Takimi i brezave në Tërbaç

September 4, 2018 13:13

Takimi i brezave në Tërbaç

 

Bexhet Rrapo*

Gushti, në gjithë Labërinë dhe krahinën e lumit Vlorës është muaji që zhvillohen “Takimet e Brezave”. Në këtë kuadër dhe në Tërbaç u zhvillua ky takim i përvitshëm.

Fshati i Tërbaçit njihet nga më të hershmit në krahinën e Labërisë e Luginën e Mesaplikut të Vlorës. Ai është ngritur në pjerrësinë jugore të vargmalit të Lungares, rrëzë malit, në lartësinë 552 m mbi nivelin e detit. Mali i Çikës me lartësi 2050 m e kufizon atë me fshatrat e bregut. Emri i tij shfaqet për herë të parë në vitet 1350 dhe i përket fisit ilir, dega e Labjonëve. Paraardhësi i tyre është Gjin Kriqi, i cili përbën edhe familjen fshat-formuese, mbiemrin e trashëgon si kryqmbajtës në Kishë. Këto i vërtetojnë dhe gjetjet e shumta arkologjike, por dhe zbulimi i varrezave ilire në territorin e Tërbaçit në disa vendbanime.

Në këto troje ndoshta edhe nga karakteristikat natyrore janë rritur burra e gra me karakter të fortë e të besës. Ata vazhdimisht kanë luftuar në mbrojtje të territoreve të tyre si dhe atyre kombëtare. Në vitet 1700-1900, janë dalluar si prijësa e luftëtarë Miro Tërbaçia, Lulo Abazi, Labe Aliu, Shako Xhaka, Zenel Hodo, Dulo Koka, Gego Bobja etj. Këta luftëtarë individualisht dhe me çetat e tyre kanë bashkëpunuar me çetat e tjera të Labërisë, Mallakastrës, Himarës, etj. Nga Tërbaçi kanë marrë pjesë luftëtarë në shpalljen e pavarësisë më 1912 në mbështetje të Ismail Qemalit, në Revolucionin e qershorit 1924, në Luftën e Vlorës më 1920 me komandant çete, Selman Gjondedaj. Organizimi i luftës Nacional-çlirimtare ishte lufta më e gjatë e më shkatërimtare për Shqipërinë, në këtë luftë kanë marrë pjesë mbi 250 vetë ngaTërbaçi duke u rreshtuar përkrah Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional-Çlirimtar. Në vendin e quajtur Bramyshnjë të këtij fshati, në janar 1944 u krijua Brigada e Pestë Sulmuese, Heroinë e Popullit, një nga më të mëdhatë e më të lavdishmet e Luftës Nacional-çlirimtare. Në të gjitha luftërat për liri e pavarësi nga Tërbaçi kanë rënë për lirinë e atdheut 102 veta, nga të cilët 61 veta janë shpallur dëshmorë dhe 4 janë heronj të popullit, Halim Xhelo, Hysni Kapo, Haredin Bylyshi e Vehbi Hoxha.

Tërbaçi është nga të vetmit fshatra të Lumit Vlorës dhe Labërisë që mbas luftës Nacionalçlirimtare nuk cilësoi asnjë kundërshtar politik, pavarsisht qëndrimit indiferent të mbajtur në këtë luftë nga ndonjë. Kjo flet për një cilësi të trashëguar të unitetit, mirëkuptimit, bashkimit e besës, ata kurrë nuk e kanë dhënë njëri -tjetrin, por dhe për ndonjë gabim të ndonjërit e kanë gjykuar vetë si fshat. Shembuj të tillë ka shumë, por më guxues dhe besëdhënës, ka qënë  strehimi i 13 birbilejëve kundërshtarë të perandorisë turke, duke u përballur dhe me taborret e kësaj perandorie që i kërkonte. Apo mbrojtja që iu bë një burri nga Vranishti i cili ndiqej nga Bratajt për ta vrarë. Kur hyri në territorin e Tërbaçit, ata e mbrojtën, i dhanë besën, duke iu kundërvënëdhe bratajve. Një kontribut të madh në forcimin e këtij uniteti ka biri i lavdishëm i tij, Hysni Kapo.

Me përfundimin e luftës Nacional-çlirimtare, si gjithë Shqipëria dhe Tërbaçi fitoi lirinë e çmuar. Pushteti popullor i ardhur në fuqi për të përmirësuar jetesën, do të fillonte disa reforma që konsistonin: Luftën kundër analfabetizmit, reformën shëndetësore dhe atë ekonomike. Në ato ekonomike e para do të ishte ajo agrare më 1946. Tërbaçi i mbështeti këto reforma dhe iu përkushtua me punë për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë e kulturës. Kështu në vitin 1948 do të hapet shkolla e parë 7 vjeçare në krahinë me emrin e demokratit revulucionar Halim Xhelo. Më 1956 do të formohet kooperativa bujqësore ku u anëtarësuan të gjitha familjet tërbaçiote, kryetar i parë do të ishte, ish-partizani dhe kuadri i ushtrisë Sali Lusho. Në sajë të përkushtimit të anëtarëve të kësaj kooperative dhe mbështetjes nga shteti, u arritën rezultate të mira ekonomike e kulturore. Në vitin 1966 ata sigurojnë bukën në vend për herë të parë e më pastaj filluan dhe dorëzimin e tepricave në shtet. Kultura dhe arsimi patën zhvillime të mëdha, u përmirësua ndjeshëm kultura e jetesës. U hapën spitale e qëndra shëndetësore sa më afër banorëve. U ndërtuan 3 shkolla të reja fillore dhe një 8 vjeçare dy katëshe. U ndërtua një pallat kulture e muze historik krahinor po dy katësh. U ndërtuan disa kopshte e çerdhe. U hapën e ndërtuan rrugë lidhëse midis lagjeve. U ngrit një sistem i ri ujësjellës për ujë të pishëm. U përmirësua ndjeshëm sistemi vaditës me ndërtimin e një rezervuari dhe disa sisteme pompimi. Kjo bëri që të vaditesh mbi 90% e sipërfaqes tokës punueshme…etj. Këto investime kryesisht  në vitet 1980-1987 e përmirësuan ndjeshëm mirëqënien e krahasuar me atë para lufte dhe në vitet e para, pas saj.

Me kalimin e viteve, shoqëria dhe bota në përgjithësi zhvillohesh me ritme shumë më të shpejta. Kërkesat e popullatës të Shqipërisë e Tërbaçit rriteshin me këto ritme. Organizimi ekonomiko –shoqëror që kishin nuk po iu përgjigjej këtyre kërkesave. Në këto kushte dilte e nevojshme ndryshimi, pra  ndryshimi erdhi si domosdoshmëri e zhvillimit ekonomik me ritme më të larta.

Në vitet `90 u bë ndryshimi i sistemit ekonomiko-shoqëror, nga ai i centralizuar në sistemin pluralist demokratiko-kapitalist. Këto ndryshime Tërbaçi i mbështeti. Por ky ndryshim krahas të mirave që pruri, si ajo e levizjes së lirë që ishte e domosdoshme dhe bërja me pronë, boshatisi fshatin. Kjo çoi në largimin e njerëzve nga vendlindja, gjë që rrezikonte të harrohej vetë kjo e fundit dhe vlerat e saj historike, për të cilat folëm edhe më lart, si dhe të ndërpriteshin lidhjet me njëri-tjetrin kjo kryesisht dhe në saj të emigrimit. Ishin këto arsye, që një grup intelektualësh tërbaçiotë në vitet 1998-2000, krijuan Shoqatën A.K. Tërbaçi.Kryetari i parë i saj do të ishte intelektuali Gëzim Arshi Xhelili, kurse vendimi i parë i marrë do të ishte një takim i përvitshëm në Tërbaç, duke e pagëzuar me emrin “Takim brezash“, shumë kuptimplotë e përbashkues.

Për këto vlera përbashkuese të tërbaçiotëve, ky aktivitet, “Takimi i brezave”, po bën 20 vite që organizohet nga shoqata Tërbaçi. Që në takimet e para ky ishte mjaft mbresëlënës. Këtu në Tërbaç, vinin nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, takoheshin me bashkëfshatarë e të afërm, me të cilët kishin shumë vite pa u parë. Ne kushtet e emigrimit jashtë shtetit, ky takim ishte shumë më i domosdoshëm, për djemtë e vajzat e Tërbaçit, të cilët në vitet e para nuk kishin as dokumenta të rregullta për të ardhur pranë familjeve dhe jo më të takonin shumë miq e të afërm që jetonin si në Shqipëri por edhe jashtë, Greqi, Itali, Angli, Amerikë e deri në Zelandën e Re. Nga regjistrimi i fundit i vitit 2015, familje tërbaçiote janë të shpërndara në gjithë Shqipërinë ku jetojnë 2200 familje jashtë Tërbaçit, kurse në emigrim 780 familje. Tërbaçi vëndlindja ka rreth 120 familje.

Efekti i këtij takimi brezash është i gjithanshëm. Krahas ç’malljes me njëri-tjetrin, rëndësi merr edhe njohja apo vizitat në vendet historike, vendosja e buqetave me lule tek ata që kanë dhënë jetën për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë dhe Tërbaçit, kjo sidomos për më të vjetrit. Por ne punojmë që edhe të rinjtë, deri tek nxënësit e shkollave të njihen me këto vlera e kontribute për vendlindjen dhe historinë. Sa më shpesh që të takohen njerzit me këto vende historike e vlera kulturore, aq më shumë do t’u nguliten në kujtesën e tyre aktet dhe kontributet e këtyre dëshmorëve e luftëtarëve për liri e pavarësi. Njohja e brezit të ri me vlerat historike është një investim i madh për të ardhmen.

Si çdo vit edhe sivjet, ne morëm masat e nevojshme për ta organizuar sa më mirë këtë takim më 18 gusht. Ne nuk u mjaftuam vetëm me organizimin e ndonjë dreke me mish tërbaçi, aq të shijshëm, por zhvilluam edhe veprimtari të tjera brenda këtij formati, për ta bërë sa më të larmishëm e të pranueshëm për të gjithë pjesëmarrësit. Siç dihet në çdo festë nderi e respekti i parë do t’u takojë atyre që dhanë jetën për lirinë që gëzojmë ne sot dëshmorëve. Lapidari tyre është në vendin më dominues, historik e piktoresk, bregu i Bragjinit. Në ora 10.30 u drejtuan për të vendosur tufa me lule te dëshmorët, Kryetari Bashkisë së Himarës Gjergji Goro dhe N/Kryetari Simbol Pazaj e të tjerë banorë e familje dëshmorësh.

Mbas përfundimit të këtyre ceremonive do të organizohen edhe disa përshëndetje në emër të shoqatës dhe strukturave të tjera. U fol gjërsisht dhe për punën e bërë nga shoqata e grupi punës në hartimin e përfundimin e Historikut të Tërbaçit, për periudhën 1945 -2015. Në hartimin e këtij historiku u tha , morën pjesë mbi 100 veta nga bujku, blegtori , brigadieri e deri te kuadrot e lartë që kanë punuar në Tërbaç. Ky historik do të jetë një vlerë e shtuar për Tërbaçin. Më pas përshëndetën Izmir Kapo, kryetar i veteranëve, Ferik Bruhani Kryetar i shoqatës Tërbaçi dega Fier etj.

Një aktivitet i rëndësishëm në këtë takim Brezash ishte dhe dekorimi i aktivistit të shquar të shoqatës Tërbaçi intelektuali Kujtim Gjondeda. Atij me propozim të Shoqatës iu dha çertifikata “ Mirënjohje e Labërisë “ nga Shoqata mbarë kombëtare Labëria Nderi Kombit.Dorëzimi çertifikatës u bë nga Kryetari i bashkisë së Himarës Gjergji Goro, djalit të Kujtimit Alket Gjondedës, i cili në emër të familjes falenderoi Shoqatën Labëria dhe Tërbaçi. Gjergji Goro do të përshëndeste këtë takim duke premtuar dhe për ta ndihmuar Tërbaçin në infrastrukturë e sidomos në përshpejtimin e procedurave për privatizimin e vënien në punë sa më shpejt të ish-pallatit të kulturës.

E natyrisht momenti më i bukur ishte drekimi vëllazëror në vendlindje. Pjesëmarrja ishte më e mirë se vitet e tjera gjë që i dedikohet vlerësimit të vetë tërbaçiotëve, por edhe organizimit të mirë nga drejtuesit e shoqatës Vlorë, Tiranë e Fier. E veçanta e këtij viti ishte se u krijuan mundësi që të argëtoheshin dhe një natë më parë, të premten në darkë. Njerëzit u argëtuan deri afër mëngjesit.

Ky takim ka shumë të veçanta por unë do te veçoja:  Siri Petanin i moshës 88 vjeç, nga Petanajt të larguar nga Tërbaçi para 200-300 vitesh me banim në Vlorë, ai nuk i është shkëputur ndonjëherë këtij takimi. Po ashtu mund të themi dhe për Mevlan Balilin i cili sfidon dhe disa të tjerë në Tiranë që ngurojnë të vijnë në këtë takim, disa duke qënë dhe në forumin drejtues të shoqatës. Nga emigrantët për të përgëzuar është Barjam Xhaka që është i përvitshëm familjarisht. Si të veçantë do të cilësoja dhe pjesëmarrjen e ish-pilotit Florat Haskaj, i cili mbas disa vjet emigrim, kthehet në Shqipëri dhe lëvizjen e parë e ka me ardhjen në vendlindje .

*Kryetar i Shoqatës A.K. Tërbaçi

 

 

September 4, 2018 13:13
Komento

2 Komente

  1. Bragjinbisha September 4, 17:15

    Te pergezoj per shkrimin.Do doja vetem te ju sugjeroja qe persa i perket pjeses historike,fisi Labjam nuk ekziston dhe nuk ka ndonje deshmi per kete,si dhe te ngrinit ne shkrim problematika qe shqetsojne banoret e fshatit

    Reply to this comment
  2. Mali September 4, 18:05

    Do jeni krenare te shtoni ne historine e katundit te tërbuar edhe dekorat qe iu dhane jugosllavet, Dushan Mugosha e Miladin Popoviçi, per sherbimet kundrashqiptare.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*