Rebelë mbi muret e shtetit

Nga Koloreto Cukali October 15, 2013 08:36

Rebelë mbi muret e shtetit

Arti i Rrugës

Ndërtesa më sipër, e quajtur “5Pointz”, një magazinë bosh në Kuins, që ka qenë prej kohësh një magnet për artistët më të mirë të botës të Grafitti-t. E kthyer gati si një shtëpi shpirtrash, e braktisur nga njerëzit dhe e banuar nga artistët, tashmë është marrë vendimi që ajo të shembet duke marrë nën vete tërë artin brenda saj. Jetojmë në kohërat e artit të rrugës.

 

Mbijetesa e artistit

Që të jesh piktor sot duhet të shitesh që të mund të mbijetosh. Që të shitesh, duhet të kuotohesh në bursë. Kuotimet në bursë janë në duart e manaxherëve dhe të konjukturave.

Arti vizual është prej kohësh në dorën e manaxherëve dhe të kuratorëve të cilët përcaktojnë bursën e artistëve – që të shesësh duhet të jesh i kuotuar në këtë bursë. Por bursat, janë vlera virtuale e relative.

Arti vizual sot është në dorën e parvënyve, në dorën e plakave me para, në duart e grave të zengjinëve të rinj, që nga magazinierë u bënë miliarderë.

Mijëra artistë të talentuar nuk do çajnë dot kurrë. Nuk njohin njerëzit e duhur, nuk janë pjesë e konjukturave të caktuara, apo nuk kanë kombësinë e duhur.

Për fat, rruga është e hapur për të gjithë.

Rebelë mbi mure.

Ndaj, midis galerive dhe artit të rrugës, simpatia ime shkon te ky i fundit. Artistët e vërtetë, për mua, janë ata që nuk bëjnë kompromise. Janë ata që artin, e sjellin në rrugë. Siç u takon rebelëve.

Ndjehem i trishtuar, që arti i rrugës tek ne është reduktuar në stilizimin e ca grupeve muzikore ordinere, emrave të dashnoreve, apo llafeve të pista. Nuk kemi dhe shumë faj. Për gati 50 vjet, i vetmi rebelizëm që ndjenin nevojë të shkruanin mbi mure shqiptarët, ishin emrat e gjenitaleve. Por, muret janë tonat. As të pasanikëve, as të shtetarëve, as të konformistëve. Muret, janë vendi i opozitës artistike. Muret, janë për artistët rebelë. Politika, për pragmatistët.

Nga Koloreto Cukali October 15, 2013 08:36
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*