SURPRIZA / Bien dramatikisht shifrat e bullizmit në shkollat shqiptare, ja përse

June 7, 2018 18:45

SURPRIZA / Bien dramatikisht shifrat e bullizmit në shkollat shqiptare, ja përse

 

Një studim optimist i publikuar të hënën e kaluar nga Instituti Kombëtar për Organizimin e Rezymeve Eklektike, IK-ORE, zbulon një rënie drastike të rasteve të bullizmit në shkollat shqiptare.

Kjo sepse shumica e fëmijëve dhe të rinjve tanë nuk zotërojnë as aftësitë minimale gjuhësore për të denigruar ashtu siç duhet shoqet dhe shokët e tyre.

Raporti bazohet në vëzhgimin e mbi 100 mijë nxënësve e studentëve anembanë vendit, nga kopshtet me drekë, në ato pa drekë, shkollat private e publike të të gjitha llojeve, dhe arrin në një përfundim entuziast: Edhe pse shumica e tyre janë të gjendje të pikasin dobësitë dhe difektet e bashkëmoshatarëve, aftësitë rudimentare linguistike të fëmijëve rëndom i pengojnë të tallen në mënyrë efektive me pamjen, personalitetin, aftësinë sportive etj, të të tjerëve, duke mos shkaktuar dot tronditje shpirtërore, lot, trauma dhe vetëvlerësim të ulët ashtu si dikur.

“Për fat të mirë, pjesa dërrmuese e nxënësve që mbarojnë gjimnazin dalin prej andej vetëm me nivel filloreje në aftësinë për të leqendisur, sharë e telendisur siç duhet shokët e tyre,” thotë për Gojët e Liga psikologu shkollor Miço Kiço.

Sipas tij, maturantët në 95 përqind të rasteve nuk lidhnin dot bashkë dy fjali me kuptim mbi ndonjë difekt fizik, problem familjar apo status financiar të bashkëmoshatarëve.

“Edhe pse fare mirë maturanti i sotëm shqiptar e nuhat në ajër një humbameno, një peshkop, një qorr, një puçrranjos ose edhe pabuks, ai është totalisht i çarmatosur nga armët semantike e linguistike që do t’i shkaktonin tjetrit një shkatërrim shpirtëror afatgjatë që do ta shenjonte për tërë jetën,” sqaron z. Miço Kiço.

Studiuesit vizituan një seri shkollash në qarqe të ndryshme, dhe vunë re një nivel aq primitiv sofistikimi në komunikim, saqë vënia e tjetrit në pozitë të sikletshme bëhej e pamundur.

Pasthirrmat, rrokjet e shkëputura, gjestet e shumta me duar e këmbë ndërpriteshin vetëm nga disa fjalë të mbledhura me mundim, si “qelbash”, “k…vë” apo “i shëmtut ke zoti”, apo “veshllapush”, çka i shkaktonin shënjestrës vetëm dëme minimale psikologjike.

Sipas Miço Kiços, duket se fushatat e vazhdueshme dhe qindra mijërat e eurove kundër bullizmit, kanë dhënë më në fund rezultatet e duhura dhe sistemi ynë arsimor mund të konsiderohet në pararojë të vendeve kuazi-europiane.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike anti-bullizëm

June 7, 2018 18:45
Komento

1 Koment

  1. Ladi June 7, 20:30

    Po shume mire, ja cfare suksesesh sjell reforma arsimore. S’ka me bullista dhe ballista, sepse fale dijeve te shkolles kalamaqte vetem belbezojne dhe nxjerrin hungerima!!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*