Sulmet ndaj Hoffmann, Arta Dade: Tregues i gjendjes së rëndë në të cilën ndodhet Berisha

December 16, 2015 21:45

Sulmet ndaj Hoffmann, Arta Dade: Tregues i gjendjes së rëndë në të cilën ndodhet Berisha

Në përgjigje të sulmit të Sali Berishës ndaj Ambasadorit Hoffmann ka reaguar edhe Arta Dade,  Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme.

Në një deklaratë për mediat, znj. Dade thekson se Komisioni për Politikën e Jashtme , sikurse takimi i sotëm me Vlahutin, ka organizuar takime të njëjta edhe me Ambasadorë të tjerë sikurse Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë,  Helmut Hoffmann, për të cilin komisioni ka konsiderata të veçanta.

Deputetja Dade thekson se Hoffman luan një rol aktiv për nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve dypalëshe shumëdimensionale por edhe si përfaqësuesi më i lartë në Shqipëri i Republikës Federale të Gjermanisë dhe Kancelares Merkel me nismën e së cilës mori jetë procesi i Berlinit si instrument i rëndësishëm i bashkëpunimit rajonal dhe i inkurajimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbajtur fokusin në axhendën tonë europiane e përshpejtuar reformat e domosdoshme për vetë shqiptarët por edhe për përparimin e procesit të integrimit.

“Sulmet e Berishes ndaj Ambasadorit të nderuar janë tregues i gjendjes së rënde në të cilën ndodhet ky politikan famëkeq që kthehet e rikthehet tek praktikat e tij të vjetra sikurse në 1996 e 1997 kur sulmonte Ambasadoren e nderuar të SHBA, kur si president zhbëri shtetin dhe është përgjegjës për humbjen e mbi 3000 jetëve, apo kur sulmoi institucionet përmes grushtit të shtetit në 1998 apo përsëri kur sulmonte Ambasadorin e SHBA kur urdhëroi vrasjet e demonstruesve të paarmatosur e paqësor në 21 janar”, theksoi Dade.

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme nënvizon se ambasadorët janë përfaqësues të vendeve të tyre, të vendeve që kanë mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin drejt konsolidimit të demokracisë dhe proceseve të integrimit euroatlantik.

“Ata janë vënë nën sulmet e papranueshme të këtij pasardhësi të praktikave dhe mendësive autoritariste dhe totalitariste të refuzuar prej shqiptarëve, sa herë që ata nuk janë pajtuar me dhunimin që ky personazh i ka bërë demokracisë dhe institucioneve të pavarura apo kur ka urdhëruar krime e korrupsion për të cilat vazhdon të mos ndëshkohet nga drejtësia por edhe nga aktorë të rëndësishëm që në bashkëveprim me drejtësinë duhet ta kishin vënë përpara përgjegjësisë penale”, deklaroi Arta Dade.

December 16, 2015 21:45

Njoftim

Njoftim