Sulejman Harri një figurë e çmuar e arsimit shqiptar

December 28, 2017 11:54

Sulejman Harri një figurë e çmuar e arsimit shqiptar

 Prof.dr. Bardhosh Gaçe

Arsimi në Shqipëri ka qenë dhe ka mbetur një nga fushat e dijes dhe të veprimtarisë njerëzore më të rëndësishmet, për shkakun e lidhjes dhe nevojës që vendi dhe shqiptarët kanë pasur në rrjedhat historike të vështira nëpër të cilën kemi kaluar. Që në momentin, kur u shfaq teksti i parë i shkruar shqip, dukej se kjo ishte dhe tendenca më e nevojshme për arsimimin shqip, dhe në rrjedhën e vështirë të historisë kjo nevojë sa erdhi dhe u bë më e rëndësishme.

Në historitë e shumta që njihen deri sot, veçmas ato që lidhen me temën e arsimit shqiptar, në kuptimin më të gjerë të kësaj teme, ka një të dhënë fondamentale;arsimi dhe shkolla shqipe kanë udhëtuar në një rrugë të vështirë dhe në një mjedis armiqësor, jo të favorshëm, që më së njohuri lidhen me kundërshtarët e jashtëm të kësaj nevoje për shqiptarët. Pikërisht, për këtë shkak shkolla shqipe dhe shkrimi shqip kanë pasur në historinë e tyre emra njerëzish të rëndësishëm, martirë e kontribues jashtëzakonisht frymëzues dhe motivues, të cilët kanë krijuar motive progresi për njerëzit e dijes dhe të arsimit shqiptar për t’iu vënë në shërbim të pakushtëzuar kësaj kauze, e cila njihet si e tillë dhe në vendet më të qytetëruara dhe më të mëdha të njerëzimit.

Arsimi shqiptar ka një gjerdan të artë, një lloj qielli të mbushur me yje të shumtë, që secili ka dritën e vet të dukshme, që nga thellësitë historike e deri në ditët tona. Sulejman Harri, pavarësisht kohës, rrethanave, mbijetesës së kontributit të tij është njëri nga këto vlera dhe sakrifica, që i duhet dhënë vendi i vet i pamohueshëm, dhe pse për një kohë jo të shkurtër, aktiviteti dhe veprimtaria e tij u përfshi në kufizimin ideologjik të shtetit totalitar që drejtoi Shqipërinë nga viti 1945 e deri në vitin 1990.

Dalja në dritë e emrit të Sulejman Harrit, si një figurë e njohur i veprimtarisë arsimore në Shqipëri, tregon se shumë figura të tjera të arsimit dhe të dijes shqiptare, në të gjithë hapësirën, presin të dalin në dritë, për të krijuar një pamje të plotë dhe të vërtetë, se si njerëz me vetëdije kulturore, me ndërgjegje kombëtare, me dritë qytetërimi sakrifikuan gjithçka për shkollën, gjuhën dhe arsimin, si në kushtet kur luhej me jetën ashtu dhe në rrethana të tjera, po kaq të vështira siç ishte Shqipëria në fillimvitet 1900 e deri pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Dekada më parë, dëgjoja një bisedë të ngrohtë midis mësuesit të Merituar Musa Muho dhe nxënësit të tij, akademikut Shaban Demiraj: “Ne jemi krenarë me mësues si ju që na mësuat gjuhën dhe shkencën shqiptare…”. Mësuesi veteran ia ktheu: “Edhe ne jemi krenarë , pasi në Normalen e Elbasanit patëm mësues rilindës të tillë si Aleksandër Xhuvani dhe Sulë Harri, të cilët përgatitën një armatë të tërë mësuesish për shkollën shqiptare…”. Këto fjalë më ishin ngulitur thellë në mendje. Po kush ishte Sulë Harri?!

Sulejman Harri

Sulejman Harri, (i thirrur miqësisht Sulë Harri), vjen nga një qytet me traditë të hershme kulturore dhe arsimore, nga qyteti i Elbasanit. Në një familje qytetare të Elbasanit, në çdo kohë, angazhimi familjar për t’i edukuar dhe për t’i shkolluar fëmijët ka qenë një nevojë jetike, e për këtë shkak treguesit e të shkolluarve nga ky qytet, që nga kohët e mëhershme janë të njohur. Sulë Harri lindi dhe u edukua në një klimë rilindase, që lidhej me shkollën dhe arsimin shqip, si njëra nga nevojat më jetike për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.

Jo vetëm fëmijëria dhe shkollimi i Sulejman Harrit në shkollën e njohur elbasanase “Fejzi Guranjaku”, por angazhimi për një shkollim kombëtarë i tij ka të bëjë me frymën pozitive dhe kombëtare, e cila vijonte të ishte si një ndikim i drejtpërdrejtë në qytetet e mëdha si rezultat i propagandës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Sulejman Harri e demonstroi gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij këtë edukim dhe këtë motiv të thellë kulturor e patriotik.

Sulejman Harri mori një shkollim të shkëlqyer qoftë deri në moshën 17-vjeçare në Elbasan dhe pastaj me një të drejtë studimi të akorduar nga Kryqi i Kuq Austriak në Krems të Austrisë për psikologji dhe pedagogji, një nga shkollat më të mira të kohës në Evropë. Me një ëndërr të madhe dhe legjitime, ai kthehet nga studimet në Austri për t’iu vënë në shërbim arsimit në Elbasan dhe arsimit kombëtar shqiptar që në fillim të viteve 1920.

Ardhja e Sulejman Harrit në Elbasan në vitet ‘20-të të shekullit XX përkonte me një nga zhvillimet më interesante në Shqipëri. Kongresi i Lushnjës kishte vendosur që Tirana të ishte kryeqyteti i vendit. Ndërkohë kishin filluar shenjat e para të parlamentit pluralist, ndërsa politikat arsimore në vend ishin ndryshe dy dekadave të mëparshme. Në këtë situatë, Sulejman Harri lë shenjën e tij të pashlyeshme në arsimin shqiptar. Që nga viti 1923 deri në vitin 1934 ai është themeluesi dhe drejtuesi i shkollës Ushtrimore të Elbasanit, duke i paraprirë njërës prej reformave arsimore më të rëndësishme të arsimit shqiptar, që nga ajo kohë e deri sot.

Themelimi dhe funksionimi për një kohë të gjatë i Ushtrimores së Elbasanit, ku  Sulejman Harri ishte profesor i kësaj shkolle dhe drejtuesi i saj, ashtu si Shkolla Normale e po këtij qyteti, jo vetëm për qytetin e Elbasanit, por në rang kombëtar, është një medalje e artë për arsimin shqip, pasi arsimimi shqiptar po bënte hapa të rëndësishëm në depërtimin brenda të tij të rregullave të didaktikës dhe pedagogjisë evropiane, duke konsoliduar dhe për të ardhmen një rrugë të përvojës së mirë për kuadrin arsimor në një vend të prapambetur siç ishte Shqipëria.

Shkolla Normale dhe Ushtrimorja e Elbasanit, në njëfarë mënyre plotësonin njëra – tjetrën jo vetëm në aspektin pedagogjiko – didaktik, por edhe në shtrirjen e një gjeografie të gjerë gjithëkombëtare për plotësimin e nevojave të arsimit me mësues dhe specialistë të nevojshëm. Parë në këtë aspekt, Sulejman Harri është një lloj rilindësi lidhur me çështjen e ngritjes së shkollës shqipe në vend. Sado i largët të duket datë-viti 1923, kur u ngrit Ushtrimorja e Elbasanit, po kaq e freskët, e “lexueshme” dhe e kuptueshme është rëndësia që kjo shkollë i afroi shkollës shqiptare deri në kohët e sotme.

Bardhosh Gaçe

Në kujtimet që Sulejman Harri ka lënë në arkivin e tij personal tregohet për vështirësitë e mëdha me të cilat ai u përball për të ngritur Ushtrimoren, një nivel tjetër i arsimimit shqiptar të kohës që, siç tregon Harri, ishte edhe një interesim i shkollës së Kremsit ku ka studiuar ai. Ndër të tjera, Sulë Harri shkruan: “Porsa mbrita n’Elbasan takova me z.A.Xhuvanii cili n’atë kohë ishte drejtor i shkollës pedagogjike dhe biseduam rreth themelimit të shkollës Ushtrimore. Filluam nga puna; ma par për gjetjen e ndërtesës, se s’kishte ndërtesë. Aherë ç’të bajmë? U interesuem se ku mund të vendosim. Ma në fund u lirue nji dhomë në strehë të një xhamije pranë shkollës “Naim Frashëri”. Ishte nji dhomë e vogël që s’mjaftonte as për nxansit e kl. I-rë të Ushtrimores e jo ma që të vendoseshim dhe kandidatët. Këtu s’rrihet, – i thashë z. Drejtor. – Rri pak kohë deri sa të gjejmë nji tjetër, – më thotë ai. E pranova dhe vendosa të krijoj kl. e I-rë. Shkollat e kishin fillue punën. Shkolla “Naim Frashëri” kishte 2 klasa të para, prej këtyre unë mora 18 nxanës, 9 nga çdo klasë dhe formova me këto kl. I-rë t’Ushtrimores. I futa në dhomën e vogël pranë xhamisë. Në dhomë ishin tri banka të gjata në të cilat zunë vend fëmijët, 3 rrjeshta nga 6 vetë. Brenda në dhomë pranë murit ishte një dërrasë e zbetë dhe nji karrike e shtrembët për mësuesin. Nxansit kishin me vehte librin e abetares, nji pllakë guri me kalem. Kjo qe pajisja e dhomës dhe e nxanësve ditën e parë të fillimit të mësimit (21 tetor 1923)

Rrëfimi i sinqertë i Sulejman Harrit që ditën e parë të punës dhe klasës së parë të Ushtrimores së Elbasanit, përveçse sjell një dëshmi të rëndësishme për kohën, tregon gjithashtu se sa vështirësi dhe sakrificë i është dashur këtij mësuesi të nderuar për të ngritur nga e para një shkollë të tillë. Por Ushtrimorja, po ashtu si shkolla Normale e Elbasanit, përveçse do të përgatisë praktikisht shumë nga mësuesit e arsimit shqiptar para dhe pas çlirimit të vendit në të gjithë trojet shqiptare, do të ruajë në kujtesën e saj emra të njohur të dijes dhe të shkencës pedagogjike, folklorike, gjuhësore, letrare dhe të fushave të tjera përmes bashkëpunimit me gjuhëtarin dhe pedagogun e shquar Aleksandër Xhuvanin. Gjashtëvjeçarët e parë që u ulën në bangat e saj si: Pleurat Xhuvani, Qemal Haxhihasani, Vasil Kamani, Vasil Floqi, Ahmet Gylaçi, Sotir Qiriaku, praktikantët maturantë të pedagogjisë që u praktikuan në këtë shkollë si: Rrapush Bumçi, Thanas Konomi, Hajdar Sejdini, Peter Elezi, E. Çano, Shemsi Karamani, Sulë Gjevori, Mehmet Dardha dhe të tjerë, janë produkte të njohura të arsimit shqip që kanë kaluar përmes kësaj shkolle.

Me Ushtrimoren e Elbasanit fillon një praktikë e rëndësishme për shkollën shqipe që nga programet mësimore, oraret mësimore, ndarja e lëndëve, demonstrimi i shkrimit të bukur shqip, i njohur deri vonë në klasat e shkollës fillore si bukurshkrim, punët praktike dhe të dorës, të cilat përbëjnë një fondament të rëndësishëm për shkollën në përgjithësi. Sulë Harri gjatë gjithë kohës që punoi në Ushtrimore është dëshmuar një mësues i zellshëm, një mësues i papërtuar, një mësues krijues i pedagogjisë së mësimit dhe një psikolog i mrekullueshëm në marrëdhëniet që mësuesi duhet të ketë me nxënësit e tij, duke përcjellë një përvojë të rëndësishme për gjithë brezat e mësuesve që dolën nga shkolla Normale dhe nga shkolla Ushtrimore e Elbasanit, të cilat kishin një bashkëpunim të ngushtë me njëra tjetrën.

I njohur për dijet dhe korrektësinë në punë dhe për dijet e rëndësishme që kërkoheshin nga një mësues i kohës, Sulë Harri solli një kontribut të rëndësishëm në çështjet e didaktikës së shkruar. Ai bashkëpunoi me shtypin e kohës, me revistat pedagogjike si “Mësuesi”, “Përpjekja shqiptare”, “Edukata e re”, shkrime që i kanë ardhur në ndihmë mësuesve dhe trupave pedagogjike të shkollave të vendit. Po ashtu, Sulë Harri ka sjellë ndihmesë të rëndësishme për shkollën shqipe me dy përkthime të mrekullueshme, që lidhen me përvojën perëndimore të shkollës, siç janë librat “Ushtrime njësimi” (për vitin I shkollor) dhe “Libër metodik praktik” (për vitin II shkollor), si dhe ai vetë, ka qenë autor tekstesh (Këndimi për klasën IV dhe kl. V), përpilues programesh për shkollën shqiptare në përgjithësi.

Sulë Harri rrezaton një personalitet të spikatur të arsimit dhe të dijes. Në punën e tij dhe aktivitetin arsimor “kryqëzohen” kohë, angazhime, arritje dhe vështirësi të mëdha të kohës. Në bashkëpunimin e tij shfaqen si bashkëpunëtorë dhe si bashkudhëtarë të shkollës personalitete të kulturës sonë kombëtare, duke e bërë veprimtarinë e tij bashkëpunuese dhe të konsiderueshme për njerëzit dhe shkollën. Nga viti 1934 e deri në vitin 1936 Sulë Harri qe inspektor i arsimit në qarkun e Korçës, e më pas, nga viti 1936 deri në vitin 1938, qe inspektor arsimi në Qarkun e Vlorës.

I lidhur fort me shkollën dhe mësimdhënien, Sulë Harri nga viti 1938 deri në vitin 1942 ishte profesor i psikologjisë dhe pedagogjisë në Institutin “Nana Mbretneshë” në Tiranë. Po ashtu dha mësim dhe në shkollën Normale të Elbasanit deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga viti 1945-1947 shërbeu si mësues në shkollën fillore “Ali Agjah Biçakçiu” në Elbasan, ku dhe mbyllet rrugëtimi i tij në arsim, pasi arrestohet nga shteti totalitar i kohës me akuzën politike si “armik i popullit”.

Sulë Harri u shkollua dhe e filloi angazhimin e tij intelektual dhe arsimor në një kohë të vështirë  me lëkundje të mëdha politike dhe historike. Pavarësisht kësaj situate, ai nuk iu shkëput veprimtarisë dhe punës në arsim, që përveçse ushtroi punën e mësuesit, profesorit, u mor me çështje të rëndësishme shkencore mbi mësimdhënien, me tekstet mësimore, me përvojën më të mirë të arsimit perëndimor, me angazhimin për të kontrolluar dhe ndihmuar arsimin në Elbasan dhe jugun e vendit, u mor me letërsinë didaktike, për ta bërë sa më të afërt dhe më funksionale marrëdhënien e nxënësit me mësimin dhe praktikën. Gjithë ky angazhim i Sulë Harrit në një kohë relativisht të vështirë dhe në një vend të prapambetur siç ishte Shqipëria, tregon një angazhim të një njeriu të ditur, i cili kishte ide të qarta për të ardhmen e vendit, se ajo do të jetë e mirë vetëm në saje të diturisë dhe të arsimimit. Për kohën e Sulë Harrit një mendim i tillë ishte i rëndësishëm për vendin.

Por në momentin më sublim të veprimtarisë dhe angazhimit të tij, Sulë Harrit i ndërpritet me dhunë angazhimi dhe veprimtaria arsimore, pedagogjike dhe didaktike në ndihmë të ngritjes së arsimit shqiptar. Arrestohet për motive politike dhe nuk i krijohet mundësia për t’u vënë në dobi të vendit dhe arsimit dija, kultura dhe mjeshtëria e mësimdhënies, e provuar dhe e njohur nga gjithë bashkëpunëtorët, mësuesit dhe nxënësit e tij, të cilat krijojnë një plejadë të artë të shkollës shqipe.

Në kohën dhe në veprimtarinë arsimore të Sulë Harrit si bashkëpunues dhe si nxënës në historinë e arsimit shqiptar vijnë emra të njohur si: Mësues të Popullit Faik Pajuni, Gani Daiu, Kolë Paparisto, Kolë Popa, Mustafa Demiri, Nos Josifi, Peter Elezi, Qamil Guranjaku, Qemal Haxhihasani, Rexhep Peza, Sabaudin Bobrati, po ashtu mësuesit e Merituar Abdyl Kajanaku, Adem Jahja, Azmi Stringa, Bukurosh Sejdini, Dervish Lisi, Gavril Santo, Haki Ballshi, Hipokrat Biba, Ibrahim Shabani, Hasan Dylgjeri, Hysen Çaushi, Ismail Haxhihyseni, Ismail Haxhimusaj, Ismail Xhaja, Luan Baholli, Luiza Papajani, Makasem Bunga, Mehmet Bebeti, Mehmet Daiu, Mehmet Turhani, Musa Tafa, Rudolf Deliana, Skënder Sejdini, Sotir Paparisto, Shyqyri Daiu, Xhevdet Skilja dhe arsimtarë të tjerë të shpërndarë në të gjithë hapësirën shqiptare si mësues dhe njerëz të dijes.

Sulë Harri kontribuoi në një kohë relativisht të turbullt, por që la gjurmët e tij, emrin dhe vizionin e tij, ashtu siç lanë emrin dhe kontributin e tij Negovani, Luarasi, Babë Dudë Karbunara, Jani Minga në kohën e tyre. Pavarësisht kufizimit, ndëshkimit të ashpër që totalitarizmi i bëri Sulë Harrit për një periudhë gati pesëdhjetëvjeçare, emri dhe veprimtaria e tij nuk mund të zhdukeshin. Pas viteve ‘90-të, Sulë Harri erdhi në kujtesën e arsimit shqiptar, të shokëve dhe miqve, të ish-nxënësve dhe bashkëkohësve të tij. Sulë Harri erdhi në kujtesën e arsimit përmes kujtimeve, studimeve për arsimin shqiptar (Dr. Reshit Koburja “Një panteon drejt panteonit”), pasi vepra mësimore e bashkëkohësve të tij, mësuesve të Ushtrimores së Elbasanit Fadil Guranjaku, Ahmet Duhanxhiu, Ali Myftiu e Karl Ljarja, do të ishte e mangët pa kontributin e Sulë Harrit, drejtorit të kësaj shkolle.

Pas viteve 90-të, Sulë Harri u nderua i dhënë vendin e merituar në panteonin e arsimit shqiptar. Në vitin 1995 atij i është dhënë titulli “Mësues i Popullit” ndërsa shkollës së re të Guranjakut i është vënë emri “Sulë Harri”. Studiues, njerëz të dijes, bashkëkohës dhe shtypi i kohës e kanë konsideruar Sulë Harrin “Babain e Mësuesisë Kombëtare të shekullit XX”. Veprimtaria e tij pedagogjike vijon të studiohet nga studiuesit e pedagogjisë shqiptare si një shembull dhe një përvojë e rëndësishme për arsimin shqiptar dhe në ditët e sotme.

Sula Harri mbetet një personalitet i pa-anashkaluar për shkakun e veprës së tij. Me punën e tij lidhet një epokë e rëndësishme e shkollimit shqiptar, qoftë e shkollës Ushtrimore, po ashtu dhe të Normales së Elbasanit. Si një figurë e rëndësishme dhe e kompletuar intelektuale, vepra e tij praktike, pedagogjike, didaktike dhe kontributet e tij shkrimore do të jenë objekt studimi dhe në të ardhmen.

Tiranë- Vlorë, nëntor 2017

 

 

 

December 28, 2017 11:54
Komento

5 Komente

  1. Dh Xhoga(Guri Naimit D). December 28, 23:05

    Te hapesh nje dritare ne “burgun”e dijes dhe arresimit eshte nje militantizem i autorit.
    Mire e ka thone:-“Me mire te dish se sa te kesh”…
    e juaja dhunti,i nderuar Pr.dr. Bardhosh Gace.

