Studentët që përfitojnë rimbursimin e tarifës 50 dhe 100%  

February 17, 2017 11:49

Studentët që përfitojnë rimbursimin e tarifës 50 dhe 100%   

 

Studentët që janë nga radhët e shtresave në nevojë përjashtohen edhe për 2017-n, nga detyrimet e taksës vjetore për studimet e larta që ndjekin në programet e fakulteteve publike.

Në udhëzimet e fundit që MAS ka dërguar pranë institucioneve të arsimit të lartë publik, saktësohet se rimbursimi i kostos së studimeve do të jetë në masën 100 për qind për kandidatët që ndjekin programet 3-vjeçare të ciklit “Bachelor”, si dhe në masën 50 për qind nëse studenti është duke ndjekur një program të ciklit të dytë, “Master profesional”, ose “Master i shkencave”.

Konkretisht, studentët që janë nga shtresat sociale të tilla, si: “persona që nuk dëgjojnë dhe shikojnë, invalidë të punës, invalidë para dhe tetraplegjikë, me statusin e jetimit, romë, ballkano-egjiptianë, persona që kanë humbur njërin nga prindërit dhe familja e tyre trajtohet me ndihmë ekonomike, fëmijë të ish të dënuarve politikë, fëmijë të policëve të rënë në krye të detyrës, apo të prekurit nga HIV-AIDS, duhet që brenda afateve të përcaktuara nga vetë sekretaritë mësimore të fakulteteve, të dorëzojnë dosjen e dokumenteve të kërkuara.

Kjo në mënyrë që të përjashtohen nga taksa e shkollimit. Bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar listën e dokumenteve që duhet të depozitojë gjatë këtij muaji pranë fakulteteve secili student që i përket kategorive të përmendura.

Po e njëjta procedurë do të ndiqet edhe në programet e nivelit të dytë. Sipas shkresës së dikasterit të arsimit, studentët e këtyre shtresave sociale që janë duke ndjekur në programet “Master” do të paguajnë vetëm gjysmën e taksës vjetore të shkollimit.

Dorëzimi i dokumenteve për të përfituar duhet të bëhet edhe nga studentët e viteve të dyta e lart, të cilët kanë përfituar edhe gjatë viteve të shkuara. Në bazë të ndryshimeve të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë, ekspertët e MAS po përgatisin edhe paketën e re me aktet nënligjore që do të zbatohen mbi tarifat e studimit për vitet në vijim.

E derisa këto ndryshime do të jenë gati, përjashtimi nga tarifat e studimit do të vijojë të bëhet sipas kësaj skeme, kur për nivelin e parë të studimeve rimbursimi do jetë maksimal, ndërsa për nivelin e dytë në masën 50 për qind.

Sipas ligjit të arsimit të lartë, kohëzgjatja maksimale e studimeve në një program nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i kohëzgjatjes normale të studimeve që parashikon programi, pa marrë në konsideratë periudhën e kohës kur studenti i ka pezulluar studimet.

Në këto kushte, studenti, që nuk arrin të përfundojë studimet brenda kohëzgjatjes maksimale të programit, ka të drejtë të aplikojë për të rifilluar studimet, në të njëjtin program studimi ose në një program tjetër.

Ai u nënshtrohet kritereve dhe procedurave të shpallura për regjistrimin në programin e studimit të institucionit pritës. Ndërsa, kreditet e grumbulluara nga studenti gjatë periudhës së mëparshme të studimeve mund të transferohen, me vendim të njësisë bazë të institucionit që pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren e saj.

 Ndryshmet, çdo të ndodhë me tarifat e studimit

 Ligji i ndryshuar i arsimit të lartë përcakton se nga fondi i mbështetjes studentore që do të akordojë shteti për vijimin e studimeve të larta, do të përfitojnë tre kategori, siç janë bursat e studimit për studentët e shkëlqyer, bursat për studentët në programet e studimit që përbëjnë prioritet kombëtar, si dhe bursat e studimit për studentët që i përkasin shtresave sociale në nevojë.

Grupet e punës në MAS po përgatisin aktet nënligjore, në të cilat do të përcaktohen modalitetet e mbështetjes me bursë të secilës prej këtyre shtresave përfituese.

Bursat e studimit për studentët e shkëlqyer u jepen studentëve me notë mesatare maksimale në hyrje, në rang vendi, pavarësisht programit të studimit dhe institucionit, në të cilin ata kanë zgjedhur të ndjekin studimet.

Studenti vazhdon të përfitojë këtë bursë vetëm nëse rezultatet e tij, gjatë gjithë viteve të studimit, vazhdojnë të jenë të shkëlqyera.

