja të shkruara në maj 1999 dhe që janë botuar si hyrje në romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” në botimin luksoz që ka dalë pas vdekjes së Dritëroit.

Përgatiti për botim Xh. Shehu

 

 Dritëroi dhe Sadija 

Rexhep Qosja

E hënë, 17.5.1999

 Vijnë Dritëroi dhe Sadija. Ka vjet që Dritëroi nuk shkon kund pa Sadijen.

E kuptueshme.

Ka vjet që Sadija nuk e lë Dritëroin të shkojë askund vetëm, pa të.

E kuptueshme.

Dritëroit i duhet shumë prania e Sadijes, kujdesi i Sadijes, kur është në Tiranë dhe kur është jashtë Tiranës, kur është në Shqipëri dhe kur është jashtë Shqipërisë, kur është vetëm dhe kur është në shoqëri.

E kuptueshme.

Sadija nuk e lë më Dritëroin vetëm, sepse Sadija e di më mirë se askush tjetër ç’do të thotë Dritëroi për jetën kulturore të Tiranës e të Shqipërisë, në të vërtetë ç’do të thotë kujdesi i saj për shëndetin e tij. Sadija nuk e lë më Dritëroin vetëm, sepse Sadija e di më mirë se askush tjetër, si të ishte historiania më e mirë e letërsisë shqipe, se ç’do të thotë krijimtaria letrare e Dritëroit për Shqipërinë dhe Shqiptarët.

Dritëroi nuk bën hap jashtë shtëpisë pa Sadijen, përpos, kur shkon në mbledhjen e Kuvendit të Shqipërisë, sepse Dritëroi e ka kuptuar ç’do të thotë Sadija për paqen e tij, për jetën e tij dhe për krijimtarinë e tij.

Dritëroi dhe Sadija çifti i parë bashkëshortor, kujtoj, emblematik në historinë e kulturës shqiptare.

Kur i shoh Dritëroin dhe Sadijen, më kujtohen çiftet e mëdha kulturore, historike evropiane, e më së shpeshti, kur i shoh Dritëroin e Sadijen, më kujtohen Sartri dhe Simon dë Bovuar.

Ka njerëz të cilët sa më shpesh t’i takosh dhe sa më shumë t’i njohësh, aq më pak të pëlqejnë. Dritëroi është ndër njerëzit e rrallë, të paktë, të cilin, sa më shpesh ta takosh, aq më shumë të pëlqen, dhe sa më shumë ta njohësh aq më shumë e nderon dhe të nderon. Dritëroin e njoh kaherë, prej vitit 1971, kur isha në Tiranë në Delegacionin e Shkrimtarëve të Kosovës, i cili për herë të parë vizitonte Shqipërinë.

Mandej, Dritëroin e kam takuar shumë herë, megjithëse jo kurdo që kam qenë në Tiranë. Në vitin 1993, në një shoqëri krijuesish e gazetarësh, ku ishte dhe Dritëroi, më ka takuar ta kaloj më shumë se gjysmën e natës. Takimet më Dritëroin nuk mund të harrohen. Sytë e tij, kanë parë shumë të këqija; veshët e tij kanë dëgjuar shumë tmerre; miratimet dhe pendesat janë këmbyer shpesh në shpirtin e tij – gjatë gjashtëdhjetë e tetë vjetëve.

Dritëroi ka kujtesë të jashtëzakonshme, si të gjithë krijuesit e jashtëzakonshëm. Dhe, kjo shihet në poezinë dhe në prozën e tij.

Dritëro Agolli është, në të gjitha pikëpamjet, i jashtëzakonshëm.

Ai është në gjendje me orë, ditën dhe natën, ta mbajë të tendosur vëmendjen e njerëzve me të cilët bisedon. Ai të përvetëson me sjelljen e natyrshme, me gjestet e matura, me të cilat e prin a e përcjell bisedën, me kallëzimin e tij të shtjelluar në mënyrën më artistike, qoftë ai kallëzim imagjinar a i njëmendtë. Ai është artist i vërtetë, artisti më i madh i fjalës së gjallë shqipe. Ai e gdhend bukur mendimin, aq bukur, aq natyrshëm saqë dëgjuesit kurrë nuk do t’i shkojë mendja se ai, vërtet, po bën përpjekje që të gdhendë mendimin: ajo në të vërtetë është gjuha e tij e përditshme.

Ai e ul dhe e ngre zërin; ai qesh dhe bëhet serioz; ai pohon dhe mohon; ai pajtohet dhe kundërshton; ai tërhiqet dhe sulmon duke qenë gjithnjë me vëmendjen më të madhe i dëgjuar prej të gjithëve – prej atyre që fjala e tij i përkëdhel dhe prej atyre që fjala e tij i copëton. Biseda e tij sendërtohet në të gjitha trajtat dhe me të gjitha mjetet e kallëzimit – me rrëfim e bashkëbisedim, me prapavështrim dhe parashikim, me krahasim, thirrje, mohim, pohim, dyshim, vlerësim, me zvogëlim e zmadhim e shumëfishon rolin e tij në çdo shoqëri, në çdo situatë: një Dritëro sa të gjithë të tjerët. Ata që nuk e kanë takuar, nuk do të mund ta imagjinojnë mendjen e tij diamantore; as bisedën e tij të pasur, plot përmbajtje; as shprehjen e tij aq të figurshme; as shikimin e tij djallëzor – nuk do të jenë në gjendje ta imagjinojnë gjeniun e tij. Deri vonë nuk kam bërë përpjekje ta kuptoj Dritëroin. As ai mua.

Kam menduar se ai nuk më mirëkupton për shkak se nuk kam shkruar asnjëherë për të: mirë apo keq! Ai mund të ketë menduar se nuk e dua, ndoshta, pse ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Dhe, e vërteta mund të ishte kjo: për Dritëro Agollin unë isha një kritik i ashpër, estetizues, kurse për Rexhep Qosen ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, i pajtuar me dogmën e realizmit socialist dhe, në atë post i caktuar, për të ruajtur dogmën!

Jo, me shumë vonesë jam bindur se ndaj Dritëroit isha i padrejtë! Të ishte – vetëm ndaj Dritëroit! Dritëroi herët më ka bërë të kuptoj se, si shumica e krijuesve, qoftë edhe e më të mëdhenjve, në kushtet e diktaturës, krijuesi është i dyfishtë me sjellje, dhe me mendimin artistik.

Gjatë Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në vitin 1972, shumë shkrimtarë e krijues të tjerë do të vijnë në hotelin “Dajti”, që të takohen me kosovarët që merrnin pjesë në Kongres. Me Dritëroin do të shihem shpesh. Një mbrëmje Dritëroi do të ndalet me ne deri vonë. Kur po shkonte e unë po e përcillja, do të ndalemi në bisedë nën një bredh në oborrin e Dajtit. Kurrë nuk i kam harruar fjalët që i kam dëgjuar prej tij atëherë: “Ju e keni më të lehtë se ne – do të thotë ai derisa degët e bredhit i përkulte shiu. – Ne durojmë vuajtje të mëdha! Ne nuk guxojmë as të shkruajmë, as të mendojmë çka duam! Ne jemi të vrarë prej cenzurës. Ne na mbyti kjo diktaturë!” Pikat e shiut, që binin currilë, dhe pikat e lotëve, takoheshin në mjekrrën e Dritëroit. Këto fjali do të jenë fshehtësi e madhe në jetën time deri në vitin 1992, kur do t’ua tregoj disa miqve në Tiranë, me rastin e përpjekjeve për organizimin e Kuvendit për Pajtim e për Bashkim Kombëtar. Kisha drojë për fatin e Dritëroit. Dhe, kështu, unë s’doja ta kuptoja Dritëro Agollin – kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve edhe pse e dija se ai ishte shkrimtari më liridashës, më demokrat në letërsinë dhe në kulturën shqiptare. Dhe, Dritëroi është treguar në gjithë elementin e tij të vërtetë, thelbësor, pas përmbysjes së komunizmit: ai nuk do të bëjë as përpjekjen më të vogël ta ndryshojë, ta përmirësojë jetëshkrimin e vet. Në asnjë pikëpamje. Ka qenë çka ka qenë. Ka bërë çka ka bërë. Ka shkruar çka ka shkruar dhe si ka shkruar. Ka gëzuar privilegjet që ka gëzuar. Ka pësuar vuajtjet që ka pësuar. Ato janë një e kaluar dhe nuk mund të ndryshohen. Mund të provojmë t’i ndryshojmë, t’i përmirësojmë, vetëm duke gënjyer. E shkrimtari i vërtetë vetëm një gjë nuk guxon ta bëjë kurrë në jetën e tij: nuk guxon të gënjejë. Gënjejnë të vegjlit, po jo të mëdhenjtë, burracakët, po jo burrat.

Pas përmbysjes së komunizmit, Dritëro Agolli ka shpërthyer në krijimtari si një vullkan, që gjatë është përgatitur të shpërthejë. Për dhjetë vjet ai e ka mbushur një jetë krijuese prej shumë dhjetëvjeçarësh. Edhe përpara, gjatë kohës së komunizmit, ai ka shkruar vepra, disa vepra, që do të qëndrojnë përgjithmonë në historinë e letërsisë shqipe.

Tani, pas përmbysjes së komunizmit, me veprat e shkruara dhe me jetën e tij, ai është bërë figurë qendrore e historisë së letërsisë shqipe. Të gjitha këto që i thashë për Dritëroin në këtë Ditar, m’i nxiti biseda e sotme me të. E, biseduam për frenimet e dhunën e djeshme dhe për shfrenimet e dhunën e sotme.

Për Kosovën dhe për krimet shfarosëse serbe – më së shumti.

E kuptueshme.

Dritëroi, shihet, është i lodhur, por mendja e tij është jashtëzakonisht e kthjellët. Është, vërtet, diamantore! Dritëroin, si edhe Ismailin, në disa gazeta e tribuna politike e letrare, tani e sulmojnë. Asgjë e çuditshme! Është kjo, si e thotë Balzaku, “lufta e egër, e përhershme, që mediokritetet i shpallin njeriut superior”!

February 27, 2020 11:13
Komento

1 Koment

  1. ? February 27, 15:29

    Ou, tashti edhe Sadija qeka bo lajm?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim