Sulë Harri, figurë e shquar e arsimit dhe didaktikës shqiptare

May 17, 2015 11:53 Updated

Sulë Harri, figurë e shquar e arsimit dhe didaktikës shqiptare

Sulë Harri i përket atij brezi patriotësh që patën nderin dhe detyrën të çonin dhe të realizonin më tej atë që kishin nisur dhe projektuar rilindësit e mëdhenj për gjuhën dhe arsimin shqip, por edhe të shkonin më tej, duke konsoliduar dhe formatuar arsimin shqiptar në të gjitha aspektet, në atë institucional, pedagogjik, metodiko-shkencor, shtrirje, masivizim dhe cilësi. I cilësuar si “kalorës i arsimit dhe pedagogjisë shqiptare”, me punën dhe përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, Sulë Harri zë një vend të merituar në panteonin e nderit të kombit tonë.

U lind në Elbasan në mars të vitit 1900. Në periudhën e Luftës së Parë Botërore u regjistrua në “Normale” të Elbasanit, por, si jetim, Kryqi i Kuq Austriak, atij dhe disa bashkëkombësve të tjerë, iu akordojnë bursë studimi për në Austri. Në atë kohë në Austri kishte shumë studentë shqiptarë. Vetëm nga Elbasani midis periudhës së dy luftërave botërore ishin 50 studentë, midis të cilëve Hasan Ceka, Aleks Buda, Shyqri Demiri, Ahmet Duhanxhiu, Fadil Gurmani, Myrteza Krasta, Agim Todri, Teki Lela, Liri Buda, Xhevdet Hydi, Xhemal Tela, Mustaf Shashaj. Midis tyre edhe Sul Harri. Në vitin 1923 Sula mbaron shkollën “Normale” në Linz të Austrisë dhe kthehet në Elbasan vitin dhe në vitin shkollor 1923-1924 emërohet mësues dhe më pas drejtor në shkollën Ushtrimore, që ishte shkollë pranë Normales për praktikat mësimore. Bashkëpunoi për një kohë prej 12 vjetësh me Aleksandër Xhuvanin, që ishte drejtor i “Normales”, duke ideuar përmbajtjen dhe funksionim me modelet më të përparuara të shkollave perëndimore. Shumë shpejt shkolla Ushtrimore e Elbasanit u bë pikë referimi në përparimin e arsimit tonë. Jo vetëm në atë kohë, por edhe më pas, në periudhën komuniste, ushtrimoret e shkollave pedagogjike në Tiranë, Shkodër, Peshkopi, Berat, Korçë, Fier, Gjirokastër etj. punonin pjesën më të madhe me programet, metodikat dhe tekstet e Sulë Harrit.

Në vitin 1932 në Elbasan krijohet për herë të parë Federata Sportive e Elbasanit, e cila mori emrin “Bashkimi”. Kryetari i Bashkisë i atij viti propozoi për kryetar të kësaj shoqate Sulë Harrin, kandidaturë që u vlerësua dhe u mirëprit nga të gjithë qytetarët elbasanas. Historiku i sportit në Elbasan ka si protagonist të hapave të para të tij këtë figurë interesante dhe simpatike që nuk do të pushojë kurrë për t’i dhënë vlera, jo vetëm vetes së vetë, por edhe qytetit ku i lind, u rrit dhe ku punoi.

Në vitin 1935, ministri i asaj kohe, Mirash Ivanaj e emëron inspektor të arsimit në prefekturën e Korçës, që, natyrisht, ishte një vlerësim, por edhe një mundësi e re për të shpalosur vlerat si “mësues” i mësuesve si dhe për të vënë në jetë idetë e tij në fushën e edukimit. Korça në atë kohë zinte vendin e parë në Shqipëri me 149 shkolla plus liceun francez. Në Korçë Sula la gjurmë të dukshme dhe të admirueshme në reformimin e arsimit, ndaj nga tetori i vitit 1936 e largojnë nga Korça për në Vlorë po inspektor arsimi. Tani i pajisur edhe me përvojën e Korçës, në Vlorë bëri një punë të shkëlqyer, veçanërisht për zonën e Himarës, ku qarqe të ndryshme kërkonin që në shkolla të zhvillohej mësimi jo në shqip, por në greqisht. 10389475_884413154938314_2525981010002780754_n

Siç e shohim, Sul Harri nuk ishte thjesht dhe vetëm një specialist arsimi, ai ishte edhe një njeri aktiv në shoqëri në lartësinë e një figure të shquar, patriot dhe nacionalist. Më 28 nëntor 1938, me rastin e  26-vjetorit të Pavarësisë të Pavarësisë, ai përshëndet popullin shqiptar në Radio, menjëherë pas përshëndetjes së mbretit.

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939 e gjen Sulën pedagog të pedagogjisë dhe psikologjisë në Institutin Mbretëror “Nëna Mbretëreshë” në  Tiranë. Pozicioni i tij qe antifashist i vendosur. Bashkë më Vasil Vinjaun organizuan në shkollën ku punonin, por edhe jashtë shkollës veprimtari të rezistencës antifashiste. Më e madhja dhe më e rëndësishmja ishte ajo e 28 nëntorit 1939, kur, me flamurin kombëtar në ballë, qindra të rinj dhe qytetarë shkuan bënë homazhe në varrin e Naim Frashërit në kodrat e Tiranës.

Në korrik 1943 u arrestua nga fashistët dhe u internua në Porto Romano. Pas kapitullimit të Italisë fashiste, u lirua. Ndonëse me kulturë gjermane, ai i nuk pranoi ftesën për postin e federalit që i propozuan “miqtë” e rinj hitlerianë.

Sulë Harri nuk pranoi as fashizmin, as komunizmin. Ai qëndroi i palënduar në bindjet e tij nacionaliste nacionaliste. Gjatë Luftës ai iu përkushtua profesionit të tij të dashur, punës si profesor në Shkollën Normale të Elbasanit në lëndët bazë për mësuesit e rinj që do të dilnin nga kjo shkollë, pedagogji dhe psikologji. Nga ana tjetër edhe këtu u angazhua në luftë kundër pushtimit. Falë edhe punës së hershme të Sulë Harrit, shumë nxënës të Normales rrokën armët për liri.

Pas çlirimit të Shqipërisë, me shpresë për ditë më të mira, Sula nuk e uli ritmin e punës. Në verën e vitit 1946 u organizuan kurse të shumta lokale edhe ai kombëtar  në Tiranë, i quajtur “Kursi i kuadrove”, ku u përgatitën 400 mësues të rinj. Në këto kurse Sulë Harri dha lëndët specifike dhe të preferuara, pedagogji dhe psikologji. Në vitet në vazhdim, Sula duke parë politikat ekonomike tepër të dhunshme që po ndiqeshin, pushkatimet pa gjyq të intelektualëve më në zë të kombit, u mënjanua, u tërhoq dhe u step brenda vetes. Por as ky pozicion nuk e shpëtoi. Ishte 24 maji i vitit 1947, që do t’u kallte tmerrin mësuesve dhe nxënësve të shkollës ku jepte mësim. I arrestohet brenda në shkollë, para nxënësve të fillores. Duke dalë me pranga në duar nga dera e klasës, më shumë i erdhi keq për fëmijët e trembur dhe të hutuar se sa për vete një, u drejtua nga ata, duke u thënë: “Qetësohuni, fëmijët e mi, mësuesi do të kthehet prapë një ditë”…

Më 29 dhjetor 1947 Sula dënohet me vdekje, ndërsa për familjen nis një jetë e vështirë, një kalvar i vërtetë. Më pas atij i ndryshohet vendimi, nga vdekje në 10 vjet burg në burgjet më të rënda, përfshi dhe kënetën e Maliqit. Pas 10 vjet burg, Sulë Harri lirohet dhe vjen pranë familjes. Siç tregojnë familjarët dhe miqtë e tij, pas burgut nuk e hapi gojën për ato që kishte hequr. Në të njëjtën kohë ai refuzoi të kërkonte falje. Po ashtu ai refuzoi të punonte si përkthyes nga shqipja në gjermanisht për revistën “Shqipëria e Re”. Ai trokiti në dyert e zyrave përkatëse, ku gjeti gjithmonë kundërshtinë se nuk mund të përkrahej një “armik” i popullit. Për të mbijetuar ai mori shportën me portokalle dhe limonë nga bahçja e tij dhe doli në rrugë për të shitur.

I mplakur dhe i mpakur nga vuajtjet e shumta që i rezervoi një jetë tepër e vështirë, Sulë Harri, në moshën 80 vjeçare, më 5 qershor 1980 mbylli sytë për jetë, për të mbetur i pavdekshëm në analet e historisë së arsimit shqiptar. Në vitin 1995, një dekadë e gjysmë pas vdekjes, ai merr titullin “Mësues i Popullit”, një titull i merituar, por shumë i vonuar.

 “Ai ishte babai im”!…

Në ditarin e djalit të Sul Harrit, Flamurit, gjen të përshkruar edhe një ngjarje tepër prekëse, kur ai për herë të parë “takohet” me të atin që ishte në burg. Ja çfarë shkruan ndër të tjera Flamuri:

“Ishte fundi i vitit 1948. Në Elbasan ishin kthyer të burgosurit nga këneta e Maliqit. Mes tyre edhe 11151020_884413008271662_7919863154088026565_nbabai ynë. – Shyqyr që erdhi gjallë – psherëtiu nëna jonë. Vëllai mu drejtua mua: Flamur, nesër do të vemi të takojmë babën. Të nesërmen, afër mesditës, moma dhe ne katër fëmijët e vegjël shkojmë të takojmë babën. Takim i thënçin, qe vetëm një shikim më pak se pesë minuta. Dhe çfarë shikimi?! Në një distancë4-5 metra, të ndarë nga dy thurima hekuri, një për të burgosurin dhe një për ne. Baba së pari u përshëndet me momën dhe me vëllezërit. Unë, më i vogli (tre vjeç), isha kalapiç në qafën e Sazanit. I habitur pashë për herë të parë një burrë të gjatë e të dobët që më thërriste dhe zgjaste duart e gjata dhe të thata në drejtimin tim. Sazani më thoshte: Foli babës! Instinktivisht zgjata duart drejt atij njeriu që unë e shihja për herë të parë. Duart tona nuk u takuan. Ai ishte babai im!…

Shkolla Normale dhe Ushtrimore të Elbasanit (1923-1934)

Trupa mësimore

Drejtuesit

Aleksandër Xhuvani (drejtor i Normales)

Sulejman Harri (drejtor, k/mësues i Ushtrimores)

Ndue Paluca (nëndrejtor),

Ahmet Gashi (nëndrejtor),

Ndoc Deda (nëndrejtor),

Ismail Haxhihyseni (nëndrejtor)

Profesorët

Ahmet Duhanxhiu, Andrea Thanasi, Ahmet Imami,  A. Rexhepi, Baki Sinella, Beqir Spahiu, Charles Leblanch, Fadil Gurmani, F. Fischer, Hilmi Doko, Hivzi Zeka, Ibrahim Berrnia, H. Poda, Karl Ljarja, Luigj Filaj, Mehmet Dardha, Myrteza Krasta, M. Papajani, Pirro Minga, Petër Andoni, Qazim Komani, Sulejman Harri, Simon Shuteriqi, Sami Ahmeti, Teki Tela, Veniamin Dashi, Vasil Qirjaku, Filip Fishta, Sami Hysi, Halit Narzani, Viktor Bezhani, Vasil Andoni, Jovan Morcka, Stiliano Gaxho, Fot Papajani, Kasëm Bajrami, Ludovik Naraçi, Kristo Kono,  Jolldashi, Sulejman Demiri, Zef Kolombi, Behxhet Jolldashi, Safete Çipi etj.

Si portretizohet profesori nga një nxënës

“E admironim kur mësuesi ynë i didaktikës vinte herët në shkollë nga lagjja disi e largët e “Namazgjasë së Qiparisave”, afër së cilës gjarpëronin ujërat e Shkumbinit që përshkonin rëndë dhe hijshëm brigjet dhe vetë hapësirat e Fushës Mbret. Kryelartë, zoti Sula, me një trup të drejtë, me një fytyrë si në ngjyrë të bronztë, siç më kujtohet, po kështu me ngjyrat e kostumeve dhe të borsalinës së tij, duke ecur me hap të sigurt dhe të rëndë, me çantën e tij nën sqetull që nuk i ndahej kurrë nga vetja”.

Kanë thënë për Sulë Harrin:

Kjo skulpturë, që, ndërsa shkruaj, më shndrit së brendshmi në të gjithë gamën e saj ylberiane, është ajo e mësuesit tim, Profesor Sulë Harrit.

Ave: I përjetshmi edukator…

Mustafa Krantja

Drejtësia, nëse do të ekzistonte, ajo gjendet në përmbajtjen e Sulë Harrit

Aleksandër Xhuvani

Ne ishim në errësirë, lalë Sula na solli dritën

Kamber Xheria

 

Themelues i Ushtrimores

Veprimtaria e shkollës Normale të Elbasanit nuk mund të kuptohet pa pjesën e saj përbërëse, pa organin  e saj më jetik, Ushtrimoren, e cila u krijua në vitin 1922 me këshillën dhe ndihmën e drejtorit të shkollës së Sul Harrit në Austri, Dr. Rihter, i cili kishte ardhur në Shqipëri me kërkesë të ministrit të arsimit të asaj kohe, Rexhep Mitrovicës. Dr. Rihter ndenji tri javë në Tiranë dhe, krahas platformës didaktike të shkollës së re, ai kishte propozuar për drejtor Sulë Harrin. Sula fillon punë si drejtor Ushtrimores më 21 tetor 1923 dhe e mbyll punën në këtë institucion në fund të vitit shkollor 1933-1934. I qëlloi që të punonin bashkë me Aleksandër Xhunanin, ai drejtor i shkollës “së madhe”, ndërsa Sula i shkollës “së vogël”. Në sytë e qytetarëve të Elbasanit ata ishin, siç thotë populli, si një “pendë  qé”.

Gjatë gjithë kohës si drejtues, por edhe me përgjegjësinë e themeluesit të shkollës Sulë Harri punoi për përsosjen e programeve të saj, përmirësimit të metodave të mësimdhënies, futjes së elementëve të rinj didaktikë, pedagogjikë dhe psikologjikë.

Por për të njohur punën dhe vështirësitë në këtë detyrë të Sulë Harrit, duhet të dish se çfarë ishte Ushtrimorja, institucioni që ai drejtonte. Një pjesë e mirë e lexuesve të sotëm nuk e njohin as si term e nocion, pa le pastaj si institucion ushtrimoren, ndaj po bëjmë një sqarim të vogël. Të gjitha shkollat profesionale kanë pranë tyre, sipas profilit, laboratorët, punishtet, ofiçinat, tokat, ateljet ku nxënësit bëjnë praktikën. Pra kalojnë nga teoria në praktikë, zënë punë me dorë dhe mësojnë zanatin. Edhe Normalja, si shkollë specifike që nxirrte mësues, kishte “laboratorin”, “punishten” apo quaje si të duash, shkollën ushtrimore. Ajo ishte pjesë e shkollës mëmë. Kjo shkollë ishte si të gjithë shkollat e tjera, fillore ose 7-vjeçare, me nxënës të qytetit të zgjedhur jo me ndonjë kriter të veçantë dhe me mësues nga më të mirët që të mësonin jo vetëm nxënësit që kishin në banga, por edhe studentët që vinin e bënin aty praktikë. Studentët e Normales në bazë të një programi të caktuar bënin aty praktikë, në fillim me nga një orë, më pas edhe më shumë orë deri sa në fund merrnin në dorë klasën si “mësues” për disa javë. Nën shembullin e Ushtrimores së Elbasanit dhe me bazë programin e saj, u ngritën shkolla ushtrimore në të gjitha shkollat me drejtim pedagogjik si para ashtu edhe pas çlirimit. Ushtrimoret e shkollave pedagogjike në Tiranë, Shkodër, Peshkopi, Berat, Korçë, Fier, Gjirokastër etj. punonin pjesën më të madhe me programet, metodikat dhe tekstet e Sulë Harrit. Pra, në një farë mënyre, ai është një ndër arkitektët kryesorë të krijimit të këtij institucioni arsimor në Shqipëri.

 

 

May 17, 2015 11:53 Updated
Komento

4 Komente

  1. lato May 17, 15:18

    Alexander Xhuvani mbetet nje shkencetar dhe themelues i institucioneve shkencore shqiptare dhe nuk mund ta perceptoj(as ne ish shkollen normale) ne nje bashkesi me mesues te rendomte te nivelit fillor,me formim dhe kulture te cunguar si Sule Harri.(Ka kryer vetem tre vjet,arsimim te mesem pedagogjik ne Austri,duke e braktisur per nevoja ekonomike)Keta dy vellezerit Harri,(Cim Harri dhe Flamur Harri ),ne fillimet e pluralizmit zbrazen gjithe urrejtjen e tyre psikopatike kunder Alexander Xhuvanit,Pleurat Xhuvanit,duke i quajtur publikisht pergjegjes per diktaturen komuniste dhe burgosjen e babait te tyre.Nuk lane akademik elbasanas pa fyer,per te ulur malet dhe ngritur..buste pa vlere.Akademiket elbasanas lane nje mal me vepra dhe ndertuan jo me urrejtje,por me pune themelet e dijes shqiptare,kurse flamur harri nuk tregon dot as dy rreshta te botuar nga i ati Sule Harri.Ketyre u ka mbetur ora ne 1947 kur u burgos baba i tyre dhe u be hataja!Edhe Petro <arko u burgos ne 47;,edhe Mitrush Kuteli;edhe Ramadan Sokoli dhe bene aq vite burg sa Sule Harri,por e rrembyen perseri penden dhe lane vepra themelore,kurse Sule Harri krasiste portokallat. Peme e mire eshte portokalli
    Si ajo nuk gjen
    Kur e ha ze te merr malli
    Oh,sa me pelqen!
    Ja,kjo eshte shkenca e Sule Harrit!

    Reply to this comment
  2. treporti May 19, 02:49

    Keta llokoberet e Sule Harrit duan te rimorkjojne karroqen e Sule Harrit tek vepra shkencore e Aleksander Xhuvanit.Nuk ka shanse te ndodhi kjo,sepse populli i Elbasanit i njeh per dallkauke dhe injorante,deri dje mburreshin me Petrit Hakanin.I ati i tyre Sule Harri ka qene nje mesues fillore ne kohe te nuhut; as ka patur fatin ti jape doren Aleksander Xhuvanit.Une e mbaj mend daje Sulen pensionist qe shiste portokalla ne rruge.Gjithe keto citatet, sikur Xhuvani paska fol llafe te nalta per Sulen, i ka cpik Flamuri .Shifni si ka ngaterruar profesoret e Normales me mesuesit e shkolles fillore ushtrimore dhe te jatin e ka emeruar drejtor baras me drejtorin Xhuvani,kur ne fakt ne ate kohe ai ka qene vetem kryemesues i shkolles fillore dhe s`ka pasur lidhje fare me profesoratin e shkolles Normale.Merita kryesore e Sule Harrit eshte fakti qe la prapa nje trume xhahile,dallkauke,llokobere si Cim Harri,Flamur Harri,,dhe ca Harr te tjere,qe na u kane bere si harrje duke bertit rrugeve te Elbasanit;baba,,baba! E detyrun Qazim Sejdinin ti ngrej bust Sule babes,te emeroj dhe shkollen me emrin e Sules,se cdo dite para deres bashkise do gjinte Flamur Harrin.

    Reply to this comment
  3. Kujtin Brace May 25, 14:39

    Unë kam lexuar një libër që flet per jeten e Sulë Harrit dhe me sa pashe kishte merita per arsimin dhe per popullin Shqipetare.

    Reply to this comment
  4. agim July 18, 10:45

    Sul Harri ka marre me shume se e meritonte dhe kete fale medriokritetit te pushtetareve lokale e me gjere te pas ’90.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*