Tango argjentinase në Tiranë

September 14, 2017 11:21

Tango argjentinase në Tiranë

Entela Resuli – DITA

“Një e mirë kulturore jomateriale”. Ky ka qenë motivacioni që ka dhënë UNESCO për futjen e Tangos argjentinase në trashëgiminë e njerëzimit në vitin 2009. Një aktivitet që ka në bosht pikërisht kërcimin e tangos do të vij në Tiranë në fund të shtatorit.

Kërcim, muzikë, poezi kulturë dhe histori do të jenë kryefjala e Tango Art, të organizuar nga Federata Shqiptare e Tangos Argjentinase.

Pjesëmarrësit janë në ditët e përgatitjes për këtë shfaqje që do të ndez kryeqytetin me kërcimin e dashurisë.

Sara Shahi, presidentja e Federatës na tregon se shumë për këtë se “Ky do të jetë Festivalin e Dytë Ndërkombëtar të Tangos argjentinase. I ftuar special do të jetë maestro i madh i tangos Roberto Herrera i shoqëruar nga balerinë të tjerë të rëndësishëm. 29, 30 shtator dhe 1 tetor do të jenë tre ditët e festivalit”.

Rikthimi i tangos argjentinase kërkon t’i mëshojë origjinalitetin të saj, por edhe të ftojë në Tiranë turistë që e duan këtë kulturë.

“Do kemi folk argjentinas. Kemi tre DJ të ndryshëm dhe dy çifte një ngas Italia, një nga Argjentina, kemi bërë një përzierje kulturash”, shprehet Sara Shahu, balerinë dhe presidente e Federatës.

DJ nga Turqia, Greqia dhe Italia, përgjatë festivalit, do të shërbejnë edhe si urë lidhëse ndërmjet këtyre vendeve dhe Shqipërisë për të sjellë më pranë tangos kryesisht të rinjtë.

Jeta si një… tango

Sara Shahu ka patur një marrëdhënie të veçantë me kërcimin. Ndryshe nga bashkëmoshataret e saj që vrapojnë klubeve për të kërcyer këngët më të fundit dhe ritmet dance, ajo është orientuar në tjetër drejtim. Ka dashur të kërcej me hapa të fort, të sigurt dhe me disiplinë. Sara dhe tango janë bashkë për më shumë se tre vite.

“Me tango kam filluar të merrem përpara 3 vitesh, kur isha 16 vjeç. Nisi si një pasion, që më ishte ngulitur qysh nga fëmijëria, ndoshta nga filmat e vjetër që shihja. Tango është kërcim pasionant, sensual, fal dashuri dhe urrejtje në të njëjtën kohë. Brenda saj është lufta dhe paqe. Mua shpesh më duket sikur gjithë jeta e njeriut luhet në një tango”- tregon Sara për Dita-n.

Nuk e kishte menduar asnjëherë që pas hapave të parë drejt tangos do të ishte presidentja e një federatë që do të kërkonte shpërndarjen e kulturës së këtij kërcimi.

“Në fillim doja të isha thjesht një balerinë që kërcente këtë zhaner jo shumë masiv në vendin tonë. Ndoshta doja të isha e veçantë nga të tjerat…, por me kalimin e kohës fillova të kuptoj që nuk ishte vetëm pasion, por mu kthye në mënyrë jetesë. U bë pjesë e së përditshmes sime. Fillova të jetoja me lëvizjet e këtij kërcimi. Shkoja në klasë, në mësim, dhe hyja duke bërë hapat e tangos. Në shtëpi, kur nuk kisha gjumë, në orët e vona të darkës, filloja të stërvitesha vetë. Ishte një pasion shumë i madh brenda meje”- shprehet 19-vjeçarja.

Gjatë këtyre kohëve e ka patur shumë të vështirë të gjente të ngjashmit e saj. Ata që donin të ndanin të njëjtin pasion me të.

“Është një kërcim që kërkon disiplinë. Ka rregulla. Ka seriozitet. Ka ndjenjë. Te rrethi shoqërorë fillova të bëhesha edhe e bezdisur, aq sa filluam të më thoshin “stop tani!”.

Por ajo nuk u dorëzua. Ambicia e saj është të marri pjesë në festivale të ndryshme botërore jashtë vendit duke përfaqësuar Shqipërinë. Ushtrohet intensivisht në tango, gjithashtu ka edhe rolin e instruktores në kurset që federata organizon.

Këtë dashuri të madhe që kisha për tangon Sara nuk donte ta mbante vetëm për vete. Ajo dëshironte t’i tregonte të gjithëve se sa e bukur është tango dhe sa kënaqësi të fal kërcimin i saj. Ndaj së bashku më të ëmën, themeluam Federatën e Tangos. Qëllimi ishte t’i jepni mundësi të tjerëve, për ta praktikuar këtë kërcim, por pse jo edhe për ta sjell këtë kulturë e cila mesa, në vitet ‘70 ka qenë shumë e përhapur në vendin tonë.

Këto ditë po i jeton me ethet e organizimit të festivalit. Për tre ditë Tirana do të kthehet në qytetin e tangos duke ndjerë hapat e fort të këtij kërcimi.

UNESCO

Tango argjentinase në trashëgiminë e njerëzimit

Në vitin 2009 Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO) mori vendimin për futjen e Tangos argjentinase në trashëgiminë e njerëzimit, gjatë një takimi mes 400 ekspertëve të mbledhur në Abu Dhabi, të çilet kishin për detyrë caktimin e një listë të arteve dhe traditave që duhen ruajtur.

I etiketuar si kërcim i joshjes, tango personifikon si diversitetin kulturor, ashtu edhe dialogun.

Muzika dhe kërcimi janë rezultat i një miksimi të ritmeve dhe melodive me një komponent të fortë nostalgjik dhe sentimental ku instrumenti karakteristik është Bandoneon.

 

 

September 14, 2017 11:21
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*