Spartak Braho hyri në burgun 302, zbulohet zyrtari që takoi

September 29, 2016 09:34

Spartak Braho hyri në burgun 302, zbulohet zyrtari që takoi

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, i cili ka vizituar dy ditë më parë një të paraburgosur në burgun nr.302 në Tiranë, është kryetari i këtij komisioni, deputeti Spartak Braho. Lajmi konfirmohet për gazetën “Panorama” nga burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Dritan Dajti në një seancë gjyqësore
Dritan Dajti në një seancë gjyqësore

Sipas burimeve, deputeti Braho ka qenë i pranishëm në ambientet e burgut “Mine Peza” për një takim me ishzëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Iliaz Labi, person nën hetim në masë sigurie “arrest në burg” për “korrupsion”.

“Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare ka qenë në ambientet e paraburgimit ‘Mine Peza’, nr.302, ku ka zhvilluar një takim me të paraburgosurin Labi”, thanë burimet, duke mohuar që ai të ketë takuar persona të tjerë.

Spartak Braho
Spartak Braho

U bë e ditur se vizita e deputetit është zhvilluar në zbatim të procedurës dhe rregullores së institucionit. Për shkak të statusit të deputetit, Braho e ka të drejtën e takimit me persona të izoluar në institucione të paraburgimit.

Hyrja është dokumentuar në regjistrin e hyrje-daljeve të institucionit, ku shënohet edhe arsyeja e vizitës. Në rastin në fjalë, motivi ka qenë “takim me të paraburgosurin Iliaz Labi”.

Të njëjtat burime saktësuan se vizita e Brahos ka qenë e dyta në një hark kohor prej një jave. Mësohet se mes kreut të Komisionit të Sigurisë dhe ish-zëvendësdrejtorit të Burgjeve ka njohje personale e miqësi familjare dhe vizitat e shpeshta mund të kenë lidhje dhe me interesimin e deputetit për disa probleme shëndetësore nga të cilat vuan i paraburgosuri Labi.

VERIFIKIMI I SHKB

Deklaratave publike të gazetarit Artan Hoxha, se deputeti Braho mund të ketë takuar të paraburgosurin Dritan Dajti në burgun 302, i akuzuar për vrasjen e katër policëve në 7 gusht 2009, në Durrës, u bënë shkak dje për “vënien në lëvizje” të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.

U bë e ditur se SHKB-së i është kërkuar nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të verifikohet nëse ka pasur veprime në kundërshtim me rregulloren nga ana e punonjësve të institucionit apo probleme me kamerat e sigurisë.

GAZETARI HOXHA

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News24”, dy ditë më parë, gazetari investigativ, Artan Hoxha, tha se një deputet i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare është futur në ambientet e burgut 302 në kryeqytet, duke hedhur dyshime se ai ka zhvilluar një takim me Dritan Dajtin.

“Para se të hynte në burg, deputeti ka kërkuar që të fiken kamerat e sigurisë, në mënyrë që të mos linte gjurmë. Zyrtarisht është lajmëruar që takimi do të bëhet me ish-nëndrejtorin, që në fakt është i ndaluar, por takimi është bërë me dy persona të tjerë, që ndodhen në të njëjtin repart.

Është Kastriot Ismailaj, i arrestuar për çështjen DIA, dhe mund të nxjerrë të dhëna që implikojnë krimin me politikën, dhe është kontaktuar edhe Dajti, pasi dyshohet se rrjeti që mund të ketë kërcënuar kryeprokurorin është përmendur edhe ky person”, deklaroi gazetari Hoxha.

September 29, 2016 09:34
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*