Studimet master në Histori-Filologji/ Konkurimi për 1030 kuotat e pranimit

September 28, 2017 11:42

Studimet master në Histori-Filologji/  Konkurimi për 1030 kuotat e pranimit

Pranvera Kola – DITA

Një javë është koha e lënë në dispozicion të gjithë studentëve që duan të konkurojnë për të fituar një të drejtë studimi në programet e nivelit të dytë, “Master profesional”, si dhe “Master shkencor”, në degët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.

Aplikimi për kuotat e miratuara në secilin program nis javën e ardhshme, përkatësisht në datën 4 tetor. Gara e përzgjedhjes së fituesve do të zhvillohet nëpërmjet konkurrimit me dosje.

Sekretaritë mësimore të këtij fakulteti bëjnë me dije se pranimi i kërkesave për studimet e nivelit të dytë, do të vijojë deri në datën 10 tetor. Për të mos rrezikuar djegien e studimeve në këtë cikël, çdo student duhet që të dorëzojë dosjen e kërkuar të dokumenteve pranë sekretarive të këtij fakulteti në afatet e përcaktuara.

Referuar kuotave të miratuara për pranimet e vitit të ri akademik 2017-2018, në këtë fakultet mund të fitojnë të drejtën e vijimit të studimeve 640 kandidatë në programet e nivelit profesional, si dhe 390 të tjerë në programet e nivelit shkencor.

Të drejtën e konkurrimit për këtë cikël studimesh e kanë të gjithë ata kandidatë që kanë kryer studimet në fakultetet publike dhe janë pajisur me diplomën përkatëse në një program të ciklit të parë “Bachelor”, ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë, i cili rezulton i akredituar në momentin e diplomimit të studentit.

Mund të aplikojnë edhe të gjithë ata kandidatë që janë diplomuar jashtë vendit, por me kushtin që të kenë përfunduar procedurat e njehsimit të diplomave përkatëse pranë MAS. Sa i takon procedurës së aplikimit, sqarohet se kandidati duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dosjen e dokumenteve të përcaktuara në afatet e përcaktuara, të cilat do të bëhen publike gjatë ditëve në vijim.

Në dosje duhet të përfshihen: Diploma, ose fotokopja e njësuar me origjinalin për studimet e kryera të ciklit të parë. Për diplomat e fituara jashtë vendit duhet vërtetimi i njohjes së saj nga MAS, e shoqëruar edhe me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin. Kandidati duhet të dorëzojë edhe diplomën e Maturës Shtetërore, së bashku me certifikatën e notave, ose fotokopje të tyre të njësuar me origjinalin, të konfirmuara nga njësia përkatëse arsimore vendore.

Kandidatët që e kanë kryer shkollën e mesme para vitit 2010, duhet të dorëzojnë origjinalin e Dëftesës së Pjekurisë. Nëse nuk posedojnë këtë dokument, mund të paraqesin edhe dublikatë të saj të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme, nën firmën e njësisë përkatëse arsimore, si dhe firmave të lëshuara nga Arkivi i Shtetit, së bashku me listën e notave. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar ndarjen e plotë të kuotave të pranimit për të dyja ciklet e studimit master në degët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.

Kriteret për “Masterin shkencor”

Në vendimin e miratuar më herët nga Universiteti i Tiranës, përcaktohet se për të konkurruar në programet e nivelit “Master shkencor”, çdo kandidat duhet që të ketë një diplomë të ciklit të parë të studimeve të ngjashme me fushën e studimeve që kërkon të ndjekë në këtë cikël studimesh, të ketë mesataren mbi notën 7, si dhe të garantojë nëpërmjet dëshmive përkatëse njohjen e të paktën nivelit B1, të një prej pesë gjuhëve të huaja të BE-së: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, sipas kushteve të përcaktuara nga fakulteti përkatës. Gjithashtu, fakulteti do të përdorë edhe kritere të tjera specifike në përzgjedhjen e fituesve, siç është nota mesatare e studimeve të nivelit të parë dhe atyre të shkollës së mesme.

Kriteret për “Masterin profesional” 

Ndryshe nga sa ndodh për programet e nivelit shkencor, për aplikimet në programet e “Master profesional”, nuk do të jetë e nevojshme njohja e gjuhës së huaj, teksa mesatarja e konkurimit duhet të jetë mbi notën 6.

Sikundër u theksua edhe më lart, për të fituar të drejtën e studimit në një nga programet master, çdo i diplomuar në fakultetet publike dhe private të vendit, duhet të dorëzojë sipas afateve të përcaktuara dosjen me dokumentet e duhura, çka do të thotë se konkurrimi do të zhvillohet nëpërmjet dokumenteve të dorëzuara në dosjen e kërkuar.

Shpallja e fituesve

Autoritetet e këtij fakulteti, bëjnë me dije se brenda tre ditësh nga mbyllja e aplikimeve, komisioni i ekspertëve të përzgjedhur do të shpalle listën paraprake të fituesve që plotësojnë kriteret për të vijuar studimet e larta në këto degë.

Kandidatët që do të jenë të pakënaqur mund të ankimojnë rezultatin dhe pasi të mbyllet edhe ky proces do të zyrtarizohet lista e finale e fituesve, të cilët duhet të bëjnë regjistrimin final si fitues në datat 17-20 tetor.

Kreditet për studimet master

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë, programet e studimeve “Master profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 120 kredite dhe kohëzgjatja është 1.5 vite akademike.

Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer. Ndërsa programet e studimit “Master i shkencave” e pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar.

Këto programe organizohen në programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë në shkenca përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.

 Afatet e aplikimit

  • Aplikimet do zhvillohen në datat 4-10 tetor.
  • Shpallja e fituesve bëhet me 13 tetor.
  • Ankimimet për të pakënaqurit pranohen në datat 13-16 tetor.
  • Regjistrimi i fituesve bëhet në datat 17-20 tetor.

Dokumentacioni i nevojshëm për regjistrim duhet të përmbajë:

  • Formularin e aplikimit.
  • Diplomë, ose fotokopje të saj të njehsuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë. Diplomë të ciklit të parë të studimeve të përfunduar jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës të njehsuar me origjinalin, ose, në mungesë të saj, të një dokumenti tjetër zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer njehsimi në Republikën e Shqipërisë të lëshuar në vendin ku ka kryer studimet, që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare në vendin përkatës.
  • Diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave, ose fotokopje të tyre të njehsuar me origjinalin, e konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore. Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të Maturës Shtetërore  duhet të paraqesin Dëftesën e Pjekurisë (origjinal, ose fotokopje të saj, të njehsuar me origjinalin, të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore DAR/ZA). Nëse kandidatët nuk posedojnë Dëftesë Pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikatë të saj, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku ka përfunduar shkollën dhe të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore, ose edhe dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit se bashku me listën e notave.
  • Fotokopja e dokumentit të identifikimit (karte identiteti, letërnjoftim ose pasaporte).
  • Dy fotografi personale.
  • Dëshminë e njohjes së gjuhës së huaj (për programet e “Masterit shkencor”).
  • Mandat pagesën e regjistrimit.

Kuotat e pranimit në programet “Master i shkencave”

September 28, 2017 11:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim