Standardi gjuhësor – Rruga e parë e Kombit

Prof. Emil Lafe October 20, 2015 10:28

Standardi gjuhësor – Rruga e parë e Kombit

Instituti Albanologjik i Prishtinës, qendra kryesore dhe historike e veprimtarisë shkencore në fushën e studimeve shqiptare në Kosovë, vjen ndërmjet nesh në Tiranë jo vetëm për një takim të thjeshtë shkencor, por edhe në një mënyrë simbolike: për të dëshmuar se shkenca shqiptare është dhe do të jetë e njësishme në frymën, në misionin dhe në detyrat e saj sot e në të ardhmen. Ne jemi në një mendje me shokët tanë në Prishtinë e më gjerë se detyra jonë madhore është që të përparojmë hap pas hapi në ndërtimin e një shteti kulturor, shkencor, arsimor, të përbashkët e të njësishëm, në gjithë hapësirën ku jeton populli shqiptar. Dhe këtë detyrë e shohim edhe si përmbushje nga ana jonë të platformës së ndërtuar nga qeveritë e dy vendeve, të Shqipërisë dhe të Kosovës, e cila mbështetet në vullnetin dhe dëshirën e përbashkët të shqiptarëve.

Revista “Gjuha shqipe” e nisi rrugëtimin e saj më1982, një vit i vështirë për Kosovën dhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me të pas demonstratave të vitit 1981 me zhvillimet dramatike që i pasuan. Ajo erdhi në bibliotekën albanologjike si simotra kosovare e revistës “Gjuha jonë”, që nisi të botohej këtu nga Akademia e Shkencave më 1981. Si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë ishin fuqizuar një varg faktorësh, si zgjerimi i funksioneve të gjuhës standarde dhe ngritja e prestigjit shoqëror të saj, shtimi i shkollave e i arsimtarëve, zgjerimi i shtypit dhe shtimi i botimeve të shumënduarshme, shtimi i radhëve të hulumtuesve në fushën e gjuhësisë, – të gjitha këto kishin bërë të nevojshme dhe të mundshme që krahas revistave shkencore të cilat u drejtoheshin kryesisht specialistëve, të fillonte botimi edhe i ndonjë reviste tjetër, që të çonte më drejtpërdrejt te rrethet e të interesuarve arritjet e gjuhësisë normative dhe, nga ana tjetër, të sillte shqetësimet dhe problemet e zbatimit të gjuhës standarde në praktikë.

Botimi i të dyja revistave ka qenë domosdoshmëri, por realizimit të domosdoshmërisë ia hapin rrugën njerëzit me vizion dhe me zemër të madhe. I tillë ishte profesori ynë i paharruar Eqrem Çabej. Në Mbledhjen e Asamblesë së Akademisë së Shkencave në shkurt 1979 ai mbajti një fjalë programore kushtuar detyrave të gjuhësisë shqiptare në fushën e gjuhës shqipe e veçanërisht të gjuhës standarde, duke e vënë theksin te pastrimi dhe pasurimi i mëtejshëm i gjuhës. “Jemi të mendimit, – u shpreh ai, – se janë pjekur kushtet që një komision i përhershëm t’i përvishet kësaj pune, plotësimit të kësaj detyre të madhe… Mendojmë gjithashtu se do të jetë vendi që të dalë ndonjë botim periodik me emrin “Gjuha jonë” ose “Gjuha shqipe”, që do t’u kushtohet kryesisht problemeve e detyrave të pasurimit e të pastrimit të gjuhës.” Në përgjigje të këtij propozimi të mbështetur edhe nga Akademia e Shkencave, duke e vlerësuar kujdesin ndaj gjuhës si përparësi të politikës kulturore të shtetit, Këshilli i Ministrave nxori atëherë një vendim të posaçëm për “Krijimin pranë Këshillit të Ministrave të Komisionit të përhershëm për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe”. Një pikë e veçantë e vendimit përcaktonte: “Për të trajtuar çështjet e pastrimit e të pasurimit të gjuhës shqipe, të krijohet revista “Gjuha jonë”, organ i Akademisë së Shkencave.”

Të njëjtat probleme, por shpesh edhe më të mprehta, përballonte praktika gjuhësore në Kosovë, në Maqedoni e në vise të tjera. Në ato rrethana Instituti Albanologjik u bë nismëtar i një Simpoziumi historik për probleme të kulturës së gjuhës, që u mbajt në Prishtinë në dhjetor të vitit 1980, i cili pati ndikim të drejtpërdrejtë që Instituti të themelonte edhe një revistë të re për këto probleme. Nga dy titujt e propozuar nga E. Çabej, njërin, “Gjuha jonë” e kishte marrë revista e Tiranës; tjetrin “Gjuha shqipe” e mori simotra e saj e Prishtinës.

Në fillim të viteve ’80 Kosova gjendej nën dhunën policore dhe psikologjike të pushtetit të Serbisë. Me gjithë ndërprerjen e plotë të komunikimit me institucionet shkencore e arsimore të Kosovës, neve na erdhi lajmi i mirë i botimit të revistës dhe me rrugë të tërthortë edhe numri i parë. Prof. Androkli Kostallari shkroi atëherë një recension të frymëzuar e vlerësues për këtë revistë. Titulli “Tribunë e re e gjuhës shqipe” përmban edhe thelbin e misionit të revistës. Recensioni mjaft i shtjelluar i A. Kostallarit ndërlidhet edhe me Simpoziumin e dhjetorit 1980 në Institutin Albanologjik dhe me punën e dendur që bëhej në Kosovë për njohjen dhe përhapjen e gjuhës standarde, si mjeti themelor i ruajtjes së njësisë dhe përbashkësisë kombëtare. Përqafimi dhe zbatimi vullnetar i një standardi gjuhësor të përbashkët ka qenë Rruga e parë e Kombit ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, para se të ndërtohej rruga e sotme. Duke u bërë shprehës i ndjenjave dhe mendimeve të gjuhëtarëve të Shqipërisë, prof. A. Kostallari shkruan ndër të tjera në recensionin e tij: “Me kënaqësi të veçantë është pritur nisma e Institutit Albanologjik të Prishtinës për botimin e revistës “Gjuha shqipe”, e cila është bërë një tribunë e re shkencore e popullore për gjuhën letrare kombëtare shqipe. Që në numrin e parë të kësaj reviste, e cila është, ndër të tjera, edhe një dëshmi e qartë e rritjes cilësore të gjuhësisë shqiptare në ato vise, theksohet se “dashuria për gjuhën amtare, ndjenja e përgjegjësisë dhe qëndrimi i ndërgjegjshëm ndaj saj” janë kushte të domosdoshme për të ngritur më lart kulturën gjuhësore dhe, për të mënjanuar të metat e dobësitë që vihen re në përdorimin e shqipes letrare, duhet ‘të mobilizohet në mënyrë të ndërgjegjshme gjithë potenciali profesional e shkencor që merret me këto çështje.””

Në rrugën që ka përshkuar revista “Gjuha shqipe” nga viti i themelimit (1982) deri sot është ndeshur me pengesa e vështirësi. Në periudhën 1991-1996 dhe në vitin 1999, d.m.th. për shtatë vjet, botimi i revistës u ndërpre. Nga viti 2000 ajo del rregullisht dhe nga viti 2005 për çdo vit kanë dalë nga tre numra me rreth 130-140 faqe mesatarisht. Lënda e revistës është e larmishme dhe e dobishme si për diskutimet teorike rreth çështjeve të standardit e të normës, ashtu edhe në vështrimin praktik. Sot është rasti t’i i shprehim nderimin tonë akademikut dorëmbarë Idriz Ajeti, kryeredaktori i parë i revistës (1982–1986), ai që e përudhi atë dhe veprimtarinë për kulturën e gjuhës në Kosovë në rrugën e drejtë që sintetizohet në parullën “Një komb – një gjuhë letrare kombëtare”; po ashtu dr. Shqir Beranit (1933-2013), kryeredaktori i dytë (1987–1988), punëtor i palodhur dhe i përkushtuar në fushën e gjuhësisë normative, dhe me merita të veçanta për përhapjen e kulturës gjuhësore në Kosovë. Në vijim revistën e drejtuan prof. Qemal Murati (1989–1990), Ragip Mulaku (1997-2004) dhe prej vitit 2005 e në vijim përsëri prof. Qemal Murati, punëtor i fortë, energjik dhe prodhimtar në fushën e studimeve gjuhësore.

Redaksia e revistës është kujdesur që në fillim të krijojë e të afrojë një numër të madh bashkëpunëtorësh jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Maqedonia e nga Mali i Zi. Faqet e revistës kanë qenë të hapura gjerësisht edhe për autorët nga Shqipëria. Ndër 278 emra autorësh që dalin gjithsej në bibliografinë e plotë të revistës, 108 (d.m.th. gati 40 %) janë autorë nga Shqipëria (një numër i mirë prej tyre me disa shkrime). Kjo, nga njëra anë tregon se problemet e normës letrare dhe të praktikës gjuhësore këndej dhe andej janë në një masë të madhe të përbashkëta, por nga na tjetër dëshmon orientimin e redaksisë dhe të vetë Institutit Albanologjik për lidhje të ngushta bashkëpunimi, për të përballuar së toku detyra tona, si gjymtyrë të një trupi të vetëm.

Duke përgëzuar dhe uruar kolegët tanë të Institutit Albanologjik për punën e tyre cilësore dhe për vendosmërinë në mbrojtjen e parimeve, të frymës dhe të arritjeve të Kongresit të Drejtshkrimit, vërej me keqardhje dhe njëkohësisht me dhembje se revista “Gjuha jonë” u ngulfat në vitin 2010, kur drejtuesit e rinj të Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe bashkëpunëtorët e koordinatorët e tyre nisën të vinin në veprim të ashtuquajturat “politika të guximshme gjuhësore”, të cilat u panë qartë si në organizimin, ashtu edhe në zhvillimin e punimeve të Konferencës së mirënjohur të Plazhit të Durrësit në dhjetorin e lagësht të vitit 2010. Si rezultat i orientimeve shkencore të shtrembra dhe i politikave të gabuara është krijuar në gjuhësinë tonë një gjendje e padëshirueshme, që ka ngjallur shqetësim publik dhe që ka si pasojë të pashmangshme uljen e nivelit të kulturës gjuhësore. Ata që janë pak më larg, shpesh dinë të vrojtojnë më mirë, prandaj, për të karakterizuar këtë gjendje po ju sjell fjalët e profesorit arbëresh Matteo Mandalà në një intervistë të botuar këtu: “Gjatë këtyre dy dekadave janë polarizuar dy fraksione, që herë kanë propozuar ndryshime a plotësime, herë kanë kërkuar krijimin e një standardi të ri, gjithherë me argumente më së shumti ideologjike, që në njëfarë mënyre janë jehonë e historisë politike të vendit, por që s’kanë të bëjnë me problemet e vërteta të standardit. Këto vitet e fundit debati është fashitur disi, por do të ishte naive të mos vihej re se propozimet për “përmirësime” fshehin në thelb përpjekjen për një reformim rrënjësor të standardit të vitit 1972, gjë që në fakt as më tremb e as më çudit: mjafton të studiohen veprat e autorëve të vjetër arbëreshë për të kuptuar se ata ishin shumë më të pjekur e mendjehapur sesa ne sot! Ajo që më shqetëson e ndonjëherë më acaron vërtet janë format e pazakonshme, madje do të thosha tinëzare me të cilat synohet të arrihet një objektiv i ndryshëm nga ai që deklarohet me fjalë.” Një vërtetim të këtyre fjalëve të kolegut arbëresh na e jep edhe ajo që është botuar në shtyp lidhur me mbledhjen e ditëve të fundit të Këshillit Ndërakademik.

Tre numrat e revistës “Gjuha shqipe” të vitit 2015 janë një përgjigje shkencore e pjekur, e argumentuar dhe arsyetuar si me argumente gjuhësore, ashtu edhe të natyrave të tjera, ndaj orvatjeve herë të hapura e herë tinëzare, për të cilat bën fjalë profesori arbëresh. Revista “Gjuha shqipe” mbron vlerën tonë më të madhe kulturore, gjuhën shqipe, dhe formën më lartë të zhvillimit të saj, gjuhën standarde shqipe, me të cilën është mishëruar kultura dhe shkenca shqiptare, jeta shoqërore e politike prej gati gjysmë shekulli.

Prof. Emil Lafe October 20, 2015 10:28
Komento

14 Komente

  1. Sylë Kasumaj October 20, 13:55

    Profesor i nderuar,

    Te falenderojme per respektin qe keni ndaj Institutit tone. Ky eshte nje institucion mbarekombetar i cili objektiv paresor ka studimin dhe integrimin e kultures kombetare dhe te kombit ne nje te vetem.
    Godina e ngritura me vite, me shume mundim e sakrifica nuk shembet leht. Ka ende njerez kombi yne qe jo vetem qe nuk do ta lejojne ta shembin ate, por do ta forcojne dhe stolisin edhe me shume.
    Me respekt

    Reply to this comment
  2. besiana October 20, 16:19

    Keshtu ju duam, Shqiperi e Kosove bashke, ne themelin e kombit, qe eshte gjuha shqipe.

    Reply to this comment
  3. .skifteri October 20, 16:54

    Rrofte kombi shqipetar !. Nje kombe nje gjuhe ,nje shtet nje popull i pa ndare ,I forte edhe me I forte ne te ardhmen .RESPEKT TE GJITHE KONTRIBUESVE DHE IDEATORVE NE VITE PER NJESIMIMIN E GJUHES SHQIPE DHE SANDARTIZIMIT GJUHESORE SI KOMBE. KJO ESHTE NJE PUNE e veshtir por QE DUHET VAZHDUAR PA NBARIM.

    Reply to this comment
    • Shahisti October 20, 17:37

      sqifto i thone KOMB, jo KOMBE.

      Reply to this comment
      • Po,Po October 20, 18:26

        Ata qe i hyne me zell punes per te ndare ne gege e toske,veriore e jugore,qe vodhen , plaçkiten e shkaterruan me themel çdo vlere te kombit tone.,nuk mund te linin jashte vemendes ate me kryesoren,qe e unifikon popullin shqiptar GJUHEN E SHENJTE SHQIPE. Duhet te jemi te vëmendëshem per te kuptuar se kjo nuk eshte nje rastesi,apo e bere nga padija.Kjo eshte ne sinkron te plote me politikat konseguente armiqësore te fqinjeve tane,qe therresin ne kor “Vdekje shqipetareve!” apo qe duan te lidhin kepucet e tyre ushtarake me zorret tona. Pra, edhe krahu i tyre,qe vepron mes nesh,bile ne funksionet me te larta shteterore, duhet trajtuar si nje kolone e peste , repart i avancuar diversionist i atyre ushtrive qe duan te na hane te gjalle .

        Reply to this comment
  4. Ruxheli October 20, 18:36

    Si more gjuhetar.Eshte e pabesueshme per mua qe edhe ti te perdoresh pe vend mbiemrin e panyjshem (madhor)qe kaq shpesh,vend e pa vend e ka perdorur Sali Berisha.,ai qe nuk vlereson njesimin e gjuhes shqipe,madje,do te thoja qe ne te vertet nuk e don as shqipen e as Shqiperine.Ju lutem kur ta perborni kete fjale,hidhni nje sy fjalorit te gjuhes shqipe.Kete duht t beni jo vetem ju gjuhetaret,por gjithekush qe don t`i hedhe mendimet e tij ne gjuhen shqipe,ne standarten e njesuar te saj.Kurre mos lwjoni qe politika te komandoje,e aq me pak te ndikoje tek gjuhetaret.Keshtu pra ,qe edhe une ,e shume te tjere vertet te besojme realisht qe vendimet e kongresit te drejteshkrimit jane e “rruge e kombit”

    Reply to this comment
  5. Lleshi October 20, 21:40

    Bravo Profesor ! Pershendetje ! Dilini zot cdo arritjeje kombetare shqiptare ! Kjo kohe e “dashurickave” me antishqiptaret , vetem sa ka tjetersuar llojin e luftes se tyre , por ata asnje sekonde nuk e kane ndalur kete lufte !

    Ne momente “paqeje” ata penetrojne nepermjet veglave te tyre brenda Kombit , duke hedhur helm me shumice ! Eshte si tip kafshim gjarperi dhe nuk te shqyen me dhemb , por te vdes me helm !

    Reply to this comment
  6. demo October 20, 22:08

    Berishat shkaterruan industrine,shkaterruan ushtrine,shkaterruan token,helmuan detin.U ka mbetur pa shkaterruar gjuha e njesuar letrare shqipe.Kane hedhur helmin ne Kosove per te filluar prej andej shperthimin e urrejtjes se tyre kunder cdo arritje te shkeces shqiptare.Harrojne se gjysma e firmatareve te kongresit te drejtshkrimit ishin shkencetare kosovare.

    Reply to this comment
  7. Pellumb Zaimi October 20, 23:39

    Titulli thote gjithcka dhe une jam dakord me idete e profesorit. Jam i neveritur me emertimet e huaja dhe jashte standartit gjuhesor te qindra e mijra dyqaneve, kafeneve etj ne Tirane e kudo. Prof.Lafe ngre nje shqetesim urgjent dhe te domosdoshem per momentin aktual. Nderime profesorit !

    Reply to this comment
  8. Vangugreku(Janullatos) October 21, 01:06

    Nuk ka dyshim se ne kete levizje dinake kunder gjuhes shqipe, qe perfaqeson fushaten me te madhe ANTISHQIPTARE NE FUSHEN E KULTURES qe mbahet mend qe nga Rilindja Kombetare deri ne ditet tona, nje rol te vecante organizues e destruktiv ka Sali Berisha.
    Nuk ka njeri qe te mos e kuptoje se sa e demshme eshte cdo levizje per te krijuar variante rivale te drejtshkrimit te shqipes ne keto MOMENTE KRITIKE PER BASHKIMIN KOMBETAR te shqiptareve ne nje shtet te vetem. Asnje aktivitet tjeter nuk do t’i sherbente propagandes greke e serbe per thyerjen e unitetit kombetar te shqiptareve, unitet qe eshte barriera e pakapercyeshme per plotesimin e endrave te tyre aneksioniste (ne internet mund te gjesh jo pak shkrime serbe qe pretendojne se ne Kosove e ne Shqiperi fliten dy gjuhe te ndryshme e jo dialekte te ndryshme).
    Sali Berisha dhe qellimet e tij antishqiptare tanime jane bere te njohura e fare te qarta per publikun shqiptar. Por eshte per te ardhur keq qe ne kete rryme, sado e pafuqishme qe mund te duket, jane perfshire ne ndonje rast edhe anetare te Akademise shqiptare te shkencave, si Kolec Topalli, etj.
    Ketu me kujtohen fjalet (sipas artikullit te botuar dje ne Drita “Cabej…Lum kush e njohu ate njeri), qe paska thene i madhi Cabej i sapokthyer nga Vjena, kur filloi te jepte mesim ne gjimnazin e Gjirokastres:
    “Me mua do te beni dy lende filozofine dhe gjuhen shqipe. Te mos mesoni te paren mund edhe tua fal, por te mos mesoni gjuhen shqipe jo, sepse gjuha shqipe eshte themeli i themeleve te kombit tone”.
    Qendrimi ndaj gjuhes dhe standardit te saj eshte gur prove i patriotizmit shqiptar. .

    Reply to this comment
  9. petrika October 21, 10:00

    Sa do deshiroja qe te flitej vetem gjuha zyrtare shqipe,por per fat te keq,nuk ndodh kjo gje,jo vetem ne krahinat ku banojne shqiptare jashte kufijve te shqiperise,por edhe brenda territorit ne krahina te ndryshme..Ne te gjitha institucionet shteterore,ne televizione,ne gazeta,ne radio,ne revista,ne romane,por ajo qe ishte me kryesorja,te gjitha tekstet shkollore jane te shkruara ne gjuhen shqipe zyrtare.Tani une nuk e kuptoj,keta mesues cfare ju mesojne nxenesve te tyre,kur keta nxenes,sapo dalin nga shkolla,vazhdojne te flasin gjuhen e ashper te gegerishtes ,apo edhe gjate ores se mesimit,nuk perdoret gjuha zyrtare?Ne duhet ta veme ne binare problemin e gjuhes zyrtare njehere e per gjithmone.

    Reply to this comment
  10. Gjuha Shqipe... October 21, 18:14

    Gjuha Shqipe…ju kujton se ende nuk jeni akuzuar…

    Te jesh i respektuar prej te qenit i kenduar, i nxene, eshte tjeter nga ajo qe me porosi te Pushtetit (qe tashme pranohet qe nuk ka qene as demokratik e as kombetar) te varferosh e rrezikosh Gjuhen, Gjuhen Shqipe.

    Shqiperia eshte nje dhe pasurite e saj gjuhesore duhet e jene bashke, ne nje gjuhe, profesor. Edhe une nga Jugu jam, por do doja ta hapnim gjuhen tone, te mund te hynte ne te e tere madheshtia jone leksikore, prej Janine ne Nish, flas si gjuhe, te mos keqkuptohem. Kongresi qe mire eshte ta kujtoni sa me rralle, e thyeu kete nejtesi gjuhe, aty ju votuat copetimin e saj, nuk ju ben kush me faj, me pergjegjesi individuale, se ishte diktature…
    Por tashme, futeni pasurine e genishtes ne librat e shkolles, prej Abetares deri ne Universssitetet tona, lejoheni te hyje, qe te rikthehet ne perdorimin tone te gjere…
    Vetem nje gjuhe e ngarkuar me tere keto pasuri, do mund te quhet Gjuhe e Kombit…

    Ende nuk eshte ngritur ndonje akuze per shformimin e varferimin e Gjuhes Shqipe, zoti Emil, qe hiqni paralele per Gjuhen e Kombit. Ne ate rast mbiemri juaj mund te lecohej edhe ndryshe: Emil Pa-Fe…
    Se gjuha eshte Fe, dhe ju e shkisheruat e ç’shenjteruat ate…
    Do bartni per nje kohe te gjate mallkimin e saj, “profesor”!

    Por ende kemi kohe, te kthehemi tek dashuria e perbashket, Gjuha Shqipe…

    Reply to this comment
  11. MH October 21, 22:32

    Petrika.

    Nuk due te komentoj per replike qellim keq sic tregohesh ti.Me shprehjen gjuha e ashper e gegnishtes.
    Poezia ma e shkelqyer dhe e pa perseritshme ne mijra shekuj per bukurin dhe filozofin qe shtjellon qe i dedikohet gjuhes shqype i perket te madhit e te pavdekeshmit Homerit te dyte te Ballkanit At Gjergj Fishtes.
    Alabanologet njohin si gjuhe ma te vjeter shqipe gegnishten.Toskerishtja asht me e re.

    Reply to this comment
  12. selo October 22, 03:01

    Kushdo qe jeton ne Shqiperi e di mire se askush nuk eshte ndaluar te fuse ne shkrimet e tij fjale te gegerishtes ,te cilat kane hyre me shumice ne te gjitha kohet e vazhdojne te hyjne.
    Ne regullat e drejtshkrimit te 1972 nuk ka ABSOLUTISHT ASGJE qe do ta ndalonte kete.
    Edhe shkrimtari i yne i madh ka futur vazhdimisht fjale dialektale te gegerishtes.
    Autoret e mesiperm duhet ta ilustrojne me shembuj se cilat fjale te gegerishtes ka penguar drejtshkrimi te perdoren e jo te flasin qesim. Ata nuk sjellin shembuj sepse shembujt mungojne
    Per kete arsye une dyshoj se po krijohet nje “Straw Man” per te realizuar qellime te mbrapshta percarese per krijimin e dy gjuheve, sipas projekteve serbe e greke.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*