STUDIMI / E frikshme, ja cilat janë shenjat e para të varësisë ndaj alkoolit

January 31, 2018 17:46

STUDIMI / E frikshme, ja cilat janë shenjat e para të varësisë ndaj alkoolit

Një studim 3 vjeçar i kryer nga Universiteti i Rrugës së Durrësit në Rrugën e Kavajës, ka nxjerrë të dhëna shqetësuese lidhur me ngarjen e makinës nën efektin e lëngjeve të fermentuara të frutave.

Studimi ka zbuluar se shenjat e para të alkoolizmit zakonisht përfshijnë ecjen me shpejtësi në kthesë dhe daljen nga rruga, goditjen e një kioske të pafajshme, mundësisht me shitësen brenda dhe nja dy klientë atypari, dhe futjen me gjithë makinë në një lokal bar-kafe në kat të parë, emri i pronarit të të cilit varion mes Lutfi, Nue ose Llazi.

“Të dhënat e grumbulluara nuk lënë shteg për dyshime. Indikacioni më i hershëm që tregon se keni varësi nga alkooli në timon, është fiksimi i makinës suaj me kioskat anës rrugës, ndërsa po tentoni më kot të merrni kthesën,” shpjegoi drejtuesi i studimit, sociologu Log Soci.

Sipas tij, 30% e të anketuarve e kuptuan që diçka nuk shkonte mes tyre dhe konsumit të alkoolit, kur shishe të thyera rakie, xhini, fërnet dhe kaçurreli nga banaku i shkatërruar i Lutfiut, Nues apo Llazit po u kullonin mbi krye përmes xhamit të thyer të makinës.

Por në mbi 25 të rasteve, subjektet mendonin se gjithçka e kishin nën kontroll dhe nuk vuanin nga asnjë varësi ndaj alkoolit, edhe kur rrafshonin fidanë të sapombjellë anës rrugës nacionale, apo kur bretkoca të kanaleve kulluese buzë rruge u kërcenin në prehër.

“Vetëm kur ngjalat e këtyre kanaleve bënin fole në makinën e mbushur përgjysmë me ujë, subjektet e kuptuan se duhet të kërkonin ndihmë. Jo për të lënë alkoolin, por për të mos ngarë makinën,” sqaroi Log Soci.

Nga ana tjetër, studimi zbuloi se shenjat e para të varësisë nga kokaina përgjithësisht janë thyerja e të dyja këmbëve nga ana e subjekteve të intoksikuara, teksa tentonin të kërcenin drejt e mbi pishinë nga tarraca e një vile gjatë një feste të shfrenuar.

Organizatorët e studimit provuan të kryejnë personalisht edhe një testim mbi varësinë ndaj bixhozit, por situata u doli duarsh.

“Nuk po më vinin hiç duar të mira letrash,” tha i pikëlluar Log Soci, “ndaj vazhduam testimin derisa lashë në tavolinë rrogën e tre muajve”.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike analkoolike, motoja e së cilës është kënga “Jalla shofer, mos e pi rakinë”.

January 31, 2018 17:46
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*