STUDIMI / 83% e spektatorëve të maratonave vijnë për të shijuar vuajtjet dhe shkërrmoqjen e vrapuesve

September 28, 2018 22:22

STUDIMI / 83% e spektatorëve të maratonave vijnë për të shijuar vuajtjet dhe shkërrmoqjen e vrapuesve

Një studim i fundit nga Universiteti Northwestern i Çikagos, ka bërë një zbulim tronditës: gati 83 përqind e spektatorëve të ngeshëm nëpër maratona, vijnë thjesht dhe vetëm për të parë dhe shijuar vuajtjet e vrapuesve të shkretë.

“Analizat tona kanë nxjerrë përfundimin se lezeti që ndjen një spektator që shullëhet majë trotuarit ose në ndonjë stol, duke vështruar një grup të telendisur vrapuesish që mezi marrin frymë dhe e shtyjnë trupin në kufijtë e rezistencës, është qëllimi i vetëm për të cilin katër në pesë sehirxhinj marrin mundimin për të dalë nga shtëpia,” tha studiuesja Filipa Shtrembs.

Sipas saj, një shumicë e madhe njerëzish që gjasme inkurajojnë vrapuesit e ngratë të 40 e kusur kilometrave që s’mbarojnë kurrë, e shijojnë që çke me të kënaqësinë mëkatare të fytyrave të shtrembëruara të vrapuesve, shprehjet e dhimbshme të mosmbushjes me firomë, humbjen e kontrollit të trupit dhe kërkimin me duar e këmbë të ndonjë gote ujë.

“Studimi zbuloi se mjaft sehirxhinj madje duartrokasin, nxisin maratonomakët, u fryjnë bilbilave që parada e mizerjes njerëzore të vazhdojë sa më gjatë vetëm që argëtimi i tyre pervers të vijojë edhe ca. Por edhe ata 17 përqind e të anketuarve që deklaruan se vijnë për të mbështetur shokët, kushërinjtë apo farefisin, e pranojnë se adrenalina e pamjeve të njerëzve që heqin picirin për të vrapuar edhe pak, është shumë joshëse,” shtoi Filipa Shtrembs.

Ndërkaq mësohet se të dhënat e këtij studimi po merren parasysh nga organizatorët e garave të gjata. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar është duke diskutuar mundësinë e zgjatjes së distancave dhe ndalimin e ujit dhe pijeve energjike për vrapuesit, në mënyrë që të shtohet pjesëmarrja dhe niveli i argëtimit të spektatorëve.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike empatike ndaj maratonomakëve.

September 28, 2018 22:22
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*