Të dallojmë huliganët, popullin, liderët

Fatmir Shehu October 28, 2014 13:54

Të dallojmë huliganët, popullin, liderët

Shpesh dëgjojmë të bëhet pyetja pse kombi ynë nuk ka pasur dhe nuk ka “naçertanije” apo “megalo-idhea”. Sepse ai nuk ka pasur nevojë asnjë herë të spostojë të tjerët, nuk ka pasur nevojë për hapësira jetike, sepse të parët e tij kanë ditur të zgjidhnin që në fillim Mesdheun për troje të tyre dhe kanë qenë me fat. Kombi ynë ka pasur rilindas, të cilët si paradigmë të tyre kanë pasur kombin, gjuhën, kufijtë që u përkisnin dhe jo zaptimin dhe zhdukjen e kombeve të tjerë.

Nuk flasim për fqinjët e tjerë që kemi. As për Greqinë, as për Italinë me të cilët kemi pasur probleme në periudha të ndryshme të historisë. Por po flasim për Serbinë, jo si popull, por si ideologji e si politikë, si udhëheqësi. Është një shprehje që thuhet në mënyra të ndryshme por e ka kuptimin: “Ashtu siç është populli, janë dhe udhëheqësit”. Jo, mendoj se populli nuk duhet ngatërruar me udhëheqësit, sidomos udhëheqësinë. Kjo është një tezë që kërkon që fajin e udhëheqësit (qoftë ideologjik ashtu dhe politik) ta kalojë tek popujt. Dhe rrjedhimisht, kjo tezë vë në luftë popujt dhe jo udhëheqësit e tyre. Ishte Hitleri (me ekipin e tij që e krijoi ai vetë) që e bëri popullin gjerman për afër një dekadë që të bëhej armiku më i madh dhe shkatërruesi më i madh i gjithë popujve rreth e qark. Por mbas lufte, po populli gjerman me një drejtim të ri me udhëheqës të tjerë arriti të bëhej një popull paqeruajtës dhe ndërtues, me shembull që frymëzon të tjerët drejt zhvillimit dhe paqes. Ka shumë shembuj të tillë që tregojnë se meritën apo fajin nuk e ka populli, por udhëheqësi.

Edhe me Serbinë ka probleme të tilla. Populli serb nuk do ngatërruar me huliganët e sportit apo ideologjisë dhe politikës, as me vrasësit e luftës që krijoi Millosheviçi dhe të zgjedhurit e tij ndaj popujve të tjerë, jo vetëm të shqiptarëve të Kosovës. E keqja në këtë rast është më e thellë. Udhëheqësit që vihen në forma të ndryshme në krye të popullit në Serbi akoma dhe sot e kësaj dite kanë atavizma të trashëguara nga udhëheqësit e mëparshëm. Ata nuk u shkëputën nga Millosheviçi, ashtu siç u shkëput nga Hitleri, Adenaueri dhe pasardhësit e tij. Apo qoftë dhe udhëheqësit e tjerë të Europës Lindore nga ideologjia dhe politikat e mëparshme. Kosovën nuk e shkëputën nga Serbia shqiptarët, sepse jo se nuk kanë dashur, por pa forcat e tjera lirimbrojtëse – me Amerikën në krye – kjo ëndërr nuk do realizohej asnjëherë. Kosova si një shtet më vete, nuk është krim sepse nuk mund të akuzohen shtetet më demokratike të botës që e krijuan dhe e kanë njohur si shtet, por një atribut i shqiptarëve dhe nuk cenon asnjë gjë në realitetin dhe historinë serbe. Përkundrazi. Kosova zuri vendin e vet, qetësinë e vet dhe kjo i shërben jo vetëm qetësisë së serbëve, por edhe gjithë Ballkanit dhe më tej.

Duhet kuptuar se Serbia është një komb europian dhe gjithë tendencat e sotme europiane janë që Europa të bashkohet. Kësisoj, Serbia mos të kërkojë të bashkohet me Kosovën, por me Europën, ku atje do ketë edhe Kosovën edhe Shqipërinë edhe shumë hapësira të tjera pune dhe zhvillimi. Në të kundërt, po deshi dhe po luftoi vetëm për Kosovën, që do jetë një luftë e padrejtë dhe dëmprurëse edhe për popullin serb, do humbasë një hapësirë më gjigande – Europën. Kosova mund t’i bashkohet Shqipërisë për arsye administrative dhe territoriale – sepse mund të konsiderohet më dobiprurëse në suazën e BE-së, gjë që nuk do i shkaktojë asgjë të keqe Serbisë, përkundrazi. Më të shkëputur dhe më afër proceseve demokratike që po zhvillohen këto dekadat e fundit në Europë drejt bashkimit të plotë të saj na duket se janë udhëheqësit shqiptarë. Iniciativa e Kryeministrit Rama për të vizituar Beogradin e argumenton këtë thënie. Në Shqipëri nuk janë dëgjuar kurrë thirrjet “vrasje për serbët”, dhe kam bindje se edhe sikur skuadrës serbe të futbollit t’i binte radha e para të vinte të lozte në Tiranë, nuk do të ngjante ajo që ngjau në ndeshjen e Beogradit. Drejtuesve të shtetit tonë kurrë nuk u shkon në mendje që të ndalojnë flamurin serb të afishohet në rastet e duhura. Unë e quaj një shenjë tolerance shumë të madhe (e deri në të palejueshme- ofenduese deri në shkallë të ulët) që drejtuesit e sportit tonë dhe skuadra jonë pranoi të luante në stadiumin ‘Partizani’ të Beogradit pa flamurin e saj kombëtar. Mirë të mos pranosh tifozët për arsye sigurie, por pse të mos të pranosh flamurin dhe himnin e tij kur këndohet? Apo ishte kurdisur skenari me dronin që të futej armiqësia midis popujve tanë dhe jo bashkimi dhe miqësia? A nuk do konsideruar ky një provokim dhe gjaknxehje, jo vetëm për lojtarët por edhe për shqiptarët që ishin afër stadiumit, sepse në Beograd ka mjaft shqiptarë (nuk po përmendim gjithë kombin shqiptar). A ka rrugaçëri më të madhe kur tallesh me simbolet e një kombi siç ishte rasti i ulërimave dhe sharjeve në kohën kur ekzekutohej himni i flamurit (megjithëse në mungesë të flamurit)?

Sporti dhe aktivitetet sportive kulturore janë mjete afrimi dhe miqësimi me popujt dhe jo raste armiqësimi. T’u ndryshosh qëllimin këtyre aktiviteteve është një kriminalitet i pafalshëm. Vetëm një lojë pingpong bëri presidenti Nikson në Kinë dhe Kina ndryshoi kursin e saj politik në të mirën e popullit të saj afro gjysmë shekulli më parë. Sa vlagë pozitive do kishte nëse ndeshja e futbollit që u luajt në Beograd në 14 tetor, do manifestonte fqinjësi dhe respekt si dy shtete europiane; një gjë e tillë do zbuste dhe gjakrat e kosovarëve që i kanë para syve të vrarët e luftës së Millosheviçit!

Fatmir Shehu October 28, 2014 13:54
Komento

2 Komente

  1. mustafa October 28, 17:43

    Te bejne te gjatet tane ndonje loje bilardo,spathi e gur tresh dhe ndryshon direkt politika serbe ndaj shqiptareve kudo qe jane.

    Reply to this comment
  2. iri October 29, 21:58

    Mire e ke tu z.Fatmir, me kete shkrim parimisht je korrekt, keshtu duhet te ndodhe na duhet miqesi me te gjithe e me shume me fqinjet, Por histora e derisotme eshte e mbushur me fakte te hidhura se ne Shqiptaret me se shumti ndodhemi mes dy egersirave nje nga jugu (hiena),e nje nga veriu (cakalli)Jeta na ka vertetuar e bindur se me ta duhet ndenjtur me dru ne dore, atje ku nuk shkon llogjika ,duhet huri.Edhe sikur te ishim 100% engjej ne Shqiptaret ata serbet kurre nuk kane per tu sjelle mire.Mendoj se nuk behet gabim sot po tu shpjegohet mire te rinjeve brenda e jashte shtetit se cfare eshte ‘nacertanja’ apo’ megaliidea,’ ,Jane keto dy teori ne juge e ne veri themeli I antishqiotarizmit te fqinjeve qe per fat te keq kane rrenje jo vetem ne gupe eksremistesh por edhe ne programe qeverish , e ne na u dashka perhere te hapim rruge Kurre jo prandaj sot ne na duhet edhe patriotizem I shendoshe , te duam me shume atdheun e simbolet e tij ti mbrojme me dinjitete, duke mos u pajtuar kurre me keto filozofi te ketyre fqinjeve .Per fat te keq me grekun kemi gabuar rende , kali I Trojes tani eshte brenda nesh ne Tirane.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*