Të ardhurat nga pushteti vendor, 1.4 mld lekë më pak

June 27, 2016 09:36

Të ardhurat nga pushteti vendor, 1.4 mld lekë më pak

Mosrealizimi i të ardhurave nga pushteti vendor vazhdoi edhe gjatë muajit maj të këtij viti. Referuar të dhënave të treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, rezulton se gjatë kësaj periudhe të ardhurat janë realizuar në masën 6.7 mld lekë, ndërkohë, që ishin parashikuar 8.2 mld lekë.

Ndërkohë referuar shpenzimeve të njësive vendore për këtë periudhë vërehet se ato janë në vlerën e 11.7 miliardë lekë, një shumë kjo e konsiderueshme në krahasim me të ardhurat që mbledh. Aktualisht, taksat e pushtetit vendor, të ardhurat e të cilave shkojnë në buxhetin e shtetit, janë ato mbi pasurinë, tatimi mbi biznesin e vogël dhe taksa lokale.

Por referuar të dhënave, dy janë analizat që mund të bëhen, ose parashikimi është më i lartë se kapaciteti, ose pushtetarët vendorë nuk kanë patur performancën e duhur. Ecuria e dobët e mbledhjes së të ardhurave nga pushteti vendor gjatë gjithë viteve të fundit, ka ardhur si rrjedhojë jo vetëm e një menaxhimi jo të mirë, por dhe nga niveli i ulët i kapaciteteve njerëzore që kanë shumë nga këto njësi.

Ndërkohë reforma për ndarjen e re administrative të vendit, që tashmë ka hyrë në fuqi në pjesën e dytë të vitit të kaluar, pritej të sjellë ndryshime edhe në buxhetet e planifikuara të njësive vendore. Por krahas mosmbledhjes së të ardhurave , pushteti vendor tashmë ka dhe një problem tjetër në financat e veta, ku borxhi që këto njësi i kanë kompanive private arrin në 7.2 miliardë lekë.

Kjo vlerë tashmë është njohur edhe nga Ministria e Financave, por ky institucion nuk do të paguajë asnjë lek nga buxheti i shtetit për to. Sipas financave, njësitë vendore do ta paguajnë këtë borxh nga buxhetet e tyre në vite.

June 27, 2016 09:36
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*