Tani s’ka më fillime të reja…

Arben Duka October 27, 2015 13:16

Tani s’ka më fillime të reja…

Ka pasur dhe ditë që ndritën nga hareja,
ditë që me pikëllim i kujtojmë,
tani s’ka më fillime të reja,
disa vdesin-por të tjerë vazhdojnë!

Tani ka vetëm burra të mërzitur,
që kthejnë kokën nga rrugët ku kanë shkuar,
po koha e trishtimit nuk erdhi papritur,
shënja pa fund na kanë lajmëruar!

Tani fundi i fundit po vjen për çdo gjë,
pa zhurmë e bujë mbyllen llogaritë,
kitara e shpirtit s’nxjerr më asnjë zë,
një rutinë vrastare tani është çdo ditë!

Zjarri i jetës po djeg dhe drurët e fundit,
në anë të vatrës s’ka më dru të tjera,
njeriu i krrusur prej lodhjes e mundit,
kupton hatanë që lë pas pranvera!

Nuk ka më për të, ditë me yrysh,
në këtë stinë dimri të acartë,
me mijëra nga ne tash janë në finish,
e mijëra të tjerë janë ende në start!

Nuk ka pas finishit fillime të reja,
neve ikim-por të tjerë vazhdojnë,
ndaj nuk mbaron asnjëherë beteja,
e jetës së pasosur që jetojmë!

Kur shkon dikush-ti mendon në heshtje,
dhe ndihesh mirë që s’isht ti ai,
po vdekja pa mëshirë na mbyt me rreshje,
dhe kthehet edhe kthehet përsëri!

Po njeriu kurrë nuk e ndal përpjekjen,
don t’i vidhet gjithnjë asaj ore,
ndaj gjer më sot e ka mundur vdekjen,
e gjithë jeta. Jeta njerëzore!

Rilindja është vërtet’ një mrekulli,
një mrekulli e jetës njerëzore,
vërtetë vdekja kthehet përsëri,
por prapë jeta është triumfatore!

Unë jam një natyrë entuziaste,
dhe pse sot shkruaj vargje pikëllimi,
dhe pse jetoj fiks në këto çaste,
ditë të ftohta dhe të zeza dimri!

Para syve jetën shoh të shëmbur,
shoh si ka sosur gjithë epopeja,
veç për një gjë vdekja më ka trëmbur,
se s’ka mbrapa saj fillime të reja!

Kjo bie ndesh me të gjithë besimin,
dhe Zotin që shpesh nuk e kuptojmë,
po unë e shoh në ecje njerëzimin,
se ikin shumë-po dhe më shumë vazhdojnë!

23 Tetor 2015.

Arben Duka October 27, 2015 13:16
Komento

1 Koment

  1. era October 27, 21:21

    vetem re, nje shenje drite si nje fije qerpiku aty ku qielli dhe toka bashkohen…….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*