Sot Vettingu për hetuesin e dekoruar nga amerikanët që theu tabunë Berisha

October 11, 2018 01:43

Sot Vettingu për hetuesin e dekoruar nga amerikanët që theu tabunë Berisha

Prokurori Adnan Xholi do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Ai është prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme që nga viti 2013. Më herët ai ka punuar si prokuror i prokurorisë së krimeve të rënda.

Një raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së Xholit nga ILDKPKI.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Lidhur me pasurinë, BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit të Prokurorit Xholi dhe të gjitha deklaratat rezultojnë pa probleme.

Po kontrolli i figurës dhe vlerësimi i aftësive profesionale? Kush është në këto dy drejtime të rëndësishme Adnan Xholi?

Dibrani 43 vjeçar ka mbajtur vazhdimisht një profil tejet të rezervuar përballë mediave megjithëse ka mbuluar poste të rëndësishme dhe ka qenë prokuror i disa dënimeve të përjetshme për personazhe të njohur të botës së krimit.

Xholi mbahet mend si hetuesi që theu tabunë Berisha në marrjen e këtij të fundit në pyetje pas dekadash të tëra që politikani në fjalë e ka shpërfillur hapur këtë institucion edhe në ngjarje të rënda si trazirat e 97-s, grushti i shtetit i shtatorit 98, Gërdeci, vrasjet shtetërore të 21 janarit etj.

Ndodhi për çështjen Doshi dhe pretendimin për atentat ndaj tij.

Ishte hera e pare dhe deri më tani e fundit që një prokuror i Republikës ka thirrur për të dhënë dëshmi Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, ministrin e Brendshëm, ish-kryeministrin, deputetë e persona të tjerë jo të zakonshëm.

Prokurori i heshtur ka qenë një nga studentët e shkëlqyer të juridikut në brezin e tij dhe sot është ndër të paktët prokurorë shqiptarë që gëzon besimin e amerikanëve.

Xholi është nderuar me certifikatë mirënjohjeje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur ka qenë në krye të Drejtorisë së Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme.

Ai u paraqit në tetor 2013 para jurisë së Teksasit, ku prezantoi procedurën hetimore të ndjekur në hetimin e një shtetasi shqiptaro-amerikan për trafik droge dhe pastrim parash. Pak muaj më pas, Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, John Bales dhe Drejtori i Përgjithshëm i Byrosë Federale të Hetimit (FBI), James B.Comey i dorëzuan një certifikatë mirënjohjeje.

Trupa gjykuese e Vettingut për Xholin drejtohet nga Brunilda Bekteshi, Valbona Sanxhaktari dhe Suela Zhegu.

k.a. / dita

 

October 11, 2018 01:43