TAP, marrëveshja finalizohet formalisht

Edlira Shehu April 6, 2013 13:44

TAP, marrëveshja finalizohet formalisht

Qeveria shqiptare dhe TAP formalizuan dje marrëveshjen e këtij projekti. Kështu Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Projekti i Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) nënshkruan Marrëveshjen me Qeverinë e Vendit Pritës (MQP) duke rënë formalisht dakord mbi termat e angazhimit për të ardhmen e tubacionit të Korridorit Jugor të Gazit. Marrëveshja me Qeverinë e Vendit Pritës përcakton rregullat sipas të cilave projekti do të realizohet dhe do të operojë në territorin shqiptar. Kjo përfshin procese të blerjes dhe servitutit të tokës, zbatimin e standardeve teknike, të sigurisë për komunitetin si dhe rregulloret për lejet. Kjetil Tungland, drejtori menaxhues i TAP, u shpreh pas nënshkrimit të marrëveshjes se “vendoset një tjetër gur i rëndësishëm themeli për Projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik, duke treguar edhe njëherë gatishmërinë tonë për të përmbushur afatet kohore të Konsorciumit të Shah Deniz-it”. Sipas tij ky projekt është një nga burimet më të mëdha të investimeve të huaja në Shqipëri dhe kjo pritet të sjellë një sërë përfitimesh të drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta, përfshirë investime domethënëse në vend dhe hapjen e vendeve të punës. TAP-i do të përforcojë sigurinë dhe diversitetin e energjisë në Evropë duke siguruar një burim të ri gazi. Gazsjellësi do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz II në Azerbajxhan, përmes Greqisë dhe Shqipërisë, për në Itali, prej ku mund të transportohet më tej për në Evropën Perëndimore. Pjesa e Shqipërisë ku do të shtrihet tubacioni TAP do të fillojë në Bilisht Qendër në rajonin e Korçës në kufirin Shqiptaro-Grek dhe do të shtrihet për rreth 209 km deri në zonën bregdetare në veri të Fierit ku do të futet në Detin Adriatik. Pjesa detare shqiptare do të jetë 60 km e gjatë.

Cfarë është projekti TAP?

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në tregjet më tërheqëse të Evropës. Gazsjellësi do të ndërlidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në afërsi të kufirit Turko-Grek, do të përshkojë Greqinë dhe Shqipërinë, si dhe Detin Adriatik duke dalë përsëri në tokë në jug të Italisë. Kursi i përzgjedhur nga TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë, etj. Dalja e TAP-it në Itali, tregu i tretë për nga madhësia në Evropë, siguron mundësi të mëtejshme për transportimin e gazit natyror nga rajoni Kaspik për në disa nga tregjet më të mëdha evropiane si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Austria.  Duke qenë i projektuar për të zgjeruar kapacitetin e transportimit nga 10 në 20 bcm në vit, TAP-i do të hapë të ashtuquajturin Korridor Jugor të Gazit, i cili do të përforcojë sigurinë e energjisë së Evropës duke dhënë kontribut për diversifikimin e furnizimit me gaz në rajon. Aksionerët e TAP-it janë Axpo i Zvicrës (42.5%), Statoil i Norvegjisë (42.5%) dhe E.ON Ruhrgas i Gjermanisë (15%).

Edlira Shehu April 6, 2013 13:44
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*