Tarifa: Darka me “mafien”, kur Shqipëria po hynte në NATO

November 2, 2019 13:46

Tarifa: Darka me “mafien”, kur Shqipëria po hynte në NATO

Prof. Fatos Tarifa

Pjesa IV

Siç kam vënë në dukje më sipër, Shtëpia e Bardhë, përmes “Memorandumit” të hartuar nga Bruce Jackson”, ishte vënë në dijeni të përpjekjeve për të nisur një proces “Adriatic 3” qysh në nëntor të vitit 2002. Ambasadori Daniel Fried, Kurt Volker dhe Lisa Tepper merrnin pjesë në darkën që unë shtrova në ambasadën e Shqipërisë më 10 janar 2003, si përfaqësues të Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe sillnin me vete mesazhin e Shtëpisë së Bardhë në nivelin më të lartë të përfaqësimit të saj në marrëdhëniet me vendet e rajonit tone në përkrahje të idesë së një “Karte të Adriatikut”.

Kur të gjithë të ftuarit ishin mbledhur në fuajenë e ambasadës, në katin e dytë të saj, pa filluar darka, i falënderova miqtë dhe i kërkova ambasadorit Fried, si zyrtari me pozitën më të lartë mes miqve të ftuar, që të mbante fjalën e rastit. Dan Fried kishte qenë arkitekti i vizionit që shprehu Presidenti George W. Bush në fjalimin e tij historik në Varshavë, në qershor 2001, mbi krijimin e një Europe të bashkuar dhe të lirë (“a Europe whole and free”), nga Balltiku në Detin e Zi.

Një burrë trupvogël, i imët, por mjaft i mprehtë, miqësor dhe i drejtpërdrejtë, Dan Fried e nisi fjalën e tij duke thënë se sillte atë mbrëmje mesazhis i Presidentit Bush për këtë nismë të re të tre vendeve tanë, të cilën ai konsideronte “shumë pozitive”. Kjo nismë, u shpreh Fried, “është hapi i parë më dramatik drejt integrimit të Shqipërisë, të Kroacisë dhe të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Europian pasi, këtej e tutje, nuk do të flitet më për kriza politike ose etnike, por për rritjen dhe konsolidimin e vendeve tuaj si shtete demokratikë”. Një nismë e Adriatikut, u shpreh Fried, do të përbënte “të parin projekt të madh të periudhës së pas-luftës në Ballkan” (ai nuk përmendi Paktin e Stabilitetit).

Fried vijoi më tej duke shtuar se nisma e tre vendeve tanë vinte “në kohën e duhur” dhe u përgjigjej “realiteteve dhe imperativave të reja të krijuara para dhe pas vendimit historik që u mor në Pragë”. Kjo nismë sillte “një mesazh shumë pozitiv në Uashington” për qeveritë e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, pasi, siç u shpreh ai, “ne duam të shohim―dhe na vjen mirë që shohim―që qeveritë tuaja, duke pasur objektiva të përbashkët, siç është edhe integrimi në institucionet Euroatlantike, bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën”.

“Ne ju përgëzojmë dhe ju inkurajojmë që ta ndërmerrni këtë nismë dhe ta çoni atë deri në fund”, tha Fried, duke shtuar se “Presidenti Bush e ka bërë të qartë mbështetjen tonë për vendet tuaj me vizionin që ka shprehur për të ardhmen e Europës. Ne ju sigurojmë se Amerika është me ju”. Dan Fried vuri në dukje se, krahas përpjekjeve të vazhdueshme që po bëheshin dhe do vazhdonin të bëheshin në Tiranë, në Zagreb dhe në Shkup, ku edhe “merrte përmbajtjen dhe përmasat e saj të vërteta lëvizja Adriatic 3”, në Uashington, aktorët kryesorë në lojë do të ishin tre: Administrata amerikane (me agjencitë e ndryshme të saj: Departamentin e Shtetit, Këshillin e Sigurimit Kombëtar dhe Departamentin e Mbrojtjes), (2) sektori jo-qeveritar (kryesisht “U.S. Committee on NATO”) dhe (3) ambasadat e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në atë qytet.

Në mbyllje të fjalës së tij, Dan Fried pohoi se njerëzit e ftuar për darkë atë mbrëmje ishin “një grup avangard” dhe “ndër njerëzit më të njohur e më kompetentë në Uashington”, që do të ndihmonin procesin dhe bashkëpunimin që po niste mes tre vendeve tanë dhe Shteteve të Bashkuara. Ai u shpreh, gjithashtu, se “me njerëz si Bruce Jackson, Paige Reefe, Julie Finley dhe Randy Scheunemann, të cilët janë ‘Mafia politike’ e Uashingtonit, ju jeni në duar të sigurta për të garantuar sukesin tuaj. Askush tjetër në Uashington nuk ka më shumë përvojë dhe lidhje sesa ata”.

 

Tre vende bashkë sa tre herë fuqia e një vendi të veçantë

Darka që shtrova në ambasadën e Shqipërisë atë mbrëmje ishte në vetvete diçka vërtet shumë e bukur. Në atë ambasadë ishin shtruar edhe më parë darka pune dhe ishin dhënë shumë pritje që i pëlqenin dhe i kishin zili thuajse të gjitha ambasadat e vendeve të rajonit tonë dhe të gjithë ata që ftoheshin të merrnin pjesë në to, shqiptarë dhe të huaj. Por ajo darkë ishte krejt e veçantë. Ajo mund të ishte shtruar fare mirë edhe nga ambasadori kroat, ose nga ai maqedonas, por ja që ishim ne të parët, diplomatët shqiptarët, që propozuam organizimin e një darke të tillë, në të cilën mori jetë “nisma e Adriatikut”.

Duke çelur darkën, unë vura në dukje se kryetarët e shteteve dhe qeveritë e tre vendeve tanë kishin nisur të bashkëpunonin ngushtë me njëra-tjetrën për të përshpejtuar integrimin e tyre në NATO dhe në BE. Ky bashkëpunim u intensifikua dhe u forcua veçanësisht pas Samitit të Pragës. Përmenda, ndër të tjera, takimin e presidentëve Moisiu dhe Trajkovski në Ohër dhe në Pogradec pak kohë më parë, ftesën e Presidentit Moisiu për homologët e tij Mesiç dhe Trajkovski për t’u takuar në Tiranë një muaj më vonë, më 12 shkurt të atij viti, takimin e Ministrit të Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, me Ministren e Jashtme maqedonase, Ilinka Mitreva, në Tiranë një ditë më parë, si dhe dokumentin “non paper” që ministri Meta i dorëzoi Mitrevës (dhe ambasadorit kroat në Tiranë një ditë më vonë), me të cilin i ftonte homologët e tij dhe qeveritë e Kroacisë e të Maqedonisë për të bashkëpunuar ngushtë, si dhe takimin e Ministrit të Jashtëm kroat, Tonino Picula, me ministren Mitreva në Shkup po atë ditë.

Në fjalën time theksova, gjithashtu, se unë dhe kolegët e mi ambasadorë të Kroacisë dhe Maqedonisë e kishim për nder që përçonim në Uashington këtë frymë të ngushtë bashkëpunimi mes kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve tanë dhe se, ashtu si presidentët dhe qeveritë e vendeve që ne përfaqësonim, ishim të vendosur të bashkëpunonim me Administratën amerikane dhe me përfaqësuesit e organizatave të ftuar në atë darkë si një ekip, i cili synon arritjen e një qëllimi të përbashkët. Duke shprehur dëshirën që ajo mbrëmje në ambasadën e Shqipërisë në Uashington të shërbente si një diskutim “brainstorming” mes miqsh dhe kolegësh që ndajnë të njëjtin vizion për të ardhmen e NATO-s dhe të tre vendeve tanë, theksova se, pavarësisht faktit që ende nuk ekzistonte një “Adriatic Charter”, siç kish qenë pak vite më parë “Baltic Charter”, ekzistonte tashmë një grup “Adriatic 3”, i përbërë nga Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia. Ndër të tjera, vura në dukje vullnetin e qeverive të tre vendeve tanë dhe të ambasadave të tyre në Uashington për të forcuar bashkëpunimin institucional mes tyre dhe bashkëpunimin tonë kolektiv me administratën dhe me Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Theksova, gjithashtu, se një “Kartë e Adriatikut”, e modeluar sipas “Kartës së Balltikut” të vitit 1998, do të shërbente efektivisht për realizimin e qëllimeve tona të përbashkëta.

Më tej vura në dukje se në idenë e një “Karte të Adriatikut”, tre vendet tanë gjenin jo vetëm motivimin, por edhe energjinë e duhur për të bashkëpunuar për zgjidhjen e një vargu çështjesh rajonale, të cilat ndikojnë mbi çdo vend të veçantë. Vura në dukje, ndër të tjera, se popullsitë e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë përbëjnë, së bashku, mbi 10 milionë europianë. Ky fakt përbën një provë të fuqishme mbi potencialet e çdonjërit prej vendeve tona dhe të rajonit të Ballkanit në tërësi, si edhe mbi kontributin që mund t’i japim ne―më vete dhe bashkërisht―qytetërimit të sotëm europian dhe atij botëror. Duke theksuar se synimet tona ishin të qarta dhe se ne ishim bashkërisht të vendosur për t’i realizuar ato, pohova se kjo ishte koha e duhur për të nisur iniciativën “Adriatic 3”. Në përfundim, vura në dukje se eksperienca e vendeve tre balltike, por jo vetëm ajo, na mësonte se fuqia e tre vendeve bashkë është më e madhe se tre herë fuqia e një vendi të veçantë.

 

“Adriatic 3” – një vizioni i ri

Bruce Jackson, “kryetari i Mafias” së Uashingtonit, siç e kish quajtur atë gjatë pritjes këshilltari i Presidentit Bush, Dan Fried, e nisi fjalën e tij duke i siguruar të pranishmit se ideja e një “Karte të Adriatikut” kishte gjetur përkrahje të plotë në Shtëpinë e Bardhë dhe se Condoleezza Rice, në mënyrë të veçantë, e inkurajonte atë nismë. Dr. Rice ishte shprehur: “Go for it!” (Bëjeni atë!). Jackson parashtroi shkurtimisht idetë që ai vetë kishte shtjelluar në dy dokumente të kohëve të fundit: në një dokument të përgatitur për Shtëpinë e Bardhë dhe për Departamentin e Shtetit, që titullohej “Kufijtë e lirisë: Ide paraprake mbi fazën e tretë të  transformimit demokratik në Europë”, si dhe në “memorandumin”, në të cilin ai kishte shtjelluar idenë e një “Adriatic Charter”, dhe të cilin, siç kam vënë në dukje më sipër, ia kishte dorëzuar Këshilltares për Çështjet e Sigurimit Kombëtar të Presidentit Bush, Dr. Rice, ambasadorit Fried dhe Nënsekretarit të Shtetit për çështjet politike, Marc Grossman, më 11 nëntor 2002, dhjetë ditë para se të mbahej Samiti i NATO-s në Pragë.

Pas prezantimit të z. Jackson, diskutimet u përqendruan kryesisht në çështje të tilla, si koncepti i bashkëpunimit ndërmjet 3 vendeve të Ballkanit Perëndimor (A3: Shqipëri, Kroaci, Maqedoni), përmbajtja e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes këtyre tre vendeve dhe Shteteve të Bashkuara (A3+1) në formën e një “Adriatic Charter”, procesi i diskutimit, hartimit, miratimit dhe nënshkrimit të “Kartës së Adriatikut”, koha më e përshtatshme dhe realisht e mundur për nënshkrimin e saj në Uashington, niveli në të cilën do të duhej të nënshkruhej një dokument i tillë (kryetar shteti, kryetar qeverie apo ministër i jashtëm) etj.

Gjatë diskutimeve u vu në dukje se, në Uashington, bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë vlerësohej mjaft i rëndësishëm për forcimin e sigurisë, të stabilitetit e të paqes në rajon, si dhe për integrimin e këtyre vendeve në NATO dhe në BE. Ky bashkëpunim kërkohej të ishte konkret dhe në fusha me rëndësi strategjike, të kishte objektiva të qartë dhe të pranuar nga të tre vendet, si dhe afate kohore për realizimin e tyre. Bisedimet e para pak kohëve mes Presidentit Moisiu dhe Presidentit Trajkovski, takimi i ardhshëm i tre kryetarëve të shteteve në Tiranë, më 12 shkurt të atij viti, dhe dokumenti “non paper” që ministri Meta u kishte propozuar homologëve të tij maqedonas dhe kroat u vlerësuan shumë pozivisht.

Më tej u ra dakord që një dokument në formën e një “Adriatic Charter”, i cili eventualisht do të nënshkruhej nga zyrtarë të lartë të të njëjtit nivel për Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë dhe Shtetet e Baskuara, do të ishte një obligim për tre qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, nënshkruese të tij, të cilat do të duhej angazhoheshin për të përmbushur një sërë objektivash që synonin reformimin e shoqërive të tona dhe çuarjen më tej të përgatitjeve për anëtarësimin tonë në NATO, ndërkohë që qeveria amerikane do të garantonte asistencën e nevojshme dhe do të vlerësonte progresin e bërë. Kjo do të duhej të ishte, në thelb, përmbajtja e “Kartës së Adriatikut”.

Ne të gjithë e dinim se Administrata e Uashingtonit nuk i pëlqente takimet dhe mbledhjet e shumta, retorikën e tyre, deklaratat dhe komunikatat; ajo vlerësonte më shumë bëmat dhe rezultatet konkrete. Për këtë arsye, u sugjerua që, në kuadër të përgatitjeve për një “Kartë të Adriatikut”, çdonjëra nga qeveritë e tre vendeve tanë të hartonte një listë të problemeve (korrupsioni, shkalla e krimit të organizuar, trafiku i drogës dhe i personave, reforma në fushën e drejtësisë etj.), me të cilët ato do të duhej të merreshin seriozisht, si dhe të konfirmonte arritjet e deriatëhershme në këto drejtime dhe në fusha të tjera. Në atë darkë nismëtare, thelbi dhe rëndësia e “Kartës së Adriatikut” u konceptuan si një instrument që do të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve dhe në forcimin e institucioneve demokratike në të tre vendet tanë. Siç u shpreh atë mbërmje Janet Bogue, Zëvendësndihmësja e Sekretarit të Shtetit Colin Powell, një dokument si “Karta e Adriatikut” duhej të kishte dy tipare kryesore: të ishte i orientuar nga veprimi e jo nga fjalët, dhe të ishte i pasur në përmbajtje.

 

Pse ky emër, “Karta e Adriatikut”?

Përsa i përket emërtimit “Adriatic Charter” të dokumentit që propozohej të hartohej dhe të nënshkruhej mes Tiranës, Zagrebit, Shkupit dhe Uashingtonit, deri atëherë ai ishte ende një emërtim pune. Në atë kohë atë e kundërshtonte vetëm pala maqedonase, me argumentin se Maqedonia nuk ka dalje në Adriatik. Sidoqoftë, pothuajse të gjithë të ftuarit në darkë u shprehën se ky emër ishte më i përshtatshmi, për disa arsye:

Së pari, në marrëdhëniet ndërkombëtare historikisht ka qenë dhe është diçka e zakonshme që traktatet ose marrëveshjet mes vendeve, kur ato kanë karakter rajonal, të emërtohen pas deteve: (p.sh. North Atlantic Treaty Organization, Mediterranean Treaty, Baltic Charter), pra, pse jo, edhe Adriatic Charter.

Së dyti, pavarësisht proksimitetit gjeografik apo ngjashmërive të tjera që mund të kenë mes tyre, si shtete dhe si shoqëri, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, gjeografikisht, historikisht dhe kulturalisht nuk ka asgjë tjetër të përbashkët mes këtyre tre vendeve që mund të karakterizonte më saktë, nga pikëpamja nominale, një marrëveshje të tyre. Në tryezë u hodh, ndër të tjera, një propozim maqedonas për ta quajtur atë “Ohrid Charter” (Karta e Ohrit), por mua m’u desh ta kundërshtoj atë si një propozim pa vend dhe i papranueshëm pasi, së pari, Kroacia nuk ka asnjë lidhje me Liqenin e Ohrit dhe, së dyti, sepse ne shqiptarët, të njëjtin liqen, e quajmë “Liqeni i Pogradecit”. Po kështu, vura në dukje se një “Kartë e Ohrit” do të krijonte keqkuptim dhe do të ngatërrohej nga shumëkush me “Marrëveshjen e Ohrit” të gushtit 2001.

Së treti, për ligjvënësit amerikanë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, ku do të duhej që ideja e “Kartës së Adriatikut” të popullarizohej dhe të pranohej deri në ftesën që do të merrnin vendet tanë për anëtarësim në NATO, kishte rëndësi që emri i kësaj marrëveshjeje të tregonte diçka të njohur për ta, siç është fjala “Adriatik”, të cilën të gjithë e njohin si një emër deti, ndërsa Ohri ishte thuajse i panjohur për pjesën më të madhe të tyre.

Së fundmi, ideja mbi “Kartën e Adriatikut” u ishte prezantuar ndërkohë personaliteteve më të lartë në Shtëpinë e Bardhë (Dick Cheney, Condoleezza Rice, Danniel Fried, etj), në Departamentin e Shtetit (Richard Armitage, Marc Grossman, Elizabeth Jones, Janet Bogue), në Departamentin e Mbrojtjes (Paul Woolfowitz), në NATO (Lordi George Robertson, ambasadori Nicholas Burns i Shteteve të Bashkuara etj), dhe do të ishte e vështirë tashmë t’ua propozoje këtë nismë këtyre personaliteteve nën një emër tjetër.

 

Koha dhe kalendari / Ku dhe kush?

Përsa i përket procesit të realizimit të një partneriteti të tillë mes vendeve tanë ballkanikë dhe Shteteve të Bashkuara, u propozua që ai të materializohej politikisht, diplomatikisht dhe juridikisht si një marrëveshje e veçantë mes vendeve A3 dhe SHBA-së, në formën e një “Adriatic Charter”, nëse dokumenti që do të formulohej e miratohej do të quhej me këtë emër, të propozuar nga Bruce Jackson. Dy arsye kryesore e bënin urgjente nisjen e këtij procesi pa humbur kohë. Së pari, shtyrja e tij për gjashtëmujorin e dytë të atij viti, ose qoftë edhe për tremujorin e dytë, do të ishte humbje kohe, humbje e momentumit të krijuar pas Pragës dhe do ta vështirësonte përfundimin e përgatitjeve të tre vendeve tanë për ftesën që eventualisht mund të merrnim për anëtarësim në NATO në samitin e saj më 2006. Së dyti, situata e komplikuar ndërkombëtare (veçanërisht momenti politik i brendshëm në Uashington, ku përgatitjet për luftë kundër Irakut dhe angazhimi diplomatik me Korenë e Veriut ishin në rend të ditës), e bënin të domosdoshëm nisjen e këtij procesi menjëherë. Për këto arsye, u ra dakord nga të gjithë të pranishmit që puna për hartimin e një “Karte të Adriatikut” të fillonte sa më parë, mundësisht brenda javës që pasonte, për të bërë të mundur nënshkrimin e saj dikur nga mesi apo fundi i muajit mars të po atij viti, pra vetëm rreth dy muaj më vonë.

Gjatë darkës u ra dakord që ky proces të zhvillohej në disa faza. Së pari, u propozua që “Mafia e Uashingtonit” (Jackson-Reefe-Scheunemann) të vizitonin brenda një ose dy javëve Tiranën, Zagrebin dhe Shkupin për të diskutuar në nivelet më të lartë në këta kryeqytete mbi hartimin e një “Karte të Adriatikut”, si dhe mbi planin për realizimin e tij. Që këto takime dhe tërë veprimtaria e mëtejshme në Uashington të kishin rezultatin e duhur, u sugjerua që tre ambasadorët e këtyre vendeve në Uashington të shoqëronim grupin Jackson-Reefe-Scheunemann në kryeqytetet e tyre përkatëse.

Që të shfrytëzohej momenti i duhur dhe që procesi të vihej në rrugën e zbatimit të tij pa humbur kohë, u propozua, gjithashtu, që ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë të takoheshin, si grup, me delegacionin e senatorëve amerikanë, të përbërë nga John McCain, Joe Lieberman dhe Richard Lugar, që do të merrte pjesë në Konferencën e Mynihut mbi Politikat e Sigurisë, e njohur ndryshe si “Wehrkunde Conference”, në 7-8 shkurt 2003, pra vetëm 3-4 javë pas asaj darke. Vetëm pak ditë pas asaj konference, më 12 shkurt, do të takoheshin në Tiranë presidentët Alfred Moisiu, Stipe Mesic dhe Boris Trajkovski, të cilët do të duhej të diskutonin edhe për nismën e Adriatikut.

Kalendari u ngjesh edhe më tej me propozimin që gjatë dy javëve të fundit të muajit shkurt, ministrat e jashtëm të vendeve A3 të miratonin projektin e “Kartës së Adriatikut” dhe t’ia propozonin atë për miratim Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara. Nëse çdo gjë do të shkonte sipas parashikimeve, “Karta e Adriatikut” do të nënshkruhej nga ministrat e jashtëm Ilir Meta, Tonino Picula, Ilinka Mitreva dhe nga Sekretari i Shtetit Colin Powell, në një ceremoni që do të organizohej në Uashington, në një datë të përshtatshme për të gjitha palët, nga 15 deri më 30 mars 2003.

Pas kësaj, u diskutua mbi mundësinë e një takimi mes kryetarëve të delegacioneve të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në Mbledhjen e Këshillit të Atlantikut Verior, që do të mbahej në Madrid, në maj të atij viti. Nëse tre vendet tanë do të arritur ta nënshkruanin me Shtetet e Bashkuara “Kartën e Adriatikut”, kjo do të bënte përshtypje shumë të mirë te qeveritë e vendeve anëtare të Aleancës. Më tej u propozua mbajtja, në qershor të atij viti, e një takimi pune në nivel ministrash të jashtëm ose në Sarandë, ose në Ohër, ose në Zagreb, në të cilin eventualisht mund të ftoheshin si vëzhgues edhe ministrat e jashtëm të Serbisë dhe Malit të Zi (atëherë ende një shtet i vetëm), të Bosnje-Hercegovinës, Greqisë, Italisë, Turqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë. U gjykua, gjithashtu, që në mes të shtatorit të atij viti, gjatë Mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, delegacionet e vendeve A3 të takoheshin në Nju Jork me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, ndoshta edhe me vetë Sekretarin Powell.

Në kalendarin e propozuar atë mbrëmje në ambasadën e Shqipërisë, u parashikua edhe një samit i mundshëm i kryetarëve të shteteve të vendeve të grupit Vilnius 10, i cili mund të mbahej në Zagreb, në gjysmën e dytë të muajit shtator 2003. Një samit i tillë do të kishte në fokus temën e Adriatikut, madje edhe u sugjerua që presidentët Mesic, Moisiu dhe Trajkovski të ishin bashkorganizatorë nderi të atij samiti. Ambasadori Dimitrov i informoi të ftuarit në atë darkë se presidenti i vendit të tij, Boris Trajkovski, kishte shprehur ndërkohë dëshirën për organizimin e një samiti të kryetarëve të sheteteve të grupit Vilnius 10 në Maqedoni, gjatë vitit 2004, gjë që mbeti thjesht një dëshirë e Presidentit Trajkovski për shkak të vdekjes së tij tragjike, në një aksident ajror, më 26 shkurt 2004.

Propozime të shumtë atë mbëmje u bënë lidhur me nivelin në të cilin do të duhej të nënshkruhej në Uashington një “Kartë e Adriatikut”. Diskutimeve nëse një dokument i tillë do të duhej të nënshkruhej nga kryetarët e shteteve të vendeve A3 dhe nga Presidenti Bush (si në rastin e Kartës së Balltikut), nga kryetarët e qeverive të këtyre vendeve dhe Zëvendëpresidenti Cheney, apo nga ministrat e jashtëm të tre vendeve dhe Sekretarit të Shtetit Powell u dhanë përgjigje Janet Bogue (Zëvendësndihmësja e Sekretarit të Shtetit Colin Powell) dhe Kurt Volker (Drejtor për NATO-n në Këshillin e Sigurimit Kombëtar).

Janet Bogue vuri në dukje se, në kushtet e asaj kohe, kur një luftë me Irakun po bëhej gjithnjë e më iminente, ishte e pamundur që Departamenti i Shtetit të angazhohej për të siguruar që Presidenti Bush, ose Zv/Presidenti Cheney të ishin të disponueshëm për të nënshkruar një dokument të tillë, aq më tepër kur situata në të cilën gjendej Uashingtoni në fillim të vitit 2003 bënin që Zv/Presidenti Cheney të qëndronte “larg vëmendjes së publikut”. Sipas znj. Bogue, ishte më e lehtë të sigurohej që, në një ditë të caktuar, gjatë muajit mars, Sekretari i Shtetit Powell të ndodhej në Uashington dhe të priste ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë për të nënshkruar me ta “Kartën e Adriatikut”, nëse ky projekt do të shkonte përpara sipas parashikimeve. Kjo, sipas saj, kishte si precedent edhe marrëveshjen e Vilniusit, të nënshkruar në nivel ministrash të jashtëm nga 9 vendet nismëtare të procesit Vilnius. Ajo u shpreh se Uashingtoni ishte i prirur që ta vlerësonte nënshkrimin e një dokumenti të tillë si “një takim të parë pune në nivel diplomatik”. Bogue u shpreh, gjithashtu, se të tre presidentët e vendeve tanë ishin të mirëpritur në Uashington por, shtoi ajo, “do të ishte e dëshirueshme që ata të vizitonin Uashingtonin veças njëri-tjetrit, në mënyrë që t’i krijohej secilit mundësia për të zhvilluar takime bilaterale të nivelit më të lartë, siç u takon”.

Znj. Bogue u shpreh hapur se, në fund të fundit, “ndërsa propozimi për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga vetë tre vendet e rajonit, vendimin se në ç’nivel do të nënshkruhej ky dokument zyrtar, ku dhe nga kush do të nënshkruhej ai, do ta merrte Departamenti i Shtetit”. “Ftesa do të bëhet nga Uashingtoni”, tha ajo. Ajo arsyetoi se ishte më e rëndësishme që një dokument i tillë të firmosej sa më parë sesa niveli i zyrtarëve që do e firmosin atë. Këtë mendim shprehu edhe Liza Tepper e Këshillit të Sigurimit Kombëtar. Sipas saj, takime të nivelit më të lartë duheshin planifikuar për një periudhë të mëvonshme. Kurt Volker, nga ana e vet, informoi se Shtëpia e Bardhë kishte dhënë instruksione të prera se “për 3-mujorin e parë të atij viti Presidenti Bush dhe Zv/Presidenti Cheney nuk do të prisnin asnjë vizitë”. Vizitat në Shtëpinë e Bardhë, sipas tij, do të ishin shumë të vështira, në mos të pamundura, edhe për 6-mujorin e parë, madje edhe për tërë vitin, në varësi të zhvillimit të ngjarjeve në rajonin e Lindjes së Mesme dhe të luftës kundër terrorizmit.

Mbi përmbajtjen e diskutimeve të zhvilluara gjatë asaj darke të rëndësishme në ambasadën e Shqipërisë në Uashington u njoftuan menjëherë Presidenti Alfred Moisiu, Kryeministri Fatos Nano dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta. Miratimi i tekstit përfundimtar të “Kartës” dhe të gjitha veprimtaritë e propozuara atë mbrëmje për nënshkrimin e saj u realizun thuajse sipas parashikimeve tona, edhe pse vetë “Karta e Adriatikut” (emri zyrtar i së cilës është “U.S.-Adriatic Charter”), nuk u nënshkrua në Uashington, dhe as në mars të vitit 2003, siç qe parashikuar, por në Tiranë, më 2 maj të po atij viti. Se si ndodhi ky “devijim” në kohë dhe në hapësirë përshkruhet në vijim.

(vion nesër)

November 2, 2019 13:46
Komento

2 Komente

  1. Shkodra November 3, 22:36

    Ky njeri vuan nga egocentrizmi dhe i duket sikur procesi Adriatik-3 ka kaluar nga kati i dyte i Ambasades Shqiptare, madje edhe emrin ia paska vene Tarifa. Aritificialitete, sajesa dhe deformime. Emri “Adriatic Charter”, ashtu si emri NATO, jane ideuar ne Washington me nje qellim te caktuar gjeostrategjik dhe jo sepse paska dialoguar Tarifa. Te vjen per te vjelle.

    Reply to this comment
  2. Mimosa November 3, 23:32

    Faleminderit Profesor per keto analiza kaq interesante.

    Respekte per ju,

    Mimosa

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*