    Gezuar vitin e Ri 2018 -Dituridhenesi-Bardhosh Gace.
    Dh. Xhoga (Guri Naimit D).

    Reply to this comment
  2. lato December 28, 23:08

    Edhe ty te paska kapur SINDROMA Sule Harri,or Bardhosh!Duket qe mikrobi flamur harri paska infektuar edhe Vloren,vec Elbasanit.
    Shto uje e shto miell,nje cope mesues fillore ka qene,i cili nuk ka lene asnje veper prapa.Ato libra shkollore,qe ia vesh Sule Harrit,jane rrene.Sule Harri nuk ka botuar asnje liber.Nxirri,ku i ke! E vetmja veper qe la prapa jane djemte e tij injorante,ca xhahila, ca pallavraxhij qe bertasin neper rruge;baba!baba!

    Reply to this comment
  3. lato December 29, 18:10

    genjen se eshte komenti im i derguar 24 ore me pare.Nuk mund te pranoj qe ti ngjisni qerren e Sule Harrit Lokomotives se Arsimit dhe shkences Alexander Xhuvani.Genjeni kur thoni qe Shaban Demiraj ka permendur Sule Harrin,qe as nuk e njihte.Gjini nje rresht te shkruar prej tij, ku Alexander Xhuvani permen ndonjehere kete cope mesues fillore,qe nuk ka lene asgje te shkruar,pervec Flamur Harrit,qe po mbush gazetat me rrena.

    Reply to this comment
  4. demo December 29, 19:38

    Sule Harri nuk e ka mbaruar as shkollen e mesme.Eshte nga femijet jetime qe mori Gjergj Pekmezi per shkollen e mesme pedagogjike te Linxit me burse te shtetit austriak.Foto me siper eshte gjetur dhe postuar nga albanologu Robert Elsie.Me vjen keq qe botoni superlativa per nje mesues te rendomte te nivelit te ulet shkollor

    Reply to this comment
  5. skampa December 30, 00:00

    E pergezoj Bardhyl Gacen per kete artikull prekes qe tregon sakrificat e jashtzakonshme te atij brezi mesuesish qe e nisen nga zero..
    .
    Edhe pse nuk jam elbasanlli por kam jetuar si jabanxhi ne ate qytet per nje kohe te gjate e quaj me fat qe u shkollova ne qytetin e Elbasanit deri ne moshen parauniversitare.
    .
    Nje kuriozitet;
    Jetoj ne Amerike prej 21 vjetesh dhe mbi 30 familje nga Elbasani qe njoh …femijet e tyre kane mbaruar shkolla te larta pothuajse 100% e tyre qe barazohen me izraelitet,suedezet apo japonezet…dhe kjo ka te beje me traditen e shkelqyer te Elbasanit por dhe te sistemit 1945-1990 qe te pakten per arsimin duhet ti ngreme kapelen
    .
    Cfare nuk shkon te ky artikull?
    Perseritja e frazave idiote te tilla shumei 10 here:
    .
    ‘’Citoj”

    “arrestohet nga shteti totalitar i kohës me akuzën politike si “armik i popullit”.

    jane bere shume bajate dhe nuk nderojne as bardhyl gacen dhe as sule harrin..dhe nuk eshte nevoja te zgjatemi…se derisa terroristi hamit matjani nderohet si Hero me ca leftere leftere nuk eshte nevoja te bejme 3 miljon shqiptare te burgosur nga “shteti totalitar”..kjo kishte nje fare kuptimi ne 1992 deri ne 1997 por sot ne 2017 eshte mire te mbyllim sqepin per ate kohe..te pakten per arsimin qe u kthyen shkollat ne kioska
    .
    .
    jam dakort me komentusin “lato” qe ka shume superlativa per Sulen ne kete artikull sepse nuk vecon nga te pakten 500 mesues te asaj kohe qe kane pasur vlera sa Sula ose me teper se ai

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*