Ndërsa bursat e studimit për studentët që kanë zgjedhur të ndjekin programet e studimit në institucione publike të arsimit të lartë, që përbëjnë prioritet kombëtar, u shpërndahen studentëve që studiojnë në fushat e përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave.

Për shtresat sociale në nevojë saktësohet se bursat e studimit do u jepen studentëve që janë shpallur fitues në institucionet publike të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret për t’u konsideruar si studentë në nevojë, të përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave.

Lista e dokumenteve që duhet të dorëzoni

Çdo student që i përket kategorive në vijim duhet që brenda muajit shkurt të dorëzojë në fakultetin që studion, dosjen e dokumenteve që të përjashtohen nga tarifa e shkollimit, sipas shtresave sociale ku bëjnë pjesë:

 Studentët që janë të të verbër/të shurdhër duhet të dorëzojnë:

  • Vërtetimin nga Shoqata e të Verbërve.
  • Fotokopje të noterizuar të Vërtetimit të KMCAP.
  • Fotokopje te noterizuar te Dëshmisë së verbërisë/të shurdhër.
  • Vërtetimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore të pagesës së pensionit të verbërisë apo ndonjë dokumenti tjetër që e vërteton (masa e pagesës nga Bashkia).
  • Vërtetimin që është student në fakultetin përkatës.
  • Fotokopje e kartës së identitetit.

 Studentët që janë invalidë duhet të dorëzojnë:

  • Certifikate familjare ku vërtetohet lidhja e studentit me invalidin e punës.
  • Fotokopje e noterizuar e Vërtetimit të KMACAP të prindit që është deklaruar invalid pune.
  • Fotokopje e Dëshmisë së invalidit të punës me vulë të njomë të përfituar sipas statusit të invalidit të punës.
  • Vërtetimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore të pagesës së pensionit të invaliditetit.
  • Vërtetimin që është student në fakultetin ku ndjek studimet e larta.
  • Fotokopje e kartës së identitetit.

Studentët që janë  me statusin e jetimit duhet të dorëzojnë:

  • Dëshminë e statusit të jetimit të fotokopjuar të noterizuar.
  • Vërtetimin që është student në programin përkatës të studimit.
  • Fotokopje të kartës së identitetit.
  • Certifikatë familjare.

Studentët romë, ballkano-egjiptian duhet të dorëzojnë:

  • Certifikatë familjare.
  • Vërtetimin e shoqatës që vërteton origjinën e tyre.
  • Vërtetimin që është student.
  • Fotokopje e kartës së identitetit.

 Studentët që janë fëmijët e ish të dënuarve politikë duhet të çojnë:

  • Certifikate familjare ku vërtetohet lidhja e studentit me të përndjekurin politik.
  • Dëshmi Penaliteti (i barazvlefshëm me Dëshmi Penaliteti do të konsiderohet akti që ka njohur statusin e përndjekjes lëshuar nga institucionet e ngarkuara me këtë detyrë sipas legjislacionit të kohës. Vërtetimet e lëshuara nga Ministria e Punës, Emigracionit, Përkrahjes Sociale dhe ish të Përndjekurve Politikë, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Rendit Publik) fotokopje të noterizuara.
  • Vërtetimin e Statusit të të Përndjekurve Politik (Prindërit/Prindi) fotokopje e noterizuar.
  • Vërtetimin nga Instituti i të Përndjekurve Politikë.
  • Vërtetimin që është student.
  • Fotokopje të kartës së identitetit.

 Studentët që janë fëmijë të policëve dhe ushtarakëve të rënë në krye të detyrës:

  • Certifikatë familjare.
  • Vërtetim nga ministria përkatëse që tregon se prindi ka rënë në krye të detyrës. Fotokopje e noterizuar.
  • Vërtetimin që është student.
  • Fotokopje të Kartës së Identitetit.

 Studentët të cilëve njeri nga prindërit u është ndarë nga jeta dhe familja trajtohet si “familje në nevojë” kërkohet:

  • Certifikatë familjare.
  • Certifikate e ndarjes nga jeta e njërit prej prindërve.
  • Vërtetimin e trajtimit me ndihmë ekonomike nga njësitë e qeverisjes vendore si:“familje në nevojë”.
  • Vërtetimin që është student në fakultetin përkatës.
  • Fotokopje të kartës së identitetit.

Për studentët e prekur nga sëmundja HIV­AIDS kërkohet:

  • Raportin mjekësor që tregon sëmundjen (fotokopje e noterizuar).
  • Vërtetimin që është student.
  • Fotokopje e kartës së identitetit.

Pranvera Kola -DITA

 

February 17, 2017 11:49
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*