Statusi, është i mundur, por “duhet koordinim i plotë institucional”

March 3, 2014 17:34

Statusi, është i mundur, por “duhet koordinim i plotë institucional”

“Prioritetet e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian për vitin 2014”. Kjo ishte tema e workshopit të zhvilluar sot,  i organizuar  nga  Ministria e Integrimit Evropian në bashkëpunim me projektin SMEI III. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Zv. Kryeministri,  z. Niko Peleshi, Ministrja e Integrimit Evropian znj. Klajda Gjosha, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri z. Ettore Sequi, ekspertii i asistencës teknike të Bashkimit Evropian SMEI III, z. Adam Lazowski si dhe të ministrat e tjerë të kabinetit qeveritar.

Ministrja e Integrimit Evropian,  znj. Klajda Gjosha theksoi se tashmë për Shqipërinë, integrimi në Bashkimin Evropian është një rrugë pa kthim.

“Duhet të vazhdojmë intensifikimin e reformave. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është i mundur vetëm kur ka një pjesëmarrje aktive dhe një koordinim të plotë institucional”, theksoi ministrja Gjosha në fjalën e saj.  Ajo shtoi gjithashtu se puna është e fokusuar në tre shtylla të rëndësishme

“Në radhë të parë ne po punojmë për adresimin e 5 prioriteteve. Plani i masave do të prezantohet në datë 6 mars. Gjithashtu grupet e punës të trajnuara me pjesëmarrjen e të gjitha ministrive po punojnë për Planin Kombëtar të zbatimit të MSA-së, 2014-2020 dhe njëkohësisht për kontributin që  Shqipëria jep për një tjetër prioritet të rëndësishëm që është Raporti i Progresit”, tha ministrja.

Ajo theksoi domosdoshmërinë e një  bashkëpunimi intensiv nga ana e ministrive të linjës, pasi kjo do të jetë thelbësore për suksesin e këtij procesi dhe për përmbushjen e shpejtë të hapave të mëtejshëm të integrimit.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, z. Ettore Sequi shprehu mbështetjen dhe inkurajimin për vijimësinë e procesit. Z. Sequi  theksoi se është i domosdoshëm veç të tjerash  vullneti politik.

“Në përvojën time në mënyrë që të jemi të suksesshëm në çfarëdo përpjekje që bëjmë kërkohen 3 gjëra: e para është vizioni, burimet dhe jo vetëm burimet financiare, dhe vullneti politik. Jam shumë i lumtur që shoh këtu në këtë sallë të gjithë përbërësit e duhur për të pasur vizionin dhe Bashkimi Europian bashkë me burimet që mund të japim duke pasur edhe ato burime njerëzore të mrekullueshme që ka Shqipëria dhe ne e ndiejmë edhe vullnetin e fortë politik që ekziston”, u shpreh ambasadori Sequi.

Ambasadori nënvizoi se Plani Kombëtar i Integrimit duhet të jetë jo vetëm një hap strategjik por edhe një dokument reference. Plani Kombëtar sipas tij,  duhet të jetë dokumenti udhërrëfyes për administratën publike dhe administrate publike.

Eksperti i asistencës teknike të Bashkimit Evropian,  z. Adam Lazowski  listoi disa prej prioriteteve që duhet të zbatohen në funksion të procesit të integrimit, duke u ndalur edhe në nivel teknik ku përafrimi i legjislacionit shihet me mjaft përparësi

“Pranimi në Bashkimin Evropian kërkon koordinim të të gjithë aktorëve. Pesë prioritetet janë shumë të rëndësishme ashtu sikurse Plani Kombëtar duhet të jetë i sinkronizuar me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim”, tha Lazowski

Zv Kryeministri Niko Peleshi, u shpreh se projekti i integrimit është më i madhi në Shqipëri  dhe se vullneti politik nuk mungon nga qeveria.

“Çdo sektor duhet të jetë në harmoni me procesin e integrimit”. Madje, sipas Peleshit, kjo dëshirë dhe vullnet i përbashkët i çdo faktori dhe aktori në Shqipëri, konkurron jo vetëm me vende aspirante por edhe me vende anëtare të BE-së. “Klasa politike shqiptare ka një konsensus shembullor në raport edhe më shtete të tjera anëtare të BE-së, pasi në Shqipëri nuk ka një forcë politike të madhe apo të vogël që nuk mbështet integrimin në BE dhe po ashtu, edhe shoqëria e mbështet plotësisht këtë proces”, tha z. Peleshi.

March 3, 2014 17:34
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*