Stavri Milo, ish partizani që po kap shekullin

February 13, 2018 12:00

Stavri Milo, ish partizani që po kap shekullin

Nga Sevo Tarifa

Stavri Miloja po udhëton në vitin 97 të jetës. Po kush e beson? Nuk ta jep përshtypjen e kësaj moshe. Duket më i ri se ç’është. Njihet me shumë shokë veteranë, jo vetëm në Tiranën e Re ku banon dhe në kryeqytet kudo që shkon për punë shoqërore, por edhe në rrethe të tjerë, ku e kanë çuar shërbimet. E ka njohur puna 32 vjeçare që ka kryer “me norma të ngurta”në sektor të kuadrit. Po edhe të tjerët e njohin këtë veteran me cilësi të larta politiko-morale.

Ajo që e ka dalluar kurdoherë në jetë, në punë, në shoqëri dhe tani që ka vite në pension është thjeshtësia. Ndër të tjera, ky virtyt te ai duket në marrëdhënie me njerëzit, në respektin ndaj tyre, se dhe ai i vlerëson dhe i respekton këta. Mban lidhje me shokë e miq. I takon te klubi i veteranëve. Yzeirin, me të cilin kanë punuar 16 vjet në një detyrë bashkë, e gjen ku të jetë. Dhe i sheh gjithnjë të dy, sikur të ishin vëllezër. Shkojnë e vijnë në shtëpitë e njëri-tjetrin. Takohen edhe si grup, që kanë punuar në një sektor. Nuk ndahen nga njëri-tjetri.  Bashkojnë kujtimet që kanë nga puna e përbashkët. Stavri nuk rri dot pa shokë. “Shokët më japin fuqi, shëndet, freski”,- thotë ai.

Në lidhjet e rregullta me njerëzit qëndron një nga “sekretet” e thjeshtësisë së tij. Shokët e miqtë përpiqet t’i zgjedhë me kujdes, synon që t’i ketë më të mirë se vetja. Sa bukur, kur njeriu i thjeshtë do që të rrethohet me ata që janë gjithashtu të thjeshtë! Kështu ai e ruan dhe e mban thjeshtësinë e vet, gjë që ndikon dhe ndikohet për mirë edhe ndër të tjerë.  Dhe kjo  shton thjeshtësinë e ndërsjelltë. Në fakt, Stavri e ka zakon të fitojë nga thjeshtësia e të tjerëve, kur ai ka ç’të japë nga thjeshtësia e tij. Është thjeshtësia ajo që e bën atë të marrë më shumë se sa të japë, se ndërsa të tjerët i vlerëson drejt, veten e sheh me sykritik, s’bëhet fare fjalë që të mbivlerësojë veten. Edhe kur ndonjë shok shprehet për cilësi pozitive të Stavrit, ky ndërron temë. Nuk i ka qejf lëvdatat. “Të mbyll gojën” duke të kujtuar Euripidin, të citon përmendësh fjalët e tij: “Zemrat bujare nuk pranojnë lëvdata, kur ato janë të tepërta”. Është i thjeshtë në shoqëri, në jetë, sepse “Jeta e thjeshtë është më e këndshme, është e pastër dhe më e mirë”. (Montenj)

Thjeshtësia e Stavri Milos pasqyrohet jo vetëm në pamjen e jashtme, në veshje, në ecje, në pastërti, por  në radhë të parë në botën e brendshme: në ata sy të zinj, të vegjël, të ndritur dhe pa syza, në fjalën e përzemërt, në sinqeritetin që tregon, në ndershmërinë që e karakterizon, në kulturën e tij, në sjelljen shembullore. Shpirti i tij tërheq gjithnjë shokë, të cilët kanë dëshirë të takohen me të, çmojnë cilësitë e tij, mendjen, shmbullin dhe fjalën e tij.  Ymeri vjen që nga Durrësi, mjafton ta takojë Stavrin e të shkëmbej pak fjalë me të. I thjeshti kërkon gjithnjë të thjeshtin. Dhe së bashku dëgjojnë me vëmndje dhe përfitojnë nga njëri-tjetri.

Sevo Tarifa

Stavri nuk i duron dot të kundërtit, mendjemëdhenjtë, ata që shesin mend, që i ”bien gjoksit”, që vetlëvdohen, që kapardisen, që flasin me fjalë të mëdha, për të rënë në sy se dinë shumë! Stavri mëson nga cilësitë e mira të njerëzve. Edhe pse i moshuar di ta shfrytëzojë mirë kohën, lexon dhe kur i lodhen sytë çlodhet duke bërë ndonjë vjershë për shokët dhe papritur ua dhuron kur promovojnë ndonjë libër, ose kur kanë datëlindjen. E shoqëron vjershën edhe me mollë, me shishen e verës ose të rakisë. Vet nuk është i pijes, por bën zakonin. E mban veten në peshën e duhur.

Me Stavri Milon ke qejf të bisedosh. Në thjeshtësinë e tij të bën përshtypje se ai nuk flet për vete, ka ç’të thotë për të tjerët. Puna që ka kryer i ka forcuar kujtesën dh përfytyrimin. Të flet për njerëzit lirisht, sikur i ka aty pranë. Është fjalëmbël. Zëulët. I urtë.  Fjalëpak e punëshumë. Ndjenja e punës ka ndikuar edhe në thjeshtësinë e tij. Bashkëpunëtorët e afërt tregojnë se kur ishte në marrëdhënie pune nuk njihte orar, as pushim. Shkonte në zyrë i pari dhe ikte i fundit. Në punë gjente kënaqësi. Të lije një takim me të, ai vinte më parë se ora, të priste dhe jo ta prisje. Shquhej për disiplinë dhe zbatimin e rregullave.

Në marrëdhënie shoqërore Stavri përtërihet, kujton nga vitet e rinisë, të cilat e freskojnë, gërmon dhe kërkon të mësojë nga rinia dhe përvoja e të tjerëve. Përvojën e pasur të tij mund t’ia nxjerrësh duke e pyetur, se ai nuk flet për vete, nuk mburret. Për të tjerët nuk i kursen fjalët e mira. Di të vëjë theksin në ndonjë dobësi ose të metë, këtë e shpreh me lezet dhe e shoqëron me buzëqeshje. Është parimor, por dhe tolerant.

E pyeta për të shkruar këto radhë, por fytyra e tij mori një pamje tjetër. E pashë që nuk kishte dëshirë. Po si të mos shkruash për njerëz të thjeshtë si Stavri? Ku t’i gjejmë këta shokë, që kanë punuar një jetë të tërë dhe tani në pleqëri të thellë te jenë aktivë, të ruajnë thjeshtësinë, të vazhdojnë të mbeten edhe në pleqëri njerëz të mirësive?! Cilindo nga pensionistët e Tiranës së Re të pyesësh për Stavri Milon, vështirë të ketë prej tyre që të mos e njohin. Edhe në këtë moshë ai nuk lë ceremoni mortore pa shkuar. Për vite të tëra i besohej detyra e kryetarit të organizatës së veteranëve të LANÇ të lagjes, për kryejen e së cilës e hante meraku, ishte i papërtuar.

Për shokët e merr shpejt malli, takohet me ta sikur të kenë kohë pa u parë. Të pishë një kafe me Stavrin, s’të lë të paguash ti! Ngrihet dhe shkon i pari te kamerieri! Ndonjë shok i thotë me shaka: “Ti Stavri, duhet ta kishe emrin “Kavalier”, por të kanë quajtur “Stavri”, që do të thotë “Kryq”! Dhe ai qesh. Buzëqeshja i shton thjeshtësinë. Dhe thjeshtësia bukurisë së shpirtit. Me shokët është dorë më dorë. Nga këmbët është i lehtë dhe shoqëron nga krahu më të rinj në moshë.

Nuk më shkoi kot mendja të shkruaj për thjeshtësinë e Stavrit. Kam gjysmë shekulli që e njoh në punë e sipër dhe në pension, në veprimtari shoqërore. Që në fillim më hyri në zemër dhe s’doli prej andej. Më tërhoqi me fjalën e tij, me thjeshtësinë e tij. M’u duk sikur njiheshim prej kohësh. Kur mësova se punonte në sektor të kuadrit, thashë me vete: ja kështu duhet të jenë ata që u besohet puna me njerëzit, me kuadrot: shpirtmirë, të thjeshtë, të përzemërt, shoqërorë, shembullorë, si Stavri.

***

Muaj dhe vite iknin e ne takoheshim gjithnjë. Jo vetëm se ishim në një qendër pune, por edhe afër me banesë në të njëjtën lagje. Nga takimi i parë më nxiti për mirë kërshëria: të njihja edhe nga jeta e rinisë së Stavrit. Por thjeshtësia “nuk e linte” të më fliste për veten e tij. Sidoqoftë fijet e viteve të kaluara të jetës dhe të veprës i mësova që në fillesën e tyre. Që në vitin 1951, kur iu komunikua se do të vinte me punë në Tiranë, në Aparatin e Komitetit Qendror të Partisë, Stavri u befasua, dëgjoi i habitur, u skuq në fytyrë nga emocionet, pse jo dhe nga thjeshtësia dhe tha: “Edhe këto pllaka që shkela për të ardhur këtu, më duken sikur më thonë: ku vete ti more shok, vjen këtu për të punuar? Ti nuk e meriton këtë vend pune, se je me fillore”! Por në punën e re Stavri mësoi, u poq, u rrit, u përgatit, bëri Shkollën e Lartë të Partisë, punoi për një kohë të gjatë.

Stavri ishte i lidhur shumë me punën. I mbyllur në zyrë bënte me ndërgjegje punën e ngarkuar. Por jo vetëm. I besoheshin dhe detyra të veçanta, zgjidhja e të cilave kërkonte cilësitë e Stavrit:

E para, si njeri i drejtë ngarkohej për të verifikuar letra me firmë dhe anonime, për të cilat ai tregonte kujdes që të dilte në shesh e vërteta dhe me ndershmërinë e tij  ishte i saktë, bindës. Shpëtonte njerëz nga qëndrimet ekstreme, nga shpifjet e akuzat e kota.

E dyta, kujdesi që tregonte për shëndetin e njerëzve, të cilëve jo vetëm u shkonte ne spital, por edhe në shtëpi. Me kryerjen suksesshëm të këtyre dy detyrave, ai kishte mirënjohjen e njerëve, e kuadrove të rretheve. Sakrifikonte nga shëndeti i tij, që të ishin mirë të tjerët. Njeriu i drejtë është dhe human. Kështu ishte dhe mbeti  ky njeri punëtor i palodhur, i drejtë, i ndershëm, besnik,  të cilin e zbukuronte dhe e dallonte thjeshtësia.

***

Thjeshtësia e Stavrit është ushqyer edhe nga varfëria dhe vuajtjet e viteve të vegjëlisë e të rinisë. Në këto rrethana ai mori rrugën e mërgimit për në Greqi qysh në vitin 1936, në moshën 20 vjeçare. Bashkë me të atin punoi në ndërtim. Por atje ishte me trup, ndërsa sytë dhe mendja i rrinin në Atdhe.  Me duart gjithë kallo u kthye në vendin e vet kur nis lufta italo-greke. Po ku të shkonte? Kërko andej e këndej dhe gjeti një punë në Elbasan, kamerier. E panë kush ishte Stavri Miloja dhe te ai hodhën dorën komunistët e parë të atij qyteti. U pranua në Rininë Antifashiste, në njësitin gueril dhe i vendosur e vullnetar shkoi partizan në batalionin e Çermenikës, ku u bë efektiv i Brigadës XX Sulmuese. Luftoi për të këputur prangat e robërisë dhe u kthe në Ersekë bashkë me lirinë.

Pas çlirimit u mbajt në punë pa pagesë ne Divizionin e Mbrojtjes së Popullit, pastaj në shërbim kufitar në Devoll; u ngarkua me detyra operative  në batalionin e kufirit në Bilisht. Në vitin 1949 u liruan dhe u emërua instruktor në Komitetin e Partisë Ersekë. Stavri, të cilin e kishte kapur për fyti varfëria e gjeti të ardhmen te lufta për lirinë e popullit, s’kishte si të mos ishte besnik i Partisë dhe Ii popullit, i patjetërsuar, njeri i edukuar dhe i thjeshtë. “Të jesh modest dhe kokëplot është krenaria më e madhe. Thjeshtësia është stolia e atyre që janë të mësuar dhe të edukuar” (Sami Frashëri).

February 13, 2018 12:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*