SPORT / Dëmton ligamentin gjykues, Gjykata Kushtetuese mbyll sezonin para kohe

January 4, 2018 17:11

SPORT / Dëmton ligamentin gjykues, Gjykata Kushtetuese mbyll sezonin para kohe

 

Nga të gjithë analistët sportivë pritej që Kushtetuesja të ishte një protagoniste e dorës së parë në merkaton e janarit. Kjo edhe për arsye se investitorët perëndimorë janë futur fuqishëm në kampionatin shqiptar të Vettingut.

Por burime nga Qendra Spitalore Vettingore “Nëna Vlahutin” bëjnë me dije se Gjykata Kushtetuese nuk do të jetë pjesë e merkatos për shkak se ka dëmtuar seriozisht ligamentin gjykues.

“Të gjitha skanimet dhe rezonancat marmalatike tregojnë se tendina që lidh artikulacionin gjykues me gjymtyrën arsyetuese të Kushtetueses është shkëputur. Kjo duhej të ishte pikasur shumë kohë më parë. Ajo që është e sigurtë, mbetet fakti që Kushtetuesja ka dalë jashtë loje për një periudhë ende të pacaktuar kohe,” deklaroi një ekip ekspertësh nga kjo Qendër.

Duke rishqyrtuar pamjet e arkivës së kamerave të pasigurisë, ekzaminuesit po përpiqen të saktësojnë nëse dëmtimi ka ndodhur gjatë një seance gjykimi për heqjen e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima, apo në momentin kontrovers të dhënies së vendimit kundër një padie të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë.

Analistët pohojnë se në këtë episod të fundit, është vënë re një tendosje e panatyrshme e Kushtetueses që për momentin nuk iu dha shumë rëndësi.

“Duket se ka qenë një sforcim i pakuruar që në fund rezultoi me pasoja”, thonë specialistët.

Nga ana e tij, një nga menaxherët më në zë të botës së Vettingut, Donald Lu, pohoi se një periudhë kohe në rehabilitim, pa lëvizur dhe pa marrë në duar asnjë dosje me peshë që do rrezikonte mbilodhjen e muskulaturës gjykuese, do t’i bënte mirë Kushtetueses.

“Merkato do të ketë prapë”, tha menaxheri legjendar, “rëndësi ka që kjo Gjykatë e talentuar të riaftësohet dhe të rikthehet në fushën e gjykimit”.

Shënim: Gojët e Liga është një rubrikë e vettinguar që ka deklaruar vullnetarisht se në vitin 1993 ka konsumuar tre dopio kaçurrel por ka paguar vetëm dy. Ky krim është amnistuar nga Gjykata e Strasburgut.

Menaxheri Lu duke punuar me talentet e reja

January 4, 2018 17:11
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*