Strategjia e “re” e BE në Ballkanin Perëndimor

October 12, 2017 17:54

Strategjia e “re” e BE në Ballkanin Perëndimor

A po zëvendësohet angazhimi real me iniciativa të reja?

Nga Artan Sadiku – Drejtor i programit, Instituti i Studimeve Sociale dhe Humane, Tiranë

-Procesi i Berlinit[1] është një ndërmarrje motivuese për Ballkanin Perëndimor, por iniciativat e reja po e shtyjnë atë përtej limiteve të saj. Këmbimi rajonal që është ndjekur përmes katër samiteve të Ballkanit Perëndimor[2] duhej të rezultonte në bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet shteteve aspiruese. Përderisa nga njëra anë, angazhimi i përbashkët ka kontribuar në zbutjen e tensioneve[3] ndërmjet shteteve fqinje, është joreale të pritet që këto takime dhe iniciativa do të sjellin një ndryshim më të thellë në integrimin ekonomik dhe zhvillimin infrastrukturor rajonal. Marrëveshja për Zonën Rajonale Ekonomike në Gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor[4] e arritur gjatë samitit të Triestes ka për qëllim të adresojë këtë ‘mangësi’ të procesit.

Përderisa në dukje të parë, krijimi i një ‘tregu të përbashkët’ të Ballkanit Perëndimor mund të shihet si një iniciativë premtuese, e gjithë kjo ndërmarrje bëhet mjaft problematike kur të merren parasysh rrethanat politike, ekonomike dhe sociale të rajonit dhe ato të Evropës. Duke u ndeshur me probleme të brendshme siç është dalja e një shteti anëtar – Brexit-i, rritja e politikave jodemokratike në anëtarët e ‘bllokut lindor’[5] dhe rreziku i vazhdueshëm nga shqetësimet e reja ekonomike me ‘anëtarët jugor’, Unioni humbi hapin me gjashtë shtetet aspiruese Evropiane të lëna jashtë – që së fundmi po emërtohen si “Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor”. Vetëm pas një sërë ngjarjesh problematike të interpretuara si “përzierje nga lindja”[6] e të manifestuara dukshëm në Mal të Zi dhe Maqedoni, të pranishme në Serbi dhe që përziejnë Kosovën dhe Shqipërinë në ketë përzierje të rrezikshme, autoritetet e Brukselit tentuan të angazhohen sërish me rajonin përmes një serie iniciativash, nga të cilat Zona Rajonale Ekonomike paraqet projektin më të avancuar deri më tani.

Pas reformave dhe përshtatjeve disavjeçare të realizuara përmes Marrëveshjeve për asocim stabilizim, statusit kandidat dhe hapjes së negociatave, të gjashtë shtetet, nën patronazhin e Unionit Evropian po fillojnë një plan që do t’i riorientojë proceset në raport me Unionin Evropian, drejt një integrimi të ri rajonal të Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor. Deklarata e komisionarit për zgjerim Johannes Hahn, e bërë gjatë një takimi rajonal në Durrës, që Zona Rajonale Ekonomike është ‘komplementare dhe jo alternativë e procesit të integrimit Evropian’[7] has në një sërë problemesh nëse shihet në kontekst të proceseve dhe mekanizmave institucional dhe strukturor që i rregullojnë marrëdhëniet mes Unionit dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Plani i ri ekonomik për Ballkanin Perëndimor me gjasë më shumë do të kontribuojë në komplikimin e proceseve të politikave se sa në dhënien e një motivi të ri për zhvillim në rajon. Janë të paktën dy pyetje serioze që ky proces shtron dhe të cilat sfidojnë qëllimet e mira të tij. E para ka të bëjë me prioritetet integruese të këtyre shteteve në periudhën në vijim. Çështja është se a duhet këto gjashtë shtete të orientohen drejt bashkëpunimit rajonal me qëllim integrimi të ndërsjellë në një treg të përbashkët, ide që akoma duhet bërë e qartë apo, do të ndjekin përshtatjet individuale drejt integrimit në tregun e përbashkët të Unionit Evropian, një proces ndaj të cilit janë zotuar dhe me të cilin janë mësuar për një kohë të  gjatë. Së pari, ky konfuzion paraqet një sfidë serioze në rrafshin e politikave të brendshme të cilat vuajnë nga një mungesë kronike të kapaciteteve. Dhe, në anën tjetër, ky proces ngatërron listën veçmë të vendosur të kushteve dhe prioriteteve individuale të secilit shtet në rrugën e tyre të integrimit. Një proces i ri dhe i ndërvarur, lehtësisht mund të përfundojë në një lojë akuzash të ndërsjella në secilën pengesë realizimit të Zonës Ekonomike Rajonale, probleme të cilat me siguri do të manifestohen në periudhën në vijim si rezultat i mungesës së një strukture adekuate institucionale për të përkrahur këtë plan ambicioz.

Pyetja e dytë ka të bëjë me modelin e zgjerimit që është ndjekur deri më tani dhe i cili duhet të rishikohet në të ardhmen e afërt me qëllim që të adresohen ndryshimet që do ti sjellë Zona Rajonale Ekonomike nëse projekti merret seriozisht nga të gjitha palët. Kur Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor të realizojnë idenë e tregut të përbashkët rajonal i cili do të mundësojë “qarkullimin e papenguar të të mirave, shërbimeve, kapitalit dhe forcës punëtore të kualifikuar” që nënkupton një nivel të lartë të integrimit ekonomik dhe bashkëpunimit institucional, secili anëtarësim i ardhshëm individual në Union i njërit nga gjashtë shtetet do të jetë mjaftë problematik. Kur veçmë të jetë themeluar Zona Ekonomike Rajonale nga të Gjashtit, një “dalje” nga një shtet që i bashkohet tregut të përbashkët të Unionit Evropian, i ndjekur edhe nga shtetet tjera, është plotësisht në kundërshtim me qëllimet e planit. Në një proces të ngjashëm me CEFTA, zona e re ekonomike është e disejnuar që të tkurret në proces të anëtarësimit në UE të anëtarëve të saj. Pyetja tjetër që paraqitet është nëse është politikisht e zbatueshme që kolektivisht të ndiqet një projekt i ri rajonal, përderisa aspiratat individuale të secilit nga këto shtete janë që ta braktisin atë – ti bashkohen Unionit Evropian.

Janë dy skenarë që mund të hedhin dritë mbi motivet për propozimin e kësaj iniciative të planifikuar me shumë paqartësi. I pari është që qarqet politike në Bruksel e kanë të qartë që nuk do të ketë zgjerim të mëtejmë në një periudhë të afërt, mbase dhe në dekadat në vijim, si rezultat i paqartësive të brendshme dhe çështjeve në mes shteteve anëtare, e prandaj propozimi i një plani alternativ duket si një lëvizje më e mirë se sa deklarimi i ndërprerjes afatgjate të zgjerimit. Një plan i dobët është më mirë se një plan i munguar. Dhe, pas ca viteve, kur të vijnë kohë më të mira, të mendohet një strategji më e mirë. Skenari i dytë është që i tërë rajoni do të mund të bashkohet në Unionin Evropian si një bllok i tërë, pasi që të ketë zbutur tensionet e ndërsjella dhe të ketë përmirësuar integrimin ekonomik në një zonë të përbashkët ekonomike. Ky është një prospekt që Komisioni Evropian, duke pasur parasysh kreativitetin dhe adaptabilitetin e tij, mund ta ndjekë si strategji negociuese me shtetet anëtare të Këshillit pasi që të Gjashtit e Ballkanit Perëndimor të kenë përmirësuar ekonomitë e tyre përmes integrimit dhe zhvillimit.

Përderisa këto dy skenarë mund të ngjajnë si të ekzagjeruar, ata paraqesin një rezultat të paevitueshëm të një qasjeje analitike ndaj ndryshimeve dhe sfidave politike që plani i sapo miratuar do të sjellë. Nëse ai merret seriozisht nga palët e involvuara, marrëveshja për zonën ekonomike do të prodhojë një realitet të ri në rajon, realitet i cili do të ndikojë në karakterin e marrëdhënieve të Unionit me secilin shtet në mënyra të cilat për momentin ngelin të pa adresuara dhe në zonën e përhimët të spekulimeve. Në kohë të paqartësive të larta si në politikën brenda Unionit Evropian, ashtu edhe jashtë kufijve të tij, ekziston një nevojë kritike për qartësi dhe angazhim të qëndrueshëm si dhe për respekt të së kaluarës dhe vazhdimësisë së këtyre angazhimeve.

Plani për Zonën Ekonomike Rajonale do të rezultojë në një sërë paqartësish lehtësisht të identifikueshme. Plani Aksional Shumëvjeçar[8] vendos qëllimet të cilat do të duhet të implementohen në kuadër të marrëveshjes së CEFTA, duke tentuar të krijojë një treg 20 milionësh me qarkullim të lirë të njerëzve, shërbimeve, të mirave dhe kapitalit ndërmjet gjashtë shteteve, një treg që ngjason me tregun e përbashkët të Unionit, por thelbësisht ngel mbrapa në më shumë aspekte. Me lirinë që Plani Shumëvjeçar ua jep gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor për të udhëhequr politika autonome tregtare, i tërë projekti futet në një sfidë serioze. Politikisht, ai shfaq një mungesë qartësie në marrëdhëniet ndërmjet Unionit Evropjan dhe Ballkanit Perëndimor, me shumë të panjohura që do të duhet të menaxhohen, pa mundur të zgjidhen, në të ardhmen. Në nivel të politikave, Plani Shumëvjeçar nuk parasheh themelimin e një strukture të re institucionale që do të përkrahte të gjithë procesin e krijimit të Zonës Ekonomike Rajonale. Përderisa qarkullimi i lirë i njerëzve, shërbimeve, të mirave dhe kapitalit në Unionin Evropian është i përkrahur nga supermakineria e Brukselit dhe nga një procedurë adekuate juridike në rast të shkeljeve, zona rajonale do të shfrytëzojë strukturat e CEFTA të cilat nuk janë të krijuara për të mundësuar nivelin e integrimit që ky plan synon. Gjithashtu ngel e paqartë pse CEFTA nuk ishte një model i mjaftueshëm kur ai veçmë luajti rolin e katalizatorit për integrim në Unionin Evropian për të gjitha shtetet tjera të Evropës qendrore.

Duke pasur parasysh të gjitha mangësitë që padyshim do të paraqiten, Zona Ekonomike Rajonale po shkon drejt një të ardhme të pasigurt, duke pasur parasysh që nuk ka një strukture institucionale dhe ligjore që do të ketë prerogativa për të fuqizuar qëllimet e vendosura. Për momentin, Plani Shumëvjeçar nuk vendos detyrime të ndërsjella, por vetëm rendit zotime që nuk janë të mjaftueshme për të krijuar një realitet të ri ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Duke pasur parasysh të gjitha këto, Zona Ekonomike Rajonale duket si një plan për një integrim relativisht të dobët ekonomik, plan i cili nuk do ta zëvendësojë procesin e anëtarësimit në Unionin Evropian të gjashtë shteteve nga njëra anë, dhe një plan lehtësisht i anashkalueshëm nga ana tjetër, deri sa të përmirësohet klima e zgjerimit brenda Unionit Evropian.

Fakti që Unioni Evropian po tregon një angazhim të ri në Ballkanin Perëndimor është një tregues që shënon dështimin e politikave thelbësore të zgjerimit. Qëndrimi i z. Juncker që “ne (UE) po marrim hap për afrim jo largim”[9] flet për vete. Unioni e kishte lënë mbrapa procesin me shtetet e Ballkanit dhe tani sërish po merr hapa afrimi, por modeli përmes të cilit realizohet ky afrim, ai i Zonës Ekonomike Rajonale, është një model i cili ka mungesa serioze në angazhim. Ai mbase do të blejë ca kohë, brenda së cilës një seri e proceseve të paqarta do ta sjellë në pah sërish nevojën për qartësi dhe angazhim nga ana e zyrtarëve të Brukselit. Gjithashtu, pa dyshim që ky proces do të ketë nevojë edhe për aksion më të fuqishëm politik të brendshëm nga ana e qeverisë Gjermane, e cila viteve të fundit është kthyer në qendër të fuqisë reale politike në Union.

Unioni Evropian duhet të ri-angazhohet me secilin shtet të veçantë të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht nga procesi i planit për Zonën Ekonomike Rajonale, sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe me  një agjendë të qartë të parashtruar dhe të negociuar me qeveritë respektive. Tani që qeveritë e reja janë vendosur  pas proceseve zgjedhore në shumicën e shteteve të Ballkanit Perëndimor, ato kanë nevojë jetike që qytetarëve të tyre tu tregojnë që ekziston një rruge e qartë dhe e qëndrueshme drejt Unionit Evropian, rrugë e cila do ti motivonte më tej proceset e brendshme politike dhe të reformave.

Gjithmonë duhet të kihet parasysh që në marrëdhënie ekzistojnë dy pale, dhe asnjëra nga to nuk duhet të ketë privilegjin e evitimit dhe shtyrjes së premtimeve dhe angazhimeve të veta. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Unionin Evropian duke qenë se roli që ai luan në shtytjen e rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik është më se i rëndësishëm.

 

***

[1] The Western Balkans’ Berlin process: A new impulse for regional cooperation http://www.europarl.europa.eu/RegData/etudes/BRIE/2016/586602/EPRS_BRI%282016%29586602_EN.pdf

[2] The Berlin Process and the Trieste summit 2017 http://www.europarl.europa.eu/RegData/etudes/ATAG/2017/608637/EPRS_ATA(2017)608637_EN.pdf

[3] Serbia and Kosovo agree final steps for implementation of justice agreement in meeting of EU-facilitated Dialogue https://eeas.europa.eu/headquarters/headquarters-homepage/31573/serbia-and-kosovo-agree-final-steps-implementation-justice-agreement-meeting-eu-facilitated_en

[4] European Commission – Press release. 2017 Western Balkans Summit – stepping up regional cooperation to advance on the European Union path. Brussels, 11 July 2017. europa.eu/rapid/press-release_IP-17-1938_en.pdf

[5] Commission Opinion on the Rule of Law in Poland and the Rule of Law Framework: Questions & Answers. http://europa.eu/rapid/press-release_MEMO-16-2017_en.htm

[6] EU struggles to regain credibility in western Balkans: Russia and Turkey exploit historic links in the region in play for power https://www.ft.com/content/bc829a82-03e4-11e7-ace0-1ce02ef0def9?mhq5j=e7

[7] Johannes Hahn attends informal Western Balkans Prime Ministers’ meeting in Durrës, Albania

 https://eeas.europa.eu/delegations/albania/31378/johannes-hahn-attends-informal-western-balkans-prime-ministers-meeting-durr%C3%ABs-albania_en

[8] Consolidated Multi-annual Action Plan for a Regional Economic Area in the Western Balkans Six http://www.esteri.it/mae/resource/doc/2017/07/map_regional_economic_area_06_july_2017_clean_version.pdf

[9] Balkans must join the EU eventually, European leaders say

http://uk.reuters.com/article/uk-eu-summit-balkans/balkans-must-join-the-eu-eventually-european-leaders-say-idUKKBN16G32U?il=0

October 12, 2017 17:54
Komento

7 Komente

  1. Mishi tretet, kocka mbetet... October 13, 06:53

    Gjithe kete carcaf me germa une do ta permblidhja me shprehjen lapidare “Prit gomar te mbije bar”.

    Shtrojuni punes dhe mos na trani si shume capin jo e lagu, jo s’e lagu.

    KUNGUJT E PAPJEKUR nuk i mban njeri kollaj nen sqetull. Jeta eshte arithmetike Olimbi…

    Reply to this comment
    • mirel October 14, 00:06

      Jo, gjithe ky carcaf ka nje permblidhet ne nje kuptim.
      Merni varesine nga Republika serbe.
      Fillimisht konfederata ballkanike, ku fuqia ekonomike eshte Serbia, dhe me pas krijimi i pakicave kombetare..dhenia e pasaportave te huaja per keto pakica, dhe zaptimi i territoreve te pakicave nga fqinjet.
      Fiks, per vasalitet nga serbet, bullgart dhe maqedonet
      Ketu luan mafia ballkanike, dhe evropa e di me cfare pushtash pa pike dinjiteti dhe identiteti ka te beje

      Reply to this comment
  2. Lili October 13, 11:26

    Po pse atehere gjithe shtetet rdhe nje pjese e mire e evropes e shohin me dyshim per mos me thane ma shume bashkpunimin Shqiperi Kosove qe eshte vetem aplikimi e gjithe ketyreve principe qe po na shesin neve?Ok bashkpunimi !po jo bashkpunimi ndershqiptar?!

    Reply to this comment
  3. Lili October 13, 11:29

    Ndoshta duhet te filloni ashtu si kroatia dikur me kerkuar gjerat me emerin tone te vertete:jo balkan po evropa e juglindjes,vetem si fillim kur te flasim per ne.

    Reply to this comment
    • mirel October 14, 00:08

      Nuk kane plan bashkimin e shqiptareve o Lili, po copetimin e shqiptareve dhe krijim vasaliteti nga Serbia
      Keto jane lojerat e Ramutit me Pavaresine e Shqiperise.
      E ka bere shtetin prone private dhe po e shet.

      Reply to this comment
  4. Bogonica October 13, 14:30

    Vertet e hani kete karamelen e Ballkanit Perendimor?Ballkani Perndimor eshte loja e radhes e Evropes Plake,per t’u tallur me Shqiptaret.A e din pse?Sepse,perderi sa integrimi i shteteve te Ballkanit Perndimor ne BE nuk do te behet “ne Bllok”,por tek e tek sipas performances se sejcilit shtet,le t’i lene shtetet ne hallin e tyre,le t’i lene ato ne perpjekjet e tyre,le ti lene ato ne krimin e tyre,dhe te pranojne ata qe do te “duken me mire”.Per Evropen qe tani duket me mire Serbija dhe Mali i Zi.Perse nuk i pranojne keto shtete qe tani,po duan te na fusin nen ombrellen e tyre,dhe pastaj ne lene si m. ne shi?Le ta lene integrimin e ketyre shteteve per me tej dhe te caktojne nje afat se kur do te behet integrimi ne BE,por ama,integrimi i tyre te behet “ne Bllok”.Ne kete menyre Serbija e zbardh edhe faqen e skuqur nga gjkederdhja e fundit ne Ballkan,te cilen Evropa po e harron e para(!)

    Reply to this comment
  5. Dn October 16, 08:03

    Bogonica,
    Nuk do futemi en bloc ,se evropa nuk do . Edhe te gjithe e dime pse.
    Po evropa kur nuk do e pranoje qe zgedh sipas disa kritere jo aq te pelqyshme ,prandaj ajo ka me kerkuar kriter tjere bile edhe ka me i krijuar vete siç po ndodh me kosoven per demarkacionin i cili deri dje nuk ishte problem po u sajuar nga evropa qe kjo te kete nje arsye per refuzimin e kosoves,duke e ditur se e papranueshmja gjithmone mbetet e papranueshme..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*