Stavri Pani, një artist me emër në Amerikë

Fuat Memeli June 19, 2016 17:50

Stavri Pani, një artist me emër në Amerikë

Sotir Pani, i cili jeton në Boston, është një muze i gjallë. Sa herë takohemi, ai na tregon një mori kujtimesh, nga puna dhe jeta në Shqipëri. Ai ka një bibliotekë mjaft të pasur, ka një mori dokumentesh e fotografish, jo vetëm për Dardhën e dardharët, por edhe më gjerë. Të dhëna të veçanta ka ai për dardharët që kanë emigruar në Amerikë. Sipas tij gjatë 100 e ca vjetëve të fundit, në Amerikë ka patur 285 dardharë me nënshtetësi amerikane. Nga këta, 170 janë bërë nënshtetas pas viteve 1990. Në shtëpitë e tij në Dardhë e në Boston, ai ka ngriur dy muze familjarë. Gjyshi i tij Josifi si dhe babai, Vasil Pani, kanë qënë figura të njohura të shqiptarëve të Amerikës, drejtues të Shoqatës “Vatra”, miq të Nolit e Konicës, etj. Nga arkivi i tij,  kohët e fundit na dha disa të dhëna për një dardhar tjetër të fisit Pani, që ka bërë emër në Amerikë. Ai është argjendari i shquar, Stavri Pani, vëlla i gjyshit të tij. Në këto radhë, po sjellim vetëm disa fragmente nga jeta dhe puna e tij, të cilat njihen mjaft në Amerikë por, fare pak ose aspak në vendin tonë.

3# FuatiKishte lindur në vitin 1889, në Dardhë të Korçës. Ishte një nga djemtë e Ligor Panit, i njohur si argjendpunues ose kujunxhi, siç thireshin ata më parë. Nëna tij, Dhoksia, ishte nga Sinica, nga fisi i Karamelos. Stavri mori rrugën e mërgimit për Amerikë, në vitin 1905, kur ishte 17 vjet, duke u vendosur në qytetin e Bostonit. Në fillim u morr me punë të ndryshme, ndërsa në vitin 1909, ju rikthye profesionit të të atit, dukë u bërë argjendar. Në punimet e para përdori stilet tradicionale të familjes së tij, ndërsa më vonë edhe stile të tjera. Me punimet e tij të bukura, filloi të bëhet i njohur e të tërheqë klientë të shumtë. Në vitet e Luftës së Parë Botërore, e ndërpret punën dhe në vitin 1918 shkon në luftë në Francë, ku shërben në artileri. Fotoja e tij dalë ushtarak që shoqëron këtë shkrim, i përket atyre viteve. Pas mbarimit të luftës, kthehet në Boston dhe rifillon biznesin që kish patur. Njohuritë tij artistike, thellohen me vazhdimin e Kolegjit të Arteve në Boston. Në kolegj njihet me amerikanen Gledis, e cila ishte aty studente. Dashuria e tyre kurorëzohet me martesë në vitin 1927. Por, ata nuk u bënë vetëm bashkëshortë por edhe bashkëpunues në fushën e punimeve artistike. Stavri i kërkoi në fillim Gledisit të projektonte disa punime në monogram. Ajo i projektoi dhe së bashku realizuan disa logo, bizhuteri të ndryshme, sende dekorative e zbukurime të tjera. Këto punime ishin jo vetëm në argjënd por edhe në bronx e bakër.  Gama e punimeve të tij zgjerohet nga një vit në tjetrin dhe krahas bizhuterive, realizon edhe shandanë, abazhure, byzylykë, lugë, etj. Bashkëshortja e tij, Gledisi, merrej jo vetëm me projektimin e objekteve të ndryshme artistike por edhe me menaxhimin e punëve që realizonte Stavri. Punimet e tyre të bukura vlerësoheshin e paraqiteshin edhe në Ekspozitën e Shoqërisë së Arteve në Boston. Të gjitha punimet, kishin inicialet: SGP (Stavri, Gledis, Pani)

Në vitin 1932, bashkëshortët Pani largohen nga Bostoni dhe vendosen në  qytetin Falmouth, që ndodhet në Cape Cod, një zonë e bukur turistike, në jugë të Bostonit, pranë oqeanit Atlantik. Këtu vazhdojnë pa ndërprerje punën e tyre duke tërhequr mjaft klientë. Edhe figurat e njohura të qytetit, bëhen klientë tyre.  Në vitin 1969, Stavri vdes, duke lënë pas një mori punimesh. Sipas të dhënave të bashkëshortes së tij, firma Pani numëronte 3000 punime. Kjo shifër flet më shumë se çdo fjalë, për gjurmët e punës që ka lënë Stavri, i ndihmuar nga bashkëshortja .

Pas humbjes së bashkëshortit, për të vazhduar punët e firmës së tyre, Gledisi aktivizoi një nxënës amerikan, Mark Donnell, i cili u tregua pasionat në këtë punë. Gledisi punoi me të deri në pleqërinë e vonë. Ajo mbylli sytë në moshën 102-vjeçare.

 

Medalje për ustain e medaljeve

10-0453-panis_cameo_IMG_5374_4_120_litePër Stavri Panin dhe punimet e tij të veçanta, kanë shkruar në ato vite disa gazeta të Bostonit. Njëra prej tyre, është gazeta “Boston Traveler” e datës 18 maj 1958. Shkrimi i saj është botuar edhe te gazeta”Dielli” e datës 25 maj 1928. Në shkrim thuhet: ”Aviatorët gjermanë që fluturuan nga Europa në Amerikë me Bremenin, të shtunën e kaluar ishin në Boston, ku u pritën me paradë dhe nderime të mëdha. Lidhja e Ushtarëve”Amerikan Legion” me këtë rast i dhuroi tre vizitorëve të shënuar nga një medalje. Është për të vënë re që këto medalje, Shoqëria e Ushtarëve i kish porositur te artisti shqiptar, zoti Stavri Pani, i ungji i zotit Vasil Pani, anëtarit të komisionit të “Vatrës”. Edhe në dy raste të tjera kur “American Legion” dekoroi kolonelin Lindbergh e më vonë kondëradmiralin Byrd me shokë, medaljet ishin porositur te zoti Pani. Të gjitha gazetat e Bostonit shkruanin për mbi këtë pikë dhe gazeta “Boston Traveler” botonte fytyrën e zotit Pani e një fotografi të medaljes që kish bërë”.

 Në nderim të punës së tij, një rrugë në Cape Cod, ku kaloi pjesën e dytë të jetës, mban emrin e tij. Emri dhe punimet e tij të shumta, janë në internet në Google, ku ka një faqe të veçantë. (Klikoni: Stavre Panis (kështu e kanë emërtuar faqen e tij) dhe do të shihni punime pa fund.) Ja kështu, dardhari Stavri Pani, e ka bërë të pavdekshëm emrin e tij. Më poshtë, në vend të një medaljeje për ustain e medaljeve, po botojmë disa shënime.

 

 

Fuat Memeli June 19, 2016 17:50
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim