Sulmi i papritur në zemër, si të ndalni pasojat e rënda që sjell

November 14, 2017 19:02

Sulmi i papritur në zemër, si të ndalni pasojat e rënda që sjell

Dhimbja e kraharorit, marramendja, djersitja e papritur, vështirësia në frymëmarrje, si dhe difiçiti neurologjik, janë ndër simptomat e shpeshta, që tregojnë se kemi të bëjmë me një urgjencë kardiake, ndaj të cilës ndihma mjekësore duhet të jetë e menjëhershme, me qëllim për të shmangur pasojat fatale për jetën e pacientit. Padyshim që të gjitha këto shenja nuk merren në konsideratë të veçuara, por kërkojnë vëmendjen e duhur dhe thellimin qoftë të mjekut të familjes, qoftë të atij specialist.

Pacientëve u rekomandohet që të mos neglizhojnë në asnjë moment kontrollet e duhura mjekësore dhe jo vetëm kur kanë shqetësime, por të zbatojnë protokollet e përcaktuara për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme dhe në kohën e duhur. Bluzat e bardha thonë se ndjekja e një stili të shëndetshëm jetese është çelësi në parandalimin e shumë sëmundjeve të zemrës.

Ky stil i shëndetshëm jetese përfshin kujdesin për ushqimin që duhet të konsumojmë çdo ditë, mbajtjen nën kontroll të kolesterolit, lënien e duhanit, kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak, mosabuzimin me përdorimin e pilulave kontraceptive, si dhe kryerjen e aktivitetit fizik.

 

1) Këshillat për ushqimet që duhet të konsumoni

Ndryshimet në mënyrën e të ushqyerit janë thelbësore për të mbajtur larg sëmundjet e zemrës, por edhe shumë patologji të tjera kronike. Sipas specialistëve të shëndetit publik, ushqyerja dhe marrja e lëngjeve në mënyrë të shëndetshme, i jep zemrës tuaj energjinë e nevojshme për të jetuar. Sa i takon kujdesit që duhet të keni në këtë drejtim, sqarohet se nuk duhet të ushqeheni me shumë produkte të përpunuara dhe të parapërgatitura, pasi ato kanë shumë sheqer dhe yndyra. Gjithashtu, mundohuni të pakësoni pijet me sheqer dhe lëngjet e frutave. Në vend të tyre merrni ujë, apo lëngje të tjera pa sheqer. Përpiquni të hani 5 porcione në ditë me fruta dhe zarzavate, ato mund të jenë të freskëta, të ngrira, të konservuara, ose të thata. Merrni brenda udhëzimeve të rekomanduara sasinë e alkoolit që përdorni. Përgatisni vetë në shtëpi ushqimin për në shkollë apo në punë.

 

2) Kujdes me kolesterolin dhe pirjen e duhanit

Sipas ekspertëve të shëndetit, niveli i lartë i kolesterolit në gjak është shkak i rreth 4 milionë vdekjeve çdo vit në botë. Prandaj ju duhet të kontaktoni mjekun tuaj të familjes në mënyrë që të masni nivelin tuaj të kolesterolit në gjak, peshën tuaj dhe Indeksin e Masës Trupore (IMT). Në këtë mënyrë mjeku juaj mund t’ju këshillojë për rrezikun që keni për sëmundje kardiovaskulare, në mënyrë që ju të merrni sa më herët që të jetë e mundur masa, apo veprime të caktuara për të përmirësuar shëndetin e zemrës tuaj. Lënia e duhanit është gjithashtu një ndër gjërat kryesore që ju mund të bëni për të përmirësuar shëndetin e zemrës tuaj. Brenda dy vjetëve pasi keni lënë duhanin, rreziku për sëmundje koronare të zemrës reduktohet ndjeshëm. Ndërsa pas 15 vjetëve rreziku juaj për të pasur sëmundje kardiovaskulare është i njëjtë me atë të një personi jo-duhanpirës.

 

3) Kontrolloni nivelin e sheqerit në gjak 

Niveli i lartë i sheqerit, apo glukozës në gjak, mund të jetë tregues i diabetit. Duhet të dini që sëmundjet kardiovaskulare janë përgjegjëse për të paktën 60 për qind të gjitha vdekjeve te njerëzit me diabet, ndaj nëse ajo nuk diagnostikohet, apo nuk trajtohet mund t’ju rrisë rrezikun për ndërlikime të rënduara të zemrës, si dhe goditjeve në tru.

 

4) Mos e teproni me pilulat kontraceptive

Kujdes të madh duhet të tregojnë edhe gratë që marrin pilula kontraceptive, sidomos ato mbi moshën 35 vjeç. Duhet të jeni në kontakt të rregullt me mjekun që ju ka rekomanduar medikamentet kontraceptive. Më shumë kujdes duhet të tregojnë edhe gratë që përdorin hormonoterapi gjatë menopauzës. Preparatet hormonale rrisin rrezikun e sulmeve në zemër dhe në tru. Prandaj, përdorimi i tyre duhet te jetë në kohën e duhur dhe në dozën e duhur, gjithmonë nën kontrollin e mjekut specialist.

 

5) Mos neglizhoni kryerjen e aktivitetit fizik

Mjaft e rëndësishme në parandalim është edhe të qëndruarit aktiv. “Përpiquni të kryeni të paktën 30 minuta aktivitet të moderuar deri në intensiv 5 herë në javë. Të gjitha lëvizjet si loja, ecja, punët e shtëpisë dhe kërcimi kanë rëndësi. Ju duhet të jeni më aktiv gjatë ditës si për shembull duke marrë shkallët në vend të ashensorit, të ecni apo të përdorni biçikletën në vend të makinës. Para se të vendosni për të filluar ushtrimet, ju duhet të konsultoheni me personelin shëndetësor”, bëjnë me dije specialistët e shëndetit publik.      p.k/dita

November 14, 2017 19:02
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*