Sot protestojnë vetëm të vdekurit!

March 15, 2018 15:28

Sot protestojnë vetëm të vdekurit!

Redaksionale Dita

Në 15 mars 2008 qeverisja mafioze e Mediut, Bashës, Berishës dhe e disa të tjerëve, VRAU njerëz.

10 vjet më pas pasiviteti ynë, pamundësia jonë për t’i ndëshkuar, vret frymën e së drejtës. Moralin po se po. Pra, është një krim me pasoja shumë më afatgjata për shoqërinë. Është një krim i mbarsur me shumë krime dhe tragjedi të tjera. Është dënimi me krim i së nesërmes, i së ardhmes.

Të gjithë shtiren. Njerëzit paskan kapacitet të pafund për të fshirë realitete dhe fakte, siç fshihet me gomë nga një copë letër një vizatim, dhe pikërisht për këtë shkak, edhe për të shpikur realitete.

Ata që bënë Gërdecin dhe 21 janarin fusin kokën si struci pas ferrës së “rikoshetave” apo “gabimeve njerëzore”, pas thikave me helm apo çadrave pistoletë, pas protestës së dhunshme të opozitës apo pas ferrës së një puçi që nuk ndodhi, por që e shpikën pikërisht për të fshehur kokën. Gjykatësit po ashtu. Po ashtu edhe diplomatë amerikanë dhe europianë që s’dihet sepse, nuk flasin dot kundër krimit pa shpikur detantën e tij me dy krahët e politikës.

Pandëshkueshmëria, kriminalizimi i pushteteve dhe pushteti akoma i stërmadh i qeverive mbi jetët e njerëzve, i ka shndërruar shqiptarët në një masë inerte që nuk reagon as kundër krimit, as kundër pandëshkueshmërisë.

Kështu nuk duan ta dinë më për ata që u vranë dhe ju shkatërruan jetët dhe shtëpitë, as masa e demokratëve, mbështetësit, votuesit, fanatikët e kryefajtorëve të Gërdecit dhe 21 janarit. Vetëm sepse kanë përfituar diçka nga ai pushtet i përgjakur (shumëkush një rrogë dhe ca më pak të tjerë miliona), vetëm se shpresojnë të përfitojnë nesër prapë diçka nëse ai rikthehet përsëri, i bën që gënjeshtrat të jenë për ta më të vërteta se vetë tragjedia dhe krimi i vrasjes së njerëzve. Ajo që është e gënjeshtërt dhe irreale bëhet më reale se realja, justifikim i krimit më i vërtetë se krimi. Padrejtësia, varfëria, konformizmi me të pushtetshmit e politikës, ka përmbysur rendin e gjërave.

Zakonisht thuhet që të vdekurit janë në të vërtetë ndërsa të gjallët në të rreme. Për turpin tonë, të vdekurit e Gërdecit dhe 21 janarit janë sot në të gënjeshtër ndërsa vrasësit e tyre, në të vërtetë.

Nuk duan t’ia dinë fort as mbështetësit, votuesit e socialistëve. Ata nuk alarmohen që përvjetori i tragjedisë këtë vit kaloi më i heshtur se vetë të vrarët dhe që lidershipi i tyre, ju largua Gërdecit ashtu si vrasësi vendit të krimit. Edhe pse nuk ishte krimi i tij. Edhe këta shtiren sikur Gërdecin ja u ka fshirë nga kujtesa moria e halleve të përditshme. Ose mjaftohen, si përgjithësisht masat nuk mendojnë me kokën e tyre dhe që ja kanë deleguar arsyen lidershipit, me racionalizimin: E di partia! Kaq. Nuk arrijnë të kuptojnë se pandëshkueshmëria për Gërdecin dhe 21 janarin, është një kërcënim i tmerrshëm për të sotmen dhe të nesërmen e jetëve të tyre dhe fëmijëve të tyre.

Askush nuk proteston për mungesën e drejtësisë për Gërdecin dhe 21 janarin e pandëshkuar. As “shoqëria civile”. Besojnë se tashmë ata janë të vdekur të një krimi të vjetër që nuk mund të mos i harrosh? Vetëmashtrime fatale dhe të mjera! Sepse nëse ndalet drejtësia, nuk ndalet krimi. Viktima të tjera do pasojnë. Të gjithë do të bien, në një formë apo në një tjetër, në një moment apo në një tjetër, nën gijotinën e krimit që mund ta ndalë vetëm drejtësia.

Prandaj të luftosh për kauzën e të vdekurve në Gërdec e 21 janar, është të luftosh për jetën. Ta harrosh atë kauzë, do të thotë të investohesh në favor të krimit, të vdekjes.

Sot protestojnë vetëm të vdekurit. Të vdekurit e Gërdecit dhe 21 janarit. Në periferi të empatisë së mbetur por që pakësohet frikshëm. Ne nuk i shohim sepse ata, janë një noumenë e parrokshme nga shqisat tona. Por padyshim që protestojnë. Plaka e pleq, fëmijë, burra e gra, me plagët, gjymtimet përlyer me gjakun e pafajshëm, ende të ngrohtë, si çastin fatal kur i vrau lakmia për pushtet e pasuri.

Ata protestojnë çdo sekondë përpara Kuvendit të harruar në sherret e veta, gjykatave që nuk japin drejtësi, shtëpive apo vilave luksoze të politikanëve që ja u morën jetën dhe në themelet e të cilave dergjet gjaku i tyre.

Ne i braktisëm, por ata nuk na braktisin. Ata protestojnë për Ne. Për Ne, të gjallët me moral të vdekur. Sepse, në fakt, të vdekurit jemi ne. Të vdekur që ecim. Çdo ditë, stinë, vit i ikur pa drejtësi, është një stinë apo një vit i vdekur që ndjell krim në Shqipëri dhe shton kapicën e kufomave të moralit që po na mbulon si shtet, shoqëri dhe atdhe.

Ata protestojnë për NE ndërsa NE, masa inerte e shqiptarëve me gjykim të mbytur nga hallet, varfëria, pasuria, gjakimet, ambiciet, injoranca dhe fanatizmi, nuk mund t’i shohim as dëgjojmë.

Ne vazhdojmë të flemë. Deri ditën kur padrejtësia të prekë edhe jetët apo shtëpitë tona (në një shtet pa drejtësi askush nuk i ikën dot krimit) dëshpërimi i të vrarëve do të depërtojë edhe në ngujimin e botëve tona, si një urdhër për drejtësi. Do të vijë ajo ditë sepse në një shtet pa drejtësi, askush nuk mund t’u ikë kthetrave të krimit. Sado të ngujohet prej tij.

Pikërisht atëherë, të vrarët e Gërdecit dhe 21 janarit, do protestojnë edhe në hapësirat e ndërgjegjeve të fjetura, në ëndrrat tona të gjumit duke tromaksur vrasësit dhe duke na zgjuar NE, të vdekurit e gjallë.

Vetëm atëherë, në mos qoftë shumë vonë, do të vijë ringjallja. E secilit prej nesh. Edhe e Shqipërisë.

Botuar nga Dita

March 15, 2018 15:28
Komento

7 Komente

  1. Une, Lubonja. March 15, 15:37

    Gerdecaret i bleu Berisha! Edhe pas tragjedise votuan per Salen! Morren pak para dhe shiten gjakun e njerezve te tyre! Me vjen shume keq ta them kete por keshtu jane shqiptaret! Edhe ne Amerike eshte nje aktore e filmave porno dhe kerkon te ktheje dollaret qe morri nga dashnori i saj per te mos folur!

    Reply to this comment
    • Astrit Demaj March 15, 16:23

      E ke gabim Ti, Lubonja.
      Banoret e Gerdecit kurre nuk i kane dhene voten Partise kriminale demokratike. Ata i vodhen duke na vrare per se dyti dhe me paturpesi deklaruan se Gerdeci na dha votat. Gerdeci nuk harron. Por duhet te gjithe si shqiptare te mos harrojme se Gerdece te tjere do na shoqerojne duke na marre jeten, pronen, nderin dhe dinjitetin. Flm per mirekuptimin.

      Reply to this comment
  2. Koba March 15, 16:01

    E Nderuara Zonja Kryeprokurore Arta Marku ,Cfare prisni akoma.Hapeni kete Dosje te Lemerise dhe jepuni denimin e merituar sadisteve te Oborrit te Sali Gerdecit dhe te Trafikantit Mediu.

    Reply to this comment
  3. Krimet nuk happrohen ! Hija e krimit do tju ndjek deri ne vrr March 15, 16:07

    Djalli me bri Berisha dhe familja e tij i eshte ngjitur nga mbrapa shqiptareve nuk eshte vetem Gerdeci me 26 te vrare ! Eshte edhe 1996 me viktimat e 3000 shqiptareve ! Eshte Otranto ku u mbyten 81 vete ! Shakaku kryesor i shume ngjarjeve te zeza te krimit jane rezultat i politikes djallzore i vet djallit te shqiptareve ! Berisha ! Shikeni vet si eshte krusur e shemtuar prej shpirtit te tij te zi ! Nuk ka krim ne Shqiperi qe te mos jete lidhur me emrin e tij !
    21Janari 2011! Krimet e tij jane t te dokumetuara dhe te paharrueshme nga shqiptaret !

    Reply to this comment
  4. katarakti March 15, 16:09

    Shume e bukur. Urime. Eshte e vertete se me te vdekur se te vdekurit, jane shqiptaret zombi.Ata qe jane mbi toke. Qe hallet e perditshme i kane bere qe te shikoje secili bythen e vet. Askush nuk kerkon drejtesi per te tjeret, per kete vend, per kete popull. Secili ruan koken e vet. Homo homini lupus ( njeriu per njeriun eshte ujk) est ose ndryshe: secili per vete, Zoti per te gjithe. Shqiptaret u ambientuan me te keqen, me te ligen, me padrejtesine. Ne fakt, per mendimin tim, kjo eshte Shqiperia per te cilen jane te denje shqiptaret. Qe e meritojne plotesisht kete shoqeri te padrejte. Te mendonje nje çast se Gerdeci ose 21 janari te kishte ngjare ne Danimarke! Si do te ishte ngritur ne kembe i gjithe vendi. Edhe me afer. Ne Kroaci, Rumani, Bullgari jane denuar dhe po denohen per korrupsion kryeprokurore, ministra e politikane te te gjitha rangjeve dhe ngjyrave politike. Vetem ne Shqiperi asgje nuk leviz! Sot kemi ne krye te vendit, si president, ate, per shkak te te cilit ngjau 21 janari! Gruaja e tij i gjuan me çizme dhe i thote ne mes te parlamentit dhe para kamerave by..ire kryeministrit! Sali Berisha i Lazaratit, qe prodhonte 2 miliard euro droge ne vit, akuzon qeverine aktuale per kanabizimin e vendit. Milioneri dhe hajduti i Rruges se Kombit pergjerohet dhe qan si foshnje para varferise se njerezve! Por kryeministri aktual e ka mendjen se si te mbahet. Dhe çfare çorapesh dhe atletesh te mbathe. Drejtesine ia ka lene Zotit ta beje!

    Reply to this comment
  5. rimi March 15, 18:03

    Me se e vertete e nderuar Redaksi e zoti Thano!

    Eshte per te ardhur keq perpara ketij realiteti fatal ku gangesteret te yshtyr edhe nga ata qe ndajne parate e mallin krenohen sikur te kene ringjalle njerez me bamiresite e tyre e jo ti kene vrare me duart e tyre!Hesht fabrika qe i prodhoi,hesht drejtori i radhes se mbikqyre kete fabrike e keto monstra duke pare nga dritaret frengji kokpalaret qe marshojne te gezuar drejt ambieteve te llotos apo drejt ekranit te televizorit per te mos u ikur seriali i radhes se telenovelave turke!

    Mjerisht jemi te detyruar te jetojme sikur parajsa eshte gjetur ,sikur te gjithe na duan e vdesin per ne ,duke e kuptuar qe ne se japim jetem per kerkush!Duke kujtuar viktimat e harruara rikujtojme vrastaret qe shetisin me lluksin perpara e prapa duke na thene “Ju jetoni ne sajin tone,ndryshe e pesoni si ata qe dhane jeten jo per te ardhmen e tyre por per te qene ne kanibalet e kesaj shoqerie te lumtur,te kamur e gjithnje ne lumturi te plote!

    Respekt z;Thano per identifikimin e ketij turpi shoqeror qe na ndjek nga pas ne çdo vit pervjetor te viktimave te “burrave te shtetit” e atyre qe per pushtet kane firmosur ne dhomat e erreta per mos ndeshkim te ketyre krimineleve si “monstra” te dhuruara nga fabrika qe na beri te njohim se kush eshte e bardha e kush eshte e zeza,kush jane kriminelet e atdhetaret e perkushtuar per kete toke.

    Ne fund te fundit qeverite qe drejtojne jane pasqyre e popujve respektive.

    Reply to this comment
  6. Kris 1 March 15, 21:06

    Respekt zoterinj te dites per kushtrimin qe duhet te zgjoje nje popull te tromaksur nga mafia e te trullosur nga kembanat e tre mafie parti.Nese nuk zgjohet dhe dhurat vetingu qe po na ben Amerika dhe europa do te jete nje gijotine ne duart e mafies perte prere koka te pafajeshme njje fabrike vdekje dhe varferie

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*