Sterepotipet e vjetra në Policinë e Shtetit

September 13, 2016 10:56

Sterepotipet e vjetra në Policinë e Shtetit

-Me shkas nga libri i sapobotuar i Gjeneral Bilbil Memajt-

 

Nga Dr. Zihni Goxhaj

 

Bilbil Memaj, një nga personaletetet e policisë shqiptare me një përvojë më shumë se 30-vjeçare mbi supe, mbrojti doktoraturën dhe më pas botoi librin e tij “Lidershipi në policinë e shtetit”. Në këtë vepër, autori bën një paraqitje historike dhe akuale të drejtimit të Policisë së Shtetit (PSH), sipas operacioneve që janë kryer dhe rast pas rasti si është vepruar e drejtuar. Kështu, janë dhënë disa raste studimore, për të parë se si u veprua, si u zgjidh një situatë, por veçanërisht si drejtoi lidershipi i PSH. Po kështu historikisht cilët kanë qenë në krye dhe si ka ecur PSH.

Tërheq vëmendjen qëllimi që i ka vënë vetes autori me pyetjet që ai drejton e ngre, që janë shqetësim për lidershipin e lartë politik, pyetje të cilave ai i pergjigjet në punimin që ka bërë nisur nga përvoja e tij e gjatë në këtë shërbim shumë të rëndësishëm:

  1. Sa i rëndësishëm është lidershipi në organizatën e PSH?
  2. A ndikon stili dhe metoda e lidershipit në performancën e PSH?
  3. A duhet të jetë i pa varur lidershipi nga politika?

Keto tre pyetje nuk janë vetëm objekt për studim shkencor, por edhe tërheqje vemendje për lidershipin shtetëror dhe politik të PSH.

 

Autori nënvizon se kur lidershipi është mjaft i rëndësishëm, vendimmarrësit duhet të mendohen mirë kur bëhet caktimi i tyre në detyrë. Për emërimin e tyre duhet të analizohet thellë se sa mirë apo sa dëm i bëhet PSH, por njëkohësisht edhe vetë politikës së lartë. Këtu në radhë të parë është fjala për lidershipin strategjik, por dhe nivelet e tjera më poshtë. Rastet studimore dhe drejtimi i lidershipit të PSH tregojnë vetë se sa serioz e i aftë ka qene ai në vite, apo si mbetet në histori emri i liderit të mirë, të përkushtuar, me pervojë dhe që e do shtetin dhe popullin. Sot edhe sipas anketimeve, dominon emërimi me njohje, me miq apo për interesa të tjera. Jo vetëm personeli policor por edhe ai civil e qytetar, e di vetë dhe në mundësitë e veta bën vlerësimet për drejtuesit e policisë. Qytetarët nuk i dallojnë drejtuesit e policisë nga gradat apo detyrat, por nga puna dhe sjellja. Psh. kush është nga Kuçova kujton shprehjen “Barkas shtriu, se erdhi polic Fetiu!”, ndërkohë që shumë nuk e njohin Fetiun. Ose “Burreli ka rënë në qetësi, se ka ardhur Sh. Stërmasi” e raste të tjera pafund.

Po sot a zgjidhen emra e specialistë të tillë? Vihet re se gjatë fushatave bëhen aktivizime e përdorime të personelit policor dhe më pas emërime të tyre. Por emri i tyre nuk tërheq e motivon trupën policore, qytetarët, të cilët e shohin shtetin te polici, shprehin emocionet apo kënaqësitë e para. Lidershipi duke qenë i rëndësishëm për strukturën e PSH, jo vetëm tërheq vëmendjen, por dhe ndikon mbi qytetarët dhe kulturën shtetërore të shoqërisë.

Autori Bilbil Memaj, duke e shtrirë studimin në 100 vjet dhe duke kujtuar se mungon një doktrinë për lidershipin e policisë, formulon përkufizime, por edhe bën apel, se sa i rëndësishëm është lidershipi në PSH. Ky apel i drejtohet në radhë të parë lidershipit të lartë politik, që emëron lidershipin policor, por dhe atyre të emëruar, që duhet të vlerësojnë rolin dhe funksionin e tyre. Ketu tërhiqet vemendja e të dy niveleve, të cilët duhet të kenë parasysh rritjen e performances së PSH, por dhe reagimin qytetar. Në menyrë relative kur kemi të bëjmë me një dështim në emërimin e një drejtuesi, veçanërisht të lartë në PSH, duhet të analizohet rekomanduesi dhe të mbajë ai një lloj përgjegjësie. Sot titullari apo rekomanduesi duket se është jashtë kësaj përgjegjësie dhe nuk i kërkon kush llogari. Kështu shkallë-shkallë bie rëndësia e një emërimi, bie autoriteti i detyrës dhe i funksionit.

 

Për ta ngritur atë duhet mund dhe një personel i ri, i cili në radhë të parë të ndryshojë opinionin e mëparshëm, e më pas të ngrejë rëndësinë e detyrës së funksionit që mban. Shpesh përdoret shprehja si është lidershipi, është dhe organizata, ose si është i zoti i shtëpisë është dhe shtëpia. Këto fjalë i dinë të gjithë dhe mund t’i artikulojnë më mirë, por a evidentohen dështimet dhe mbahet përgjegjësi, analizohen dhe vlerësohen ato, a nxirret mësim, apo vazhdohet më keq. Sa emërohet një drejtues i lartë, ka raste që shkarkohet shpejt ai, por dhe ai që vjen më pas nuk e ngre performancën. Sot ka struktura vertikale të pergatitjes së ligjeve për emërimet por dhe të kontrollit të tyre. Dëgjohen shprehje se ka drejtues në qarqe që jane lidhur me drejtuesit e lartë politikë, apo deputetë dhe nuk duan të dinë për drejtuesit nga strukturat qendrore, psh.nga drejtoria e përgjithshme. Në tërësi kjo praktikë që deri diku është familjarizuar me këtë gjendje, është studiuar me referenca dhe studime konkrete e të shtrirë në vite.

Së dyti stili dhe metoda e lidershipit, jo vetem ndikon dhe rrit performancën e PSH, por dhe ndikon në kulturën shtetërore dhe të shoqërisë në tërësi. Shoqëria për t’u drejtuar dhe qenë e sigurtë ka nevojë për drejtues me performancë të kohës. Në këtë performancë ka rëndësi drejtimi me mision dhe jo vetëm ai me urdhra. Jo çdo punë dhe proces do ta realizojë lidershipi kryesor, por dhe ai i gjithë niveleve. Autori thekson se fuqia e vërtetë e lidershipit nuk i atribuohet vetëm udhëheqësit, por vjen edhe nga sinergjia e njerëzve dhe vartësve që punojnë së bashku drejt një objektivi të përbashkët. Drejtuesi i sotëm jep direktivën si lider, por për të udhëhequr nuk udhëheq vetëm ai. Duke menduar se udhëheq vetëm shefi, sot në praktikë të tjerët bëjnë sehir, presin ndonjë urdhër, e zbatojnë urdhrin pa u thelluar dhe e kuptuar. Kjo situatë sjell pasivizëm dhe mungesë inteligjence, pse jo dhe indiferentizëm. Ngjarjet shtohen, krimi nuk parandalohet se nuk ka urdhër nga eprori, nga lart për ndërhyrje. Ndërkohe qytetari shikon jo vetëm ngjarjen, por dhe mosndërhyrjen dhe pastaj fillojnë komentet.

 

Pse ndodh kjo? Sepse kemi përqendrim të kompetencave dhe pushteteve. Kemi liderë me stil dhe metoda jo të kohës, por autokratë. Kjo duket te punësimet, kur një drejtues i një niveli të caktuar nuk merr dot në punë një civil të thjeshtë. Kjo duket te raporti që ka në praktikë DP me ato të qarqeve, për çështje të ndryshme të drejtimit dhe kërkesës së llogarisë. Midis hallkave të drejtimit mund të ketë humbur besimi, ose kemi përqendrim të qëllimshëm. Përqendrimi i kompetencave bën sot në realitet, që të kemi shumë drejtues autoritarë (autokratë), që i motivojnë vartësit nëpërmjet frikës dhe jo delegimit të detyrave, apo siç quhet drejtimit me mision. Kjo përveç qëllimit për abuzim, sjell paaftësi, frikë, panik dhe nënvleftësim të profesionalizmit. Një pjesë e drejtuesve poshtë i zbatojnë urdhrat vetëm se thotë eprori, por pa u bindur dhe me frikë. Për ta patur mirë me lidershipin politik, drejtues të niveleve të ndryshme, anashkalojnë dhe eprorin direkt. Pasojat dihen, kemi ndëshkime penale, administrative, disiplinore dhe vetëm se duhet ta kenë mirë me eprorin lart. Ata që shërbejnë apo kanë shërbyer në PSH dinë dhe flasin për shumë raste dhe emra konkretë. Prandaj me të drejtë autori Bilbil Memaj bën apel për më shumë profesionalizëm, stil dhe metodë profesionale në drejtim në të gjitha nivelet, sidomos në nivelin e lartë të lidershipit strategjik.

Në lidhje me stilin e lidershipit, në realitetin tonë ka perceptime aktuale. Kështu nga një intervistim dhe një pyetësor i strukturuar mbi punonjësit e Policisë së Shtetit rreth pyetjes se: “Si do ta përcaktoni stilin e punës së liderit / drejtuesit tuaj: demokratik, autokratik, apo neglizhent / liberal?”, u morën rreth 318 përgjigje të ndryshme. Nga këta dhanë mendim se 15% , pra 48 veta u përgjigjën se janë autokratë. Në dukje shifra është jo shqetësuese, e vogël , por po të  vlerësojmë jo 318 por 11000 personel, që ka PSH, kjo shifër bëhet e madhe e shqetësuese dhe vete në 1700. Bëhet shqetësuese po të kemi parasysh se hallka drejtimi, liderë, janë pak; më shumë janë punonjës e specialistë. Ky tip lidershipi bie në sy sot dashje e padashje në qendër e në periferi, në rrethe, bile këtu më shumë. Në disa qytete drejtori i Qarkut apo shefi i komisariatit është i gjithëfuqishëm dhe mban lidhje të qendërsuara, me ministra e deputetë, e neglizhon në radhë të parë vartësit poshtë e deri diku edhe ata lartë në DPPSH. Ndoshta kjo jo gjithmonë është shqetësuese, por dhe pak të jetë pengon procesin e drejtimit dhe marrëdhëniet me komunitetin e për pasojë zbehet e nuk kuptohet koncepti i policimit në komunitet.

 

Kjo shtohet më shumë po të shohim përgjigjen tjetër për pyetjen se: “A vendos vetë drejtuesi se ç’duhet bërë dhe si”?, ku në masën 33.02% janë se vendos shumë. Po kështu shqetësuese është edhe përgjigja se nën stres, pra nen trysninë e eprorëve evidentohen 23.58% të punonjësve. Të gjitha këto anketime të bëra nga zoti Memaj, tregojnë se duhet punuar shumë për rritjen e performancës së personelit të policisë.

Shqetësuese është edhe pyetja që ngrihet se “A duhet të jetë i pavarur lidershipi nga politika”. Autori me të drejtë thotë se, megjithëse kanë kaluar 25 vjet nga përmbysja e sistemit totalitar  dhe praktikave të policimit autokrat të sistemit të vjetër, ende vërehen steriotipe në stilin e vjetër të punës së lidershipit policor, mungesë integriteti, ndikimet politike, çka e bën problematik. Lidershipi policor shqiptar ka qenë i ndikuar nga politika dhe nepotizmi, qoftë në mënyrë direkte ose indirekte në emërimin e personelit në funksione të larta dhe të mesme drejtuese. Megjithë përmirësimin e menaxhimit krahasuar me të kaluarën, trajtimi dhe motivimi i punonjësve të policisë, nga disa drejtues duket se nuk bazohet në vlerat e tyre dhe rezultatet e punës individuale të gjithësejcilit, por sipas 60% të të anketuarve, motivimi bëhet më tepër nga miqësia me eprorin dhe 40% nga formalizimi në detyrë. Kjo bën që punonjësit e policisë të humbasin shpesh besimin te eprori dhe të jenë skeptikë. Colin Pauell theksonte se: “Ditën që ushtarakët nuk paraqesin më shqetësimet e tyre  te ju, kjo është dhe dita që ju nuk i drejtoni më ata, sepse kanë humbur besimin që ju mund t’i ndihmoni ose kanë arritur në përfundimin se ju nuk shqetësoheni për ta.Të dyja rastet përfaqësojnë dështim të drejtimit.”

 

Autori bën apel se në nivelin strategjik ndikon politika, por ky ndikim nuk duhet të prekë nivelet e ulta sepse këtu kërkohet më shumë të spikasë ana profesionale. Të zbatohen kritere të rrepta ligjore për promovimin në nivelet e larta drejtuese, menaxhuese e komanduese punonjës me integritet të lartë moral e professional. Në këtë apel që bën zoti Memaj, shtron si emergjente:

Së pari, hartimin dhe zhvillimin e një doktrine të zhvillimit të lidershipit policor (ose të një dokumenti bazë, ku të përcaktohen kriteret ligjore për përzgjedhjen dhe përgatitjen e tyre).

Së dyti, të zbatohen procedurat standarde të veprimit, si në emërime dhe në rregullat e punës  (SOP). Natyrisht, këto janë përcaktuar edhe në polici, por a zbatohen dhe a kontrollohen ato nga struktura të caktuara të administratës shtetërore si të Ministrisë së Brendshme apo dhe më lart?

 

September 13, 2016 10:56
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*