Stafi i qeverisë hollandeze merr në dorë letrën e ministreshave shqiptare

October 9, 2019 20:35

Stafi i qeverisë hollandeze merr në dorë letrën e ministreshave shqiptare

HAGË DHE RRETHINA – Ishte një ditë e vrenjtur e tetorit 2023, kur përgjegjëses së pastrimit në selinë e qeverisë holandeze në Hagë, Margret Varihejben i ra në dorë një zarf i zverdhur, i pluhurosur, i nisur nga Shqipëria.

“Ç’është gjithë ky pluhur kur zarfi është dërguar vetëm 4 vjet më parë? Aha, ky vend ka marrë fund. S’bëhet Hollanda me hollandezë, jooo,” tha ajo me vete, ndërsa fryu pluhurin nga zarfi dhe vendosi ta hapë letrën, e shtyrë nga kureshtja. Nisi të lexojë.

“E dashur qeveri hollandeze! Ne gratë ministresha të qeverisë shqiptare, të bashkuar si një trup i vetëm për të vënë në jetë vendimet e fondacionit ‘Mithat Frashëri’, u mblodhëm sot për të firmosur këtë letër të shkruar nga ne, dhe nga askush tjetër. Jemi tetë gra e vajza, nëna e femra, mbesa e teze, kunata e ish bashkëshorte, nga 15 ministra që ka qeveria. Pra jemi shumicë dhe nuk pyesim për askënd, kështu që nuk ka sesi letrën të na e ketë diktuar dikush tjetër. Harrojeni atë muhabet!”

Zonja Varihejben u çudit pse autoreshat këmbëngulnin kaq shumë se e kishin shkruar vetë letrën. “Këto qenkan vari hejbet,” tha me vete, “po dale çfarë thonë më poshtë”.

Letra vazhdonte:

“Ne kemi shumë gjëra të përbashkëta me Hollandën. Ju patët krizën e tulipanëve në vitet 1630-të, ne patëm piramidat në 1997-ën. Ju quheni Vende të Ulëta, por propaganda juaj ne na ka ulur kaq poshtë sa na quani Kolumbia e Europës. Madje keni thënë se politikanët kolumbianë akuzojnë njëri-tjetrin se e katandisën vendin si Shqipëria.

Por nëse ju kishit piktorët e brezit e artë të Rilindjes holandeze, si Vermeeri që ka bërë “Vajza me vëth perle”, ne kemi një piktor të jashtëzakonshëm që ja merr vëthin vajzës dhe në këmbim, e bën ministreshë.”

Këtu shefja e pastrimit hollandez nduku faqet: “Pupu vajzë zeza, ç’janë këto turpe. Si mund të bëhesh ministre pa vëth?” Dhe e revoltuar vijoi leximin:

Shkurt muhabeti moj shoqeni dhe ju shokë të ulët, ne s’kemi veçse 30 vjet që kemi dalë nga një tunel i errët, i ftohtë, kallkan, që quhet diktaturë komuniste, të ngritur nga gjyshërit, dajallarët e xhaxhallarët tanë. Ishim një lloj Europe e Koresë së Veriut. Jo, një Veri i Europës Koreane… Nejse. E kemi llafin, e dimë mirë ç’llahtar ka qenë, se na e ka treguar kryeministri ynë i shtrenjtë që kur i ngjit shkallët e qeverisë si flutur, fap e fap e fap, dritë bëhet gjithë godina që iu bëfshim kurban të gjitha, jarebi.

Ndaj duhet të na ndihmoni. Nuk duam të na fusni në Europë, largqoftë. Thjesht të bëni si kur doni, dhe ne të bëjmë sikur fillojmë të futemi. Të shtyjmë dhe ca vjet, sa të nxjerrim paratë e vëthëve që na ka marrë piktori ynë i jashtëzakonshëm.

Ka lezet, tha me vete Varihejben, goca të shkathëta. Dhe iu kthye letrës:

Mos na keqkuptoni. Ne kemi punuar shumë dhe vendi po ndryshon përditë. Gjithnjë e më shumë, rrugët duken më të lirshme, ka gjithnjë e më pak njerëz, më pak kalamaj, merr frymë rehat. Tek ne njerëzit janë në komunikim të vazhdueshëm: I bëre letrat? Unë do kap Gjermaninë. E çova fëmijën në Francë. E more vesh, e kthyen Selfon, sa keq… Pra ka gjallëri, ka jetë.

Gjysma e shqiptarëve shërbejnë kafe, gjysma tjetër e konsumojnë, dhe pasdite ndërrohen rolet. Ndërsa në mbrëmje, sapo bie perëndimi i vagëlluar mbi liqerin pa kufi, të gjithë së bashku shkojnë të ujisin parcelat. Pra të gjithë janë në aktivitet.”

Zonja Varihejben u mahnit. “U dashka vajtur në Shqipëri, qenka parajsë,” foli ajo me vete teksa po afrohej fundi i tekstit:

Hëë, se mos harrojmë: Meqë ra llafi te liqeri, kjo letër ka mundësi t’ju vijë me një avion me emrin Lasgush. Piloti e ka emrin Kararsëz Kasëm Tunxharsllan, qeraseni me ndonjë llokum, se gjynah. Ju lutemi edhe një herë, bëni sikur na jepni një dorë, sepse këtu ka shumë forca të errëta që bëjnë sikur na pengojnë që ne të shtiremi sikur punojmë që ju të bëni sikur na pranoni në gjirin tuaj. Për ta mbyllur me një këngë të famshme popullore shqiptare, ju bëjmë thirrje: Nxitoni motrani e burrani, se gjermëni ka zënë urën!”

Zonja Varihejben e mbylli letrën, e futur në të thella. Pastaj e mblodhi mendjen, e futi sërish në zarf dhe e vuri në qoshen e errët ku e gjeti.

Kjo perlë do shkojë dëm po të ekspozohet tani. Kushedi sa do kushtojë kur të zbulohet pas 30 vjetësh!”

 

*****

SHËNIM: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Të mos kemi llafe.

October 9, 2019 20:35
Komento

11 Komente

  1. eh, ç'tu theme October 9, 21:05

    KJo nuk eshte rubrike satirike, por rubrike degjenerimi qe ka pesuar stafi juaj me edukaten, kulturen dhe respektin per njerezit qofte te thjeshte e deri tek ministre qe ju i quani ministresha! Letra ka nje karakter serioz dhe dashamires te njerzeve te preokupuar, por ju , mbasi jeni mesuar te anshkaloni, beni kete duke e futur ne rubriken “gojet e liga” dhe mire e keni: a ka goje me te lige te tallesh me veten tende dhe vendin tend si beni ju. Harram e paçi ujin qe pini se buken mund ta merri edh nga vende te tjera!

    Reply to this comment
  2. alphade October 9, 22:08

    Mjafton vetem kaq: “Ne,grate ministresha….te Fondacio-
    nit ‘Mit’hat Frasherit” per te kuptuar se sa gabim te rende
    ka bere Rama me ministreshat e tij qe na solli nga pertej
    Oqeanit nje “fosil” kolaboracionist me pushtuesit nazi-fa-
    shiste………! Me kete akt Rama ka krijuar nje hendek te
    thelle midis socialisteve te vertete idealiste me socialis-
    tet pragmatiste……!

    Reply to this comment
  3. Gani USA October 10, 00:29

    hahahaahaaaa
    super humor!!!!
    bravo autorit
    hahahaaaaaaaaaaaaa
    🙂 🙂
    A mos vdekshi se kam qesh me lot duke e lexu me ze

    Reply to this comment
  4. Niko October 10, 11:13

    Hahaha!!! Po e qerasen pilotin kararsez me llokum holandez nuk te kthehet me lasgushi, harrojeniiiii

    Reply to this comment
  5. K. M. Tusi October 10, 21:30

    Humor i zi!

    Turp te keni o gazete! Po te ishin ato gra, burra, do e shkruanit kete fare fejtoni pacavure!

    Reply to this comment
  6. Kajmaku October 11, 18:17

    Humor i zi Vertet KM TUSi! Per kete ke te drejte, ekziston si zhaner. Por per ngjyren e zeze ska faj gazeta me duket, po realiteti. qysh thua?

    Reply to this comment
  7. Gzim Kulufi October 12, 18:35

    Sak-sak, pergjegjesia e pastrimit e ka emrin Margreth! I mungon “h”-ja ne fund!

    Reply to this comment
  8. Lala October 13, 16:16

    Lodheni kot goca eshte e njohur shumica e burrave hollandez jane dylbera.

    Reply to this comment
  9. kasemi October 13, 17:12

    Vertete humor i zi, si zakonisht dita vazhdon luften kunder ketij vendi, deri sa te perfundoje atje ku kane perfunduar simotrat e saj, albania, balliu, e tjera.

    Reply to this comment
  10. Piktori Kokosh October 18, 12:30

    Sa qenka prekur ky/kjo “eh, c’tu them”. Do jete ndonje goce teze e ministreshave, qe thelbin e letres drejtuar Holandes e kishin “ju adhurojme se i bini sumes bukur”

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*