Svensson: Duhet të luftohen praktikat korruptive në shëndetësi, gjykata dhe në arsim

August 29, 2015 11:44

Svensson: Duhet të luftohen praktikat korruptive në shëndetësi, gjykata dhe në arsim

I ngarkuari me punë i Suedisë në Shqipëri, Patrik Svensson, mandati diplomatik i të cilit mbaron këtu pas pesë vitesh në Shqipëri, mendon se Shqipëria ka arritur progres, ndonëse sfidat janë aty, të listuara nga progres-raporti i BE-së.

“Mund t’i krahasoj gjërat nga viti 2010 kur erdha në Shqipëri deri më sot. Është e drejtë të thuash se personalisht kam parë përparim. E di se përparimi politik është aty dhe i njohur nga BE-ja e të tjerë. Është një proces, kështu që shumë punë nevojitet ende të bëhet për të vazhduar me hapat e tjerë”, thotë Svensson në një intervistë për “Shqip” vetëm pak ditë para largimit nga Shqipëria.

Svensson e quan të drejtën për azil politik “të shenjtë” dhe se ai, sipas rregullave ndërkombëtare, nuk mund të jepet për arsye ekonomike.

Do të largoheni shumë shpejt z. ambasador … Si i thoni ‘mirupafshim’ një vendi kur mbaroni mandatin tuaj diplomatik?

Nuk është e lehtë t’i thuash ‘mirupafshim’ një vendi dhe të gjithë njerëzve që ke takuar dhe ke pasur kontakte, shumë prej të cilëve i ke konsideruar miq prej vitesh. Por kjo është jeta e një diplomati, i cili është i ndërgjegjshëm për ‘datën e skadencës’, po ta them me të qeshur. Kalova pesë vite në Shqipëri. Nuk është e lehtë të largohesh prej saj, sepse Shqipëria është një vend fantastik. Kam shijuar çdo ditë të punës këtu. Ka qenë një eksperiencë fantastike. Shpresoj të vij përsëri. Në pozicionin e ri që do të marr, nuk do të jem larg Shqipërisë gjeografikisht. Ndihem mirë që do të jem në rajon ku kam punuar në disa vende të Ballkanit Perëndimor

Z. ambasador, si do ta vlerësonit situatën e shumë çështjeve në Shqipëri, për të cilat Suedia është një kampione si demokracia, transparenca, të qenët i hapur, të drejtat e njeriut, mjedisi e të tjera si këto?

Mendoj se trendi është pozitiv në Shqipëri. Ne shohim që procesi i integrimit europian është duke ecur përpara. Mund t’i krahasoj gjërat nga viti 2010, kur erdha në Shqipëri, deri më sot. Ne shohim se Shqipëria ka fituar statusin e vendit kandidat në bazë të progresit real të arritur prej saj. Vendi arriti të fitojë edhe të drejtën e liberalizimit të vizave në dhjetor të 2010-s, të bazuar në një progres konkret, duke e bërë Shqipërinë të maturuar dhe gati për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së. Patjetër sfidat mbeten dhe ato janë listuar nga BE-ja në progres-raportin e saj. Ne të gjithë i dimë pesë kriteret bazë, mbi të cilat qeveria po punon për të ecur me hapat e tjerë. Është e drejtë të thuash se personalisht kam parë përparim. E di se përparimi politik është aty dhe i njohur nga BE-ja e të tjerë. Është një proces, kështu që nevojitet ende shumë punë për të vazhduar me hapat e tjerë.

A keni vënë re kontraste apo kontradikta në jetën e përditshme të shqiptarëve kur vjen puna te të drejtat e tyre për të pasur aksesin e duhur ndaj shërbimeve në sektorin e shëndetësisë, arsimit, gjykatave apo edhe në sektorë të tjerë?

Po, kam vënë re, dhe është një tregues që nevojitet shumë punë për të luftuar korrupsionin në jetën e përditshme, me qëllim që shqiptarët të mos provojnë praktika të paligjshme, të themi në fushën e arsimit, shëndetësisë apo gjykata. Ne kemi pasur rastin e disa qytetarëve suedezë (më së shumti biznesmenë), të përfshirë në procese gjyqësore, përfundimet e të cilave nuk ishin shumë të kuptueshme për ta. Kjo krijoi shqetësim tek ata. Dëshiroj të nënvizoj se biznesmenët suedezë do të donin të shihnin më shumë sundim të ligjit në fushën ekonomike në Shqipëri, më shumë parashikueshmëri, më shumë transparencë, më shumë mënyra të realizueshme për të ngritur biznese dhe investuar në këtë vend. Kjo shkon krah përkrah me parashikueshmërinë ose me nevojën për një sistem ligjor të shëndoshë dhe sundim të ligjit nëse një kompani do të jetë e përfshirë në një çështje gjyqësore.

Përgjithësisht, a është klima e biznesit më e mirë për bizneset suedeze në Shqipëri e krahasuar kjo me disa vite më parë?

Ka shqetësim, por, nga ana tjetër, ka edhe njohje të përpjekjeve që po bëhen dhe progres gjithashtu. Së bashku me homologët shqiptarë, ne po përpiqemi të informojmë komunitetin e biznesit tonë lidhur me situatën në Shqipëri, mundësitë që ajo ofron për të ardhur dhe investuar në këtë vend, sepse ne shohim shumë mundësi ku kompanitë suedeze mund të kenë avantazhe krahasuese në shumë sektorë në Shqipëri, si infrastrukturë, miniera, hidrocentrale e kështu me radhë. Ne duam të inkurajojmë dhe të stimulojmë investimet suedeze në Shqipëri.

A mund të përmendim ndonjë rast në këtë aspekt?

Kemi pasur një numër rastesh në fushën e naftës, në industrinë e frutave e perimeve, si dhe kozmetikës. Shumë kompani të tjera po shikojnë mundësitë për të investuar në vend. Jam optimist. Gjithashtu, ne si ambasadë, po japim mbështetjen më të mirë për të krijuar një shoqatë nordiko-shqiptare për tregtinë dhe zhvillimin në Shqipëri në bashkëpunim me vendet nordike për të lehtësuar kontaktet tregtare midis vendeve nordike, Shqipërisë dhe Kosovës, sepse ne shohim se këto tregje ndërlidhen.

Si i keni perceptuar ngjarjet e fundit në rajon?

Mendoj se rajoni ka qenë, ende është dhe do të jetë, në tranzicion në shumë aspekte për shumë vite, sepse po flasim për modernizim të shoqërive në mënyrat që BE-ja po kërkon ndaj këtyre vendeve, me qëllim që ato t’i bashkohen familjes europiane. Kështu, ekziston një tranzicion i vazhdueshëm politik, ekonomik, social për të qenë në linjë me këto zhvillime dhe për të luftuar të këqijat e shoqërive në mënyrat më të mira të mundshme për t’u përgatitur drejt futjes në BE. Nga kjo pikëpamje, është një tranzicion dhe proces i vazhdueshëm. Ajo që kemi vënë re në muajt e fundit, është edhe një numër në rritje të numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria, Kosova dhe pjesë të tjera të rajonit në vendet e zonës Shengen dhe BE-së. Ndoshta, them ndoshta, sepse ka shumë arsye përse njerëzit ikin, por kjo mund të jetë një tregues që ne e dëgjojmë se njerëzit janë në kërkim të një perspektive ekonomike më të mirë diku tjetër. Ata po humbin shpresën se do të gjejnë një punë apo një jetesë më të mirë. Kjo është e drejtë, por arsyet ekonomike nuk janë një bazë për të kërkuar azil politik. Për ne, e drejta për të kërkuar azil është e shenjtë në një farë mënyre. Ajo i rezervohet, sipas rregullave ndërkombëtare, njerëzve që kanë nevojë për mbrojtje, strehë, sidomos të shtyrë nga frika e persekutimit apo largimit nga luftërat apo armiqësia. Situata në Shqipëri nuk është si në Siri, Irak apo Afganistan ku ka luftëra. Unë dua të theksoj se ka edhe mënyra ligjore për të shkuar në Suedi për të punuar apo studiuar./Bisedoi: Rudina Hoxha

August 29, 2015 11:44
Komento

2 Komente

  1. info-analitike August 29, 13:59

    Patrik Svensson eshte i ngarkuar me pune ( Chargé d’ Affaires) dhe jo ambasador. Ambasadori qe mbulon edhe Shqiperine quhet Mats Staffansson.
    http://www.swedenabroad.com/en-GB/Embassies/Tirana/About-us/Embassy-Staff/
    Kam pasur rastin te bisedoj personalisht me Mr. Svensson dhe t’i shpreh disa ide se ku mund te ishin disa sektore te ekonomise me interes bashkepunimi por duke mos qene fusha e tij ai me shpjegoi se puna e tij ishte perqendruar me teper ne mbrojtjen e te drejtave te shtresave te dobeta te shoqerise dhe ne permiresimin e situates ne lidhje me korrupsionin.
    Natyrisht per Suedezet Shqiperia mund te behet nje vend terheqes ne shume aspekte, sidomos ate turistik por gjithcka varet nga aftesite qe do te kete Shqiperia per te krijuar kushte sa me te favorshme. Sidoqofte hapat e pare jane hedhur me grupet e organizuara kryesisht drejt jugut te Shqiperise
    http://www.oranews.tv/vendi/ambasadori-suedez-suedezet-te-vijne-perhere-ne-sarande/
    dhe me promovimin qe po behet neper mediat suedeze
    http://www.gazetatema.net/web/2015/04/01/tre-gazetat-me-te-medha-suedeze-promovojne-turizmin-ne-shqiperi/
    Na mungon vec nje qeveri serioze qe te punoje per te miren e ketij vendi dhe per permiresimin e imazhit dhe te situates ekonomiko-politike e shoqerore.

    Reply to this comment
  2. zotnia r August 29, 15:57

    do maresh ca shqiptare , se suedia ka nevoje per fuqi puntore, te tjerat i dine baballaret e kombit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*