Takim me Melina Mërkurin

May 15, 2019 13:37

Takim me Melina Mërkurin

 MOIKOM ZEQO

“Oπου χαί νά ταξιδέψω ή Σλλάδα μέ πληγώνει.

J.Seferis

“Ngado që udhëtoj Greqia më hap plagë”

 

Libri i kujtimeve të Melina Mërkurit është vetë Ajo.

Një njeri i gjallë i shndërruar në një identitet, ku nuk ka largësi, as kontradiktë, midis origjinalit dhe sozies letrare.

Pra, dy identitete, që janë vetëm një!

Koha kalendarike e Melinës në libër është dendësuar si krijimi i diamanteve nën trysnitë e mëdha.

Ky libër nuk është një mit i shkruar, as një fantazi e shkëlqyer, as një trill i pabesueshëm, i guximshëm ose skajërisht fantazmagorik.

As një çudi e projektuar ose e paramenduar mjeshtërisht.

Ky libër është mbijetesa e veçantë e njeriut, indiferent ndaj klepsidrave dhe orëve, plakjes së pashmangshme, shkatërrimit dhe Harrimit.

 

Melina Mërkuri është Metafora e Greqisë.

 

Guxoj të shprehem: një metaforë femër, që nënkupton një amësi metaforash në shekuj, një vijimësi tronditëse dhe të begatshme, të pandalshme.

Melina rrëfehet.

Po ky rrëfim i hatashëm, intim dhe i çuditshëm nuk është institucioni religjioz, i shpërdoruar, i keqpërdorur, hipokrit, i parëndësishëm.

Është e Vërteta, që duhet ta njohin të gjithë!

Rrëfimi i Mërkurit është universal.

Është sinqeritet i plotfuqishëm, dëshmi e pakontestueshme.

Madje, është shumë më tepër: është histori!

Melina – një ngjizje e Safos dhe Anna Komnenës, me frazën e shkurtër dhe koncize të skenarëve hollivudian, ose të stilit antik, shkruan intimitetet e saj të paharruara, ankthin dhe protestën, dinjitetin dhe etjen kolosale për jetën.

 

“Kam lindur greke dhe do të vdes greke”, shpall ajo emblemën e saj.

 

“Ajo që dua më shumë në botë është Greqia!

Por ah, nuk mund ta shoh më detin, kodrat, Diellin dhe reflektimin e tij mbi kodrat e saj.

Nuk më lejohet të kthehem në Greqi.

Prandaj apo e shkruaj këtë libër”

 

– këto rreshta poetikë e binjakëzojnë Melinën me Odiseun Homerik, të cilit i qe penguar nga zemërimi i hyjnive kthimi në Itakë, (përveçse në fundin e një Aventure të Tmerrëshme, arketipi i së cilës ka ushqyer tërë letërsinë dhe kulturën botërore).

 

“Ç’ka muaji prill kundër Greqisë?” klith Melina.

Në prill të vitit 1967 gangsterët – kolonelët e zinj bënë grushtin e përgjakshëm të shtetit.

Melina Mërkuri në shembullin vetflijues, e ngriti zërin e saj.

U bë ndërgjegjja e Greqisë.

Dikush duhet ta kundërshtonte fatkeqësinë e llahtarëshme.

Një artiste i tejkaloi politikanët.

Një grua i sfidoi burrat.

Një ndarje jo natyrore rolesh: nga arti në politikë. Teatrofilia e shndërruar në sakrificë supreme.

“Jo rastësisht, shënon Melina, në 1967 u vra Martin Luter King”.

Politikanët e rregjur dhe të sofistikuar – më të budallallepsur nga ky sofistikim, nuk mund ta merrnin seriozisht një artiste dmth një flutur.

Po ja që kjo flutur me një skelet dinozauri, do të ngrihej mbi qiejt e Greqisë dhe të botës.

Erenitë e Mallkimit e ndoqën Melinën.

Po nuk e mposhtën.

Krimi donte të hakmerrej.

Melina kujton një episod, takimin me një plak, që mbartte një thes me eshtra e që thotë:

“Janë eshtrat e të parëve të mi.

Mbi këto eshtra do të ndërtojmë fshatin tonë të ri”.

Kuptimi zmadhohet: Greqinë e Re!

Geni i përshkrimit është i mrekullueshëm.

Takimi me Nikos Kazanxaqis është gati si një mit i shtuar i Kretës, me nuanca të qarta.

Fjala sikur bën skalitje fidiane.

Mjeshtërore.

Tërë libri është një ankth i luftës për dinjitetin e mohuar.

Tërë libri është një identifikim i shumëfishtë i Melinës me Greqinë dhe botën.

Melina nuk bën vetëm histori.

Ajo e analizon historinë.

Tragjedia e llahtarshme e partizanëve grekë, ndër më të flijuarit e Luftës së Dytë Botërore, karafili proverbial i Nikos Bellojanis, poezia e jashtëzakonshme e Ricos, gërshetohen me figurën burleske dhe anekdotike të mbretit, me ushtarakët delirantë të masakrës.

Duket se Greqia bëhet në kohërat moderne ashtu siç qe në lashtësinë e saj madhështore, një metaforë e thelbit të njerëzimit, me fatalitetin dhe shpresën e saj instiktive, me heroizmin shpirtëror, krizat e tmerrëshme, me ndërgjegjen e vagëlluar, që rifitohet përsëri me një shkëlqim të paparashikuar më parë.

Libri ka shumë muzikë.

Psalmet e vjetra bizantine konvertohen në muzikën popullore të buzukut, me vallen karakteristike të zembekut apo “kasapiko”.

Mbi të gjitha muzika “mashkullore” e Teodoraqis. Po jo shumë larg dhe muzika tipike e Manos Haxhidhaqis. “Djemtë e Pireut”, është një referencë e patjetërsueshme.

Po vallen e djemve e udhëheq tashmë një grua: Melina.

Miku im i vjetër, Mihal Kallo, më takoi para disa muajsh në rrugët e Tiranës. “Kam përkthyer librin e Melina Mërkurit” më tha.

U entuziazmova.

I tregova atij për takimin tim e Melina Mërkurin në prill të vitit 1991 në Athinë.

Kisha shkuar në Athinë, me cilësinë e Ministrit të Kulturës, për të marrë pjesë në Sesionin e 7-të UNESKO-s për rikthimin e Monumenteve të Kulturës në Vendet e Origjinës.

Në diskutimin tim citova apelin e Melinës për të rikthyer në Greqi monumentet, që sot janë të shpërndara në botë.

Këtij apeli i shtova edhe kërkesën, që të rikthehen edhe monumentet e grabitura të Shqipërisë.

Padyshim, që desha të takohem me Melina Mërkurin.

Për shkak të gjendjes së saj jo të mirë shëndetësore, më priti në apartamentin e saj.

Më priti e vetme.

S’pashë njeri tjetër.

Më takoi në paradhomën e madhe plot piktura, replika skulpturash antike dhe fotografi të saj.

Qe veshur me një fustan të bardhë.

Fytyra e saj e bukur qe e plakur.

S’kishte bërë tualet, lëkura e fytyrës m’u duk gati e gërryer, me një zbehtësi fantazme.

Në dorën e djathtë mbante cingaren e ndezur gati si një skeptër.

Në çast m’u kujtua se mbiemri i saj Mërkuri qe ekuivalenti latin për Hermesin, hyu mesazher i lartësive të epërme olimpike.

U ulëm përballë njëri tjetrit.

Në dorën e majtë e mbaja edhe unë cingaren e ndezur.

Biseduam në frëngjisht.

Më tepër për lashtësinë, muzikën dhe Niko Kazanzaqin.

E folura e saj qe plot kantilenë dhe alegori.

Ju shqiptarët, më tha befas, e njihni kulturën greke, kurse grekët e njohin shumë pak kulturën shqiptare.

Është e vërtetë, i thashë.

Gjithë popujt janë i njëjti njerëzim.

Tërë kulturat sinkronizohen.

S’mund t’i ndash dot.

Ashtu si qenien njerëzore.

Çdo njeri ka brenda potencialisht tërë njerëzimin.

Ky është thelbi i të jetuarit.

Dhe të të menduarit.

Kjo duket në art.

Arti është më i përjetshëm se politika.

Politika është kontradiktore, sfilitëse.

Do duhet shumë kohë që politika t’i ngjajë artit.

Mbase shekuj.

Që të dy i thithëm nga pesë cingare të mallkuara njëra pas tjetrës.

M’u kujtua një ngjarje me vesk anektodik.

Njëherë kur Melina ishte Ministre e Kulturës pati një debat me kryeministrin i cili uli kuotën financiare për kulturën në buxhet.

Melina u revoltua aq shumë sa rrëmbeu një tavëll që ishte në tryezë dhe ja hodhi Kryeministrit, i cili mënjanoi kokën për t’i shpëtuar goditjes.

Vërtetë një skandal.

Nuk di se sa e vërtetë qe kjo gjë.

Vërtetë nuk e di.

As mund ta pyesja Melinën për ta saktësuar.

Thelbi është kuptimplotë: për Melinën kultura e përfaqëson një komb më shumë se çdo gjë.

Dhe ti i pike shumë duhanin, më tha Melina.

Po s’mund të të këshilloj.

E di.

Duhani është bërë gati metabolizmi im.

E kuptoj.

Duhani sjell kancerin.

Besoj se është e vërtetë.

Të dy e pimë duhanin, megjithëse kanceri na përgjon i sigurtë.

Po.

Mbase jo.

Kushedi.

E ç’rëndësi ka kjo?

Vdekja vjen gjithmonë.

Po vjen gjithmonë.

Vdekja vonon, por nuk harron.

Punë e madhe.

Në djall Vdekja.

Le të ndezim një cingare me vdekjen kur të vijë.

Pastaj le të na marrë e të na çojë ku të dojë.

S’ka më rëndësi.

Jeta ka rëndësi.

Por cila jetë?

Të kuptosh Jetën është vetë Jeta.

Po si ta kuptosh?

Kisha me vete një aparat fotografik.

Por nuk guxova ta fotografoja Melinën.

Ajo rrinte para meje me fytyrën e rrënuar.

Pa grim.

Statujë arkeologjike, që i lëviz gjymtyrët, bën gjeste, flet, madje buzëqesh.

Unë isha për të i panjohuri.

Kam qenë para dy vjetësh në Shqipëri, tha ajo me zë gati misterioz.

Mund të vini prap.

S’e di.

Shqipëria është enigmë që po hapet.

Jemi kaq pranë.

Ashtu është.

Monumentet shpesh emigrojnë.

Si vetë njerëzit.

Ah. Ndihem e lodhur.

Si të mos ndjehesh? Të përballosh historinë.

Biseda ishte plot spontanitet.

Melina ishte skeptike; nuk besonte që monumentet do t’i ktheheshin Greqisë.

Ajo ishte pafundësisht e sinqertë.

Nuk isha i detyruar t’u lutesha Melinës për t’i parë sytë, siç kishte kërkuar vetë Ajo, kur kishte shkuar të takonte Greta Garbon, e cila, kur i hoqi syzet bëri që Melina të magjepsej krejtësisht nga bebëzat e Gretës legjendare.

Por dhe Melina ishte po aq legjendare.

Ndonëse e zhveshur nga kultet.

Mrekullisht e thjeshtë.

Vdekja e Melinës (kuptohet nga kanceri) u përjetua thellë.

Po ja, edhe përkthyesi Mihal Kallo vdiq papritur këtë pranverë, duke më trazuar dyfish kujtesën dhe mbresat.

Aksionin e përkthimit të tij unë e quaj një preokupim të shkëlqyer të miqësisë.

Një frymëzim.

Një ringjallje “post mortum”.

Vetë Melina shkruan, se në Korsikë në fshatin Ota, kishte qënë dëshmitare e një zakoni shekullor.

Banorët shkonin në breg të detit, shikonin me orë të tëra Diellin.

Dhe kur Dielli perëndonte duartrokisnin.

Ky rit i çuditshëm është i barasvlershëm edhe në çastin e mbarimit të leximit të Librit,(Jetes!) (Durrës, qershor 1995.)

 

May 15, 2019 13:37
Komento

5 Komente

  1. Gzim Kulufi May 15, 18:58

    O bo-bo! Tre kenge te degjosh nga Melina Merkuri dhe behesh revolucionar/e!

    Reply to this comment
  2. Rita May 15, 21:55

    Me kureshtje lexova kujtimet e M: Zeqos e prisja dicka me teper ne epilog .Ajo si nje artiste me fame ne vendin e saj si dhe politikane ( e PASOK –ut .) Ministre e Kultures nuk kishte kurrsesi te deklaronte se ne preardhjen e saj kishte gjak alvanite (shqiptare ) por ti mor Moikom nuk zbulove asgje ,nuk dite asgje per origjinen e Merkurit ???? Artistja e Hollivudit Irene Papas ka deklaruar prejardhjen e vendlindjen e te jatiti ( Elbasan )dhe per kete shkak ajo eshte lene ne hije nga shtypi ,autoritete e politika ..Moikom,, me shume rrefimi yt te len te kuptosh se me shume nostalgon per heronjte e majte se sa ate qe don te tregosh per Merlinen e ndjere “” H ellada me pligoni ” Greqia me plagos e .jo me hap plage sic e perktheni .

    Reply to this comment
  3. apollon May 16, 00:18

    Pa goje .Ministri I Shqiperise i paska bere jehone kerkeses se Greqise per monumentet,Elgin behet fjale … dhe qenka fanepsur nga “Grekja “ shoket e armeve te fatos nanos si zeneli dhe zeqo lehte turbullohen nga helenizmi.zeneli krahason nje cunak grek qe ngriti nje flamur grek me heronjte shqiptar por jo ai ishte heroi qe duhet te vleresonte luftetaret shqiptare dhe zeqo me nje lehtesi te oashpjegueshme paraqet veten shume shume nje helenophil provincial.sa zhgenjim

    Reply to this comment
  4. Aleksander Thana May 16, 01:05

    Melina ka qene shqiptare. Kjo eshte thene prej kohesh dhe aio asnjehere nuk e ka mohuar. Edhe mbiemrin “Merkuri”, pa “s”, e ka mbajtur te tille me fanatizem. Natyrisht, deklarimi I saj si greke, edhe per emrin dhe poziten qe ka patur, nuk ndryshon faktin. Keta Jane greket e pas 1821-shit.

    Reply to this comment
  5. e verteta May 16, 06:20

    O Rita!
    O Rite moj!
    A me te vertete te genjen mendja se je me e ditur se Moikom Zeqo dhe po pretendon ta korigjosh ate apo perkthimin e tij?!?!
    Nuk e luan topi qe perkthimi i sakte eshte qe “me hap plage”. Ka dhe variante te tjera si ” me shkakton plage”,” Me shkakton dhimbje” etj. Por kurresesi perkthimi qe i ben ti fjale per fjale. Varianti i perdorur nga Z. Moikom eshte numer 1 . Te keshilloj te mesosh nga njerezit qe kane nje jete te tere qe jane marre dhe vazhdojne te merren me shkrime dhe perkthime. Ti e shumta ke mesuar gjuhen greke duke punuar apo studjuar ne Greqi apo Shqiperi. Nuk ka shume rendesi. Rendesi ka qe ti nuk ke asnje njohuri mbi perkthimin ne vecanti, dhe ke mangesi te medha ne shumellojshmerine e te shprehurit ne gjuhen shqipe ne pergjithesi..
    Zbythu pak para kokave te kombit dhe mos merr kot, Mendohu mire para se te besh komente qe te ulin vlerat ty.
    Po te ve ne dukje qe vetem ne komentin tend prej 3 rreshtash une gjeta disa gabime, Desha te te injoroja komplet ( sic bej shpesh ) se nuk ja vlen barra te harxhosh kohen , perderisa njerezit nuk mesojne te vetekorigjohen. por ne rastin tend mendjemadhesia jote dhe fakti qe na bere te qeshim dhe te “qajme” njekohesisht, me shtyu qe te shkruaj dhe te konsideroj gabime edhe ato drejtshkrimore qe behen padashje kur perdor tastieren e kompjuterit. Sa per dijeni per keto lloj gabimesh ne gjuhen nderkombetare perdoret fjala “Typos” , me origjine nga gjuha angleze.(Hej! Gjej ndonje fjale te pershtatshme ne gjuhen shqipe , meqenese ke kaq shume pasion perkthimin).
    Dhe tani po rendis gabimet e tua:
    1. nuk kishte kurresesi te deklaronte..
    Pyetja ime : Cfare nuk kishte” Kurajon? Forcen ?
    Pra , sic e sheh ne fjali te mungon kundrina e drejte.
    2. Alvanite?
    Komenti im: Nuk ekziston kjo forme ne asnje fjalor te gjuhes shqipe.
    3…. nuk dite asgje…
    Cila forme foljore eshte forma “dite”
    Sqarimi im: Forma e Kohes se shkuar te foljes “di”, veta e dyte e numrit njejes eshte “dije” (une dije : ti dije: ai/ajo dinte.)
    Gabimi tjeter me i madh ketu eshte se nje njeriu te madh qe i ka dhene aq shume vendit te vet sic eshte Z. Moikom Zeqo duhet t’ i drejohemi ne veten e dyte numri shumes “dinit” qe ne kete rastin tone eshte forma e politeses ose respektit. (Ne dinim:Ju dinit: Ata/ Ato dinin.) A e ke degjuar ndonjehere kete forme ti , apo flet vetem ne dialekt ( si aty kur shkruan “dite”)?
    4. Cdo te thote “jatiti”?
    Kur pretendon se je e perkryer dhe kerkon te korigjosh te tjeret, nuk te lejohet asnje lloj gabimi.
    5. Cfare do te thuash me fjalen “autoritete”
    Mesoje mire kuptimin e kesaj fjale dhe perdore sic duhet dhe atje ku duhet.
    6. Po fjala “nostalgon” a eshte forme e gjuhes shqipe?!
    Hidhi nje sy flajorit Shqip – Greqisht dhe anasjelltas qe te marresh pergjigjen e sakte.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*