Superliga, sot radha e Teutës dhe e Flamurtarit

October 4, 2015 10:02

Superliga, sot radha e Teutës dhe e Flamurtarit

Pas emocioneve të derbit, e diela e Superiores ofron dy sfida tejet të rëndësishme për skuadrat protagoniste. Në orën 13:00 Teuta pret Bylisin me synimin për tu rikthyer menjëherë te fitorja në kampionat pas humbjes me Tiranën.

Një objektiv aspak i lehtë përkundër dëshirës së Bylisit për të bërë para në klasifikim pas pikës së vetme që ka marrë këtë sezon kundër bardhebluve.

Për Gugash Maganin mbetet në dyshim prezenca e të birit të tij, sulmuesit Artur Magani por për trajnerin peqinas në repartin e avancuar rikthehet Lamçja ndërkohë që i duhet ti bëjë llogaritë pa Mihanin e pezulluar për shkak kartonësh.

Te Bylisi për sa i përket kampionatit ka qenë evidente mungesa e finalizimit me vetëm dy gola të shënuar por në mesjavën e Kupës skuadra ballshiote shënoi plot 6 herë kundër Dinamos dhe Agim Canaj shpreson që pas këtij zhbllokimi ekipi të gjejë golat edhe në Superiore.

Në orën 16:00 luhet edhe takimi tjetër mes Flamurtarit dhe Tërbunit. gjërat nuk kanë shkuar mirë në këtë fillim sezoni në Vlorë, madje as me stadiumin ku tapeti i ri ka shfaqur probleme dhe për pasojë ndeshja do të luhet në Ballsh, me skuadrën e Levit që nuk do të ketë të plotë avantazhin e fushës në një përballje ku kërkohet me ngulm fitorja, për një skuadër për të cilën investimet është e pamundur të përligjen me vetëm 4 pikë të grumbulluara në 5 javët e para.

Po kaq të etur për pikë janë edhe te Tërbuni ku janë regjistruar vetëm disfata pas fitores në javën e dytë ndaj Bylisit. Gjithsesi në kampin e Nikajt nuk kanë patur me vete edhe kalendarin, pasi Tërbuni është ndeshur me Tiranën, Skënderbeun, Teutën e Partizanit, ndaj përballë Flamurtarit skuadra pukjane do të kërkojë me çdo kusht kthesën.

 

October 4, 2015 10:02
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*