Spot publicitar që të mëson si të vetëvritesh

April 29, 2013 09:26

Spot publicitar që të mëson si të vetëvritesh

 Mjaftuan vetëm pak orë nga shpërndarja e tij në internet dhe spoti televiziv për versionin e fundit  “Hyundai ix35 Crossover” ka gjeneruar reagime të ashpra pasi në vend të reklamimit të avantazheve të makinës, e përqendron vëmendjen te ideja e vetëvrasjes

 

Shoqatat mbrojtëse të konsumatorëve dhe qytetarë të shumtë britanikë janë hedhur kundër videos promovuese të versionit të fundit të “Hyundai ix35 Crossover”. E përgatitur nga agjencia publicitare “Innocean Europe per Hyundai UK”, videoja duhej të shërbente për të nxjerrë në pah prioritetet që ofron makina e prezantuar në ekspozitën e Gjenevës dhe e destinuar për t’u tregtuar në Shtetet e Bashkuara. Por imazhet e zgjedhura për të treguar se shkarkimi i “ix35”, është 100% ujë, janë gjykuar ekstremisht të papërshtatshme, aq sa shtëpia koreane e makinave është detyruar të tërheqë menjëherë spotin dhe të kërkojë ndjesë publike.

Spoti 1-minutësh përshkruan me realizëm tentativën e vetëvrasjes së një burri në moshë të mesme, i cili pasi mbyllet në garazhin e shtëpisë, pret një tub shkarkimi nga “ix35” e tij, në pritje që ambienti të mbushet me gazrat e makinës. Por, përpjekja për vetëvrasje nuk jep rezultatin e pritshëm, sepse nga sa kuptohet në tekstin e paraqitur në fund të videos, “Hyundai ix35” nuk shkarkon substanca të dëmshme për shëndetin, por vetëm avuj uji.

Përveç falsitetit të këtij transmetimi: prodhimi aktual i “ix35” operon me motor me benzinë ose diesel dhe imitimi i një mesazhi të tillë, në realitet do të rezultonte absolutisht vdekjeprurës në një ambient të izoluar (për shkak të emetimit të monoksidit të karbonit), ai ka ngjallur menjëherë reagime të forta për instrumentalizimin e një teme delikate si ç’është vetëvrasja, aq sa shumë e kanë cilësuar si videon publicitare më të tmerrshme në historinë e makinave.

Përfaqësuesit e “Hyundai”-t, theksuan më vonë se spoti “binte në kundërshtim me vlerat morale të kompanisë dhe të anëtarëve të komunitetit të saj”.

Një tjetër autogol publicitar është ai i “JWT India” për agjencinë “Ford”, i cili për të propaganduar modelin “Figo” kishte përhapur në muajin mars disa animime personazhesh si Silvio Berluskoni në pozicione të pahijshme.

E nuk është hera e parë që një prodhues makinash i drejtohet temës së vetëvrasjes. Në 2007-n “General Motors” u kritikua thellësisht për një filmim të shpërndarë gjatë kampionatit të “Super Bowl”, në të cilin një robot i fabrikimit të automjeteve pasi bën një gabim gjatë montimit të pjesëve (një vidhë e vogël e harruar) i jep fund ekzistencës së tij duke u hedhur nga një urë. Spoti që duhej të shpaloste vëmëndjen e kompanisë ndaj cilësisë, ngjalli menjëherë regimin e grupeve të shumta dhe kështu u modifikua duke eliminuar pjesën e “vdekjes” së robotit.

Faqja e internetit “Jalopnik.com”, e cila lëshoi e para alarmin për spotin e fundit të “Hyundai ix35”, kujton edhe rastin e markës britanike “Austin”, e cila në vitin 1989 për t’i bërë publicitet modelit “Metro”, kishte zgjedhur komedianin Majkëll Berrimor që akuzohej për vrasjen e një miku në pishinën e shtëpisë së tij. Përgatiti: Dorina Gjuzi

 

April 29, 2013 09:26
Komento

1 Koment

  1. anim April 30, 15:26

    Nuk kam problem me shkrimin e mesiperm por e gjej titullin e ketij lajmishqetesues dhe te papergjegjshem. Titulli “Spot publicitar që të mëson si të vetëvritesh” eshte po aq dizinformues sa edhe infantil e me shije te keqe( bad taste). Eshte e vertete se per kete lloj reklame ka pasur mjaft kritika dhe reagime te forta ne publik sa mesa di une ajo nuk eshte lejuar te shfaqet ne mediat vizive ne UK (besoj se mund ta shohesh vetem online/utube).
    Titulli qe ju i keni vene ketij shkrimi kritik ndaj idiotesise se reklamave nga ana tjeter (dhe nuk e di nese e keni marre titullin nga ndonje tabloid anglez online) mund te kete ne fakt pikerisht efektin e kundert.
    Eshte i mirenjohur efekti nxites dhe provokues i medias se shkruar dhe asaj televizive/digitale, tek njerez vulnerabel, menderisht te semure apo atyre nen efektin e substancave te ndaluar e vecanerisht ne mendjet e brishta femijerore dhe adoleshenteve ne veshtiresi qe kryejne vetevrasje pas mesazheve sotile apo subkonshe qe ata marrin nga media (shpesh mesazhe qe jane krejtesisht te keq-perceptuara apo keq-interpretuara). Titulli juaj flet per nje spot publicitar qe te mesosh si te vritesh – dhe nje i tille i ri shqiptar (vulnerabel) qe lexon kete titull dhe me pas sheh edhe spotin publicitar (duke mos qene i interesuar apo i vemendshme qofte per mesazhin e shkrimit qofte edhe per “humorin” e zi te spotit publicitar) mund te veproje bash ashtu sic thuhet ne titull apo ashtu sic personazhi ne spot peprpiqet te beje (pa sukses).
    Justifikimi juaj se s’mund te mbani pergjegjesi per sjelljet e individeve qe lexojne gazeten tuaj, mund edhe te qendroje ne sensin legal por nuk besoj se ju ben fort nder ne sensin moral .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*