Spitalet në krizë për gjak, shtohen aksidentet, dhuruesit ikin me pushime

Pranvera Kola July 31, 2013 09:48

Spitalet në krizë për gjak, shtohen aksidentet, dhuruesit ikin me pushime

Nën moton “Para se të nisesh me pushime, bëj një akt solidariteti: Dhuro Gjak”, Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut dëshiron t’i përgjigjet situatës tragjike, si pasojë e mungesës së gjakut në stinën e verës, e cila tashmë ka filluar të ndjehet masivisht në rrjetin spitalor. Për këtë është planifikuar që të zhvillohen një sërë fushatash sensibilizimi për dhurimin e gjakut duke nisur nga mbrëmja e ditës së sotme. Kjo pasi shtimi i aksidenteve gjatë javëve të fundit ka nxjerrë në pah mungesën e rezervave të gjakut që institucionet spitalore duhet të kenë në gjendje, për të përballuar komplikacionet që shfaqin të lënduarit apo pacientët e shtruar në repartet e ndryshme spitalore, si dhe të sëmurët kronikë, mbijetesa e të cilëve varet nga marrja e gjakut. Pavarësisht masave të marra edhe në muajt e mëparshëm nga autoritetet shëndetësore, sërish problemi i mungesës së gjakut nuk ka marrë zgjidhjen e duhur. Specialistë pranë Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut kanë pohuar se në njëfarë mënyre deri më tani janë përballuar nevojat për sasi gjaku me rezervat e mbledhura më parë. Kjo edhe pse numri i dhuruesve rezulton të ketë pësuar rënie drastike gjatë muajit korrik. Praktikë kjo e cila përsëritet çdo vit në sezonin e pushimeve. Sipas specialistëve të qendrës së gjakut numri i dhurimeve gjatë periudhës së verës bie dhe shkaku pse bëhet e vështirë vera është sepse ka një rritje të numrit të aksidenteve, çka shton nevojën për rezerva të gjakut të cilat u vijnë në ndihmë jo vetëm të lënduarve nga aksidentet, por edhe personave të tjerë që jetën e tyre e kanë të kushtëzuar nga marrja e gjakut disa herë në muaj. Aksidentet e ndodhura gjatë periudhës së korrikut kanë arritur të përballohen. Vështirësi ka pasur në furnizimin me gjak të pacientëve me grupe të rralla. Për këtë arsye mungesat në gjak ndihen më shumë gjatë gushtit dhe shtatorit, për të cilat synohet sensibilizimi që të jepet më shumë gjak. Kundrejt, kësaj situate, Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetarë të Gjaku, në bashkëpunim edhe me Stellwings (shoqatën e motoçiklistëve), Ministrinë e Shëndetësisë, Qendrën e Gjakut, Shoqatën e Talasemikëve, etj zhvillojnë gjatë pasdites së sotme aksionin për nxitjen e  dhurimit vullnetar të gjakut, në Parkun Rinia (te Taivani), rreth orës 19:30 nën moton “Para se të nisesh me pushime, bëj një akt solidariteti: Dhuro Gjak”. Ky moment nuk është i vetmi për këtë stinë, ai pritet të pasohet edhe nga një sërë aktivitetesh për grumbullimin e gjakut në zonat e pushimit dhe ato të kultit. “Secili prej nesh duhet të bëhet protagonist në këtë aktivitet sepse në Shqipëri, 600 persona vuajnë nga talasemia dhe e kanë jetike dy herë në muaj që të marrin gjak, aksidentet rrugore shkaktojnë, gati më shumë se 1 të vdekur në ditë dhe shumë të plagosur që kanë nevojë për gjak, ndërkohë që janë të shumta dhe ndërhyrjet kirurgjikale të zhvilluara e që kanë nevojë për gjak. Prandaj, të dhurosh gjak nuk të kushton asgjë, mjaftojnë vetëm 5 minuta për të dhuruar gjak, pasi në këtë formë mund të shpëtojmë jetën e dikujt, ndërkohë që ndihmojmë edhe zhvillimin normal të organizmit tonë”, bëjnë me dije rreth aksioneve drejtuesit e kësaj shoqate.

 

 Rastet e trajtuara nga spitali i traumave

Për gjashtë mujorin e parë të vitit spitali universitar i traumës raporton se janë përballur me 80 raste të humbjes së jetës. Në pjesën dërrmuese të rasteve të lënduarit nga aksidentet kanë humbur jetën gjatë transportit për në spital. Duke iu referuar shifrave të aksidenteve rrugore, drejtuesit e traumës vënë në dukje se këto të fundit po zënë gjithnjë e më shumë një përqindje më të lartë sa i takon nivelit të vdekshmërisë në popullatë, ku nuk mbeten pas as plagosjet me armë zjarri. Sipas autoriteteve shëndetësore, statistikat e dekadës së fundit flasin për një përmbysje të raportit sa i takon nivelit të vdekshmërisë së shkaktuar nga sëmundjet e rënda dhe atyre të traumave. Më tej drejtuesit e shërbimit të traumës bëjnë me dije se fluksi në urgjencën e traumës është tepër i lartë. Kundrejt kësaj situate  është kërkuar marrja e masave të reja sa i takon bashkëpunimit që duhet të ekzistojë ndërmjet traumës dhe strukturave përgjegjëse, Ministrisë së Shëndetësisë, asaj të Mbrojtjes dhe Policisë së Shtetit. Edhe në këto ditë të nxehta korriku, puna në shërbimin e traumës vijon intensivisht, ndërkohë që rastet e urgjencave fatkeqësisht janë të shumta në numër.

Pranvera Kola July 31, 2013 09:48
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*