Tarifat sa kushton marrja e dokumenteve  në Universitetin e Tiranës

May 13, 2020 11:46

Tarifat sa kushton marrja e dokumenteve  në Universitetin e Tiranës

Pranvera Kola

Rinis aplikimi për konfirmimin e dokumenteve universitare, shërbim i cili u ndërpre për më shumë se dy muaj për shkak të situatës së krijuar në vend nga shpërthimi pandemik i Covid-19. Studentët dhe çdo person tjetër që duhet të legalizojë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dokumentet e tyre shkollore, duhet të kryejë më parë procedurën e konfirmimit të tyre pranë strukturave të posaçme të Universitetit të Tiranës. Procesi i konfirmimit bëhet kryesisht për dokumente të tilla, si: listë notash, programet studimore në shqip dhe anglisht, certifikatë notash, suplemente diplome, dëshmi të njohjes së gjuhës së huaj, etj.

Duke qenë se rreziku nga Covid-19 nuk ka kaluar ende, kërkesa për konfirmimin e dokumenteve përkatëse do të vijojë të bëhet online, ndërsa tërheqja e tyre do të bëhet fizikisht pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Publikun në Universitetin e Tiranës sipas datave dhe orareve të përcaktuara. Gjithashtu, ky sektor përveç procedurës së konfirmimit do të jetë edhe pika e shërbimit për t’u pajisur me dokumente shkollorë, si: listë notash, program mësimor, vërtetime, etj, për të gjithë të interesuarit që kanë kryer studimet universitare pranë fakulteteve të këtij institucioni të arsimit të lartë publik.

Sa i takon procedurës së konfirmimit saktësohet se: “Të gjithë të interesuarit që kërkojnë të konfirmojnë dokumentacionin shkollor, kërkesën e tyre së bashku me dokumentacionin të skanuar duhet ta paraqesin me email në adresën: [email protected]. Pas kryerjes se procedurave përkatëse, aplikuesi do të njoftohet përsëri me email nga kjo adresë, për t’u paraqitur dhe për të tërhequr dokumentacionin shkollor të konfirmuar”.

Tarifat që duhet të shlyeni për konfirmimin e dokumenteve janë të ndryshme dhe variojnë nga 500 lekë, deri në 30 euro në rastet kur aplikuesi kërkon që Universiteti i Tiranës të nisë në një tjetër institucion arsimor universitar të huaj dokumentet e konfirmuara. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar tarifat e plota se sa kushton procesi i konfirmimit të çdo dokumenti, apo tërheqjes së tyre.

Konfirmimet që bëhen kundrejt pagesës 500 Lekë

Kjo procedurë kryhet në rastin kur personat e interesuar, kërkojnë konfirmimin e dokumenteve shkollore (firmën e Rektorit të UT-së, si dhe vulën e Universitetit të Tiranës në dokumentet e verifikuara). Dokumentet që verifikohen në këtë rast duhet të jenë të lëshuara nga njësitë kryesore të këtij universiteti, konkretisht: Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Fakultetit të Shkencave Sociale, Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Fakulteti të Ekonomisë, Fakultetit të Drejtësisë, Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Institutit të Studimeve Evropiane. Universiteti i Tiranës verifikon këto dokumente: Diplomë, Listë Notash, Program mësimor, Suplement diplome, Vërtetime, Dëshmi gjuhe (pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe Fakultetit Historisë dhe Filologjisë), Diplomë doktorate, etj. Kjo pagesë mund të realizohet edhe në rastet kur ju kërkoni për t’u pajisur me dokumente shkollorë, si listën e notave të plotë ose të pjesshme, vërtetime studenti, program mësimore në shqip ose në anglisht. Sa i takon kësaj të fundit, sqarohet se jo të gjitha programet mësimore janë në gjuhën angleze, ndaj para se të bëni pagesën përkatëse këshillohet që të pyesni nëse mund të merrni një program në gjuhën angleze. Procedura për këto konfirmime zgjat deri në dy javë.

Procedura e konfirmimeve me pagesë prej 30 Euro

Kjo procedurë kryhet në rastin kur personat e interesuar, kërkojnë që dokumentet e tyre shkollore të verifikohen dhe të dërgohen në mënyrë zyrtare nga Universiteti i Tiranës në adresën e institucioneve të huaja ku ata aplikojnë. Edhe ne këtë rast lejohet që të verifikohen vetëm dokumentet e lëshuara nga fakultetet dhe njësitë që janë pjesë e Universitetit të Tiranës. Edhe në këtë rast, procesi i verifikimeve bëhet për dokumente të tilla, si: Diplomë, Listë notash, Program mësimor, Vërtetime, Suplement diplome, Dëshmi gjuhe (pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe Fakultetit Historisë dhe Filologjisë), Diplomë doktorate. Për këto lloj konfirmimesh e gjithë procedura bëhet me dije se zgjat maksimumi një muaj dhe dokumentet dorëzohen pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Publikun.

 

Programet e studimit në Universitetin e Tiranës

Ky institucion i arsimit të lartë ofron studime të nivelit të parë “Bachelor”, studime të nivelit të dytë “Master profesional”dhe “Master Shkencor”, si dhe studime të ciklit të tretë “Doktoraturë”.

Programet e studimit të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh. Këto programe të nivelit “Bachelor” realizohen, si rregull, me 180 kredite evropiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e UT-së për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer. Në këtë cikël UT ofron studime në 36 programe të ndryshme të gjashtë fakulteteve që janë pjesë e tij.

Ndërsa programet “Master i shkencave” realizohen me 120 kredite me kohëzgjatje normale jo më pak se dy vite akademike. Këtu përfshihen 30-40 kredite për një projekt kërkimor, nën udhëheqje të kualifikuar, i cili përfundon me diplomë (mikrotezë). Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.  Programi i studimit mund të realizohet edhe si program i integruar i studimit i ciklit të dytë, me 300 kredite dhe me kohëzgjatje normale prej pesë vitesh akademike. Ky program studimi ofrohet në drejtësi, si dhe në fusha të tjera të përcaktuara nga aktet nënligjore. Studimet në këtë program përmbyllen me punim diplome dhe studentët pajisen me diplomë të integruar në fushën e arsimimit të kryer. Studimet në këtë cikël realizohen në 69 programe të ndryshme studimi.

Programet e studimit “Master Profesional” u ofrojnë të diplomuarve me një diplomë të ciklit të parë njohuri me karakter praktik profesional në drejtimin përkatës. Realizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike, përkatësisht. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e fakultetit për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master Profesional” në fushën e arsimimit të kryer. Studimet në këtë cikël realizohen në 38 programe studimi.

Programet e studimit në ciklin e tretë të studimeve mund të organizohen në programe studimi “Master Ekzekutiv“, programe specializuese afatgjata, si edhe në programe studimi të Doktoratës. Studimet e nivelit të tretë ofrohen në 38 programe të ndryshme studimi.

Tarifat për konfirmimin e dokumenteve në Universitetin e Tiranës

  • Tarifa për konfirmim dokumenti është 500 lekë.
  • Tarifa për konfirmim dokumenti ndërmjet UT dhe universiteteve të huaja 30 euro.
  • Tarifa për të marrë programin mësimor të plotë në shqip është 2000 lekë.
  • Tarifa për të marrë program të plotë studimi në gjuhën angleze është 3000 lekë.
  • Tarifa për të marrë vërtetim studenti është 200 lekë.
  • Tarifa për të marrë një certifikate notash, si kopje të dytë është 500 lekë.
  • Tarifa për certifikate notash\të pjesshme është 200 lekë.
May 13, 2020 11:46
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim