Statusi i të (pa)punësuarit

August 11, 2018 13:11

Statusi i të (pa)punësuarit

 

Nga Leart Kola

-Çfarë duhet bërë?

Gjëja e parë që duhet bërë, në fakt, është që mediumet publike të mësohen të balancojnë hapësirën midis Ekonomisë dhe Argëtimit, me shpresën që nëpërmjet këtij ndryshimi të beftë edhe politikani jonë tipik i suksesshëm të nxitej që të kalonte më shumë kohë edhe me ndonjë profesor ekonomie se sa vetëm me vipat e stinës.

Por ndërkohë që ëndërrojmë për këtë botë utopike, na duhet të shtrojmë probleme të tjera të cilat për momentin nuk po konsiderohen edhe aq shqetësuese, siç është zhvillimi i ekonomisë shqiptare me fokus studimi “Vetëpunësimi-n”.

Problematika ekonomike e vetëpunësimit

Kemi marrë në studim Vetëpunësimin, sepse është i vetmi sektor që paraqet një trend të qëndrueshëm në ekonominë shqiptare (65.3% në 2007 dhe 59.8% në 2017). Kjo qëndrueshmëri tregon që dhe pse kanë ndryshuar qeveritë, ekonomia shqiptare nuk ka pësuar ndonjë reformë strukturore të rëndësishme dhe për këtë oferta e punës gjatë kësaj dekade ka mbetur e pandryshuar sipas sektorëve.

Pavarësisht numrave ka një idealizim të vetëpunësimit, me parimin “të jesh Zot i vetes”. Kushdo që është në këtë kategori e di, që bën pjesë në grupin më të ekspozuar ndaj rrezikut të varfërisë, si pasojë e të ardhurave të pasigurta. Mjafton të përmendim vetëm që 20% e të vetëpunësuarve nuk ia dalin t’i paguajnë sigurimet shoqërore dhe si pasojë ata nuk do kenë as pension.

Për gjithë dembelët e mendimit, ky nuk është një problem që i takon të ardhmes por është një plagë aktuale. Sot në Britani 80% e të vetëpunësuarve kanë të ardhura në pragun e varfërisë. A mund të imagjinoni se sa mund të jetë kjo shifër në Shqipëri?! Ka gjithashtu një ndryshim rrënjësor mes nesh dhe Britanisë; ndërkohë që aty vetëm 15% janë të vetëpunësuar, tek ne rezulton që në këtë sektor gjendet më shumë se gjysma e popullsisë.

Vetëpunësimi ka qenë në vitet ‘90-të një zgjidhje pa mundësinë e zgjedhjes, për faktin e ndryshimeve politiko-sociale, që të gjithë i dimë. Me kohën asgjë nuk është korrigjuar e ka mbetur e tillë në tre dekada, duke i futur shqiptarët në terrorin e bukës së gojës e duke u lënë i pa adresuar si problem deri në pikën, që sot konsiderohet një bombë sociale. Vetëpunësimi në Shqipëri dhe pse nga qeveria konsiderohet si punësim, mbetet një formë mbijetese, ku në fakt termi më i saktë do ishte “papunësi e fshehur” duke marrë parasysh se kush punon në kioskën poshtë pallatit tënd është i pa siguruar në shtet, i pasigurt për punën në afatgjatë dhe ndërkohë nuk është as në listën e punëkërkuesve.

Mungesa e reformimit strukturor të ekonomisë nga të gjithë qeveritë me emra e me ngjyra të ndryshme ka sjellë të njëjtin rezultat. Industria ka punësimin më të ulët në rajon (sa 1/2 e Maqedonisë,1/3 e Serbisë) llogarit këtu edhe që Shqipëria ka forcën më të pakualifikuar të punëtorëve në rajon. E thënë troç, situata ku gjendemi është kjo; pjesa më e madhe e popullsisë është jashtë sistemit ekonomik, bën një punë që i vendos ata në një rrezik të përhershëm e skenari më pozitiv është, që kjo kategori thjesht mund të ushqehet por pa pasur mundësi të shpenzojë për gjëra të tjera. Shtuar këtu edhe zyra e tatimeve apo çfarëdolloj uniforme tjetër kontrolluese, që i targeton në mënyrë të vazhdueshme kombinuar me mungesën totale të organizimit nëpër sindikata sjell një faturë edhe më të shtrenjtë.

Kjo kategori nuk i shpëton në mënyrë ciklike me çdo qeveri (me raste dhe disa herë brenda të njëjtit mandat) eksperimenteve të ndryshme që propozohen nën mantrën e ‘formalizmit’. “Është gjithmonë më e leverdishme të vjedhësh të varfrit, se janë më shumë dhe të papërfaqësuar”. (tek ne vlen edhe më shumë se përbëjnë 2/3 e popullsisë). Nëpër takimet mediatike gjithmonë flitet për halle personale asnjëherë për ato kolektive. Kur vjen puna tek kolektiviteti duket sikur këta 60% i kanë kërkuar me ngulm qeverisë, që t’i dënojë dhe qeveria e gjendur ngushtë është detyruar tua plotësojë këtë dëshirë.

Siç tha dhe gjenerali amerikan në luftën e Vietnamit: – “Ishim të detyruar të shkatërronim fshatin që ta mbronim nga vietkongët”. Ky është në fakt modus operandi në ekonomi, që ka funksionuar me çdo qeveri shqiptare që nga ‘90-a e këndej. Si neoliberal të mirë, që ndryshojnë vetëm uniformat ata gjithmonë kanë shpallur vitin Zero, bërë tabula rasa gjithçka e nisur nga fillimi. Këto fillime çuditërisht janë fokusuar vetëm në shtimin e pasigurisë dhe barrës fiskale për më të pamundurit, duke e bërë të vërtetë aksiomën “Nuk janë njerëzit është sistemi”.

Çfarë duhet bërë

Të supozojmë për një moment që trendi i sjelljes së qeverisë nuk ndryshon (të paktën deri sa të plasë tullumbaci social) sërish disa gjëra janë të domosdoshme të ndërmerren menjëherë. Ja disa ndërhyrje që mund të propozohen në afatshkurtër dhe afatgjatë, të cilat janë një ndërthurje e komunikimit publik dhe ndryshimeve ligjore;

Së pari duhet ndaluar promovimi i vetëpunësimit si diçka pozitive, që i jep individit lirinë dhe pavarësinë e suksesit. Kjo mund të ndodhë vetëm në atë që quhet ‘vetëpunësimi i mençur’. Ka shumë profesione në fushën e teknologjisë, që shteti mund t’i drejtojë dhe subvencionojë. Ky lloj vetëpunësimi i reflektuar në Start up-e mund të ketë eficencë ekonomike për individin dhe vendin.

Së dyti, duhet të merren masa urgjente për të ulur nivelin e vetëpunësimit. Duhen kanalizuar këta njerëz drejt vendeve të punës me pagesë, që ofrojnë një stabilitet më të madh jo vetëm për të tashmen në rritjen e ekonomisë së konsumit por dhe në të ardhmen me garantimin e sigurimeve shoqërore. Qeveria shqiptare duhet të përpilojë dhe hapë për diskutim politika afatgjata ekonomike, për të rritur sektorin industrial në vend e bashkë me këto politika afatgjata mund të fillojë menjëherë politikat e subvencionimit, lehtësime tatimore fillestare si dhe përmirësimin e infrastrukturës përkrahëse për investimet në industri.

Së treti, duhet adresuar me prioritet aftësimi i punëtorëve shqiptarë. Strategjia 2014-2020 nuk po rezulton efiçente, ajo duhet të përmirësohet dhe të zgjerohet fushat e veprimit. Zhvillimi teknologjik galopant po sjell zhdukjen e vendeve të punës siç i kemi njohur shekullin e kaluar, duke prodhuar kështu në mënyre faktike profesione të reja. Shumica e kërkesës në treg në ditët e sotme ishte inekzistente 10 vjet më parë, ndërkohë që qeveritë shqiptare, janë munduar të shkarkojnë numrin e madh të papunëve sidomos në moshë të re tek bizneset e shërbimit (është e njohur tashmë kriza e call center-ave). Duhet të bëhet e qartë që bizneset e shërbimit janë në perëndimin e tyre, ç’ka do sjellë një valë të re të të papunëve në vend, që do i shtohen atyre, që sot janë të papunë të padukshëm, duke e bërë të dukshme shumë shpejt këtë dramë sociale.

Së katërti, duhet adresuar informaliteti në punësim. Ka një galop për të luftuar informalitetin fiskal, por nga ana tjetër shumica e shqiptarëve që jetojnë në fshat dhe prej prodhimeve të tij mbetet në informalitet endemik përgjatë gjithë linjës nga prodhimi deri në shitje. Mbështetje e bujqve dhe trajtimi i tyre nëpërmjet kooperativave bujqësore është një trend në rritje në Europë. Edhe pse fjala ‘kooperativë’ është një term i tmerrshëm për shqiptarin, në Europë ka rezultuar mënyra më efikase e luftimit të informalitetit në sektorin bujqësor, e sigurimit të të ardhurave më të larta, e sigurimit të investimeve teknologjike dhe rritjes së kapaciteteve në eksport. Në vitin 2017 kryeministri Rama ka premtuar një rritje prej 70% të fondit të mbështetjes në bujqësi. Është e nevojshme, që kjo rritje të kushtëzohet me hapjen e kooperativave që sigurojnë zhvillim bujqësor për vendin dhe arrijnë nivele më të larta të kualitetit të prodhimit, duke sjellë kështu një fitim të dyfishtë, siguri personale në punë dhe rritjen e të ardhurave të shtetit.

Së pesti, është e domosdoshme të rriten kapacitetet institucionale për mbledhjen e të dhënave dhe përpilimin e bazave statistikore. Përveç INSTAT-it duhen vendosur praktika institucionale për regjistrimin dhe organizmin e të dhënave, që këto institucione i gjenerojnë në procesin e tyre të rregullt të punës. Ndryshe me kaq pak të dhëna sa ka shteti është e pamundur të krijohet një debat normal ekonomik e për pasojë të jepen zgjidhje të qëndrueshme politike. Në këto kushte jemi gjatë gjithë kohës në terrenin e spekulimit, i cili kur duhet të bëjmë bisedë filozofike është i mirëseardhur, por kur duhen dhënë zgjidhje praktike është i mirëpritur vetëm nga qeveritë, të cilat e përdorin për të ‘interpretuar të dhënat’ term ky që ekziston vetëm tek ne, ku 1-shi është 1-sh vetëm kur certifikohet nga 1-shi në Qeveri.

E gjashta dhe më e rëndësishmja është problemi gjinor. ‘Domestifikimi’ i gruas në realitetin social ekonomik në Shqipëri nuk duhet të numërohet vetëm si një problem social por mbi të gjitha si një problem politik, që gjenerohet nga një ekonomi me në thelb pabarazinë e mundësive. Nuk mjaftojnë dhe kjo është e dukshme, kuotat në parlament, qeveri e kudo tjetër. Trajtimi i problemit duhet të zbresë në thelbin e familjes, ku zakonisht puna e papaguar i caktohet gjithmonë grave. Përafërsisht gjysma e grave dhe vajzave janë jashtë skemave të sigurimit shoqëror në periferi dhe në fshat. Ky është një problem, që duhet trajtuar me shumë seriozitet në aspektin institucional, por mbi të gjitha duhet të jetë një debat shoqëror emancipues. Siç na kanë mësuar luftëtarët e të drejtave të grave përgjatë gjithë historisë “pranimi i kushteve kur nuk ke mundësinë të thuash JO! është vetëm një formë tjetër skllavërie”.

Katerina e Madhe e Rusisë në takimet e saj politike përdorte shpesh frazën “Nëse nuk ke mundësi të bëhesh një shembull i mirë, atëherë ke detyrën të bëhesh një paralajmërim i kobshëm”. Unë ose me saktë ne, që nuk kemi pushtetin për të ndryshuar realisht gjërat na mbetet vetëm të jemi këta të dytët me shpresën, që paralajmërimi do të vlejë.

E veç statusit social të vipave nëpër portale apo statuseve të politikanëve nëpër rrjetet sociale, të mendojmë një moment për statusin e mijëra të vetëpunësuarve në këtë vend.

August 11, 2018 13:11
Komento

2 Komente

  1. Albi_I August 11, 17:10

    Se gjashti, njerez qe kane kaluar me shkelma shkollen e larte ne shkenca politike, nuk mund te japin mend per makroekonomine.

    Leart Kola eshte nje injorant i pashkolle, dikush qe kur i duhet ben interesantin si komunist, dhe pastaj kur merr copen nga qeveria rri e hesht teksa koncesionohet cdo gje.

    Nje person i tille pa formim, arsim, eksperience, dhe integritet, nuk mund ti jepet hapesire ne media.

    Sa per idete, se mos akuzon kush pse flas per njeriun e jo per idete, ato jane nje tufe fjalesh te pergjithshme qe nuk kane asnje vlere konkrete.

    Reply to this comment
  2. GIMI August 11, 21:33

    ANALIZA ESHTE SHQETESUESE.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*