Sytë e piktorit Jakup Keraj

August 5, 2017 14:40

Sytë e piktorit Jakup Keraj

Nga Ruzhdi Keraj

Dora nuk i bindet më. Peneli i rrëshqiti mbi telajo dhe iu rrëzua në tokë.

-Peneli i fundit,- qeshi piktori, dhe mezi u mbush me frymë. Gjithçka është drejt fundit, arti i tij, drejt fundit është dhe jeta e tij. E ndjen vdekjen pranë, por asnjë çast s’e pranon. E largon me buzëqeshjen e tij, e largon me shpresën e së nesërmes se diçka la në jetë, diçka për njerëzit. La në portretet që pikturoi sytë e tij. Edhe kur të mos jetë më në mes të të gjallëve, do të jetojnë sytë e tij përjetësisht.

Portretet që pikturoi do të jetojnë gjatë, do t’i shohin brezat dhe njerëzit e mençur do të dallojnë në sytë e pikturuar dashurinë për jetën, dhembshurinë për njerëzit, shpirtin e vrarë të artistit që jetonte jetën i shtrënguar në dorën e së keqes. Sy që bërtasin se i kanë vjedhur lirinë.

Këta sy nuk i donin ata që ngrinin lart frymën revolucionare, që u shkëlqenin sytë dhe brohorisnin me flamujt e kongreseve. Por këto sy edhe sot nuk i duan. I kanë mbyllur diku në terr që t’i qorrojnë, t’i harrojnë, ndoshta përjetësisht t’i vdesin. Edhe sot si atëherë jetojnë, lulëzojnë e qeverisin botën ato figura butaforike me sy që shkëlqejnë nga etja revolucionare dhe bërtasin: “Ne ishim, ne jemi, galeria është e jona!”

Gardiani që mban çelësat qesh i kënaqur dhe sapo dëgjon ndonjë teshtimë që vjen nga terri bërtet: “Plaç o i mbaruar!” E keqja udhëton nga brezi në brez si një amanet. E mjerueshme!

Dy fjalë homazh për piktorin

Në shtator të këtij viti mbushen 30 vjet të ndarjes nga jeta të piktorit të shquar Jakup Keraj. Ditët e fundit vëllai i piktorit, Ruzhdi Keraj, ishte në Razëm, bashkë me bashgkëshorten Mjaftore, pikërisht aty ku mbylli sytë Jakupi. Pikërisht në Razëm Ruzhdiu shkroi këto radhë që po i botojmë sot, ku tregohet për çastet e fundit të piktorit.

Jakup Keraj lindi në vitin 1933. Jeta dhe piktura e Kerajt lulëzoi në gjysmën e dytë të shekullit XX, ku ai falë talentit të tij u rendit me piktorët më të shquar të kohës. Ai studioi në Akademinë e Arteve të Bashkimit Sovjetik  dhe u diplomua në Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës “Ilia Efimoviç Rjepin”, Leningrad\Shën Petërburg. Gjatë krijimtarisë 30- vjeçare, pikturoi brenda normave të realizmit socialist dhe normave të realizmit. Ishte një piktor ekspresiv që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar të kohës.

Diploma ka titullin: “Çlirimi i grave shqiptare nga turqit osmanë”. Ajo ruhet në koleksionin e GKA. Notat në disiplinat e ndryshme të diplomës së tij janë mirë dhe shkëlqyeshëm. Në vitin 1957, Keraj u kthye në Shqipëri dhe punoi si mësues në Shkodër, nga ku nuk u largua prej saj asnjëherë. / Xh. Shehu

 

August 5, 2017 14:40
Komento

2 Komente

  1. ash August 5, 23:14

    Nje njeri i mrekullueshem dhe piktor i madh. Portretet e tij jane nder me te realizuarit e piktures shqiptare. Pse flejne veprat e tij dhe nuk behen prone e atyre qe duan artin e vertete.Shqetesimi i artistit Ruzhdi Keraj, vellai i piktorit, duhet te mirekuptohet. Arti i J. Kerajt nuk i perket as bodrumeve te Galerise dhe as vetem Shkodres, ku jetoi e punoi.

    Reply to this comment
  2. M.Hajati August 6, 01:32

    Familja Keraj ishte asht dhe mbetet nji familje e mrekullushme e nderume ne shoqerin shkodrane.
    Shume here ju kam kujtue si familje.Ku baheni dhe ku jetoni.
    Ndjeva kenaqesi qe jeton dhe shkruan bukur realitetin.
    Pershendetje nga shoku i yte moshatar M.Hajati.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin