Studiuesit në konferencë ndërkombëtare për rregullat e pikësimit

June 1, 2018 17:28

Studiuesit në konferencë ndërkombëtare për rregullat e pikësimit

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, organizoi më 30 maj 2018 në mjediset e Akademisë së Shkencave Konferencën ndërkombëtare Pikësimi në gjuhën shqipe. Punimet u zhvilluan në tri seanca, në të cilat u mbajtën kumtesa të larmishme dhe me interes shkencor nga studiues të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë, të departamenteve të shqipes në universitetet e Tiranës, Elbasanit, Shkodrës dhe Korçës, studiues arbëresh dhe studiues të gjuhës shqipe nga Maqedonia e Kosova. Një vend të veçantë dhe të rëndësishëm zunë dhe profesorët e gjuhës shqipe, ish-punonjës të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë dhe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, Tiranë.

Në konferencë u theksua se dy botimet e Rregullave të pikësimit në gjuhën shqipe (1981 dhe 2002) ishin një arritje e kohës dhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përdorimin e njësuar të shenjave të pikësimit në tekstet e shkruara të llojeve të ndryshme. Por nga kumtuesit u shpreh qartë se tashmë është nevoja për një botim të ri të këtyre rregullave, madje duke e zgjeruar në një udhëzues të stilit për shkrimin e shqipes.

I rëndësishëm ishte dhe përshkrimi i kuadrit historik të evolucionit të sistemit të pikësimit në përgjithësi dhe të shqipes në veçanti.

Në konferencë u sollën disa trajtime teorike për funksionet e pikësimit, të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me parimet sipas të cilave hartohen dhe rregullat e pikësimit, si dhe për njësitë që duhen përfshirë në shenjat e pikësimit: a duhet zgjeruar numri i tyre, ndikuar sidomos dhe nga evolucioni i shkrimit digjital dhe si do të grupohen ato sipas karakterit formal e funksional?

Një grup tjetër kumtesash sollën një panoramë të gjendjes së përdorimit të shenjave të pikësimit në gjuhën shqipe në tekste të llojeve të ndryshme: në ligjërimin letrar dhe atë të specializuar, administrativ dhe shkencor. Nuk munguan dhe të dhëna konkrete për përdorimin e pikësimit në shkrime të ndryshme të nxënësve dhe studentëve, krahasuar këto dhe me gjuhë të tjera, si dhe trajtime të pikësimit në tekstet shkollore parauniversitare, për të cilat u sollën propozime konkrete për një didaktikë të re të pikësimit që respekton evolucionin e kompetencave gjuhësore të përdoruesit.

Konferenca u mbyll me diskutime të ndryshme, në të cilat u la e hapur përgjigjja për parimin e pikësimit në gjuhën shqipe: është intonacionor? Sintaksor? Intonacionor dhe sintaksor? Apo duhet pasur parasysh prirja bashkëkohore për një rregullsi të drejtuar nga ligje të karakterit tekstual?

Për këtë dhe çështje të tjera që u diskutuan, u arrit në përfundimin se në të ardhmen, krahas studimeve teorike për funksionin e pikësimit, duhen kryer studime mbi tekste konkrete sipas disa boshteve: diastratik, diafazik dhe diamezik, punë kjo që do të kurorëzohet me një botim të ri të rregullave të pikësimit.

l.h/ dita

June 1, 2018 17:28
Komento

3 Komente

  1. Asi June 1, 18:48

    Ju pegezoj per Konferencen.
    Jam i mendimit qe duhet te trajtojme fenomenet qe jane me problem:
    E kam fjalen per infinitivin e shqipes apo te gegnishtes qe e kane perdor dhe e perdorin 80% e shqiptareve dhe e kane te gjitha gjuhet e Trungut indoeuropian, pjese e te cilit jemi edhe ne.
    Suksese edhe per radhen tjeter.

    Reply to this comment
  2. SHABAN MARINA June 2, 01:55

    Mendoj qe te miratohet edhe nje gegerishte e rikonstruktuar pa devijim te theksuar dialektal apo gegerishtesh lokale prej gjuhes zyrtare te miratuar. Tekstet gjuhesore dhe fjaloret te jene unike me shenimet e nevojshme per shqiptimin dhe drejtshkrimin gegerisht.

    Reply to this comment
  3. Zani Burimi June 2, 12:50

    Mendoj se duhet te krijohet nje vidio se si duhet shqiptuar gjuha e standardit nga folesit e TV dhe te Radios ne Kosove, Maqedoni e Mal te Zi.
    … Ndoshta dhe te Shkodres duke nisur nga profesoret!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*