SPEKTAKËL / Çmimi i Parë, bum urimesh për Ermalin dhe Metën

February 11, 2018 21:34

SPEKTAKËL / Çmimi i Parë, bum urimesh për Ermalin dhe Metën

Tentativa për t’i skualifikuar, mesa duket veproi në të kundërt: Dashamirësit dhe fansat u rreshtuan edhe më fort përkrah idhujve të tyre duke e shndërruar Ermalin dhe Metën, në kryefjalën e mediave kulturore të javës që sapo lamë pas.

Dhe siç e dimë të gjithë, ndodhi e paevitueshmja: Ermali dhe Meta rrëmbyen çmimin e parë në skenën gjigande të festivalit të bujshëm të Shna Rremës, me këngën “E çë pastaj?”

Gojët e Liga janë informuar se një bum urimesh kanë ardhur për artistët shqiptarë.

Sigurisht mes tyre figurojnë dhe të çuditurit që nuk e besonin kurrë se Ermali kishte vërtet zë dhe talent muzikor, dhe që rëndom e etiketonin si sazexhi dasmash për shtresën e ulët dhe të mesme. Gjithashtu të shastisur mbetën ata që teksa hiqnin kapelen para talentit politik të Metës, nuk do t’ua merrte mendja se ai dinte të lodronte aq bukur majë asaj vegle disi primitive vetëm me një tel, maksimumi dy.

Kryeprokurorja Arta Marku

Kryeprokurorja Arta Marku

“Ermali dhe Meta, shqiptarët pushtojnë Shna Rremën”, “Ermal+Meta, s’ka randsi kush o tenxherja e kush kapaku, krysorja osh me u gadit gjella”, “Jepini Cezarit çka është e Cezarit, gjithë pjesa tjetër për Ermalin dhe Metën”, ishin disa nga komentet e fansave nëpër rrjetet sociale.

Në intervistat e para pas fitores, artistët treguan se teksti i ndjerë i këngës është frymëzuar nga ngjarjet tragjike të jetës së tyre.

“Ishim tu pi kapuçino,” rrëfeu Ermali me lot në sy, “kur m’u derdh gjysma e filxhanit në pantallona. Nisa të shaj e të mallkoj, por Meta më qetësoi. E mo pun’ e madhe, e çë pastaj, më tha ai”.

“Po mo gjigand, ashtu i thashë,” konfirmoi Meta, duke shtuar plot emocion, “po edhe ju gazetarët fluturoni kot. Ja fituam edhe Shna Rremën. E çë pastaj?”

Vlen të kujtojmë këtu se vala e zhurmës mediatike për emrat e rinj ndërkombëtarë të muzikës shqiptare, Ermal dhe Meta, është e krahasueshme vetëm me ngjarjen e disa muajve më parë, kur gazetarja e njohur e kulturës Arta Marku u emërua kryeprokurore e përgjithshme e përveçme e përkohshme e përhershme e pavetinguar gjysmë e votuar kush vjen pa ftuar s’e gjen sofrën shtruar.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike me vesh muzike         

February 11, 2018 21:34
Komento

2 Komente

  1. Plaku Xhuxhumaku February 12, 18:28

    Hahahahaha, kete rradhe me bete vertete per te qeshur. Bravo!

    Reply to this comment
  2. gjermani i fundit February 12, 23:30

    hahhahahahaaa, shume e goditur me emer dhe mbiemer. Edhe me Sabile Rishen e keni goditur sakte tabelen. Keq e keni me Mark Markun, ky e ka llagapin si gomari qe e ka bishtin njesoj si koka.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*