Suedia “zbulon” Shqipërinë turistike

June 14, 2017 12:58

Suedia “zbulon” Shqipërinë turistike

Johan Ndisi, ambasadori që shëtit me biçikletë dhe befasohet nga bukuritë shqiptare, shprehet optimist për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për të ardhmen evropiane të Shqipërisë

Emërimi i një Ambasadori rezident të Suedisë në Shqipëri vitin e kaluar është një tjetër shenjë e fuqizimit të marrëdhënieve tona dypalëshe.

Në intervistën e tij të parë për shtypin e shkruar pas emërimit të tij si Ambasador Rezident në Shqipëri, Z. Johan Ndisi, nënvizon për Gazeta DITA se Suedia po bashkorganizon Konferencën për Oqeanet së bashku me Fixhin për të promovuar përdorimin e qëndrueshëm të oqeaneve dhe të burimeve detare. Kjo është me rëndësi, shton ai, për Shqipërinë, me një vijë bregdetare prej më shumë se 350 km të gjatë e cila mund të shërbejë për qytetarët si mjet jetese dhe për turizëm”. Në t

ë njëjtën linjë,  Ndisi thotë se këtë vjeshtë, Suedia po planifikon të mbështesi Shqipërinë në përgatitjet e saj për negociatat me Bashkimin Europian për mjedisin.

Ambasadori komenton edhe vizitën më të fundit të Ministres së Jashtme të Suedisë në Shqipëri në kulmin e krizës politike.

“Ministrja e Jashtme e Suedisë u shpreh se qytetarët shqiptarë meritojnë zgjedhje të lira dhe të drejta, të realizuara me pjesëmarrjen e opozitës. Ne shpresojmë që zgjedhjet të zhvillohen sa të jetë e mundur sipas standardeve ndërkombëtare. Ne mirëpresim edhe rifillimin e punës me reformën në drejtësi, sepse ky do të jetë çelësi për procesin e mëtejshëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, thekson Ndisi në këtë intervistë.

 Zoti ambasador,  a mund të na thoni se si i shikoni marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Suedisë? Çfarë i motivon më shumë këto marrëdhënie?  

Suedia dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe. Suedia është një mbështetëse e fortë e Shqipërisë në procesin për integrimin në Bashkimin Europian, si në aspektin e mbështetjes politike edhe në mbështetjen përmes bashkëpunimit tonë për zhvillim me Shqipërinë.

Një gjë e tillë u shpreh edhe nga Ministrja jonë e Punëve të Jashtme, Margot Wallström, e cila vizitoi kohët e fundit Shqipërinë. Emërimi i një Ambasadori rezident në Shqipëri vitin e kaluar është një tjetër shenjë e fuqizimit të marrëdhënieve tona dypalëshe. Gjithashtu, numri i suedezëve të cilët e kanë zbuluar  Shqipërinë si destinacion tutistik, është në rritje.

Për sa i përket marrëdhënieve ekonomike, një grup biznesmenësh suedezë janë pjesë e Këshillit për Investime në Shqipëri, i cili bashkëdrejtohet nga Kryeministri Rama dhe ish Kryeministri i Suedisë Goran Persson. Shpresoj ta shoh tregtinë midis Shqipërisë dhe Suedisë të vazhdojë të rritet.

Johan Ndisi

Në cilin sektor në Shqipëri po luan një rol të veçantë Suedia?

Mbështetja jonë ndaj Shqipërisë kryesisht fokusohet në tre fusha: zhvillimi ekonomik, demokracia dhe të drejtat e njeriut, si dhe mbrojtja e mjedisit. Dëshiroj të nënvizoj mbështetjen tonë për një mjedis më të pastër dhe për zhvillim të qëndrueshëm – rreth 1/3 e bashkëpunimit tonë për zhvillim me Shqipërinë.

Këtë javë Suedia po bashkorganizon Konferencën për Oqeanet së bashku me Fixhin për të promovuar përdorimin e qëndrueshëm të oqeaneve dhe të burimeve detare. Kjo është me rëndësi për Shqipërinë, me një vijë bregdetare prej më shumë se 350 km të gjatë e cila mund të shërbejë për qytetarët si mjet jetese dhe për turizëm.

Midis të tjerash, ne mbështesim Ministrinë e Bujqësisë në zhvillimin e një strategjie me fokus në burimet ujore. Këtë vjeshtë, po planifikojmë të mbështesim Shqipërinë në përgatitjet e saj për negociatat me Bashkimin Europian për mjedisin. Kjo është e rëndësishme për rritjen e kapacitetit të Shqipërisë për të përballuar të gjitha sfidat në përmbushjen e standardeve të Bashkimit Europian.

Si i ka pritur Suedia zhvillimet e fundit politike në Shqipëri? Ministrja e Jashtme e Suedisë e vizitoi Shqipërinë në kulmin e krizës politike.

Ministrja e Jashtme vizitoi Shqipërinë përpara marrëveshjes së arritur midis qeverisë dhe opozitës më 18 Maj. Gjatë vizitës së saj, ajo shprehu mbështetjen e Suedisë në procesin për integrimin në Bashkimin Europian.

Gjithashtu, ajo u shpreh se qytetarët shqiptarë meritojnë zgjedhje të lira dhe të drejta. Ne shpresojmë që zgjedhjet të zhvillohen sa të jetë e mundur sipas standardeve ndërkombëtare. Ne mirëpresim edhe rifillimin e punës me reformën në drejtësi, sepse ky do të jetë çelësi për procesin e mëtejshëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Suedia është një nga donatorët më të mëdhenj të Shqipërisë, me 8 milion euro çdo vit. Si po përdoret kjo ndihmë nga Shqipëria? A është e monitoruar në mënyrën e duhur kjo shumë?  

Suedia është partnerja kryesore e Shqipërisë, në mbështetje të agjendës për reformën në vend. Kjo përfshin për shembull, statistika më të mira, menaxhim më të mirë të fondeve publike si edhe fuqizimin e policimit në komunitet. Këtë vjeshtë, ne do të fillojmë një program të ri në mbështetje të sektorit të drejtësisë, duke u fokusuar në përmirësimin e drejtësisë për të miturit në Shqipëri. Në nivel lokal, ne kemi mbështetur reformën territoriale dhe administrative.

Kemi ndarë shumë nga eksperiencat tona për mënyrën se si ne në Suedi jemi përballur me sfidat në qeverisjen lokale, me shpresën se këto eksperienca do të jenë të dobishme në reformat shqiptare. Për më tepër, vëmë re një fuqizim të shoqërisë civile këtu në Shqipëri, si një nga detyrat tona thelbësore.

Në këtë aspekt, ne mbështesim një sërë OJF-sh, të cilat punojnë në fushat si barazia gjinore, pjesëmarrja demokratike dhe mbrojtja mjedisore. Ndihma jonë monitorohet me anë të vizitave në terren, në vëzhgimin e raporteve, në diskutimet me partnerët dhe kontrolluesit, si edhe me anë të vlerësimeve të jashtme, në përputhje me rregullat e Suedisë për monitorimin e kontributeve.

Suedia udhëheq inovacionet, por nuk është shumë e pranishme në mobilizimin e të rinjve shqiptarë, të cilët janë të interesuar për “startup-et”. Mund të na shpjegoni përse? Cila është qasja suedeze në lidhje me inovacionin?

Suedia është një vendet kryesore për inovacionin në nivel global. Arsyet për këtë përfshijnë një traditë historike krijuese, angazhimin për barazi gjinore dhe një besim të fortë tek individi. Bashkëpunimi i ngushtë midis instituteve kërkimore dhe sektorëve privatë dhe publikë është një tjetër faktor kyç.

Në fakt Suedia investon çdo vit më shumë se 3% të GDP për kërkime dhe zhvillim. Për momentin, Suedia po punon së bashku me USAID-in për promovimin e turizmit, duke mbështetur organizatat dhe bizneset e vegla dhe të mesme, dhe në këtë program, një fokus i veçantë është për të rinjtë dhe gratë. Por patjetër që ka më shumë punë për t’u bërë për rritjen e fokusit mbi rininë në të ardhmen.

Shumë më tepër shqiptarë përdorin biçikletat sot. Ndoshta, ju kanë parë juve kudo me një biçikletë të këndshme…

Gjatë qëndrimit tim si ambasador në Shqipëri, po përpiqem të vizitoj me biçikletë sa më shumë zona. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të parë vendin, për të vizituar projektet e mbështetura nga Suedia dhe për të folur me qytetarët dhe të rinjtë shqiptarë.

Përfitimet nga përdorimi i biçikletave janë të shumta – ka më pak ndotje, një mjedis më i pastër dhe një jetë më e shëndetshme. Për këtë arsye, jam i lumtur të shoh një numër në rritje të shqiptarëve që përdorin biçikletat. / Intervistoi Rudina HOXHA

June 14, 2017 12:58
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*