Taçi takon miliarderin serb Knezeviç. Ka lidhje me Albpetrolin?

Habjon Hasani January 28, 2013 16:57

Taçi takon miliarderin serb Knezeviç. Ka lidhje me Albpetrolin?

Ndërsa çështja e privatizimit të “Albpetrol” mbetet ende e zvarritur dhe me shumë të panjohura, Rezart Taçi ka zhvilluar dy ditë më parë një takim me biznesmenin më të fuqishëm të Malit të Zi dhe një prej biznesmenëve serbë më të fuqishëm në Evropë, Dushko Knezeviç. Një filmim dhe disa foto tregojnë se Taçi e ka zhvilluar këtë takim të shtunën në shtëpinë e biznesmenit në fjalë.

Disa medie malazeze kanë raportuar dje takimin përfshirë këtu dhe radio-televizionin shtetëror të Malit të Zi. Sipas përshkrimit që kanë bërë mediet serbe dhe malazeze takimi është bërë në kuadër të bashkëpunimit mes “grupit “Atlas” që është në pronësi të Knezeviç dhe kompanive të Rezart Taçit në sektorin e hidrokarbureve dhe në sektorin bankar. “Presidenti i ‘Atlas Group’ Dushko Knezeviç u takua sot(26 Janar) me biznesmenin Rezart Taçi i cili është pronar i “Taçi Group” dhe një lider në sektorin e energjisë.. Taçi në Shqipëri nëpërmjet kompanisë “Armo” zotëron rafinerinë më të madhe në Shqipëri, ndërsa nëpërmjet kompanisë “Taçi Oil” ai kontrollon pjesën më të madhe të tregut të hidrokarbureve në Shqipëri, ai zotëron 60 përqind të tregut. Gjithashtu ‘Vetro Energy’një konsorcium në të cilin Taçi ka shumicën e aksioneve është aktualisht në negociata me qeverinë në lidhje me detajet e privatizimit të kompanisë “Albpetrol” pasi ka fituar tenderin e privatizimit të kompanisë shtetërore të naftës në Shqipëri”, – raportonin dje mediet serbe dhe malazeze.

Takimi
Nga filmimi dhe informacionet që kanë përcjellë dje mediet serbo-malazeze takimi mes Taçit dhe mogulit serb Knezevic është bërë “pas rekomandimeve që i kanë dhënë disa ortakë dhe partnerë në biznes Taçit”, që të shikonte mundësinë e bashkëpunimit me grupin “Atlas” i cili është në pronësi të Knezeviç. “Temat e diskutimit mes Taçit dhe Knezeviçit ishte tenderi për shfrytëzimin e naftës dhe gazit, bashkëpunimi në sektorin bankar dhe intensifikimi i bashkëpunimit në sektorë të tjerë ku kompanitë e tyre operojnë”, – shkruanin dje mediet serbe dhe ato malazeze.

Konteksti
Takimi mes biznesmenit shqiptar Rezart Taçi dhe bosit malazez me origjinë serbe Dushko Knezeviç vjen në një kohë kur Taçi është shpallur fitues i tenderit për privatizimin e kompanisë “Albpetrol” por të gjitha procedurat(dhe kryesisht ato të pagesës) që duhet të ndjekin këtë shpallje janë zvarritur dhe kanë tejkaluar të gjitha afatet.

Zyrtarisht kompania e Taçit, “Vetro Energy”  e cila ka dalë fituese e tenderit nëpërmjet deklaratave të saj publike është shprehur se është duke negociuar me qeverinë në lidhje me detajet e privatizimit, duke pretenduar se në bilancet dhe në pronat e kompanisë “Albpetrol” ka patur probleme mes gjendjes faktike dhe gjendjes së ekspozuar në dokumentet e tenderit. Por këto pretendime të kompanisë nuk janë komentuar nga asnjë autoritet shtetëror në Shqipëri. Sakaq deputetë të caktuar të opozitës dhe një pjesë e vogël e medies ka ngritur dyshime në lidhje me aftësinë e Taçit për të paguar shifrën 850 milionë euro që e shpalli fitues të tenderit. Dyshimet janë përforcuar sidomos kur banka amerikane “American Chartered” (për të cilën komisioni i tenderit tha se ishte banka ku Taçi kishte depozituar garancinë e ofertës 85 milionë euro gjatë hyrjes në tender ) ka mohuar përfshirjen e saj në një transaksion të tillë. (shih DITA, dt. 8 janar 2013)

