Biznes me peshën e shqiptarëve: Sa shpenzojmë për t’u dobësuar

March 10, 2018 10:23

Biznes me peshën e shqiptarëve: Sa shpenzojmë për t’u dobësuar

Dietologjia konsiderohet një biznes i mirë në Shqipëri, me rritje të numrit të klientelës në katër vitet e fundit dhe diversifikimin e ofrimit të shërbimit: nga dieta e personalizuar te shërbimi katering në shtëpitë e shqiptarëve. Çmimi mbetet i konsiderueshëm, një shqiptari në muaj për një shërbim dietologjik gjithëpërfshirës do t’i duhet të shpenzojë mesatarisht 30 mijë lekë…

Të dëgjosh për qendra dobësimi, qoftë me dieta apo metoda të tjera, nuk përbën më habi në vitin 2018. Ashtu sikurse nuk përbën më habi shtimi i numrit të dietologëve në Tiranë, që më parë, konsiderohej një profesion i padëgjuar dhe i nënvlerësuar.

Jeta moderne, rritja e punësimit, ndryshimi i balancave dhe angazhimet e shumta ka ndikuar në jetën e individit, duke i ndryshuar mënyrën e të ushqyerit. Ndryshimi i stilit të jetës “ushqeu” lulëzimin e qendrave të dobësimit, të cilat po shohin ditë të mira dhe fitimprurëse..

Enkeleida Ferrollari, dietologe prej shumë vitesh në Tiranë, pohon për “Monitor” se shqiptarët kërkojnë dy shërbime kryesore: kategoria e konsultës dietologjike, e cila përfshin vizitën, si dhe rekomandimet e shkruara për humbje apo marrje peshe.

Ajo pohon se kërkesat për shërbimin janë rritur. “Jo vetëm për shërbimin e rënies nga pesha, por edhe për të marrë peshë dhe thjesht për ta ruajtur atë. Është rritur numri i klientëve që kërkojnë shërbim për t’u ushqyer në mënyrë të shëndetshme dhe për të ruajtur parametrat e peshës dhe të shëndetit. Shfaqja e patologjive të ndryshme që lidhen me mënyrën e të ushqyerit i ka ndërgjegjësuar njerëzit të cilët ndiejnë nevojën e një diete të shëndetshme”, – pohon znj. Ferrollari.

Ndërsa Blerina Bombaj, pioniere e fushës së dietologjisë në Shqipëri, thotë se ka ndryshuar kërkesa e shërbimeve pranë qendrës së saj. Krahasuar me vitin 2015 ku kishte më tepër kërkesa për dietat e personalizuara, ajo tregon se tani kërkohet më tepër shërbimi katering, menuja “delivery”.

“Gjëja e parë që mund të them është se vijon rritja e numrit të klientëve, me 10-15% çdo vit. Një gjë që ka konstatuar dy vitet e fundit është rritja e kërkesës për ushqim të gatshëm në shtëpi, pra shërbimi katering, përpos kërkesës për një dietë specifike sipas nevojave. Është shërbim më komod, i leverdishëm.

Një ndër arsyet që çalon regjimi ushqimor është ritmi i jetës, mungesa e kohës për të gatuar vetë”,- tregon znj. Bombaj.

Njerëzit që e kërkojnë këtë shërbim, pohon zonja Bombaj, janë me të ardhura mbi mesatare. Sa i përket moshës janë rreth të 40-ave, atëherë ku metabolizmi i njeriut nuk përgjigjet njësoj. “Megjithatë ka kërkesa nga të gjitha moshat, pa diskutim. Edhe më të rinj, edhe më të moshuar”, – shprehet znj. Bombaj.

Ekspertët e fushës pohojnë se kërkesat për dobësim vijnë nga të gjitha kategoritë, duke nisur nga fëmijët me probleme shëndetësore, femrat e reja që duan të humbin peshë si kërkesë estetike, si dhe femra dhe meshkuj mbi 40 vjeç që kërkojnë “ndihmë” për arsye shëndetësore.

“Megjithatë dominojnë femrat dhe duhet ta theksojmë këtë gjë”, – tregon znj. Bombaj.

Edhe pse numri i meshkujve që marrin këtë shërbim është rritur, janë sërish femrat që dominojnë, sipas znj. Ferrollari.

Sëmundjet dhe nevoja për dobësim

Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Prevalenca që një shqiptar të vdesë prej sëmundjeve kardiovaskulare është dyfishi i mesatares botërore të vdekjeve.

Sipas të dhënave më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për çdo 100 vdekje në Shqipëri, 58 shkaktohen nga sëmundjet kardiovaskulare, 19 prej tumoreve, 4 prej diabetit, 3 prej sëmundjeve mendore, 1 prej infeksioneve në rrugët e frymëmarrjes, 1 prej aksidenteve rrugore dhe 10 prej shkaqeve të tjera.

Sipas dietologëve, një kategori që kërkon shërbimet e dobësimit, janë njerëzit që vuajnë nga sëmundjet metabolike kronike: diabeti, sëmundjet kardiovaskulare.

Blerina Bombaj tregon se personat që vuajnë nga këto dy sëmundje, janë të prirë që të kërkojnë ndihmën e dietologut për një dietë strikte, për të përmirësuar shëndetit e tyre. “Jo gjithnjë ndodh kështu, ka njerëz që vuajnë nga diabeti të cilët e nënvlerësojnë këtë sëmundje dhe nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur ushqimit, pavarësisht rekomandimit të mjekut. Megjithatë, në përgjithësi, situata po ndryshon. Veçanërisht për shqiptarët që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, ka një rritje të numrit të tyre që kërkojnë shërbimin dietologjik”, – pohon znj. Bombaj.

Sa shpenzohet?

Shifrat mbeten të konsiderueshme për shërbime të tilla. Megjithatë, dietologët pohojnë se kanë kryer një investim fillimisht te vetja si profesionistë, më pas ofrimin e një qendre më standarde dhe çmimet janë reflektim i punës së tyre. Anila Kalleshi, dietologe dhe drejtuese e një qendre dobësimi, tregon se ky biznes ka mundësi të mira fitimi, por edhe abuzimi nga njerëz të cilët nuk janë të aftë dhe pretendojnë se janë dietologë.

“Nëse dikush kërkon ndihmë te një profesionist, vlera që paguan përpara përfitimeve shëndetësore që merret është e ulët”, – tregon znj. Kalleshi.

Ajo pohon se dietologu profesionist ka bërë një investim gjatë gjithë edukimit dhe jetës për të qenë i mirë në treg, për të dhënë orientimin e saktë klientëve, gjë që ka kosto relativisht të lartë, e cila duhet rikuperuar, si në çdo profesion tjetër.

Enkeleida Ferrollari thotë se përpiqet të ofrojë shërbime për çdo kategori buxheti, që mund të kenë mundësi të përfitojnë qoftë ata me të ardhura të mira ekonomike, qoftë ata me të ardhura të mesme dhe ulëta. Këtu kemi parasysh individët që i drejtohen dietologut nga nevoja, që vuajnë nga një sëmundje dhe jo për çështje estetike.

Arlinda Garuci thotë se një vizitë matje metabolike kushton 1600 lekë, ndërsa shërbimi i ofrimit të dietës së personalizuar kushton afërsisht 5000 lekë (bashkë me matjet). Ndërsa seancat e dobësimit, përmes aparaturave, kanë kosto relativisht më të lartë. Një seancë kushton 1000-1500 lekë, ndërsa për një abonim njëmujor nevojitet seanca çdo ditë ose çdo dy ditë, sipas nevojave të personit për humbje peshe.

Shërbimi katering i menyve të dietave është më i kushtueshëm. Blerina Bombaj thotë se menyja bazë me tre vakte së bashku me shërbimin e transportit kushton 33000 lekë në muaj, ndërsa menyja speciale arrin në 400 euro në muaj (6 ditë të javës)./ Marrë me shkurtime nga monitor.al

o.j/dita

March 10, 2018 10:23
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin