Studentë, kujdes nga revistat fantazmë

Nga Fatos Tarifa August 19, 2016 13:16

Studentë, kujdes nga revistat fantazmë

Siç ndodh rëndom prej shumë vitesh, “Google Scholar” më “njoftoi” këto ditë se një tjetër autor i është referuar një artikulli të botuar nga unë dhe ka cituar prej tij. Më erdhi mirë, natyrisht, siç i vjen mirë cilitdo autor kur mëson se librat ose studimet e tij i lexojnë dhe u referohen autorë të tjerë. Kureshtja më shtyu të “zbuloja” se cilin ndër artikujt ose librat e mi kishin cituar këtë herë dhe cili është autori që më citon.
Më erdhi mirë që, këtë herë, autorja ishte shqiptare dhe artikulli i saj ishte botuar në anglisht. Por u ndjeva edhe më mirë kur lexova titullin e atij artikulli: “Max Weber’s influence in Albanian sociology” (Influenca e Max Weberit në sociologjinë shqiptare). Më në fund, thashë me vete, një sociologe shqiptare, emrin e së cilës, Silvana Ago, e dëgjoja për herë të parë, po shkruan për Weberin dhe, sidomos, për sociologjinë shqiptare.
Por, fatkqeqësisht, sapo lexovaradhët e para, zhgënjimet nga ky artikull erdhën njëri pas tjetrit. Dhe ishin të shumta. Zhgënjime për shkak të mediokritetit dhe shterpësisë së ideve të autores, për shkak të mungesës së njohurive teorike bazë në fushën e sociologjisë, për shkak tëpaditurisë dhe moskuptimit të thellë të mendimit të Weberit (si dhe të Marksit), për shkak të mungesës thuajse të plotë të burimeve në të cilat është mbështetur kjo autore, përshkak të gjuhës absurde të përdorur për të artikuluar mendimin e saj, të cilin e bën edhe më të errët anglishja në të cilën është shkruar dhe botuar ky artikull i saj etj.

Revista fantazmë
I bindur për kategorinë së cilës i përkasin shkrime të tilla vulgare, instiktivisht u interesova të shoh se ç’përfaqëson revista në të cilën zonjusha Ago e ka botuar këtë “krijim shkencor” të saj. E dija se as emri dhe as përmbajtja e një reviste që boton shkrime si ky i Silvanës dhe i shumë studentëve të tjerë doktorantë shqiptarë vitet e fundit, nuk do më habisnin. Nuk është hera e parë që shkrime jashtëzakonisht të dobëta botohen në revista kuazi-akademike, revista fantazmë, që u ngjajnë skemave piramidale të tipit “Ponzi”, në të cilat boton kushdo që paguan paraprakisht një “fee”. Vetë Silvana ka paguar për të botuar në atë revistë jo një herë, por dy herësepse, po në të njëjtin numur të asaj “reviste”, fill pas të parit, është botuar edhe një “artikull” i dytë me emrin e saj—një tjetër çorbë idesh dhe një tjetër ekzemplar i absurdit akademik. Artikulli i dytë titullohet “The work concept according to Weber”, që do mund të përkthehej: Koncepti i punës te Weberi.
Nuk ka revistë akademike në botë që të botojë dy artikuj nga i njëjti autor në të njëjtin numur të saj. Por revista që paska gjetur Silvana qenka e tillë, madje ajo boton edhe më shumë se dy artikuj nga i njëjti autor (shqiptar), sepse pothuajse të gjithë ata që kanë botuar në këtë revistë janë studentë doktorantë “fatkeqë”, ose “në nevojë” nga Shqipëria, ose nga Kosova. Z. Gjeleshi, fjala vjen, ka botuar në të njëjtin numër (qershor 2016) të kësaj reviste 3 artikuj radhazi!! Autorët e tjerë janë gjithashtu shqiptarë. Numri pararendës i kësaj “reviste” përmbante sërish vetëm shkrime nga studentë doktorantë shqiptarë. Me rregullat që kemi sot (edhe pse i ndryshuam me ligjin e ri për arsimin e lartë) është ende e mundur të fitosh gradën “doktor i shkencave” duke botuar tre artikuj në këtë revistë, ose në një revistë të ngjashme me të.
Kjo revistë “akademike”, me një titull-akronim të çuditshëm “AJRRESCS” dhe një nëntitull pafundësisht të gjatë (Academic Journal of Research and Reflection in Educational, Social and Communication Studies), botohet online në Bratislavë, nga Slovakia Academic Publishing. Kjo e fundit është një ndërmarrje botuese, e regjistruar në Sllovaki në vitin 2014, e cila (shihni absurdin dhe mashtrimin e radhës) u indeksua po atë vit “me një faktor impakti 0.43”.
Dy fjalë për këtë revistë dhe revista të ngjashme.Pastaj disa fjalë më shumë për çorbën e Silvanës. Asnjë botues nuk indeksohet me “faktor impakti”. Faktori i impaktit (impact factor), siç e dimë të gjithë ne që kemi botuar në revista të njohura jashtë vendit, është një tregues që mat numrin e citimeve të artikujve që botohen në një revistë akademike dhe që, për këtë arsye, dëshmon reputacionin e asaj reviste në botën akademike në një fushë të caktuar të shkencës ose të dijes. Faktori i impaktit nuk është një indikacion për botuesin, por për revistën. Për më tepër, asnjë revistë akademike nuk “lind” me ndonjë faktor impakti të caktuar, siç nuk lind askush nga ne me idenë e Zotit ose me idenë figurave gjeometrike, nëse perifrazoj Dekartin. Asnjë reviste të re akademike, edhe nëse ajo botohet nga Harvard University Press, ose MIT Press nuk i atribuohet një faktor impakti pa kaluar 2 deri 3 vite nga botimi i numrit të parë të saj, kohë kjo e domosdoshme për të “matur” ndikimin e ideve të publikuara në atë revistë në një fushë të dhënë të shkencës.
Revista “ajrrescs”,në të cilën Silvana ka botuar dy produket e saj të vetme deri më sot, nuk ekziston gjëkundi në Indeksin e Citimeve për Shkencat Sociale (Social Sciences Citation Index), prodhuar nga Thomson Reuters, si një indeks ndërdisiplinmor në shkencat sociale. Nëse kërkojmë ndonjë gjurmë të titullit të kësaj reviste në Internet, marrim këtë mesazh: “No matches found for the query”. I njëjti mesazh përsëritet nëse kërkojmë numrin ISSN të kësaj reviste (1946-9690), që është shenja e vetme e identitetit të saj.Kjo revistë, pra, jo vetëm që s’ka e s’mund të ketë asnjë faktor impakti, por nuk ka as edhe identitet. Natyrisht,që s’mund të ketë, përderisa në të mund të botojë kushdo, duke paguar për të. Rrallë, shumë rrallë gjen sot në botë revista akademike në të cilat paguan për të botuar, ndërkohë që gjen mjaft “revista” online, të cilat mbahen me paratë e studentëve nevojtarë, që duan të bëhen “doktor” në shkenca pa e merituar këtë.
Se ç’përfaqëson në të vërtetë kjo revistë dhe të tjera si kjo, që botohen po nga Slovakia Academic Publishing, kuptohet lehtësisht nga një lexim i shpejtë i informacionit që përmban faqja zyrtare e saj në Internet (http://www.skaponline.com/en/Home). Nuk po i marr kohë lexuesit t’i shpjegoj përse ajo çfarë thuhet në këtë informacion zyrtar mund të jetë çdo gjë, por jodëshmi e një botuesi serioz. Pa u zgjatur, thjesht dy shembuj: Në këtë dokument në anglisht, shumësi i fjalës “company” shkruhet “companyes” (jo companies), ndërsa emri “Balkan” shkruhet “Balcan”. Një “shtëpi botuese”, që ka këtë standard zyrtar anglishteje kuptohet që do të prodhojë një revistë si “ajrrescs”, në të cilën mund të botojnë edhe Silvana nga Shqipëria, edhe Shpendi nga Kosova, edhe Nikolla nga Maqedonia, edhe Matej nga Sllovakia, edhe Grozhdana nga Bullgaria. Sa për standardet e kësaj reviste, ja çfarë kërkohet për të botuar në të (sipas vetë instruksioneve të revistës): “Dorëzimi i dorëshkrimit deri më 5 qershor; njoftimi për pranimin e dorëshkrimit brenda 3 deri 5 ditësh nga dorëzimi i tij; pagesa e “fee”-së deri më 17 qershor; botimi online i dorëshkrimit deri më 20 qershor; botimi në “print” deri më 30 qershor”.
Gjithçka nis dhe përfundon brenda dy javësh. Sa hap e mbyll sytë. Silvana Ago dhe 38 studentë të tjerë doktorantë nga Shqipëria dhe Kosova kanë botuar në 340 faqet (!) e të njëjtin numur të kësaj reviste 39 “artikuj”, disa prej të cilëve kanë më shumë se një autor (me të njëjtin mbiemër), ndërsa disa autorë kanë më shumë se një artikull (Silvana, F. Musa, F. Xheladini dhe M. Maksuti, dy artikuj secili, ndërsa Z. Gjeleshi tre artikuj). Revista të tilla “akademike” dhe “ndërkombëtare” duket se janë krijuar dhe ekzistojnë vetëm për studentët doktorantë shqiptarë.Një biznes i fëlliqur për ata që e bëjnë, dhe një fatkqeqësi për studentët që bien viktima të tij.
Një fakt i tillë është shqetësuesdhe duhet të shërbejnë si një këmbanë alarmi për universitetet tona dhe për shkencën shqiptare në përgjithësi. Duke toleruar standarde të tilla ne rrënojmë edhe më tej arsimin e lartë dhe shkencën në vendin tonë, në një kohë që, siç kam në dukje edhe më parë, thelbi i reformës së arsimit të lartë dhe sekreti i suksesit të saj qëndron jo vetëm në mënyrën sesi prodhohen dija dhe njerëzit e arsimuar por, sidomos, në mënyrën sesi “prodhohen” prodhuesit e dijes dhe të njerëzve të arsimuar.

Si të (mos) gatuash një çorbë sociologjike
Thashë që në krye të këtij shkrimi se nuk e njoh Silvana Agon. Emrin e saj e mësova dje për herë të parë. Kuptoj se ajo jep mësim si pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës dhe punon për të mbrojtur doktoraturën në Universitetin Europian të Tiranës. Asgjë më shumë se kaq. Por nga dy shkrimet e saj në “ajrrescs” arrita ta njoh mirë këtë lloj “sociologu” dhe e para gjë që ndjej për të është keqardhja. Nuk më intereson aspak personi i saj; ato çfarë më shqetësojnë janë mungesat në formimin e saj teorik (të marë në një prej universiteteve shqiptare) dhe injoranca e plotë për çështjet që ka marrë përsipër të trajtojë në dy “artikujt” e saj. Dy fjalë për artikullin e parë: “Influenca e Weberit në sociologjinë shqiptare”.
Ky “studim” i zonjushës Ago mund të quhej çdo gjë, veç jo studim. Unë sinqerisht besova në fillim se Silvana do të thoshte diçka me vlerë për ndikimin që ka pasur ose ka vepra e Weberit në lindjen dhe në zhvillimin e sociologjisë në vendin tonë. Por zhgënjimi, siç thashë më sipër, ishte shumë i madh, madje shokues. Kjo edhe më shtyn që, në një ditë vere si kjo, kur ende jam me pushime, të shkruaj këto radhë. Me një qëllim dhe një shpresë të vetme: t’i ndihmoj këtë vajzë dhe shokët e saj studentë doktorantë në fushën e sociologjisë e të shkencave sociale në përgjithësi, tani në hapat e tyre të kërkimit shkencor që duket se kanë nisur, të marrin rrugën e drejtë, atë më të vështirën e më të mundimshmen, jo më të lehtën; atë më të gjatën, jo shtegun e shkurtër. Ja ç’dua t’i them Silvanës në veçanti:
(1)Max Weber është një pus i thellë, në të cilin gjenden ide brilante. Pas Karl Marksit, ose bashkë me të, ai është ndër sociologët më të shquar që njohim deri më sot. Si i tillë, Weberi duhet lexuar, njohur e kuptuar sa më mirë, dhe ti, Silvanë, apo shokët e tu studentë, që doni të fitoni gradën “doktor” në sociologji, ose në disiplina të tjera shoqërore, në asnjë mënyrë nuk duhet të mjaftoheni me një ose dy libra të tij të përkthyer në shqip. Këtu duhet të shtoj se, sidomos kur e citoni Weberin në një artikull që shkruani në anglisht, siç ke bërë ti në dy shkrimet e tua, është gabim ta përkthesh atë në anglisht nga versioni shqip në të cilin është përkthyer vepra e tij nga anglishtja, por duhet lexuar e cituar nga botimi në anglisht. Sepse citimet e tua nga Weberi nuk bien aspak erë Weber.
Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit është, pa dyshim, njëra prej veprave të tij më të shquara dhe më me influencë, por jo e vetmja. Unë kuptoj se ti nuk ke lexuar asgjë tjetër nga Weberi veç përkthimit të këtij libri në shqip. Kjo është shumë pak. Ti as këtë libër nuk mund ta kuptosh dot pa njohur mendimin sociologjik të Weberit dhe metodën e tij historike në tërësinë e vet. Miqësisht të këshilloj të lexosh kryeveprën e tij Wirstchaft und Gesellschaft (Ekonomia dhe shoqëria), përkthyer dhe botuar në anglisht vitin 1947 nga vetë Talcott Parsons, si dhe vëllimin From Max Weber: Essays in Sociology, përkthyer dhe botuar në anglisht po në vitet 1940 nga sociologët e njohur Hans Gerth dhe C. Wright Mills. Me shumë dobi do të ishin veçanërisht edhe dy libra kushtuar Weberit: Politics and Sociology in the Thought of Max Weber (nga Anthony Giddens) dhe Max Weber: An Intellectual Portrait (nga Reinard Bendix). Një përmbledhje shumë interesante dhe e dobishme do të ishte, gjithashtu, vëllimi Max Weber and Sociology Today (1971), në të cilin kanë dhënë kontributet e tyre sociologë të tillë si Talcott Parsons, Raymond Aron, Herbert Marcuse, Reinhard Bendix, Jürgen Habermas etj.
Nëse lexon këto libra, ose qoftë edhe njërin prej tyre, do të kuptosh se ato ç’ke shkuar ti për Weberin nuk bëjnë asnjë grimë kuptim. Ti ke shpikur një Weber që kurrë s’ka ekzistuar (Edhe vetë Parsonsi, sociologu më i shquar për gati 4 dekada në mesin e shekullit të 20-të, që e përktheu Weberin në anglisht, në shumë raste e interpretoi josaktë atë).
Përçartja që karakterizon nga kreu në fund shkrimin tënd është krejt e padenjë për imagjinatën sociologjike, e cila duket se të mungon, si dhe për vetë natyrën e kërkimit sociologjik. Ja çfarë shkruan ti në artikullin mbi ndikimin e Weberit në sociologjinë shqiptare (më duhet me vështirësi të të përkthej në shqip (fjalë për fjalë) nga anglishtja tënde tejet e varfër dhe e paskatë): “Në bëmat e tij Weberi ka marrë mësime nga studimet e tij për Kalvinin dhe Luterin dhe merret kryesisht me çështjen e individualizimit…”. Ky është, në fakt, i vetmi vlerësimin që ti bën për Weberin. Gjithçka tjetër është një lëmsh fjalësh që s’ja gjen dot fillin. Ti gabimisht vë në gojën e Weberit ide që s’janë të tijat, por përfaqësojnë (nëse vërtet është kështu) qëndrimet e Luterit e të Kalvinit. Ti formulon fjali të tilla pa kuptim, si: “Reformacioni, sipas meje, na ndriçoi, sepse i mundësoi njeriut të kuptonte veten dhe të përfaqësohej si një qenie e aftë për të marrë vendime dhe për të kuptuar veten dhe të tjerët”(!), ose “Idea e të qenit i aftë të mendosh përmendet në filozofinë e Reformacionit dhe duhet pranuar si një ide me vlerë pasi ajo i ktheu njeriut dinjitetin e humbur nga dogma fetare”(!), ose, “Ekzistenca e Zotit nuk është vënë kurrë në dyshim” dhe se “ajo çfarë duket qartë është se Zoti, si i tillë, ekziston”(!) dhe shumë të tjera si këto.
(2) Në një artikull që pretendon të “zbulojë” ndikimin e Weberit në sociologjinë shqiptare, ti nuk thua asgjë pikërisht për këtë çështje që, më e pakta, do të justifikonte titullin e këtij artikulli. Shqipëria përmendet vetëm 5 herë dhe në asnjë rast në kontekstin që t’i pretendon:
Rasti i parë (i përmendjes së Shqipërisë) është ky: “Dashuria për Zotin, një traditë e re në mendimin shqiptar”! Një nëntitull që s’thotë asgjë dhe që, për më tepër, nuk ka asnjë lidhje me atë çka vijon më poshtë dhe me ndikimin e Weberit në radhët e sociologëve shqiptarë, me përjashtim ndoshta, të solipsizmit tënd.
Rasti i dytë (diku nga mesi i artikullit): “Vështruar në realitetin tonë, këto fakte (bëhet fjalë për idenë e Kalvinit se dashuria për Zotin është më e madhe se fajësimi), janë tepër interesante pasi tradita fetare shqiptare që lidhej me besimin te Zoti ka qenë e dobët dhe ky besim do na çlirojë ne nga mentaliteti i sotëm i besimit të kufizuar” (Unë nuk mora vesh asgjë nga e tëra kjo).
Rasti i tretë: “Duket se realiteti shqiptar është më bashkëpunues përsa u përket besimeve fetare”. Edhe kjo një tjetër fjali pa kuptim në një shkretëtirë mendimi. Pa asnjë lidhje kontekstuale me paragrafët që e paraprijnë.
Rasti i katërt: “Përsa i përket realitetit shqiptar, duke besuar sipas fesë së Weberit është një përpjekje e vazhdueshme për të dalë nga besimi total për t’u kthyer në traditën e një vendi pa fe dhe me liri të plotë”. Kush mund të më ndihmojë ta kuptoj ç’ke dashur të thuash me këtë mishmash fjalësh?
Rasti i pestë (fjalia e fundit): “Mund të themi se zhvillimi i studimeve të sociologjisë së Weberit në realitetin shqiptar nuk është praktikisht i njohur, sipas kontekstit fetar dhe social”. Me këto fjalë mbyllet trajtimi teorik, për të konkluduar se: “Sociologjia shqiptare po jeton një periudhë prosperiteti në fushën e saj, por ajo që mund të themi pa dyshim është se ajo do të gjejë hapësirë te Weberi, te sociologjia e tij, ashtu si një etikë sociale ka gjetur pa dyshim një terren të përshtatshëm në mentalitetin e realitetit tonë”. Nëse këto rradhë do i kishte shkruar një student i sociologjisë në nivelin Bachelor, atij do i duhej të përsëriste klasën. Dhe si është e mundur të deklarosh se “Sociologjia shqiptare po jeton një periudhë prosperiteti”, kur në vendin tonë kjo është një disiplinë ende në fazat embionale të zhvillimit të saj!
I tërë artikulli tend, Silvanë, mbështetet në 5 burime: Marrëzia e madhështisë e Erazmit (titulli në anglisht, botimi në shqip nga Infobotues), Kristianizmi, Judaizmi dhe mendimi perëndimor nga një farë Frances Farago (shtëpia botuese “Lira”); Kapitali i Marksit (shtëpia botuese Naim Frashëri) dhe Etika protestante dhe shpirti kapitalizmit (botim në shqip nga “Plejad). Ah, për pak harrova, ti citon edhe një artikull timin mbi fenë, botuar në gazetën MAPO dhe marrë prej saj nga interneti. Do të kisha dëshirë të merresha në veçanti me objeksionet e tua për atë artikull, por kuptoj se tijo vetëm që nuk kemarrë vesh asgjë prej tij, por edhe i referoheshatij artikulli jashtë çdo konteksti, përmes ca pyetjesh retorike absurde që më bënë të qesh kur i lexova. Sepse, Silvanë, ti më kujton se i kam kryer studimet universitare në Tiranë, “during Enver Hoxha’s regyme” (ti nuk e di, me sa duket, se fjala “regjim” në anglisht shkruhet regime, jo “regym”), por je krejt e painformuar se autori i këtyre radhëve ka fituar PhD-në e tij në sociologji nga njëri prej universiteteve më të mira në Shtetet e Bashkuara dhe në botë. Për këtë nuk të vë faj.
“Faji” yt është mungesa e njohurive të gjera e të qëndrueshme nga historia, sociologjia dhe filozofia. Kjo duket nga kreu deri në fund të shkrimit tënd. Marr, për shembull, trajtimin që ti i bën vlerësimit të Reformës nga Marksi dhe Engelsi. Ti thua se këta ishin “totalisht kundër Reformës”. Në fakt, për ta, reforma luteriane, ashtu si Kalvinizmi, ishte një lëvizje me karakter të theksuar borgjez, “një maskë e vërtetë fetare për të fshehur interesat e borgjezisë së asaj kohe”. Në kontekstin historik të kohës, këto fjalë të Engelsit shprehin vlerësimin e tij për Reformën. Për Marksin dhe Engelsin, Reforma ishte një goditje e rëndë kundër autoritetit të Kishës Katolike dhe sundimit absolut të saj. Ajo, shkruante Engelsi, ishte “beteja e parë e madhe vendimtare në luftën e gjatë të borgjezisë europiane kundër feudalizmit”. Si rezultat i popullaritetit të madh që morën idetë e Reformës dhe i luftës së forcave reformatore brenda Kishës Katolike, shumica e popujve gjermanë e flakën haptazi atë dhe u kthyen në protestantizëm. Me këtë, shkruan Engelsi, “u shkallmua diktatura shpirtërore e Kishës Katolike, u cënua rëndë autoriteti i Vatikanit dhe Mesjeta feudale pësoi disfatën e saj të parë fatale”. A nuk është ky një vlerësim shumë i goditur?
(3)Nëse temën e këtij artikulli të pafat do të doje ta zhvilloje më tej në të ardhmen, unë miqësisht dhe duke e lënë modestinë mënjanë do të të sugjeroja të studioje më shumë dhe të kërkoje atje ku Weberi vërtet ka ushtruar ndikimin e vet në radhët e sociologëve shqiptarë. Si një hap i parë mund të të shërbenin dy libra: Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë (1997, 2001, 2002, 2008), si dhe Hakmarrja është imja: Morfologjia sociale dhe gramatika morale e gjakmarrjes (2014).
Si për ironi, të dyja këto monografi janë botuar nga autori i këtyre radhëve, dhe nëse ti, si studente doktorante, do të ishte marrë disi më seriozisht me kërkimin e influencës së mendimit weberian në sociologjinë shqiptare, do të kishte gjetur në këto vepra një pjesë të asaj çka kërkoje. Sepse unë nuk e fsheh se pikëpamjet e mia mbi legjitimitetin e socializmit shtetëror, si dhe ato mbi gjakmarrjen si një dukuri tipike për shoqëritë paramoderne (dy prej temave kryesore në fushën e sociologjisë, me të cilat jam marrë gjatë këtyre 20 viteve të fundit), janë influencuar në një masë të konsiderueshme pikërisht nga Weberi.
Por edhe nga Marksi. Sepse ndryshe nga ç’mendon ti, Silvanë, Weberi nuk e përjashton, por e plotëson Marksin. Madje, siç kanë argumentuar Hans Gerth dhe C. Wright Mills, “një pjesë e mirë e veprës së Weberit dëshmon se ai vetë e aplikoi mjeshtërisht metodën historike të Marksit”. Nëse vëmë re se sa shumë ngjajnë pikëpamjet e Weberit mbi strukturat politike të shoqërisë me pikëpamjet e Marksit mbi strukturat ekonomike të saj, mund të thuhet se Weberi nuk e hodhi poshtë tërësisht materializmin historik të Marksit, por u përpoq ta plotësonte materializmin ekonomik me një “materializëm politik dhe militar”.
Të uroj suksese në studimet e tua të ardhshme!

Nga Fatos Tarifa August 19, 2016 13:16
Komento

6 Komente

  1. anticensurë 25642654 August 19, 14:26

    shkrim i bukur dhe profesional!
    një shpullë për sistemin tonë arsimor që jo vetëm nuk doli dot nga ndikimi i politikës por dhe u katandis në një paçavure nga ajo!!sociollogë që shkruajnë doktoratura dhe japin leksione sociollogjie e në të njëjtën kohë përpiqen të asgjesojnë “komunistin çkifut”karl marks!?janë për të qarë hallin,por më keq jemi ne për të qarë hallin që çojmë kalamajt të pësojnë prej tyre!!ups desha të thosha mësojnë!!
    sidoqoftë si e thua dhe ti zoti tarifa,është gjithnjë një interpretim!!
    dhe si e thoni po ju vetë:”(Edhe vetë Parsonsi, sociologu më i shquar për gati 4 dekada në mesin e shekullit të 20-të, që e përktheu Weberin në anglisht, në shumë raste e interpretoi josaktë atë).”
    ka interpretime e interpretime!!përkëthimi nga origjinali gjermanisht është një interpretim,në raste të tilla!!
    kështu që në vënd ti këshillohet zonjës që të mos e lexojë në shqipo por në anglisht,duhet ta këshilloni të mësojë anglishten dhe për ta kuptuar dhe më mirë duhet të mësojë gjuhën në të cilën e ka shkruar vetë autori!!
    me siguri do të ishte shumë për kokën e saj!!asaj i duhet rroga si pedagoge e të tjerat nuk kanë rëndësi!!

    Reply to this comment
  2. Bekimi August 19, 18:42

    I nderuar profesor,
    Ndihem mirë që keni evidentuar marrëzitë e pjella nga mendja shterpë e kësaj Silvanës. Dhe s’kishte sesi ndodhte ndryshe. Unë nuk jam në dijeni të “doktoraturës” së saj, por me ç’lexova, mjaftojnë konstatimet tuaja për t’u bindur se këto janë bylmetërat e dala nga stani ynë arsimor. No wonder!

    Reply to this comment
  3. Doktorantja August 19, 20:03

    Ke te drejte profesor.
    Doktorantet kane nevoje per me shume orientim, ndihme dhe filter per punimet e tyre. Ata i bien dhe shkurt, duke mos njohur revistat i bejne botimet sa per numer. Dhe si rasti Silvanes ka plot doktorate te tille. … 🙁

    Reply to this comment
  4. ALBAN DEGA August 20, 05:33

    FABRIKE PARASH PER PRONARET APO SHITORE DIPLOMASH

    As UET-i nuk ben perjashtim …
    Nje shitore diplomash per ate qe paguan me shume…
    Nje pasqyre e Reformes aresimore Qeverise se sotme qe u nis me vrull revolucionar por mbeti ne mes te rruges…
    Rilindja ne aresim lindi e vdekur… E vrau virusi vdekjeprures, e deshtoi kanceri i korrupsionit, bythelepires!
    Universiteti Europian i Tiranes ka nivelin e Henri Cilit dhe disa petagogeve si puna e doktor edhe Silvanes dhe disa petagogeve, qe kur i shoh ose degjoj me shume sakrifice, asnjehere deri ne fund ma cojne tugen nga bytha, sic thoshte babai im i nderuar…. Neveri deri ne peshtirosje… Krupe!
    UET-in e dallon nga Vitrina, nga Kristali, nga…… Universitetet e Plepave dhe Akdamite e Domosdoves te Nolit te madh vetem emri !?
    Pse nuk u mbyll nga Rilindja !?
    Henri Cili eshte Profesor Doktor i bythelepirjes se cdo sundimtari te radhes!
    Jo vetem kaq! Edhe Akademik i lagies, vajisjes se rrotes se cdo qeveritari e vendimarresi te rastit!
    Jo me lubrifikant makinash… Me dollare dhe euro !
    Jo vetem ne Shqiperi, por edhe ne Kosove, Maqedoni…
    Edhe Rilindja ia di mire ” kimene parase”, sic thoshte Hasan Zyko Kamberi.
    Prandaj jemi ku jemi!
    Prandaj jemi si jemi!

    Reply to this comment
  5. Alf August 20, 14:20

    Nje shkrim brilant i prof Tarifes qe vetem sa gervish ne ate numer te madh pseudo doktoresh te shkencave qe ka prodhuar e me sa duket vazhdon te prodhoje arsimi shqiptar ne krize. Eshte i admirueshem ky shkrim dhe e kuptoj revolten e prof Tarifes. Kam kaluar vete ne streset e punimeve te ngjashme per Master e PhD ketu ne Perendim ku kam studiar e jetoj dhe duke pare artikullin e kesaj zonjushes, te cilin nga kurioziteti e lexova vete, me vjen habi sesi mund te jete kjo zonjushe “pedagoge” e aq me shume te studioj per PhD. Eeshte nje shkrim, se nuk mund te quhet “studim” qe do konsiderohej jo kalues edhe per nivelin undergraduate ketu ne Perendim made edhe ne Shqiperi duhet te konsiderohet i tille.
    Keto “Revista akademike” si kjo AJRRESCS, jane thjesht portale online fitimprurese ku botojne pseudo doktore shkencash si kjo Silvana Ago dhe te tjere ne rangun e saj.
    Eshte per te ardhur keq per kete nivel kaq te dobet. Shame!

    Reply to this comment
  6. gjermani i fundit August 20, 14:28

    Cdo artikull eshte i opinionueshem, biles, sinqerisht, ku e gjej une te drejten te gjykoj mediokre punen e tjetrit? Mos jam autoriteti suprem i botes akademike, qe ti ve note gjithkujt? Marksi sipas meje nuk eshte sociolog, Nietzsche po; per kete afirmim te opinionueshem marr damken medioker? Po nga kush? Nga ndonje qe di anglisht me mire?! E si keshtu do perpiqen brezat, duke i snobuar per Ballkanin qe ne anglisht qenka me k dhe jo me c?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*