STUDIMI / Asgjë për t’u alarmuar, gjërat sot janë vetëm PAAAK më keq se dje

January 26, 2020 20:17

STUDIMI / Asgjë për t’u alarmuar, gjërat sot janë vetëm PAAAK më keq se dje

TIRANË – Duke theksuar se dukuria në fjalë është pothuajse e padallueshme në periudhë afatshkurtër, instituti për Meditim Universal Transparent, inicialet e të cilit nuk e shohim me vend t’i bashkojmë këtu, bën me dije në studimin e vet të fundit se gjërat sot janë vetëm paaak më keq se dje.

Praktikisht, është pothuajse e njëjta situatë, dhe rrjedhimisht nuk ka asgjë për t’u alarmuar, nënvizon raporti i institutit në fjalë.

“Ajo që kemi vënë re,” pohon për Gojët e Liga eksperti meditues Make Kacovedi, “është se këtë të premte, në çdo sektor të jetës shqiptare, politikë, ekonomi, shëndetësi, kulturë, punësim, teknologji, arsim, hedhje çekiçi etj, gjërat janë kaq pak më keq se të enjten, saqë pothuajse nuk bie fare në sy.”

Eksperti dha disa shembuj konkretë, duke sqaruar se fjala bie, një ditë më parë kanë ikur nga vendi vetëm 868 shqiptarë në moshë madhore, kanë ndërprerë investimet e tyre vetëm 34 firma të huaja dhe ka kërcitur dajaku në vetëm 97 familje.

Nga ana tjetër, kanë humbur punën vetëm 135 shqiptarë, është përgatitur shitja e vetëm 3 ndeshjeve të futbollit dhe vetëm 540 studentë kanë paguar për të marrë provimet.

“Tani që jemi bashkë e diskutojmë, dita është me diell dhe ne po pimë kafe. Çfarë ka ndryshuar nga dje në sot? Asgjë, kokërr gjëje,” arsyetoi Makja me të dërguarin e Gojëve të Liga, Mavafan Kulo, shkurt Fane, “pra unë nuk e kuptoj këtë alarmizmin tipik shqiptar, sikur këtu po bëhet nami i zi dhe ububu ç’na gjeti.”

“Avash o vlla, avash. Ka dhe më keq. Le ta marrim shtruar,” shtoi eksperti.

Sipas studimit, edhe nëse ndonjë tip i ngeshëm do bënte llogaritë sipas të dhënave të mësipërme, dhe do dilte se në fund të një dhjetëvjeçari Shqipëria do ishte një vend ku 800 mijë banorët që kanë mbetur, e shtyjnë kohën duke rrahur njëri-tjetrin dhe duke votuar Edi Ramën gjatë pushimit, përsëri ka kohë deri atëherë.

“Shiko, ja ta nisim nga personalja,” thotë Make Kacovedi, “unë sot vërtet ndihem disi më pesimist se dje, paksa më i trishtuar, me shëndet s’jam dhe aq mirë, e qeshura e fëmijëve nuk më gëzon sa dje, mendimet i kam më të zymta, Edi vijon të më duket simpatik, por jo yll bote si parvjet… po ça do bësh? Në vija të trasha, gjërat janë po njësoj”.

Atë çast, ekspertit i erdhi në mesazh në celular dhe ai u çel.

“Ja, sapo kaluan në bankë edhe paratë e projektit. Këto kafetë i kam unë. Ama, dhe ne shqiptarët kemi shpirtin e ankesës. Rri ore, se ka dhe më keq!” dhe thirri kamarierin me një optimizëm të RILINDUR.

SHËNIM / Gojët e Liga është një rubrikë satirike paaak më e zymtë se herën e kaluar.  

January 26, 2020 20:17
Komento

1 Koment

  1. Tan January 27, 10:13

    Po bashkojini inicialet, pse nuk I bashkoni. Kshtu del fjala qe pershkruan realitetin

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim