Tabuja e Britanisë së Madhe

December 5, 2017 15:45

Tabuja e Britanisë së Madhe

BE dhe Britania e Madhe dështuan dje të arrinin në një marrëveshje të përbashkët, mbi fazën e parë të negociatave të divorcit. Për të bërë të mundur kalimin në fazën e dytë të negocimeve, duhet të përmbyllen disa çështje që gjykohen të rëndësishme, si fatura financiare, statusi i qytetarëve dhe çështja irlandeze. Kjo e fundit, është shndërruar në një çështje delikate, pasi po arrin të prekë kufijtë e tabusë britanike.

Kryeministrja britanike Mei, kishte dhënë garanci për mos-vendosjen e një kufiri fizik mes Irlandës dhe Irlandës së Veriut. Por, pas reagimit të menjëhershëm të partisë së unionit të Irlandës së Veriut (DUP), që deklaroi se nuk do të pranonte asnjë formë përplasje rregulluese, që mund të ndajë Irlandën e Veriut ekonomikisht dhe politikisht nga Britania e Madhe, e detyroi kryeministren Mei të tërhiqej.

Irlanda kërkon të evitojë me çdo kusht vendosjen e një kufiri fizik, që do ta ndajë nga Irlanda e Veriut në momentin e mbylljes së divorcit të Britanisë së Madhe me BE-në. Pasi kjo mund të shkatërrojë paqen e vendosur dhe shkëmbimet mes dy pjesëve të ishullit, falë marrëveshjeve të së Premtes së Mirë, 1998. Por, për të evituar vendosjen e një kufiri duhet dhe pritet që Londra të marrë përsipër pasojat që shkaktoi vendimi i referendumit për dalje nga BE, por edhe përgjegjësitë për të prezantuar zgjidhje të vlefshme dhe specifike për Irlandën. Dublini kërkon angazhime konkrete dhe të shkruara mbi këto modalitete, ndryshe mund të vendosë veton për kalimin në fazën e dytë të negociatave.

Por, këtu fillon dhe komplikohet problemi.

Pasi teksa Irlanda kërkon mos vendosjen e një kufiri fizik, ka një presion në rritje nga vendet anëtare të BE-së, që Irlanda të mos bllokojë hapjen e fazës së dytë të negocimeve dhe të mos insistojë për çështjen e kufirit fizik. Arsyeja duket se i kalon caqet politike dhe është e një niveli tekniko-ekonomik. Pra, ka një shqetësim në rritje, që lidhet me faktin se në rast se nuk do të ekzistojë një kufi fizik që do të ndajë ishullin dhe që do të shërbejë si kufi i jashtëm i Unionit atëherë ishulli do të shërbejë si portë e pakontrolluar hyrëse e produkteve jo-evropiane në Tregun e Brendshëm evropian, përmes një Britanie të Madhe që tashmë do të jetë jashtë BE-së. Dhe në realitet kufijtë e jashtëm të Bashkimit Doganor nuk mund të funksionojnë pa kufij fizikë.

Ky problem mund edhe të zgjidhet duke shtyrë këtë kufi në konturet fizike të ishullit irlandez. Por, kjo do të nënkuptonte as më shumë e as më pak, një bashkim de facto të Irlandës ! Një ribashkim që është edhe qëllimi zyrtar i Republikës së Irlandës. Por, tabu e padiskutueshme për Britaninë e Madhe!

Irlanda nuk ka arsye të tërhiqet nga ky pozicionim, çka nënkupton se do të përpiqet ta shfrytëzojë këtë situatë deri në momentet e fundit të përmbylljes së marrëveshjes.

Shumica e qytetarëve të Irlandës së Veriut votuan për qëndrim në BE gjatë zhvillimit të referendumit, në qershor të vitit 2016. Edhe pse ligjërisht është e mundur që Irlanda e Veriut të qëndrojë në BE, politikisht është e pamundur. Kjo, pasi partia që përfaqëson shumicën e komunitetit  unionist, është e vendosur që vendi duhet të lërë BE-në së bashku me Britaninë e Madhe dhe qeveria e Meit varet nga votat e unionistëve.

Tashmë pritet që 27 shefat e shteteve dhe të qeverive që do të mblidhen në Këshillin Evropian të mesit të muajit dhjetor, të vendosin formalisht nëse është bërë progres i mjaftueshëm me Londrën me synim kalimin në fazën e dytë. Fazë, ku palët do të fillojnë të flasin për marrëdhënien e tyre të ardhshme. Deri atëherë, ndoshta faktori kohë do të ndikojë që axhenda e bisedimeve të mos bllokohet, duke bërë të mundur kalimin në fazën e dytë, përmes cilësimit si të “mjaftueshëm” të fazës së parë të negocimeve.

DITA

December 5, 2017 15:45