Stop Soros… Fushata elektorale në Hungari

January 21, 2018 04:16

Stop Soros… Fushata elektorale në Hungari

Armiku i preferuar i kryeministrit hungarez Viktor Orban quhet George Soros.

Sipas pikëpamjes së Orbanit, miliarderi i SHBA me origjinë hungareze e hebreje ka në plan që të shkatërrojë kulturën e krishterë të Evropës dhe të shkatërrojë kombet evropiane. Për këtë synim sipas Orbanit, Sorosi mbështet invazionin e kontinentit nga miliona migrantë myslimanë.

“Plani Soros” kështu e quan kryeministri hungarez projektin e supozuar.

Tani qeveria e Hungarisë shkon edhe një hap më tej: ajo do të miratojë një të ashtuquajtur paketë ligjore “Stop-Soros”, siç bëri të ditur të mërkurën në Budapest ministri i Brendshëm, Sandor Pinter.

Paketa ligjore e qeverisë drejtohet kundër organizatave të shoqërisë civile (NGO) – një nga instancat e fundit funksionuese të kontrollit të pushtetit në Hungari. Ajo përbëhet nga tri përcaktime:

– Të gjitha NGO-të, të cilat kontribuojnë në ndonjë formë për “migrimin ilegal” duhet të regjistrohen në gjykatë dhe të paraqesin rregullisht raporte për aktivitetin e tyre.

– NGO-të që kanë të bëjnë me “migrim ilegal” dhe që marrin më shumë se gjysmën e të ardhurave të tyre nga bota e jashtme, duhet të paguajnë për këto të ardhura një taksë ndëshkuese prej 25 përqind.

– Qytetarëve hungarezë, të cilët dyshohen se e mbështesin “migrimin ilegal”, mund t’u ndalohet hyrja në një shirit prej tetë kilometrash në kufirin e jashtëm të Shengenit; qytetarëve të huaj, të cilët janë nën të njëjtin dyshim, mund t’u ndalohet hyrja në Hungari.

Po t’i miratojë këto përcaktime Parlamenti, Hungaria largohet edhe më tej nga sundimi i ligjit dhe vlerat bazë evropiane dhe u afrohet rrethanave represive si në Rusi, mendojnë vëzhguesit kritikë.

“Unë dyshoj që këto përcaktime janë në përputhje me kushtetutën dhe me marrëveshjet bazë evropiane”, thotë në bisedë me DW politologu Attila Tibor Nay nga Instituti Méltányosság.

“Në një shtet juridik, organizatat civile duhet të funksionojnë lirisht. Por përmasa e tatimit është kaq e madhe, sa një punë e lirë e këtyre organizatave nuk është më e garantuar.”

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Hungari dyshojnë që përcaktimet e paketës ligjore do të miratohen në këtë formë. “Është krejt e qartë që qeveria përpiqet për të disatën herë që ta bëjë të heshtë zërin e kritikës – dhe që ndoshta nuk mund ta arrijë në këtë mënyrë”, thotë Mate Szabo, drejtor i “Shoqërisë për të Drejtat e Lirisë” (TASZ), një nga organizatat më të rëndësishme të shoqërisë civile hungareze, përballë medieve hungareze. Szabo tërhoqi vëmendjen në rrethanën se ndoshta nuk ekziston baza ligjore që të tatohen të ardhurat për shkak të prejardhjes së tyre të huaj.

Njëherë për njëherë, paketa ligjore “Stop-Soros” plotëson një funksion propagandistik, sepse në 8 prill në Hungari janë zgjedhjet parlamentare. Me deklarime si paketa ligjore “Stop-Soros”, Orbani kërkon ta polarizojë maksimalisht fushatën elektorale.

DW

January 21, 2018 04:16
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*