STATUJA E KOHËS

February 6, 2018 02:45

STATUJA E KOHËS

Moikom Zeqo

Mendohet (thuhet) se koha e pafundme përbëhet nga çaste të fundme. Mendja njerëzore e koncepton. Praktikisht veçimi (ndarja) e çasteve është e pamundur.

Në Olimp në shekullin IV para Krishtit ekzistonte një Statujë bronzi kushtuar Kohës. Të bëje statuja për zotat, njerëzit, ndoshta dhe për drurët, zogjtë, kafshët qe logjike, gati e rëndomtë. Por një statujë Kohe, që është e paklasifikueshme, kudo, por dhe përtej gjithçkaje ?

Statuja e Kohës në Olimp u bë nga skulptori i famshëm Lisipi. Talenti i tij qe i madh, përfytyrimi gati alegorik, pra jo shterues dhe përfundimtar.

Statuja paraqiste një atlet me një tufë flokësh mbi ballë me një gjest nxitimi të pambarim. Te pjesa e prapme të kokës qe pa flokë fare. Një kokë gjysmë e rruar. Kjo frizurë e flokëve qe tronditëse, gati qesharake, e pakuptimtë, ndoshta dhe e pashpjegueshme.

Një poet pak i njohur, kureshtar, pasionant dhe djerrakohës, (si armatoset e gjetjes së fjalëkryqeve në kohërat moderne, gjithsesi të mprehtë, kërkues,) i quajtur Posidip shkroi për statujën e Kohës një mbishkrim epigramatik. Ka humbur teksti origjinal. Ruhet në një përkthim në latinisht, përfshirë në “Antologia Palatina”

Mbishkrimi mëton një shpjegim që është dhe ide më shumë se sintezë metaforash. Një vizitor i njohur (mbase vetë poeti Posidip) bën një dialog me statujën. Ja teksti i përafërt: “Pyetjes së parë “Kush je?”, statuja e Kohës i përgjigjet: – “Jam Koha që mposht gjithçka!” – “Përse nxiton në majë të këmbëve?” – “Vetëm vrapoj, s’ndalem dot!” – “Pse e ke tufën e flokëve mbi ballë?” – “Që të mundet të më kapi kush të më takojë!” – “Pse flokët pas kokës janë të rruara?” – “Të mos më kapi askush nga pas – sado të përpiqet me ngulm!”

Statuja e Kohës ka humbur. Por nuk ka humbur kuptimi, trilli, shqetësimi. Jetët dhe vdekjet përsëriten, Koha është po ajo. Mund të shohim përballë vetëm të Padukshme. Si një horizont të mjegullt. Befas shkrepin vetëtimat – tufa e flokëve të ballit, duhet zgjatur dora për t’i kapur, ndonëse kjo dorë e guximshme dhe e pafajshme mund të shkrumbohet a të bëhet hi në eter. Tërë ata që e kanë kapur Kohën e kanë ndjerë dhimbjen përvëluese. Megjithatë këta duardjegur janë njerëzit me fat: e kanë takuar kohën përballë. Ata të tjerët pas kohës s’kanë arritur të vërtetojnë ekzistencën e tyre të limituar, s’dinë absolutisht asgjë për Kohën!

Botuar në DITA. Botimi i parë, Durrës, 1992

February 6, 2018 02:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*