 Kush është miliarderi serb Knezeviç

Darko Knezeviç është një biznesmen me origjinë serbe, shtetas i Malit të Zi, ai është 53 vjeç.  Ai është themeluesi dhe drejtuesi i Bordit të “Atlas Group”. Për të kaluarën e tij nuk dihen shumë detaje, përveç faktit se ka nisur biznesin diku te 20 vite më parë, e në krye të dy dekadave biznesi i tij ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm.  Që prej krijimit të “Atlas Group” 20 vite më parë ai ka përhapur fushën e interesit ku operojnë kompanitë e grupit të tij. “Atlas Group” ka në pronësi më shumë se 30 kompani duke përfshirë, banka, financë, real-estate, ndërtim, fabrika birrash, turizëm dhe kompani mediatike.  Në vitin 2010 ai u bë pjesë i “Clinton Global Initiative”, një fondacion i krijuar nga ish-presidenti amerikan Bill Klinton. Në të njëjtin vit njëra prej bankave të tij që operon në Malin e Zi u shpall dhe si banka më e mirë e këtij shteti. Kompanitë e Knezeviç janë të përqëndruara në katër shtete. Në Serbi, në Malin e Zi, në Qipro dhe në Rusi. Madje në Rusi Knezeviç është shtetasi i parë serb që ka themeluar një bankë. Në portalin e “Atlas Group” të prezantuar për publikun, mund të kuptosh menjëherë se investimet dhe interesat e këtij grupi janë shumë të mëdha. Knezeviç është pronar i disa dhjetra resorteve në Malin e Zi, në disa prej të cilave në ortakëri me investitorë të fuqishëm rusë. Ai është tejet aktiv edhe në Serbi, atje ai ka të përqëndruara bankën e tij, kompani të sigurimeve dhe disa kompani të tjera të cilat rezultojnë me një aktivitet intensiv dhe shumë fitimprurës në disa sektorë të ekonomisë. Nga të dhënat që ofron “Atlas Group” nuk rezulton se ky grup i fuqishëm biznesi të ketë eksperiencë në fushën e hidrokarbureve, por ama “Atlas Group” rezulton një faktor shumë i rëndësishëm në sektorin bankar dhe sidomos atë të investimeve. Interesant janë dhe investimet e Knezeviç në Qipro. Ai ka atje dy kompani të regjistruara ndërsa njëra prej tyre ushtron  aktivitet në sektorin më “delikat” të këtij shteti, sektorin bankar, i cili është një sektor “offshore” , pra një sektor në të cilin depozituesit e lekëve në bankat e Qipros dhe pronarët e kompanive të regjistruara në këtë vend ruajnë anonimatin e tyre, në bazë të ligjeve të këtij shteti.

Së fundmi Knezeviç në ortakëri me një kompani të fuqishme arabe të quajtur “Capital Investments” ka nisur projektin për ndërtimin e qendrës më të madhe tregtare në Malin e Zi, një investim i llogaritur në 180 milionë euro.

Por si arriti të bëhej kaq i pasur Knezeviç? Kush e mbështeti atë? Nëse i referohesh disa artikujve të medies serbe dhe asaj malazeze në vite rezulton se Dushko Knezeviç ka patur një raport të veçantë dhe shumë të afërt me ish-Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.   Të dy janë dyshuar disa vite më parë si të implikuar në aferën e privatizimit të  “Telekomit” në Malin e Zi, ku gjatë hetimeve figuroi e përfshirë dhe njëra prej kompanive të Knezeviçit. Por grupi në pronësi të Knezeviçit hodhi poshtë çdo akuzë. Më pas emri i Knezeviç ka dalë sërish në skenë kur  vitin e kaluar u zbulua se Milo Gjukanoviç, ish-Presidenti i Malit të Zi, kishte shpenzuar 49 mijë euro gjatë një vizite 5 ditore në Dubai dhe fatura ishte paguar nga Knezeviç.  Në Malin e Zi ai njihet si “qytetari më i pasur i vendit” dhe shpesh disa medie e paralelizojnë atë me miliarderin tjetër serb Miroslav Mishkoviç, pronar i grupit “Delta Maxi” në Serbi.  Sipas disa raportimeve të medieve në rajon, Dushko Knezeviç ka bashkëpunuar ngushtë për disa vite me ish-ministrin serb të ekonomisë Mirko Cvetkoviç, ndërsa mendohet se është ky i fundit ai që i ka hapurr rrugën Knezeviçit për të shtrirë rrjetin e bizneseve të tij edhe në Serbi. Knezeviç nëpërmjet kompanive të tij ka një bashkëpunim të ngushtë në vite edhe me disa oligarkë rusë, duke punuar sëbashku  sidomos në investimin e resorteve turistike në Malin e Zi dhe në sektorin bankar në Rusi.

 

Rrjeti i “Atlas Group” dhe kompanitë në Serbi, Malin e Zi, Qipro e Rusi

 

SERBI
Aries Leather
Atlas Sistem
Belgrade Banking Academy
Centroprom
Hotel Majestic
National Art Galery
Rad Inox

MAL I ZI
Adriatic Fair
Atlas Center
Atlas Life
Atlas Bank
Atlas Mont Fund
Atlas Pension Fund
Aqua Monta
Cg Broker
Fin Invest
HTP Korali
Invest Bank Montenegro
Mediteranean University
Montenegro Express
RTV Atlas

QIPRO
Atlas Capital
ACFX

RUSI
ABM Bank

 

A ka lidhje ky takim me enigmën e parave të Albpetrolit?

 

Duket se cka u nis si një nga privatizimet më të bujshme, mund të rezultojë në një dështim të plotë. Pas dy muajsh bisedimesh, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat e mundshme kohore, blerja e Albpetrolit nga konsorciumi Vetro Energy me shumën maramendëse prej 850 milion eurosh ngjan të jetë e pamundur.

Konsorciumi Vetro energy i cili u shpall fitues për privatizimin e ndërmarrjes shtetërore të nxjerrjes së naftës Albpetrol, nuk ka plotësuar ende detyrimin fillestar për të depozituar 170 milion euro, ose 20 përqind të ofertës së saj, në formën e garancisë. Kontrata nuk është nënshkruar dhe ende nuk janë përcaktuar hapat e mëtejshëm që do të hidhen për këtë proces. Nga ana e konsorciumit Vetro Energy që kontrollohet nga bisnesmeni shqiptar Rezart Taci, nuk ka patur asnjë deklarim përfundimtar mbi situatën e krijuar.

Nënshkrimi i kontratës do të duhej të ishte realizuar brenda muajit tetor, por konsorciumi kërkoi një shtyrje të afatit deri në 3 dhjetor. Gjë e cila nuk solli asgjë te re. Vlera prej 20 përqind e kontratës që duhej depozituar si garanci nuk ndodhi as pas shtyrjes.

Nuk dihen sakte arsyet e kësaj situate të krijuar. Konsulenti ndërkombëtar Patton Bogs kishte deklaruar se aspekti financiar nuk do të ishte problem, dhe se madje edhe garancia prej 20 përqind do të bëhej në një kohë të shkurtër. Ndërsa vetë zoti Taci ishte shprehur se sapo të mbylleshin bisedimet dhe të nënshkruhej kontrata pagesa prej 850 milion eurosh do të bëhej menjëherë: “Pagesa do jetë një këst i vetëm”.

Ndërsa Berisha thotë vazhdimisht “ligji dhe vetëm ligji” sa herë përmendet ky privatizim, ligji është shkelur e stërshkelur, bashkë me afatet dhe çdo gjë tjetër. Ministria e Ekonomisë thotë se ka nisur procedurat për të marrë së paku garancinë prej 10 përqind. Kjo garanci u tha se është depozituar në një bankë amerikane. Kjo mohon. Qeveria cuditërisht toleroi edhe faktin se banka nuk ishte mes 50 më të mirave në botë sic kërkonin rregullat ose e thënë ndryshe sic kërkonte “ligji dhe vetëm ligji”.

Tashmë pritet të merret vendimi përfundimtar nëse Vetro Energy do të skualifikohet dhe më pas do të jetë qeveria që do të vendosë nëse do të vazhdojë bisedimet me firmën e kualifikuar e dyta apo do të anullojë të gjithë procedurën e tenderit. Duket se Berisha është i gatshëm të presë megjithë krizën e madhe dhe nevojën ulëritëse për para. Njësoj sikur ta ketë blerë vetë… Dhe lëvizja e fundit e Tacit që zbulohet nga një filmim i gjatë i hedhur në Youtube nga gazetarë malazezë, me gjasa është një përpjekje e re me “sugjerimin e partnerëve” – thonë mediat malazeze. Të shohim si do rezultojë ky “sugjerim” anonim.

 

Habjon Hasani January 28, 2013 16:57
Komento

3 Komente

  1. Horri i Bulevardit January 28, 17:29

    Nuk ka patur lidhje me Albpetrolin, por tani e mbrapa do kete, se miljarderi serb, do ti jape Berishes, parate per te paguar 20%, qe edhe mbas kater muajve akoma seshte paguar, megjithese i ka kaluar afati kater here, natyrisht Saliu nepermjet Rezartit, do ti jape premtimin se do tja kthjeje keto para, ne dhjetfish, kjo sepse Saliu tani per tani seshte ne gjendje, qe ti nxjerre parate e vjedhura ne fushe betejen e tij per blerjen e Albpetrolit, se do te zbuloheshte nga institucione financiare boterore.

    Reply to this comment
  2. b.kanani January 28, 17:53

    rezart taci djali adoptiv i berishes po punon shume per ta gllaberuar kete pasuri,te shikojm si do jet fundi.

    Reply to this comment
  3. guri April 19, 09:52

    Anika eshte kapoja,nuk eshte Rezarti…Anika (motra e Rezartit) eshte ajo që kontrollon cdo gje,Rezarti eshte vegla e punes (ose 10 perqindeshi)

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*